Kanë parathënë fate letrare por ndonjëherë edhe shumë më tepër se kaq: fate njerëzish dhe veprash. Ndonjëherë i kanë shpëtuar nga “turra e druve”, herë të tjera u kanë siguruar pasaportën e lirisë, por ka ndodhur edhe të na përgatisin për “gjenialitete” që koha i ka gjetur më vonë në koshin e plehrave... Tundimi për t’i thënë gjërat përpara duket i parezistueshëm dhe atij nuk i kanë shpëtuar as penat më të mira të letërsisë dhe kritikës shqiptare. Disa prej tyre, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, Aurel Plasari dhe Mark Marku rrëfejnë për “MAPO” historitë e tyre të dy epokave me parathënien. Autorë të dhjetra qindra parathënieve, ata vazhdojnë të jenë penat më të kërkuara për të hapur faqet e një libri, por duket se janë dorëzuar tashmë përpara manisë kolektive shqiptare ndaj parathënieve marrë emrave “të mëdhenj” dhe penave elegante.
U ndërhyjnë me miqësira, me lutje, madje edhe me para... Që nga 10 vjeçarët që fjalitë e para i ndërtojnë në formë vargjesh e deri tek veteranët që shkruajnë fjalët e fundit në formë kujtimesh me ballistë e partizanë... Janë gati të bëjnë gjithçka për të patur një parathënie nga i shquari Kadare apo i madhi Dritëro. Por vetë shkrimtarët duket se janë lodhur nga kjo “marrëzi” shqiptare dhe tregojnë se janë bërë shumë më selektivë duke refuzuar me dhjetëra nga ata që u trokasin në derën e shtëpisë për t’u kërkuar një “të parathënë” për librat e tyre me kapakë të lirë madje, modestisht, për veten si autorë të këtyre librave, talente të reja apo të pazbuluara...
“Ky zakon i vjetër i marrjes nën tutelë të një shkrimtari a poeti të ri nga një autor i madh, duket arkaik. Unë mendoj se shkrimtarët e rinj nuk ka nevojë t’i udhëzojë dikush dhe për më tepër shkrimtarët e njohur nuk kanë asnjë detyrim ndaj tyre për t’i ndihmuar. Nën shembullin e Gorkit që bënte të njëjtën gjë në Bashkimin Sovjetik, ky zakon u bë edhe shqiptar, por i ka ikur koha tashmë”, - shprehet shkrimtari ynë me famë ndërkombëtare, Kadare. Autor i shumë parathënieve, shkrimtari i kthyer për të kaluar disa ditë në shtëpinë e tij në Tiranë, ndërsa ka vendosur të mos japë asnjë intervistë për mediat gjatë këtij qëndrimi të shkurtër, një bisedë për parathëniet nuk mund ta refuzojë.
Ka një marrëdhënie dashurie me hyrjet e librave, ndërsa shumë prej atyre që ka shkruar vetë janë tashmë tekste klasike të eseistikës shqiptare. Kadare nuk beson se magjia e parathënieve dhe librave do të shuhet një ditë dhe shprehet se ato nuk do të jenë kurrë demode. Megjithatë nuk e mohon se koha mund t’i zhvlerësojë ashtu siç mund t’i bëjë klasike. “Kështu ka ndodhur me parathënien e Frojdit për Vëllezërit Karamozov, por edhe me parathëniet shqiptare të Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin, Fishtës për Gjeçovin apo Nolit për Shekspirin. Të gjitha këto dhe një sërë të tjerash kanë hyrë në historinë e kritikës shqiptare” - thotë Kadare duke shtuar se megjithëse tradita e parathënieve në Shqipëri nuk është shumë e pasur, themeluesit e saj mund të konsiderohen Fan Noli, Konica dhe Fishta, që në të vërtetë janë pena të mëdha.
Penën e vet Kadare e ka zhytur në bojë për t’u blatuar parathënie edhe penave pak ose aspak të njohura në fakt, disa prej të cilëve nuk arritën dot t’i përmbushnin pritshmëritë e para, por rasti i Ervin Hatibit ilustron “profecinë” e realizuar nëpërmjet një parathënieje nga Kadare. Gjithnjë e më i kursyer kohët e fundit në “akordimin” e këtyre parathënieve që autorët e rinj i përdorin shpesh si pasaporta letrare, Kadare megjithatë nuk ka hezituar të shkruajë parathënien për vjershat e vajzës së Liri Belishovës apo poetëve të vrarë, Vilsonit dhe Gencit. Janë raste të veçanta të cilave shkrimtari duket nuk u ka thënë dot jo, edhe pse nuk bëhet fjalë për autorë të shprehur mjaftueshëm.
Ato të soc-realizmit shpesh kanë qenë edhe të deformuara siç pohon shkrimtari, por një pjesë e mirë e parathënieve të shkruara gjatë viteve të diktaturës kanë qenë, nga ana tjetër, më se normale sipas tij. Në të dy epokat, sprova e parathënies është ndër më të vështirat për të. “Është e vështirë, sepse e kushtëzon një vepër tjetër dhe je në rolin e ndërmjetësit mes lexuesit dhe një autori tjetër”, - shprehet shkrimtari që ka zgjedhur për të ndërmjetësuar kohët e fundit më së shumti autorë shqiptarë për lexuesin e huaj. “E ndiej si një lloj detyrimi të prezantoj autorët shqiptarë me anë të parathënieve për publikun e huaj”, - thotë. Ndodh që të prezantosh edhe çështjen shqiptare nëpërmjet një parathënie dhe duket se parathënia e librit të Ibrahim Rugovës, “Çështja e Kosovës”, botuar në vitin 1996 ka luajtur një rol në shtrimin e çështjes së Kosovës. Parathënia prej 20 faqesh prezanton kësisoj për herë të parë situatën e Kosovës nëpërmjet një libri në formën e një dialogu të gjatë me gazetarët, botuar nga “Fayard”.
Parathënësi zyrtar i Kadaresë është në fakt një shkrimtar francez i talentuar, Eric Faye, që ka shkruar nga një parathënie për çdo vepër nga 20 të tilla, si kolanë e plotë e veprave të Kadaresë në gjuhë të huaj, por Kadare rrëfen se ai është zgjedhur nga vetë shtëpia botuese dhe se po kështu parathënësit e botimeve të tjera amerikane, angleze janë autorë të zgjedhur nga shtëpitë botuese përkatëse. Ndërkohë parathënësi i “Ditë kafenesh” botuar prej pak kohësh në SHBA është një profesor i njohur që novelës jo edhe aq të gjatë të Kadaresë i ka parathënë një ese prej 20 faqesh me titullin “Një udhëtim heroik por i vetmuar”.
“Dante i pashmangshëm”, “Halmeti, princ i vështirë”, “Eskili ky humbës i madh” janë tri nga esetë e Kadaresë që kanë lindur si parathënie, për të cilat kritiku Mark Marku shprehet se shpjegojnë përpjekjen e shkrimtarit për të zbërthyer mekanizmin krijues të tre prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore, Eskilit, Shekspirit dhe Dantes. Në parathënien ende të pabotuar të tij për botimin e plotë të të gjitha veprave të Kadaresë, Marku del në përfundimin: “... Po të kemi parasysh faktin se tek Eskili, autori merret jo pak me Homerin, i takon që ai të jetë marrë me shkrimtarët që janë njëkohësisht edhe demiurgët më të mëdhenj të botëve letrare në letërsinë perëndimore ose shkrimtarët më vizionarë të letërsisë botërore. Njohja dhe studimi i tyre si duket ka të bëjë me projektin e tij kozmogonik të krijimit të botës, projekt i ngjashëm tek të gjithë shkrimtarët e mëdhenj...”
Tak-tak-tak! Dua një parathënie nga Dritëroi!
Sa herë shkon në shtëpinë e Dritëroit mbi tryezën e madhe të rrumbullakët të dhomës do të gjesh libra të ndonjë autori që pret radhën, i dëshiruar për një parathënie nga shkrimtari i madh. Autori shpesh është krejt i panjohur dhe gjithnjë e më dendur emigrant që shkruan vjersha nga Amerika apo Kanadaja. Dritëroi rrëfen se nuk ka gjë më të vështirë sesa të kërkojë fjalët për libra dhe autorë të tillë, të cilët gjejnë të gjitha mënyrat, nëpërmjet miqsh e të afërmish, për ta marrë atë parathënie të shkretë. Rrëfen se tanimë mund të flitet për një mani të vërtetë dhe se i kanë trokitur në derën e shtëpisë për të marrë një parathënie që nga nxënës të tetëvjeçares e deri tek të moshuar 70 vjeçarë. Në të dy rastet parathënia duket e pamundur kur 10 vjeçari sapo ka mësuar të lexojë, ndërsa 70 vjeçari është një veteran i luftës që nuk ka asnjë lidhje me letërsinë, por nuk mund t’i rezistojë tundimit për të lënë pas kujtimet e rinisë “heroike”. “Ka fëmijë, por edhe plot veteranë që sjellin libra me kujtime. Edhe pse nuk janë të shkruara bukur, të tërheqin faktet dhe për shkak të miqësive dhe një farë dhembshurie u kam bërë parathënie të vegjëlve, të rinjve dhe pleqve”, - rrëfen Dritëroi për revistën.
Kur janë autorë të rinj, Dritëroi tregon se vështirësia më e madhe qëndron në faktin se priten përgjithësisht të thuhen fjalë të mira dhe vërejtjet duhet të jenë delikate në mënyrë që të mos i fyesh. Por në vetvete nuk ka ndonjë gjë të keqe të shkruash parathënie edhe për moshat fare të reja siç thotë Dritëroi duke pohuar se shpesh ka shkruar parathënie për 10-12 vjeçarë. Duket se modeli për Dritëroin ka qenë jo Gorki, por Eftushenko, i cili siç rrëfen shkrimtari ynë bënte parathënie edhe për 10 vjeçarët. “Në shtypin rus u kritikua si shumë dorëlëshuar në atë kohë, sepse nuk dihej nëse ata do ta vijonin krijimtarinë më vonë në jetë, por ai u përgjigj se është gjest human të mos ua prishësh qefin dhe se, në mos u bëfshin poetë, lexues të mirë do të bëhen me siguri. Edhe unë jam nisur shpesh nga kjo anë dhe them se është më mirë që dikush të merret me letërsi sesa me drogë”, - rrëfen Dritëroi duke shtuar megjithatë se një pjesë e atyre që botojnë libra në moshë të re, arrijnë të bëhen poetë.
Vjershat e para të poetes Luljeta Lleshanaku, tanimë një nga poetet më në zë shqiptare, janë shoqëruar pikërisht nga një parathënie e Dritëro Agollit në librin e saj të parë të botuar në fillim të viteve ’90-të. “Më kanë pëlqyer vjershat e saj të para dhe kisha bindjen që do të bëhej poeteshë shumë e mirë. Ka edhe raste të tjera si ky”, - tregon Dritëroi duke numëruar përafërsisht 200 parathënie të shkruara nga dora e tij, por jo vetëm për autorë shqiptarë, edhe të huaj si Bërns, Eluar, Bosquet, Samaraqis. I ruan ende letrat e falënderimeve për parathëniet që disa nga autorët i kanë dërguar dhe përmend poetin Alain Bosquet i cili në një telegram urimi për parathënien që shoqëron librin e tij në shqip, i cili në Shqipërinë e viteve ’80 del në qarkullim me 20 mijë kopje, një tirazh ky dy herë më i lartë sesa ai i shtëpisë botuese ‘Gallimard” në Francë siç pohon në letrën e falënderimit drejtuar Agollit Alen Boske. “Po atëherë ishin vitet e leximit të madh në Shqipëri”, - komentojnë Dritëroi dhe Sadija jo pa nostalgji për kohën kur njerëzit e lexonin pasivisht edhe poezinë .
Ndonjëherë të krijohet përshtypja se sot më shumë e shkruajnë poezinë sesa e lexojnë, por Dritëroi kujton në këtë rrëfim për revistën ‘MAPO” se edhe para nëntëdhjetës shkruhej shumë poezi dhe ruan një kujtesë një histori të vogël që ende rrëfehet mes miqve të përbashkët në lidhje me një djalë që i troket në zyrën e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve ku punonte asaj kohe për t’i kërkuar një recension për poezitë e tij. “Ishte një djalë rreth 25 vjeç nga Fieri. Ma kujtojnë gjithnjë me humor miqtë e mi bisedën me këtë çunak të cilit i thashë se do t’ia shkruaja recensionin nëse do të më recitonte ndonjë vjershë që dinte përmendësh. Ai mbeti dhe tha se nuk dinte. Po mirë i thashë: Po ndonjë përrallë a di të më tregosh. Prapë jo më tha. Po si do të shkruash ti pa ditur përralla?”, - kujton me humor Dritëroi duke shtuar se mandej ai djali që ndoshta kishte lexuar ca përralla, kishte botuar edhe një libër për fëmijë, por parathënien nga Dritëroi nuk e fitoi dot as me vjersha, as me përralla.
Nuk është përrallë megjithatë ideologjizmi i parathënieve dhe politizimi i tyre i skajshëm gjatë viteve të regjimit komunist dhe Dritëroi kujton se ishte pothuajse e detyrueshme të jepje ndonjë citat të Marksit apo ndonjë mendim të Enverit në parathëniet e librave. “Lajthitje kishte edhe atëherë, por edhe tani ka shumë politizim. Veçse tani nëpër parathënie shahen komunistët, ndërsa atëherë shaheshin borgjezët”, - tregon Dritëroi duke shtuar se ndonjëherë të rrëmbente edhe tema, dhe mund të shkoje pak larg në një parathënie, duke harruar veprën dhe autorin nëpër filozofira...
“Parathëniet duken si gjëra të thjeshta që shoqërojnë një libër. Kështu pandehet, por është një gjini shumë e vështirë e kritikës, sepse nuk mjafton vetëm të flasësh për veprën, por edhe ta inkuadrosh atë në gjithë krijimtarinë e shkrimtarit, duhet të njohësh tendencat e tij dhe a ka përparim libri i ri nga ai i mëparshmi”, - thotë Dritëroi duke u shprehur se sa të ketë letërsi, do të ketë edhe parathënie. Madje shton se parathëniet janë të rëndësishme jo vetëm në letërsi, por edhe në shkencë. “Tek shkencat parathëniet mund të jenë embrione të një shpikjeje siç janë përshembull parathëniet e Ajnshtajnit”, - thotë shkrimtari duke komentuar si parathëniet më të bukura ato të Cvajgut, por edhe të Naim Frashërit për Iliadën, të Fan Nolit për Hamletin, Don Kishotin e Makbethin, ndërsa sot nuk kursehet të quajë autorë të mirë të parathënieve Moikom Zeqon, Xhevahir Spahiun, Myzafer Xhaxhiun, Dalan Shapllon si edhe Aurel Plasarin, Adriatik Kallullin dhe Agron Tufën.
“Paratheniet e blera, korruptim intelektual”
Kritiku Mark Marku, që tani po përgatit parathënien e veprës së plotë të Kadaresë në shqip rrëfen se si për shkak të leximit të një parathënie të deformuar nga Noli është rritur me adhurim për tradhëtarin Brut.
Mund të japësh por edhe mund të marrësh nga një parathënie. Autoritet është fjala. Nëse ka pranuar të japë në formën e të shkruarit vetë parathënie, ato të librave të vet Kadare ua ka besuar shumë pak njerëzve dhe Mark Marku është i vetmi në Shqipëri aktualisht. Ndoshta jo rastësisht, që të dy janë sqimatarë me tepri. Pedagogu i gazetarisë dhe kritiku i letërsisë dhe mediave është autor i disa parathënieve dhe një nga autorët e rinj më të kërkuar për të prezantuar autorë dhe libra të rinj. Por nuk mund të mos jetë edhe kritik i vetë parathënieve. “Shumë parathënie janë manipuluese dhe një fenomen që vihet re në Shqipëri është klientelizmi, i cili duhet thënë se e zhvlerëson shumë një parathënie. Për fat të keq këtij kurthi nuk i kanë shpëtuar as shumë nga penat më të mira të letërsisë shqipe”, - na thotë. Jemi të korruptuar intelektualisht dhe 80% e parathënieve që botohen sot janë krejtësisht të pavlera sipas Markut, i papajtueshëm me idenë e përdorimit të autoritetit për t’u bërë garant ndaj lexuesit për autorë ose vepra pa vlera.
“Më janë ofruar njerëz për të më paguar që të shkruaj një parathënie, por e kam konsideruar fyerje që më është bërë. Në fakt kam pranuar të shkruaj për shumë pak autorë parathënie si për Ismail Kadarenë, Sabri Hamitin, Agron Tufën apo Gentian Çoçolin. Megjithëse këta të fundit janë miqë të mi, dua të them se ata i kam miq pikërisht prej letërsisë”, - shprehet Marku. Për të parathënia është një sugjerim i mënyrës së leximit të një libri dhe i jep lexuesit instrumentat për ta kuptuar veprën, ndërsa një parathënie e mirë duhet të plotësojë edhe disa kushte të tjera: “Në radhë të parë parathënësi duhet të ketë aparatin e nevojshëm konceptual dhe teorik për të kapur veprën dhe në mënyrë intuitive të rrokë thelbin. Të ketë informacionin e duhur për ta vendosur veprën në një kontekst si dhe të thotë diçka të re për të. Nga ana tjetër duhet ta shkruajë atë në mënyrë objektive dhe në një gjuhë të kuptueshme, por në nivel të lartë gjuhësor dhe stilistik, duke qenë se vendoset para autoritetit të autorit veprën e të cilit paraprin”, - shprehet Marku.
A janë të panevojshme parathëniet? Ndonëse vetë nuk është një lexues parathëniesh, por një shkrues i tyre gjithësesi, Marku i mbron parathëniet e autorëve të mëdhenj për të rinjtë me argumentin se disa autorë nuk arrijnë dot të bëhen të njohur megjithë letërsinë e mirë që bëjnë dhe kështu ka ndodhur madje me Kafkën. “Nga ana tjetër, shkrimtarët dhe poetët shpesh janë të marxhinalizuar në shoqëri dhe kanë nevojë për prezantim dhe ombrellë autoritare në mënyrë që të tërhiqet vëmendja drejt tyre”. Por kjo është një ide larg imponimit. “Në fakt parathëniet e ideologjizuara janë më të rrezikshmet dhe parathëniet e Nolit janë të njohura për këtë. Ato imponojnë pikëpamjen e Nolit për veprën. Personalisht kam një histori të deformimit si lexues i hershëm nga një parathënie e Nolit. Ngase kisha lexuar parathënien e Nolit për Jul Çezarin, ku i shikon komplotistët pozitivisht duke i projektuar në aktualitetin e kohës si “revolucionarët” e rinj, jam rritur me një simpati për Brutin, mishërimin e tradhëtisë dhe pabesisë”, - kujton Marku duke shtuar se megjithëse nuk para i lexon parathëniet dhe se shpesh preferon që ato të jenë pasthënie së paku, disa emra si ai i Ardian Klosit me parathëniet për Kasem Trebeshinën dhe Martin Camajn, nuk mund t’i lërë pa përmendur.
Kur emrat e Kadaresë dhe Dritëro Agollit shpëtonin çdo libër
Studjuesi dhe përkthyesi Aurel Plasari zbulon për herë të parë “hiletë” me Kapitalin e Marksit. Rrëfen edhe historinë e censurimit me 60 kopjet e para të librave dhe se si emrat e Kadaresë dhe Dritëroit mund të shpëtonin çdo libër me një parathënie.
Do t’i duhej të bënte një parathënie për parathëniet që të rrëfejë historitë e parathënieve të tij Aurel Plasari. Ndërsa duket e ka një projekt të tillë në mendje, studiuesi dhe përkthyesi i njohur i rrëfen disa nga këto histori për herë të parë për revistën “MAPO”. Si ka shpëtuar “Robinson Kruzonë” dhe Markezin duke gërmuar në Kapitalin e Marksit apo në anësitë politike majtas të latino-amerikanit, por edhe peripecinë e fshehtë të librave dhe parathënieve gjatë regjimit komunist, fati i të cilëve varej nga kalimi i provës së zjarrit të 60 ekzemplarëve në Parti, Byro dhe Komitet Qendror. Si emrat e Ismailit dhe Dritëroit mund të shpëtonin çdo libër dhe sa të dëshiruara ishin parathëniet që shërbenin si pasaportat letrare para ’90-ës. Megjithatë Plasari e konsideron shans që ka shkruar parathënie në të dy epokat, në epokën e parë kur ka shkruar parathënie vetëm për autorë të huaj dhe tani në epokën e lirisë së shprehjes kur thotë se ka vendosur të shkruajë parathënie vetëm për autorë shqiptarë.
Ka një shpjegim të padukshëm për këtë sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. “Parathëniet atëherë shërbenin si justifikim, ishin një lloj përligjieje, një lloj shfajësimi ose më mirë diçka mes përligjies dhe shfajësimit, ndërsa tani janë prezantuese dhe informuese me ndonjë element vlerësimi”, - ky është ndryshimi që duket se ka ndikuar edhe në pozicionimin e parathënësit në të dy epokat sipas Plasarit. Autor i dhjetëra parathënieve, ai tregon se “Parathëniet e mia janë idealet e mia qytetare, vizionet dhe si e lakmoj unë letërsinë që të jetë”. Disa nga parathëniet më të mira të para ’90 ose siç e quan Plasari të “regjimit të lirive të kufizuara”, duket se u përkasin viteve ’80. “Padyshim atëherë kam pasë filluar dhe unë “të piqem”, por edhe dhjetëvjeçari ka qenë disi më “liberal””, - shpjegon ai. “Ëndrra e një nate vere dhe Komedia e keqkuptimeve”e Shekspirit, “Robinson Kruzo” i Daniel Defo, “Princi i vogël” i A. dë Sent-Ekzyperi, “Gjethurinat”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, “Një histori me paskuinë”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” nga Markes janë disa prej tyre, ndërsa ato të “kohës së lirisë” për Anton Harapin në 1994, për At Zef Pllumin në 1995, për Gjergj Fishtën në 1997 dhe 1998 si edhe për Çatin Saraçin dhe Dhimitër Bedulin në 2005-2006.
Duket se ajo që kërkon tanimë Plasari është botimi i veprave që provokojnë. “Ndiej për detyrë të nxjerr për botim vepra befasuese, të rralla dhe që kanë ndikim, të bëj të njohura publikisht vepra dhe situata që për një rrethanë ose një tjetër nuk janë zbuluar nga lexuesi”, - tregon studiuesi i historisë së letërsisë që librat e rinj i kërkon shpesh në arkivat e viteve ’30-të si librin “Vlera shpirtërore” që e shoqëron edhe me një parathënie për padër Anton Harapin dhe që nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e fjalëve të tij në konferencat që ka mbajtur në Korçë në mesin e viteve ’30 dhe të cilat Plasari i ka gjetur profetike për atë që do të vinte më pas.
Por një nga historitë më të veçanta të parathënieve të shkruara prej tij para nëntëdhjetës duket ajo që lidhet me botimin e “Robinson Kruzosë” në 1982. Rrëfen se i është dashur ta mbrojë librin, i cili sulmohej nga disa si vepër borgjeze dhe kësisoj kërkohej të mos dilte më në qarkullim në botimin e tij të dytë që pas atij të 1960. Argumenti që ka kërkuar për ta mbrojtur sot mund të duket absurd, por Plasari thotë se atëherë rezultoi i mjaftueshëm për ta shpëtuar “Robinsonë...”. “Ky argument ishte që Marksi e përmendte Robinsonë tek “Kapitali”. Në të vërtetë nuk është se e merrte në mbrojtje Robinsonë atyr, ai thjesht e përdorte për të ilustruar idenë e vet, por ky detaj i parathënies mjaftoi që Robinsoni të botohej në vitet ’80 në shqip”, - kujton Plasari. I është dashur të gjejë edhe thënie të tilla plot patos si “mjerë ajo klasë që ka ideologë të tillë” për të mbrojtur sërish Defonë e konsideruar si autor borgjez, por që me këtë citat e merrte në mbrojtje me argumentin se Defo ishte nga ato që thonë të vërtetën për borgjezinë... Të njëjtin detaj shpëtimtar ka kërkuar edhe për parathënien e veprave të Markezit dhe alibinë tregon se mundi ta gjente në jetëshkrimin e autorit, duke theksuar faktin që ai ishte socialist për nga bindjet e tij politike. Megjithatë liheshin jashtë sipas tij fakte dhe të dhëna për veprën apo autorin të cilat mund ta bënin atë të shpallej armik.
“Ishte një lojë si macja me miun dhe në të vërtetë miu dilte shpesh i fituar. Çështja ishte të kalohej libri dhe parathënia vendoste fatin e librit në këto raste”, - kujton Plasari. Por prova e zjarrit për librin dhe vetë parathënësin ishte ankthi i djegies së pritshme pas censurës 60 duarshe. “Nuk e kuptoj pse nuk përmendet rrethi i njohur i censurës së kohës. Është një fakt që libri nuk mund të dilte në qarkullim pa bërë ritualin e detyruar të 60 ekzemplarëve që u shkonin 60 drejtuesve të partisë dhe shtetit për t’i dhënë lejekalimin. Është e vërtetë që shumë nga ata vetëm sa zbukuronin bibliotekat me to, por shpesh librat ktheheshin edhe më shënime që e ndalonin librin”, - rrëfen Plasari peripecinë që duhet të kalonin veprat dhe autorët në kohën e lirisë së kufizuar. Ndoshta prandaj e ka të vështirë të pranojë se përse veprat korente të letërsisë kanë nevojë për parathënie sot, ndërsa dikur shërbenin si pasaporta për to dhe varej sigurisht edhe se kush i jepte ato. “Për shembull emri i Kadaresë dhe Dritëroit shpëtonin çdo vepër në ato kohë”, - thotë Plasari. Ndërsa misioni i parathënieve ka ndryshuar kryekëput, ai vetë shprehet se e ka mbyllur me parathëniet letrare, pasi është duke u marrë me historinë. “Nuk është se kam patur ndonjë pakt me letërsinë në të vërtetë”, - na thotë duke treguar se është tanimë po i jep dorën e fundit librit të tij për Skënderbeun, se do të vazhdojë të shkruajë parathënie, por vetëm për vepra që e ndien për detyrë dhe të cilat i propozon vetë për botim. Sa i përket atyre të kohës së lirisë së kufizuar përfundon se i bie që edhe llogarinë ta japë të kufizuar...
Gati botimi i të gjitha veprave të Kadaresë në shqip
Botimi i një libri të Kadaresë përbën gjithnjë një ngjarje. Ka nga ata që kujtojnë rradha të gjata para librarive të qytetit kur pritej dalja e romanit të ri nga Ismail Kadare. Ka shumëfish arsye për të qenë ngjarje botimi i qershorit 2007, pasi do të dalë në qarkullim botimi i plotë i të gjitha veprave të Kadaresë të shkruara deri tani. Shtëpia botuese “Onufri” do të riciklojë kësisoj të gjitha veprat e shkrimtarit në një kolanë të plotë e cila i ka munguar deri tani lexuesit shqiptar. Këtë ngjarje parathënësi ekskluziv i Ismail Kadaresë në gjuhën shqipe, Mark Marku, e përshkruan kështu: “Tashmë shkrimtari e ka krijuar botën e tij dhe lexuesi e ka njohur pjesë-pjesë atë nëpërmjet botimit të veprave të veçanta të tij. Botimi i veprës së plotë të Ismail Kadaresë është një mundësi për ta parë këtë botë në tërësinë e saj, një mundësi që lexuesi shqiptar e ka merituar, por që deri tash nuk e ka patur. Gjithësesi bota letrare e Kadaresë mbetet e hapur edhe pas botimit të plotë të veprave të shkruara deri tani, pasi edhe pas saj autori do të vazhdojë ta plotësojë atë”...