Letërsia Shqiptare

Udhëtimi me fat i Ornela Vorpsit
E marte, 03-07-2007, 11:55pm (GMT)

Ornela Vorpsi
Po ecën e sigurt në rrugën e letrave. Një tjetër çmim e rendit atë në radhët e shkrimtarëve të huaj dhe të suksesshëm në Itali. Vetëm dy ditë më parë Ornela Vorpsi u shpall fituese e edicionit të dhjetë të Çmimit për Letërsinë e Udhëtimit "Albatros" me romanin e saj "Dora që nuk kafshon", botim i shtëpisë botuese "Einaudi". Mbrëmjen e 1 korrikut u zhvillua nata finale e ndarjes së çmimeve në atmosferën e shkëlqyer të Muzeut Arkeologjik. Juria e kryesuar nga prof. Khaled Fouad Allam dhe e përbërë nga Giosue Calaciura, Antonio Ficarra, Tomaso Pincio e Megan K. Ëilliams vlerësoi me çmimin e madh shkrimtaren me origjinë shqiptare Ornela Vorpsi, për librin me titull "Dora që nuk kafshon", ("La mano che non mordi") të konsideruar si "një roman mbi brishtësinë dhe ashpërsinë e identitetit, por njëkohësisht është edhe një roman mbi ne, mbi paaftësinë tonë për të kthyer modernitetin në vlera shpirtërore". Edhe përpara këtij çmimi, libri i Vorpsit nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e kritikës. Romani i saj është konsideruar "një kryevepër e vërtetë", ku autorja shqiptare di të përshkruajë në mënyrë të mrekullueshme të qënurit larg, duke marrë pas gjithnjë vetveten. Aty zënë vend paragjykimet dhe gjykimet, gërshetohen zërat e së shkuarës në vendet e së tashmes. Duke përdorur fjalët e saj "kërkojmë të rrojmë të qetë. Nuk krijojmë ëndrrat më të gjata të jetës sonë". Duket se romani i shkrimtares do të ndjekë fatin e shënjuar nga krijimet pararendëse, më së shumti nga romani i parë autobiografik "Vendi ku nuk vdiset kurrë", ("Il paese dove non si muore mai") i vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare. Ndonëse ky libër i ka krijuar Vorpsit një lexues të gjerë, pasi është botuar në disa gjuhë të huaja si frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, greqisht, etj, akoma nuk ka ardhur në gjuhën e origjinës së autores, në shqip. Të tjerë libra të saj janë "Pini kakao Van Houten" dhe "Xhama rozë".
Në të gjithë librat gërshetohet e kaluara me të tashmen, kujtimet e fëmijërisë me refleksionet e një të rriture, vitet e diktaturës, largimi nga Shqipëria, vendosja në një vend të huaj... E lindur dhe e formuar artistikisht si fillim në Shqipëri, dhe më pas në Itali, dhe prej dhjetë vitesh jeton e krijon në Francë, Vorpsi ka zgjedhur gjuhën italiane për të shkruar librat e saj.

Në festivalin më të fundit ku mori pjesë, pati një konkurrencë të fortë, megjithatë juria ndërkombëtare zgjodhi atë si "udhëtaren" më të mirë. Vlerësime pati edhe për veprat e tjera finaliste në festival. Është vlerësuar me çmim edhe Stefania Ragusa për librin ende të pabotuar "Përpara se të vijnë turistët" ("Before the tourist come") – letra nga Bangladeshi. I vlerësuar edhe filmi me metrazh të shkurtër i Edoardo De Angelis "Misteri dhe pasioni i Gino Pacino" ("Mistero e passione di Gino Pacino"). Festivali për letërsinë e udhëtimit "Albatros"- qyteti i Palestrinës - prej vitit 1998 është i vetmi aktivitet italian që i kushtohet tërësisht udhëtimit. Përgjatë një jave ky festival pushton qendrën e Palestrinës në Romë me takime letrare, spektakle muzikore e teatrore, konferenca ndërkombëtare, artizanat multietnik dhe gastronomi.

Alma Mile


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.