|
|
|
Visar Zhiti, fiton çmimin letrar “Mario Luzi”
E marte, 12-06-2007, 06:24pm (GMT)
Ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare ndërkombëtare "Mario Luzi" mblodhi afër mesit të këtij qershori në teatrin "Valle", ndër më të njohurit në Romë, (ku dikur ka interpretuar dhe Aleksander Moisiu), shumë personalitete të kulturës, jo vetëm italiane, por edhe asaj botërore. Mes emrave të vendeve të ndryshëm në këtë edicion të dytë, ishte edhe ai i Shqipërisë. Visar Zhitit, një prej zërave më origjinal të letërsisë bashkëkohore shqiptare, iu akordua nga juria çmimi i parë për poezi të pabotuara. Po këtë çmim mori dhe nobelisti amerikano-indian Derek Walkot për dramën e tij në vargje "Odisea". Poetët e njohur italianë Claudio Damiani dhe Cesare Viviani u vlerësuan me çmime të para për librat e tyre poetikë. Për esenë më të mirë u vlerësua zvicerania Sarah Bernasconi. Kryetare e jurisë ishte poetja e njohur Maria Luisa Spaziani. Veprimtaria kryhej nën patronazhin e Senatit Italian, me President edhe të çmimit, zotin Franco Marini. Ai tha se poeti i madh Mario Luzi, njëkohësisht dhe Senator i Përjetshëm, solli poezinë, me të gjitha kuptimet, në senatin italian. Objektivi i këtij organizimi është percjellja e vlerave humane dhe letrare të poetit Mario Luzi, patriarkut të poezisë italiane në gjysmën e dytë të shekullit XX, zë i fuqishëm në poezinë europiane. Franco Marini theksoi gjithashtu se politika duhet të adaptojë një vizion strategjik afatgjatë në lidhje me letërsinë, në mënyrë që ngjarje të tilla të konsiderohen si një shans, një potencial dhe jo si detyra për senatin. Ndjenja e qytetarisë, devocioni civil e politik duhet të karakterizojnë çdo poet, në mënyrë që poezia të ushtroje funksionin e saj thelbësor: edukimin shpirtëror të një kombi. Vlera që karakterizon aktivitetet e ndryshme të çmimit duhet kërkuar te kujtesa historike. "Ne jemi ajo që kujtojmë, të treguarit është kujtim dhe kujtimi është jetë"- këto vargje të poetit Luzi duhet të jenë motoja e bëmave tona, përfundoi zoti Marini. Një çmim që rizbulon rëndësinë e të folurit me brezat e rinj, me një gjuhë universale dhe të pakohë, në mënyrë që ata të mund të rizbulojnë duke filluar që nga diktimi poetik ato vlera dhe ndjeshmëri që janë shpresë konkrete për të ardhmen. Për poetin shqiptar Visar Zhiti, ky çmim me emrin e Mario Luzit, i kujton njohjen me poetin italian, ca letra të shkurtra, një zë impresionues në telefon, një viaitë në shtëpinë e tij. Menjëherë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Zhiti, flet pë këtë njohje, për poezinë që është një forcë e madh në jetën e tij dhe shumë detaje që e lidhin me këtë botë Z. Zhiti u vlerësuat me çmimin "Mario Luzi" për poezi të pabotuar. Si e përjetoni marrjen e një çmimi në një vend të huaj? Përveç të tjerave, është një kënaqësi të bëhesh mbartës i vlerave të kulturës së vendit tënd në një vend tjetër. Ndërkohë emri i Mario Luzit më impresionon. Është një nga zërat më të fuqishëm të poezisë moderne evropiane. Kam patur fatin ta takoj, madje edhe ta përkthej në gjuhën tonë, gjë që më bën të mendoj se çdo akt në jetë është i kthyeshëm e i shpërblyeshëm. Thellë-thellë mendoj se shpirti i tij po më shpërblen në një farë mënyre. Cilat kanë qenë kontaktet tuaja me këtë poet dhe çfarë mbresash ka lënë tek ju? I kam qenë në shtëpi në Firence. Kam letra të shkurtra prej tij. Jam shkaku qe ai ka shkruar një poezi edhe për Shqipërinë. Kam folur në telefon me të. Një zë i thellë njeriu, panteonik. Mund të them se ai ka ndikuar që unë të ndryshoj konceptin për poetët. S'kishte në të as arrogancë, as rebelizëm, as eksebicionizëm, por kjo nuk do të thotë që ishte modest. Perkundrazi. Hijerëndë, serioz, më shumë me dinjitetin e përzemërt të një njeriu të lartë. Aktualisht me se po merreni? Me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë. Për së dyti jam atje ministër këshilltar, merrem me kulturën, arsimin, diasporën, studentët, ç'më ngarkohet. Çfarë mund të na thoni për veprimtarinë në këtë sektor? Tani, më shumë se më parë, ambasada është e përkushtuar për një imazh gjithnjë e më të mirë të Shqipërisë. Thenë shkurt dhe thjesht, duam që të na njohë Italia dhe Evropa ashtu siç e njohim, të na duan siç i duam. Punë e bukur, por kjo është një bëmë kolektive, do të vleresohemi sa ç'e vlerësojmë veten. Pra fillon që nga ne. Sa më të kulturuar të jemi, aq më shumë kulturë do të përçojmë dhe po aq do të dimë të marrim për ta sjellë në atdhe. Në ambasadën shqiptare në Romë u hap fondi fotografik i dinastisë "Marubi". Si u prit? Natyrisht që mirë. Vepra fotografike e shkollës "Marubi" është një thesar, që fokuson histori kombëtare, shpirt të saj. Ambasadori deshi që një pjesë e këtyre fotografive të hershme të jenë permanente në mjediset e ambasadës shqiptare në Romë. Mund të them se me kulturen tonë, letërsinë, muzikën, pikturën, ne jemi në Evropë. Vetëm duhet të dimë ta shpalosim. Do të doja që të shkeputeshim pak nga e tashmja dhe të ktheheshim pas në kohë, a ju vjen ndër mend poezia e parë? Po. Në fillimet e shkollës tetëvjeçare duhet të kem kërkuar rimat e para, por të them të vertetën, me shpesh kujtoj poezitë e para të dëgjuara, kjo ka më rëndësi për mua, të recituara nga im atë, mesues i apasionuar i Normales së Elbasanit, dhe autor poemash e veprash dramturgjike, por i pa fat. Nga ai mësova Naim Frashërin e vërtetë dhe Gjergj Fishtën akoma më të vërtetë. I dinte përmendësh. Dhe më dha mua kështu ndjesinë e bukur të ritmit poetik, si ritëm zemre, shumë të rëndësishëm për jetën. Dhe në kohën kur këtë ritëm të tjerët deshën ta frenojnë? Ju futen në burg për poezitë… Po. Edhe unë i futa në poezinë time. Gjithmone u mundova të ruaj brenda vetes atë ritëm, për të cilin folëm. Koha asnjëherë nuk ka qenë e imja. Gjithmonë kundër. Unë gjithnjë jam përpjekur ta sfidoj, duke gjetur rrugën time, ashtu siç bëra për t'i nxjerrë fshehurazi poezitë e mia nga burgu. Tani kam botuar mjaft prej tyre. Pas rënies së diktaturës pothuajse çdo vit kam botuar nga një libër, poezi e prozë. E them si triumf të të dënuarve të ferrit. Ashtu si Prometeu që u vodhi zjarrin perëndive, unë u vjedh tiranëve kohën, atë pjesë që më takon, jo më shumë. Sa është ndikuar krijimtaria juaj në përgjithësi nga vuajtjet që ju rezervoi jeta? Vuajtja dhe padrejtësitë të kalisin mbase më shumë si njeri, por si poet me pak. Të shtojnë përvojën, temat, përgjegjësinë qytetare, e njeh më mirë tjetrin, vendin, vlerën e gjithçkaje, ndërsa Poezia qëndron përsipër të gjithave. Por dua t'ju kujtoj, meqenese jemi në ditën e Mario Luzit, se ai thoshte që poezia duhet të jetë e lidhur me jetën. Shoqeria duhet ta kuptojë që poezia duhet të jetë e pranishme, duhet të perhapet ashtu siç shkon uji dhe drita në çdo shtëpi, nuk duhet të mbetet privilegj i disave, begati e atyre të pakteve që e lexojnë, por i të gjithëve. Sepse të gjithë meritojmë të jetojmë më bukur. Çfare roli i atribuoni kështu poetit në shoqëri? Një rol aktiv në mënyrën më absolute. Me këtë dua të them "dashuri aktive". Oskar Ujaldi thoshte se ligjbërësit më të mirë janë poetët. Po edhe i burgosuri i madh, titani i letërsisë, Dostojevskij, besonte se e bukura do ta shpetojë botën. Prandaj atdheu duhet t'ia u kthejë poetëve borxhin, t'i shpëtojë ata tani… Në shoqerinë shqiptare veçanerisht... Ç'do të thonit për poezinë sot? Besoj vertet se arrihet të behet poezi e mirë edhe në vendin tonë, më të varfrin në Evropë, por do të doja që aq sa çmojnë poezinë e tyre, të çmonin dhe tjetrin, njeriun, dashurinë, pse jo dhe më shumë. Unë nuk besoj se vetëm me urrejtje bëhesh shkrimtar. Cila është muza juaj e frymezimit? Është një mister që s'e kam zbuluar ende, sidomos për gazetat. Mbase diten që do ta zbuloj, s'do të mund të shkruaj më. Të bërit poet ishte rrjedhojë e paevitueshme e një deshire të mbrujtur brenda që prej fëmijërisë, apo...? Asnjëherë në jetën time, as tani, nuk kam patur e nuk e kam shqetësimin në u bëra apo jo poet. Mjafton që dua poezinë dhe dua të jetoj me të, me të gjitha format e saj, që s'janë vetëm vargjet. Shpesh, sipas meje, s'ka rëndësi se kush i shkruan. Jam me fat dhe i lumtur kur ndodh të jem edhe unë autor i saj. Kam bezdi prej atyre që duan të shpallen vetë se janë poetë dhe kapen me thonj e me dhëmbë që të marrin tituj. I përçmoj ata që duan medoemos çmime. Poezia je ti, ashtu si jeton. Ju thashë, është si drita, mos e pengo të vije kur të doje dhe lëre të erret kur t'i vijë. Edhe heshtja është ndonjëherë poezi. E fundit, a mund të na thoni ç'hapesirë zënë studentët e shumtë shqiptarë me studime në Romë dhe Itali në kuadrin e ambasadës, ku ju jeni, dhe, nëse mund të na tregoni për ndonjë libër tuajin, çfare do të botoni së afermi? Mendoj se për projektet e zyrtare nuk është rasti të flasim sot, por mund t'ju them që ne i ndjekim me vëmendje dhe emocion të veçantë arritjet e studentëve shqiptarë këtu në Itali, veprimtaritë, tubimet, shqetësimet, hallet, sukseset, i mbështësim aq sa është e mundur. Duam që t'iu gjendemi, t'i ndihmojmë, por duhet të jeni të sigurtë, se ata na ndihmojnë më shumë, janë ambasadorët e vërtetë, imazhi i vendit. Do të ishte mirë që e gjithë kjo mrekulli, t'i rikthehej vendit për t'u bërë ashtu siç e ëndërrojnë ata. A s'do të ishte i bukur një libër për sudentët shqiptarë këtu, marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin, me ambasadën, me botën?
Artemida Tafa
|
|
|
 |
::| Krijimet e Fundit |
 |
|
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Speciale |
 |
|
|
|
|
|
 |
|
 |
|