| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Ekskluzive: Në shkulmet e një shpirti që turret për nga liria E shtune, 19-01-2008, 11:02pm (GMT) Në shkulmet e një shpirti që turret për nga liria
Një buqetë me poezi të Murajzës, ishte dhurata më e fisme që një miku im më bëri për këtë vit të ri. Pa shumë salltanete dhe me një finesë të admirueshme, ai më ofroj bashkë me këto poezi dhe mirënjohjen e miqësisë. Qasja për ta kumtuar këtë visar të fjalës së pshërëtimave të një shpirti të lirë, spariherë është orvatja për ta shpaluar para jush, ndoshta pak me vonesë, por kur thotë populli: “Më mirë vonë se kurrë”, atë që ai është përpjekur dhe ka mund me mbërrit si pakkush tjetër në sinorin e tij. Është fjala për dy librat me poezi të Gëzim Murajzës, respektivisht “Fishkëllima bordurash”, mars të vitit 2001 dhe “Rruga për kah dalja”, shtator 2006. I lindur në Shkodër, e ku mund të lindin tjetërkund ata qi i këndojnë zëshëm dhe me bekimin e perëndive, përveçse në Shkodër, i gatuar në lëmin universitar, e ku tjetër më denjësisht se ne Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Gëzimi provon të jetë një zë i spikatur në poezinë e tashme shqipe. Rrallë pas rrallë, fjalë pas fjale, poezi pas poezie, ai kremton më së shumti promovimin e tij në këtë univers gjigant të fjalës artistike, të rrëfimtarëve të shpirtit të dlirë. Me një kumtim të shpenguar nga skolarizmi dhe rregullat, metrika dhe sugjerimet që fanatikët dhe kritizerët rekomandojnë për artin, si domosdo vlerash, ai ka guxuar, siç vetëm një shpirt poeti, për me rrëfye, për me qëmtua, për me u ba i tejpashëm deri në themelet e të qenit njeri. Metafora e poezisë së tij rrjedh gurgullueshëm si përroi në teposhtë, nëpër gjarpërimin e rrugës plot kaladredha, herë pazëshëm e herë potershëm. Kjartësia e përfytyrimit të orendisur me fijeza të arta pasioni, flatron nga shpirti i tij e zë vend në larushinë batërdisëse të poezisë së sotme shqipe, për me dëshmu shpirtin e tij të lirë, por edhe për më kushtru, siç vetëm një shpirt i lirë munet me e ba, me e çu peshë nga themelet tanë universin. Në të dy vëllimet me poezi, ajo që të shtang është tematika dhe trajtesa, rrëfimtarja dhe predikimi, lirshmëria dhe tërbimi, ndjeshmëria dhe eleganca. Në një farë mënyre ai ka bërë me artin e fjalës dhe magjinë e artit, poezinë, atë që s’do të mund ta bënte një revolucion me armë, një politikan me gjëmimet nëpër foltore, një filozof me ngërthimet e çatrafilisuna të konkretizimeve dhe përcaktimeve për fenomenin jetë. Papajtueshmëria me shumë gjëra dhe gjendje në realitetin që e rrethqarkon është qartazi i perceptueshëm në poezitë “Kapërcim”, “Rruga për kah dalja”, “Fishkëllima bordurash”, “Në këtë qytet”, “Do të qëndroj”, etj. Në të gjitha ai bëhet tregimtar i brezit të vet, i rropatjeve, i telendisjeve për dinjitet dhe mbijetesë. Barrën e rëndë të “të dëbuarit”, të emigrimit, ai e cek gjithandej, si një plagë të rëndë që ka molepsur shtatin e drobitur të Shqipërisë, të këtij vendi shpresëvrarë. Ai ka ikur nga vendlindja e tij, por pa ia kthyer kurrizin. Gjithçka atje atij i dhëmb. Edhe kujtimet e kafshojnë. Gëzim Murajza ka përzgjedhur poezinë, për të thënë dhe ai fjalën e tij, për të dëshmuar edhe ai atë që ka përjetuar, atë ferr që e ka përfytur. Kumti i tij është ligjërimi i një zemre që kah qielli ai sheh paanësinë e prehjes naltuese të shpirtit të trazuar. Disa poezi nga Gëzim Murajza
Fishkëllima bordurash Ti nuk e ke provuar, miku im Peshën e valixhes Tek mbetesh në stacion, Se dyert nuk t’i hapin trenat, Dhe pse vijnë e ikin Qindra. Ti nuk e ke provuar, miku im Ta pish bashkë me cigaren, pluhurin, Ulur bordurave Ditëve që të vdesin ndër sy Dhe netëve që të vijnë të vdekura Tok me ëndërrat e ngrira. Ti nuk e ke provuar, miku im, Të mos ia dish tingëllimin qeshjes E lotin ta kesh Zgjidhjen tënde Kur shtëllunga dhimbjesh Ta shtrëngojne shpirtin. Ti nga përtej gotës, miku im, Tek më sheh Vetëm pyet, Ç’shije ka bordura?!
Rruga për kah dalja Rruga për kah dalja Këndej nuk është Të paktën Jo kështu. Ikje prej këtij ferri Me vrap, Me vrap, Jo vetëm sot. Rrugën për kah dalja Në ty shihe. Vrapo nëpër shpirtra Shiko sa bosh janë rrugët! Rruga për kah dalja, Andej mbase është Por jo kështu. Pa ty Helmuar nga vreri i mungesës, Në këmbanat e zemrës Thellë. Tinguj malli, Që jehojnë flladeve të djegur Kohe. Largësi, Segmentuar nga shpresa pritjesh, Me fund të padukshëm. Djersitur nga spazma verdallosjesh, Me emrin tend grimcuar nëpër buzë, E sytë e mi, Me të tutë veshur. I tharë nga plasaritje ndjenje, Në ditë-netët e arnuara me copa durimi Mallin e ndjeva Të griste e griste, Poret E shpirtit të sfiluar. Prill ‘97 Kapërcim Ikim Atje në pyll?! Ku vdekja vdes Nën tehun e jetës. Atje, Ku lulet kurrë nuk vyshken, Veç dehesh Aromës së tyre, Ku zhurmat heshtin Dhe erë njerëzish nuk vjen. Atje Ku përëndimi Është gjithmonë Sa lindja, Ku erërat Stuhi nuk sjellin E shiu veç te përkëdhel. Kur paraja nuk hyn E bagëtia ulet Tok me ty në sofër. Ku mes kafshësh Argëtohesh Ashtu si kurrë Mes njerëzish. Atje, Ku këndohet Me muzikë gjethesh E me puthje nuk ngopesh. Ku dashuria Të valon arteriesh Pambarimisht. Atje si në shtëpinë e pare, Si thua A ikim?!
Këmbët e zbathura Asfaltit të ndryshkur pluhurit, Rënkojnë çapet Në ecje pa jetë Pa start e finish. Ecje të rënda Të ndjekin, Ecje përbuzëse Të lënë pas Të verbuarish. Këmba jote E zbathur, Këpuca para saj Gjeth i tharë. E zbathur Asfaltin e trondit, Njerëzit jo. Njerëzit krihen, Lustrës së këpucëve, Në këmbët e zbathura Që asfaltin fshijnë, Veç pështyjnë. Ata që ikën Rendje, Pa përshendetje pas, Besimtar Te nje rikthimi Vetëm me qiell Qëruar nga retë. Pritje a jo?! Për ata Që lamtumirë nuk thane Me shpresën Që ky shekull Është i fundit Diktator!
Në Këtë qytet Veç ngricë Në shpirtin e këtij qyteti Ku njeriu S’guxon të jetë i lumtur. Veç dimër. Dëshirat, Baltosur Skutave të këtij qyteti Që dashuritë t’i quan Kurvëri. Dhimbjet, Kurohen Me të tjera dhimbje, Në këtë qytet Kur meskiniteti Qelbet erë. Fëlliqësirë Dejeve të këtij qyteti, Ku njeriu S’guxon të jetë i lumtur.
Vizitë në atdhe Gjithsaherë kthehem tek ti Sjell me vete Mendimin gozhdë Se ikja e fundit Ishte rrënoja e fundit E apokalipsit Të shekullit të zhuritur Në mua. Do të qëndroj Është e ardhmja E së tashmes së fikur Në një dashuri të shpëlarë Nga përrenj ndjesisht të reja. Ështe e ardhmja E së tashmës së fikur Në një mall të pështyrë Buzësh që nënqeshin ironisht. Ështe e ardhmja E së tashmës së fikur Në nje ideal të pjerdhur Bythësh që ulen Kolltuqesh të lartë, E mendimi im i madh, Tërhiqet kokëposhtë, Si një masturbim Mbetur në tentative. Shkodër – Tetor 2003
Nuk harroj të të dua Unë bëhem i idhët Kur mbulohem Prej vargut të trishtimit, Por nuk harroj të të dua Dhe pse mbetemi pa fjalë Te ditës në fashitje. Ti qan Për heshtjen time Kur thua se braktisja Është kopili Mbetur në derën E zemrës së zhuritur ndjenjash, Por jo gjithmonë kush hesht Nuk ka cka të thotë. Nuk harroj të të dua Edhe pse shpesh dehem Ndër kabare ëndërrash Ku kërcehet gjtihnjë e më lodhshëm. Mund të mos jem Kur jam, Mund të jem Kur s’jam Por të të dua Nuk harroj kurrsesi.
Epokë moderne Kënaqësi Hipur kale Mbi shpatullat e dhimbjes, Dehur nder avuj përbuzje, Pë gotën boshe Të tryezës përballë, Shtyrë në qoshe të moskokëcarjes Qytetërim krenar, Në të sotmen e lustruar Në pasqyrën e ndritshme Të moralit të pastër, Vajzë të ciltër Kurvërisht!
Përse-të s’na duhen Mos kërko përse Flaka e dashurisë Na përpiu një ditë, Dashuria nuk ka arsye Është thjesht dashuri. Nuk ka pse të rënkojmë Për ndarjet, humbjet, Nuk kemi kohë Të lind ndër ne syth trishtimi, Jemi bimë mbjellur në erë. Në tempullin e dashurisë Kemi kënduar dhe ne, E tingujt mbase vdesin një ditë, Mos harro vajzë, Jam tingulli i mbramë Që vdes në ty.
Asht momenti!!! Asht momenti T’ia vëmë emnin botës! Diplomacies gjumi i asht prishun Nga andrra klandestine GLOBAL apo NOGLOBAL! Linja komunikimi për të njohun Humnerat më të errata të universit, Ndërsa nana ime Shpesh në telefon qan, Deshirës së pamundun Me u pa, E unë nuk gjej arsye Përse të mos shurrohem Ngeshëm, Mbi titullin e gazetës, Ku një diplomat deklaron ‘’po ndërtojme të ardhmen!’’ A nuk asht momenti Ta ç’pijmë botën? Mars 2002 |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||