Zërat tuaj vinë nga larg,
Kapërcejnë qiej e yje,
Vinë nga lart si kristalë të thyer,
si mot i ngarkuar...
Zërat tuaj ndihen kaq pranë
të butë,
të ëmbël,
më të njohurit në botë ata janë.
Vinë larg, nga një pikë e globit,
Diku, aty, afër Nord-Polit.
Nga lart,
që nga lashtësitë,
kemi folur vetëm me hyjnitë.
Tani?!...
Ndodhi dhe kjo çudi:
s’i veçojmë dot këto zëra:
Janë fëmijët që kemi në mërgim,
Apo ata qënkan bërë Hyjni?!
Sytë e një Nëne si retë e shiut:
Mall i përvëluar ata lot;
Sa fjalë na mbetën në fyt,
nuk u thanë,
por, edhe nuk i kapërdimë dot.
Ndodh kështu, vërtet,
Kur me fëmijët e me Hyjtë flet.