Letërsia Shqiptare

Heshtje në 70-vjetorin e Mjedës
E shtune, 11-08-2007, 04:54pm (GMT)

Asgjë për 70 vjetorin e poetit të shquar të elegjisë “Vaj i Bylbylit”. Veç heshtje dhe harresë, të cilat vrasin “andrrat e jetës” së një emri të madh të letërsisë shqipe

Para disa ditësh u mbushën plot 70 vjet nga vdekja e një prej penave më të shquara të letërsisë shqipe, Ndre Mjeda. Një përvjetor, ashti si të tjerët, që ikën dhe shkon, e ndërkohë që datat dhe përvjetorët nuk do të thonë asgjë, edhe për atë lexues që ndoshta e adhuron të madhin poet shkodran. Epo kështu ndodh rëndom në vendin tonë. Emra të mëdhenj, personalitete që edhe pse ikën dhe nuk vijën më harrohen lehtësisht. Kështu ndodhi dhe në këtë përvjetor të poetit Mjeda, asgjë nga institucionet përkatëse nuk organizoi dhe solli ndërmend kontributin e njeriut të shquar të poezisë.por jo vec në poezi, gjinia më e goditur prej tij, por edhe
në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P.Bogdanit dhe të P.Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shekullit të XIV-XV.

Prifti katolik, Mjedë, i pacensuruar në tekstet shkollore
Përndjekja politike e periudhës komuniste në Shqipëri pas çlirimit, nuk do të linte pa përfshirë edhe kryeveprat poetike të Dom Ndre Mjedës. Mjeda u arsimua nëpër shkolla fetare, përzgjedhur nga jezuitët në Shkodër që në moshë të vogël dhe studiuar në Itali e vende të tjera, nuk kishte se si të mos influenconin penën e poetit-prift. dhe ashtu si ndodhi dhe me fatin e botimeve të të gjithë emrave të shquar, të cilët kishin studiuar në shkolla teologjike, edhe veprat e tij do të përshkonin sitën ideologjike të kohës. Edhe pse pati censurime të veprave të tij me karakter fetar si “Majerling”, “Bija e verbtë ç’prei t’lemi”, dhe “Kanga e Mahmud Pashës”, etj. Dom Mjeda është i vetmi prift katolik, i cili edhe pse është censuruar nga regjimi diktatorial, veprat e tij kanë qenë të pranishme në tekstet shkollore. Fati i poetit-prift dhe fati i lexuesit shqiptar, që vepra e tij nuk u përjashtua si veprat e shumë shkrimtarëve të tjerë priftërinj.

Mjeda, mjeshtri i fjalës poetike
Poeti Ndre Mjeda, cilësohet ende si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe si "një poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe".
Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur "Vaji i bylbylit" u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit "Juvenilja", Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkonju" etj. Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike si "Liria", ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat "Scodra" dhe "Lissus", ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Kush ishte Dom Ndre Mjeda
Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Në formimin e personalitetit të Mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështje të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni"). Ai vazhdoi të ishte famullitar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, në vitet e fundit të jetës së tij punoi si mësues të shqipes në Shkodër. Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".

Brunilda Merko ABC


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.