Naim Frashërit
Kishin mbetur karvanet e shekujve shqiptare në udhëkryqe:
Me ca prijsa shkretanë, pashallarë me tuje,
pa dritë e emër.
Agimet e bardha të shpresës kishin mbi 400 vjet
që s’vinin këtej, e kushedi ku treteshin tutje.
Në lagështira gjaku e murgëtira me mjegull,
këndonin veç qyqe.
Përmes errësirës
në udhëkryqe, njerëz e gjallesa përplaseshin me erërat
dhe qafën thyenin në humnera të humbëtirës.
Drita nuk dukej,
Nuk dinte nga të vinte, s’po dilte në shesh:
Njerzit thërrisnin e rënkonin
Qielli lart i ftohtë, heshtte
e gjumonte...
Poshtë:
bota jonë-
përshesh...
Nga të shkojmë?!
Ku do të vemë?!...
Piskama çante mjegull e terr:
Një yll, ngarkuar me dhimbje e me dritë
Shkau, e zbriti,
duke prerë me rrufe-shpatë
atë tmerr.
Zbriti ylli i Dritës...
Si prijës drejt Ditës,
Me një shpirt të zjarrtë:
“ Këtej!... Ndiqmëni!... Përpara!...
Përmes territ e zisë!...
Ishte Naimi, me pendë e kartë...
na printe, drejt lirisë...
U nisën karvanet...
Agimet prisnin.
Tingujt e gjuhës shqipe rridhnin mjaltë:
Ç’po ndodhte?!
Kish ndodhur e padëgjuara çudi:
Perëndisë e Shqipërisë i flisnim me të njëjtën gjuhë të “zjarrtë”:
Dhe Perëndia u bë Shqipëri e Shqipëria Perëndi...
Skënderbeu e Pirua u rikthyen
me flamur, mbi kalë e me shpatë.
Tre yje drite, mbi Kokojkën e Frashërit,
Kishin ndezur zjarrin e zgjimit:
Projektorët e fundnatës shqiptare,
në qendër kishin Naimin...
Një rreze drite, ndriçonte e vezullonte:
Manushaqet ngritën kokën mbi hithrat e ferrat,
Dielli dhe agimi po na vinte nga “ perëndonte”:
Andej do të vinin: Drita, Çlirimi, Përparimi...
“Dita e bardhë “ çante mjegullën
ngarkauar me margaritarë vese...
I kish thirrur, dhe i priste Naimi...
Në verën me lule-shprese...
Tërë dritën e shpirtit e të mendjes e derdhi pa kursim
Dhe krijoi këtë Perëndi të re:
Edhe u tretur e kulloi si qiri,
I mërguar,
i malluar, për Parajsën-Mëmëdhe...
Jo,...
nuk u tret, si thonë, nga veremi Ai,
por, për Ty, moj Perëndia-Shqipëri.
Ecte karvani,
Naimi ishte në ballë, ndonëse në ditët e fundit.
Medet!...
Buzëqeshja e asaj fytyre të tretur,
Ditët e së ardhmes pret e thërret:
“ Jak, o Ditë e bekuar!
Të pres!... Nuk vdes!...”
“Dita e uruar “
çapitej, e përgjakur, e vonuar:
me mjegull,
me re.
Ai shkoi...Atje.
Busull e pandryshuar-Perëndimi.
Yll i dritës për ne.
I përjetshmi: -Yll I Karvanit,
N a i m i.
24.11.2005