Letërsia Shqiptare

Ëndërr mërgimtare
E enjte, 08-11-2007, 12:09am (GMT)

nuk di si ëndrra

më treti në Vërri

pashë dritë plot

e kulla boshe

 

njerëzit arratisur janë

diku larg e afër

i kthejnë vetëm dasmat

i kthen vetëm vdekja

 

fshati im boshatiset

 

pashë fushën djerrinë

që më dha bukë

më pëshpëriti se ishte

përmalluar

për këmbën e njeriut të vet

sa edhe unë për vreshtin tim

 

sa afër më erdhën

njerëzit e mi

të tretur

 

oxhaqet e shtëpive

ishin përmalluar

për tymin

 

rrallë dëgjoheshin

edhe ulërimat

këndesat s`e prishin qetësinë

e shurdhër

 

heshtja e zymtë ishte vetëshpallur

mbret i netëve të gjata

mua më ngulfat zjarrmi

e akullt

 

kjo ëndërr mërgimtare

që më bezdis



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.