Pastruesja e shkollës “ P. Sotiri “
Gjirokastër
Flokë thinjur, ballin rrudha,
Vjen për çdo mëngjes,
S’e tremb nata, s’e lodh udha,
Çelsat mban në brez.
Gumëzhin oborri i gjithë,
Shkolla gjallëron,
Teto Fetja si çdo ditë,
Na pret në sallon.
“Mirëmëngjesi!, -ne i themi.
Ajo e gëzuar:
“ Mirmëngjesi, djemtë e mi!
Sot keni mësuar?!”
.......
“ Teto, na duhet një kasë,
Kemi një orë punë. “
“Merri, veç mos të humbasë,
Se përgjigjem unë. “
Jashtë bora flokëbardhë,
bie pa pushim:
“ Merrni dru, -thotë, -se mardhët,
Sot bëka thëllim...”
Rrotull stufës muhabetin
Tetua flakë e ndez:
“Djem këtu kam plot një jetë,
Me ju dua të vdes!...
Dhe dëgjoni Teto Feten:
Çupat i mbroj unë,
Po gacmuat, do ta hani
Si gomari drunë! “
Teto Fetja s’bën lëshime,
Vajzave u flet:
“Mos m’u tundni si kadëna,
Kaqë duan djemtë!
S’ndizet zjarr e nuk del tym,
Kur s’ka dru në sobë,
Po qëndrove mbi qymyr,
Të bie në kokë!... “
Jashtë bora flokë-flokë,
ia ka bërë forra,
rrotull stufës Teto Fetja
flet me metafora.
Gojëmjaltë, zemërbardhë,
Në çdo kënd e gjen,
Tërë shkolla, brenda – jashtë,
Si pasqyrë shkëlqen.
Flokëthinjur, ballin rrudha,
Herët çdo mëngjes,
S’e tremb nata, s’e lodh puna,
Çelsat mban në xhep.
Gjirokastër 1960
Botuar, “Zëri i Rinisë “ 20 gusht 1960