Sonte buzëmbremja është joshëse,
Ty s’të kam këtu, më mungon:
Dhe e lashë bulevardin e shëtitjen e zakonshme,
një bajame në Kutal që lulëzon
pa ardhur marsi
më thërret, më tundon.
Ajo bardhësi e zbetë me pak gri,
Më ngjan me fustanin që pëlqen ti.
Këmbët më çuan jashtë qytetit:
Perëndimi alle si buzët e tua.
Një këngë e largët e një zogu si cicërrimi yt.
Kapartinën dhe bluzën i shkopsita.
Më duket sikur diçka më mbyt.
Ndonëse hyn muzgu, ndjeja hapësira të bardha.
Më duket se dhe bari më shpon poshtë putrat...
Këmbët më çonin drejt bajames rebele,
Bajamja që kish sfiduar acarrin.
Ndihesha, sikur dikujt po i dilja përpara,
Dhe, fshehtasi do ta takoja?!...
Kush është që më thërret...?!
Një yll i ftohtë mbi Majë të Kokojkës,
Edhe hesht,... edhe flet.
Gjithsesi ishte një takim.
Këtë herë Pranvera, Bajamja e Ti
U bëtë një.
Ndjeja ndiesitë e përqafimit:
M’u mbush qënia me bardhësi,
Një dritë më shkrepi në sy.
s’po kuptoja:
po puthesha me Pranverën,
apo me ty?
Shkurt 1972