E nisa nëpër ara vjershën e parë,
Kur me babanë kthenim ugarë.
Siç vinin plisat varg në brazdë e ledhe,
Dhe unë rreshtova ca vargje në një bejte.
Më mbushej balli djersë e këmbët baltë,
Po ato vargje më dukeshin mjaltë.
Babai s’dinte gjë e më qortonte:
“ Shpejt, djalë, t’i mbarojmë plisat sonte!”
Po unë tok me plisat që thërrmoja,
Një varg, a rimë me mëndje e rreshtoja.
Ashtu me plisa e djersë gatuar,
Vargjet e para mbetën të pashkruar.
Mbinë me farën, a mbenë me thëllime?!
Ato dhe sot më vënë në mendime:
Me djersë ballit e këmbët me baltë,
E nisën rrugën, ato vargje mjaltë.