Letërsia Shqiptare

Ylli Hoxhaj: Mirsevini në odën e vogël të poezisë sime!
E marte, 04-09-2007, 08:52pm (GMT)

Ylli Hoxhaj
Këtë  herë zgjodha disa balada  dhe po e ftoj lexuesin në odën e vogël të krijimtarisë sime: “Atëherë, mirë se më keni ardhur, miq të nderuar!..Bashkëbisedimin po e nis vetë:  A është balada një krijim i kohës?”...

“Hajde e merru në këtë kohë edhe me ca balada!“- mund të thotë ndonjë lexues, kur të shohë baladat  në këto shkrimet... “Vërtet,-pyes unë: - a është edhe balada, një krijim i kohës?!”
Eshtë e drejta e çdo lexuesi të japë gjykimin, siç e mendon e siç e njeh ai këtë fushë. Duke e mirëpritur lexuesin, unë dua të flas shkurt e thjesht si e përjetoj  poetikisht krijimin e baladës:
Këto krijime i quajta “Balada pa mite“, sepse te kuptimi i baladës, gjeta një prej strukturave më filozofike dhe më poetike të jetës njerëzore, që shfaqet në lidhjen e çuditshme, midis qënies dhe mosqënies, midis reales dhe ireales, midis realitetit dhe trillimit. Dhe nuk arrin të dallosh: cila është parësore e cila dytësore, cila nënë e cila bijë. Ato nuk rrinë dot veç e veç, e janë si ata vëllezrit siamezë. Gjithësesi, pa këtë simbiozë, vështirë se jeta do të kishte kaq filozofi e poezi. Atëherë, dhjetra e dhjetra rrugë na çojnë e na nxejrrin në baladë. E ne, hyjmë e dalim, dalim e hyjmë në oborret e baladave të jetës së përditshme: Atë që e quajmë mit e kemi një realitet para nesh, dhe ajo që është një realitet, duket e çuditshme, mitike: Shkojnë e vijnë fëmijët e njerzit tanë tej deteve e maleve të baladave. Edhe në Polin e Veriut, edhe në majën e Everestit kanë mbrritur ata. Janë me dhjetra prindërit që “kanë e s’kanë fëmijë”, e, ashtu shkretanë murmurisin me vet-veten. Kur kujtohen të hanë atë kafshatë të hidhur, mbi tavolinë shtrojnë edhe lugët e fëmijve të tyre. Presin e presin... E fëmijët janë shumë larg e shumë afër. Ky është një realitet, sic është edhe një  baladë. Ndodhesh ca ditë para “Netëve Polare”, apo para fjordeve norvegjeze. Nuk di ku je: Ke hyrë a ke dalë nga balada?! Pi një kafe “shqeto” në Prevezë, e të dukesh se e pi atë kafe me Pasha Alinë, apo me Bilbilenjtë e Janinës; kalon Urën e Murosjes në Artë dhe, nuk ke si të mos ta ndjesh veten brenda baladës; merr rrugët e Evropës e, me Ymer Agën, e si Ymer Aga i baladës, kërkoni djemtë e vajzat, që nuk po kthehen nga mërgimi...Mos i kanë rrëmbyer nuset e atyre viseve?!...Gjen motrën me derte e dhimbje, si Rozafa; e, gjithashtu, do të mjegullosh nëpër balada...
Në teknikat e vargut e të strofës, poezitë kanë aq elementë të baladës sa edhe të poezisë së kohës.  Si lexues dhe si krijues, e pëlqej, dhe e vlerësoj,madje  dhe e shkruaj poezinë e shkurtër, por nuk dëshiroj ta braktisim poezinë e plotë, që gurgullon me emocinet njerëzore, me ëmbëlsinë e tingujve e me imazhet stilistike. Të vesh te burimi, i etur, nuk ikën dot pa u freskuar, pa u shlodhur, pa dëgjuar këngën e ujit dhe të bilbilave, po edhe pa mbushur shtambat me ujë. Lasgush Poradeci, te Kroi me shtatë sylynjarë, djemtë e vashat nuk i çon sa për të pirë një grusht ujë... Jo...E dimë mirë të gjithë se  si  punoi Mjeshtri i madh me ato krijime.
Lexuesi, që është “heroi” i dhjetra baladave të vetvetes, mendoj se do të gjejë në këto vargje simotrat e baladave të tij... Unë ju mirëpres të gjithëve  edhe kur, me dashamirësi, mendimi juaj do të jetë ndryshe.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.