Lakuriq valëviten hijet nëpër ajër
Yjet janë bërë ylbere të rrejshme
Qiriu ngadalëson ritmin e shikimit
në partiturë e në këngë
Telave u këputen edhe ëndrrat e fundit
gurët merziten me aromën e luleve
Në vend të fjalëve përshëndeten me shtrembërime fytyrash
Ulen karrigave të llastuara
të imitimit të kotë
Shtangohen fjalët marramendthi në fyt
përfytyrime të ngjyrta në buzë kapërdijnë
Brymë dhe hije në karrigën e hollë
shamia e zezë fletë nikotine mbi ajër
dhe injoranca që na sillet vërdallë
Përfytyrimi i diellit është imitim i kotë
duart dridhen si dy thupra të mëdha uji
Somnambulë në karrigat prej mëndafshi
Foljet e shelgut përkulen nga hijet
si akuarele plaka mbi mëndafshet e bardha
Poshtë salonit karrigat trishtohen
për belbëzime siluetash që bredhin në hapesirat e fjalës