| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Kur libri 'bashkon' kufijtë E diel, 29-07-2007, 09:13pm (GMT) Kufijtë kulturorë, pavarësisht kufijve shtetërorë, duken të fshirë dhe njerëzit janë të lirë dhe të pacunguar më për të folur shqip dhe për të jetuar etninë e tyre në këtë qytet ku jetojnë edhe malazezë, boshnjakë, romë, etj. Panairi i librit shqip, i çelur për gjatë këtyre ditëve duket se është hapësirë më shumë e krijuar për shqiptarët. Disa qindra qytetarë nga Ulqini (Mal i Zi) përshëndetën çeljen e panairit të 7-të të librit një të mërkurë në mbrëmje, një manifestim tashmë tradicional që zhvillohet në këtë vit në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë dhe Malit të Zi për integrimin në Bashkimin Europian. Ende pa filluar ceremonia zyrtare qytetarë dhe pushues të shumtë u janë afruar pa drojë stendave të librave të ngritura sipas një stili tipik mesdhtar, per t'u njohur me tituj me të fundit të librave të ofruara nga të paktën 60 botues shqiptarë, kosovarë, maqedonas, malazezë, etj, si për të pohuar faktin se libri nuk njeh protokoll. Letërsi artistike, histori, botime enciklopedike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh, etj, ka ofruar festa e librit, e cila u çel zyrtarisht me një spektakël ku artistë nga Shqipëria dhe Mali Zi, intepretuan muzikë klasike dhe shqiptare të përpunuar. Kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni Ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu, homologia e saj, Gordona Gjuraviç, njëherazi dhe zv/kryeministre e Malit të Zi, Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, Fuad Nimani, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Fatmir Toçi, deputetë të Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, njerëz të njohur të letrave shqipe nga këto vende etj. Një nga nismëtarët e këtij aktiviteti, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, u shpreh ndër të tjera se "libri shqip e vazhdon misionin e tij për integrimin në BE .Ndërsa botuesi i njohur shqiptar, inicuesi i këtij manifestimi, Fatmir Toçi, duke falenderuar në emër të të gjithë botuesve, cilësoi se "panairi veç titujve të shumtë dhe emrave të njohur të letërsisë këtë vit solli dhe emra të njohur të politikës ". "Kjo na bën të besojmë se kultura do të ketë gjithmonë edhe vëmëndjen e strukturave politike", tha ai . Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, e cilësoi këtë panair si "një manifestim tradicional që ka si synim zhvillimin e turizmit kulturor". "Diversiteti kulturor që sjell ky panair lehtëson dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, përkrahjen e proceseve euroatlantike, krijimin e bashkëjetëses multikulturore për të arritur qëllimin kryesor, integrimin kulturor", tha Nimani. Por nuk ka munguar në këtë festë të librit edhe fjala e ministres shqiptare të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila u shpreh se e kishte pranuar me shumë kënaqësi ftesën e organizatorëve për të marrë pjesë në këtë manifestim kulturor. Brenda vetes sime, tha znj. Bregu, pjesëmarrja në këtë panair ishte e lidhur me dëshirën për të qenë pranë librit. "Para librit të gjithë janë lexues dhe atë që sjell libri vështirë ta japin mjetet e tjera të informimit që sot janë aq të shumta", tha znj. Bregu për të vazhduar se "procesi i integrimit është një proces që përcjell vlera, por mënyra më e mirë drejt integrimit, që shkon më shpejt se sa mesazhet diplomatike, është libri". Ndërsa Gordona Gjuraviç, ministre e Integrimit në Mal të Zi dhe njëherazi zv.kryeministre, duke përshëndetur këtë panair, e ka vlerësuar atë si një mundësi më shumë në krijimin e bashkëjetesës multikulturore. I ftuari special i edicionit të shtatë të Panarit të Librit në Ulqin, poeti, studiuesi dhe pedagogu Agim Vinca, u bëri dhe një herë thirrje botuesve për ruajtjen e vlerave të vërteta të kulturës dhe të botimeve shqip, duke kujtuar jo pa mëri se pak vite më parë libri shqip ka qenë i censuruar. "Ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë kulturën tonë sepse ajo është një nga rrugët që na çon drejt integrimit". Rreth 60 mijë njerëz kanë vizituar stendat e Panairit të shtatë të Librit, ndërkohë që ai është përshëndetur nga pushues të shumtë, të ardhur kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, por edhe nga botues të rajonit, të cilët tradicionalisht marrin pjesë në këtë manifestim të kthyer tashmë në një traditë. Numri më i madh i vizitorëve vendas dhe të ardhur spikat në prag mbrëmje deri në orët e mëngjesit. Në këtë interval kohor ata nuk kanë rreshtur së pari librat e vendosur në stendat e ndërtuara sipas një stili tipik mesdhetar, përgjatë plazhit të vogël të Ulqinit, i konsideruar si një nga qytetet më të vjetra të pellgut të Adriatikut. Sipas sondazheve, më së shumti vizitorët kanë shfaqur interes për letërsinë artistike, enciklopedike, por edhe për fëmijë. Surprizat e panairit të këtij viti janë studiuesi dhe pedagogu i njohur Agim Vinca, Zuvdi Hoxhiq nga Mali i Zi, etj. Organizatorët e panairit kanë menduar për mbrëmje të veçanta kushtuar ekskluzivisht autorëve të mësipërm. Kjo nuk është hera e parë që kultura bëhet faktor për afrimet politike dhe në të njëjtën kohë tërheq vëmendjen e politikës për problemet dhe vështirësitë që ka sot kultura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në rajon e më gjerë. Libri shqip, krejtësisht i ndaluar disa vjet më parë, në këtë anë të kufirit ka ditë që bashkëbisedon i lirë në bregun e Adriatikut. ATSH |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||