Jam shkëputur nga gërmërret e pafund të Tokës.
Këtu jam lart saj.
Nga dritarja e avionit shoh tërë botën.
Nuk po dalloj dot as Hollandën e qumësht,
as Gjermaninë e sertë,
as Francën krenare,...
as Norvegjinë e ftotë...
Këtu lart, është hapësirë e kaltër,
një pafundësi
e hapur, e pakufishme si ëndërrat...
Një kaltërsi maramendëse
që i pranon të gjithë, pa kufi.
Lart,
m’u zgjua dëshira të shikoja
Shqipërinë time.
( të plotë s’e kisha parë asnjëherë,
veç në një të fshehtë hartë...
e zbetë ajo nga fshehtësia e harrimi,
e verdhë, e verdhë.)
E kisha brengë në zemër;
e kisha dëshirë,
diçka,... si ëndërr.
Dhe ja:
Ajo, atje, ku ka qënë e plotë:
“ Zonjë e Madhe, ”
hierëndë.
Sipër një tis i mjegullt i ka rënë;
herë i qumësht,
herë i përgjakur...
Madje edhe një rreze dielli e përflakur.
E bukur është, gjithësesi:
kjo bukuri ka zgjuar kaq zili,
kaq lakmi?!
Këtu,
i humbasin vlerat nacionalizmat,
humbasin kufitë, zonat e sherrit;
Këtu nuk e ndjen përçmimin, mërinë...
Bota qënka ndryshe që këtej.
Këtu e ke tënden, të plotë L i r i n ë.
Ku jemi?!...
“Mbi Evropën e Bashkuar. “
Hapësira përpara e kaltër,
poshtë nesh retë,
si oqean i bardhë, i shkumëzuar.
Ç’mund të bëj tani:
Kam hapur portën e perandorisë së ëndërruar.
Këtu nuk ka ëndërra të dështuara.
Këtej, çdo gjë e shoh me sytë e mi.
Më kap trishtimi i njohur:
Ku ke qënë deri tani, Ti,
O Ylli Polar i Botës!?
Ylli i vëllazërimit e i përparimit,
Ylli pa sherre kufijsh, pa luftra e gjak...
Ku?!..
Ç’ke hequr, moj Shqipëria ime!
Të coptuan, të prenë, të mbytën me gjak
për një pëllëmbë tokë shqiptare,
për një këngë, për një abetare,
për një prag...
për një Kosovë e Çamëri.
Për Artën, Ulqinë
u premë e na grinë.
Jam lart...
Shqipëria atje ku ka qënë,
e qetë, e blertë, ëndërrimtare,
me mjegullat e përgjakura mbi shpinë,
siç ka qënë, brënda,
në të njëjtën hapësirë evropiane.
Shpreson ditët e bardha të saj,
ditët që po vin.
Plagët e copat e prera të trupit të saj
do të mjaftojnë
për dëshmi të m a r r ë z i s ë
së lakmisë së kufijve...
Mjaft më me marrëzira të mykura!
S’është më një ëndërr e brishtë
Bota pa kufij.
Qielli i kaltër...
Ne ecim pa u ndalur mbi kaltërsitë evropian.