Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E hene, 07-07-2008, 01:15am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Informacione
 
Artisti që mbyll sytë është tradhtar
E shtune, 18-08-2007, 10:23pm (GMT)

Ka dalë në treg nga “De Angelis”, libri i parë i përkthyer në italisht i poetit Ali Podrimja “Deserto invasivo” (Shkretëtirë gllabëruese), nën kujdesjen e Blerina Sutës dhe me parathënie të Filippo Bettinit, që me të drejtë ndalet mbi “peshën e gurit” të lirikës së Podrimjes, i konsideruar një nga poetët më të mëdhenj kosovarë. E takuam poetin gjakovar në Romë, me rastin e Festivalit Mediterranea.

Ballkani është një lëmsh kulturash, etnish, besimesh, gjuhësh, traditash dhe shpesh është e vështirë të orientohesh në tërë këtë përzierje. Ju si e përcaktoni?

Është e vërtetë. Ballkani është një lëmsh i komplikuar. Në shekuj kanë ndodhur shumë asimilime nga të gjitha drejtimet. Shumë shqiptarë janë asimiluar nga serbët edhe pse nuk e kanë harruar ndjenjën e atdheut të të parëve. Unë, shumë thjesht, jam shqiptar.

Po për besimet?

Besimi për popullin shqiptar, nuk ka pasur kurrë rol determinues. Unë ndihem thellësisht shqiptar, pavarësisht nga emri që kam, që është mysliman. Për sa i përket besimit, populli shqiptar është më toleranti në Evropë. Tagora shkruante kështu për popullin e vet: “Shkoni në Shqipëri e mësoni se ç’është toleranca fetare.”

A jeni i sigurt?

Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri ndarja fetare të jetë shkak për konflikt. Një shembull është Nënë Tereza e Kalkutës. Për të nderuar figurën e kësaj gruaje të jashtëzakonshme, kur u bë shenjtërimi, në Romë erdhën të gjithë përfaqësuesit e besimeve fetare kryesore të shqiptarëve: mysliman, bektashi, katolik dhe ortodoks.

Si jetonte një shkrimtar kosovar në ish-Jugosllavi? Si ishte klima politike kur ju botuat librin tuaj të parë gjatë viteve ’70?

Në Jugosllavi, kur unë botova librin e parë “Grido”, 1971, kishte liri për fjalën poetike. Ne shkrimtarët që jetonim dhe shkruanim në Jugosllavi ndiheshim të barabartë me poetët e tjerë të ish-Jugosllavisë. Zhvillimin e madh të letërsisë e dëshmon edhe ekzistenca e shtëpisë botuese shqiptare “Rilindja”. Gjithashtu, kishte edhe shumë revista e gazeta shqiptare, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Shkup e Podgoricë. Nuk ka pse të habiteni nga kjo liri shtypi në ish-Jugosllavi, sepse ne ishim popullata e tretë për nga numri i popullsisë, pas serbëve dhe kroatëve. Në atë kohë thuhej se ushtria jugosllave përbëhej më së shumti nga shqiptarët, sepse qemë populli me popullsi më të re në zonës. Komuniteti shqiptar kishte një numër aktivitetesh letrare. Mbi të gjitha u jepnim përparësi përkthimeve në shqipe të poetëve dhe shkrimtarëve serbë dhe kroatë.

Cilët shkrimtarë perëndimorë përktheheshin në atë kohë?

Dante, Petrarka, Boccaccia, Malaparte, Pirandello, Moravia, Buzzati, Ungaretti, Croce, De Sanctis, pastaj Dos Passos, Faulkner, Pound etj.

Po në Shqipëri, si qe gjendja?

Gjatë atyre viteve, në Shqipëri lexoheshin në mënyrë klandestine autorët botërorë që përkthenim ne. Kemi qenë një dritare e hapur për poetët e shqipërisë. Kemi qenë të hapur edhe për letërsinë e ish-Jugosllavisë. Për të hequr dyshimet, botonim edhe autorët që kishin shkruar të famshmet “elaborate” kundër çështjes shqiptare. Më i keqi qe Çubroloviku dhe Ivo Andriçi.

Po për Titon çdo të na thoni? Pikërisht tri ditë më parë, në “Corriere della sera”, Bettiza foli për Titon me terme kurioze, gati si për një dandy aristokrat. Madje është edhe një fotografi e vitit 1974 me Sofia Lorenin. Çfarë mendoni ju?

Titoja qe liberal, prandaj arti nuk kontrollohej në mënyrë të rreptë. Personalisht kam qenë shumë i ri atëherë. Megjithatë edhe sot, shqiptarët, po ashtu edhe maqedonasit, kanë kanë një ndjenjë respekti për të. Edhe sot gjen fotografi të Titos nëpër shtëpi dhe zyra shtetërore në Maqedoni. Titoja ka ditur t’i bashkojë popujt e ish-Jugosllavisë. Qe i vetëdijshëm që një ditë do të shpërthente nacionalizmi serb, prandaj sillej me paanshmëri ndaj të gjitha popullatave. Donte të mbante qetësi në të gjithë vendin, ndërkohë që nga njëra anë qe rreziku i bllokut të Lindjes, nga ana tjetër Perëndimi. Prandaj krijoi këtë bllok të tretë të pavarur me arabët, indianët dhe disa vende të Afrikës. Titoja qe një njeri i hapur, ndaj edhe është fotografuar edhe me Sofia Lorenin. Për fund, Titoja, mos e harroni, qe një kroat katolik.

Në ç’pikë ndodhet Kosova?

Kosova, de facto, është e pavarur. Kohët e fundit nacionalizmi serb ka filluar të ngrejë zërin, sepse nga ana e tyre është Putini që ëndërron, ashtu si Millosheviçi, një Jugosllavi që duhet të identifikohet vetëm me serbinë. Gjithë kjo, sigurisht, për ta bërë Europën më të prekshme. Bashkimi Europian përbëhet nga shumë shtete sllave. Pra, të krijosh tension, është një mënyrë për ta dobësuar Europën. Kam frikë vetëm se mos ndodh diçka e rëndë, sepse Putini ndjek gjurmët e Eltsinit, që në një rast tha në Athinë: “Nga Athina, duke kaluar nëpër Beograd, deri në Moskë do të ndërtojmë një shtet të madh ortodoks”. Këtë nacionalistët e kanë marrë si një shenjë mbështetjeje për pikësynimin e tyre.

I urreni serbët apo nacionalistët serbë?

Nuk i urrej serbët. Kam shumë miq serbë. Fatkeqësia e serbëve janë nacionalistët. Po ju tregoj diçka. Para se të vija në Romë, pashë një dokumentar gjerman, ku një gazetar kishte arritur të hynte në “Kështjellën” e Partisë Radikale Nacionaliste Serbe. Gazetari e pyeti një anëtar të kësaj partie për viktimat e Srebrenicës dhe ky nacionalist ofendon si të pushkatuarit, ashtu edhe të vrarët. Në të vërtetë tha: “Nuk është e vërtetë që janë vrarë tetë mijë myslimanë, të vdekurit janë mbledhur nga Jugosllavia dhe janë shpënë aty”. Kjo është diçka e turpshme, sepse ofendon kujtimin e të vdekurve.

Si është e mundur gjithë kjo?

Çmenduria e hegjemonisë dhe mposhtja e tjetrit, kjo shkaktoi katastrofën. Shqiptarët e Kosovës nuk kishin një çati tjetër ku mund të jetonin. Serbët kishin të gjitha armatimet e ish-Jugosllavisë. Edhe tani ekziston frika që diçka e tmerrshme mund të ndodhë, për sa u përket lidhjeve të reja Beograd-Moskë.

Si e kujtoni bombardimin e Serbisë më 1999-ën?

Ndërhyrja e NATO-s qe e rëndësishme, sepse para se të ndodhte kjo, një milion kosovarë qenë kthyer në refugjatë. Pastaj, kur u kthyen, gjetën njëqind e njëzet mijë shtëpi të djegura.

Po për Rugovën e zhdukur papritur, ç’thuhet?

Rugova qe kolegu im, kemi bashkëpunuar shumë. Qe një kritik letrar i jashtëzakonshëm. Merita e tij qe të drejtonte partinë e parë demokratike që përbëhej nga një numër i madh anëtarësh. Ai kishte mbërritur të fitonte në mënyrë paqësore besimin e popullit shqiptar. Pasi u pa se rruga paqësore nuk të çonte në asnjë anë, u krijuan lëvizje për çlirim, që përbëheshin nga intelektualë, studentë dhe fshatarë.

Ku është dallimi mes një kosovari dhe një shqiptari?

Është pjesë e kulturës shqiptare si ai që shkruan në Kosovë, në Shqipëri, po ashtu edhe ai që shkruan në Kalabri, duke i përfshirë të gjitha komunitetet arbëreshe. Janë vetëm kufijtë fizikë që i ndajnë shqiptarët. Rilindja jonë letrare i ka rrënjët në kulturën arbëreshe. I referohem të madhit De Rada, Dantes tonë. I konsideroj arbëreshët si një urë e madhe komunikimi midis Shqipërisë dhe Italisë.

Më dëgjoni Podrimja, dua të shpreh një ngurrim timin, Është sikur ju poetët e Lindjes, që keni jetuar deri pak vite më parë nën ndikimin e historisë dhe të politikës, keni vështirësi të çliroheni nga një farë gjuhe politike, nga një lloj retorike e impenjimit shoqëror.

Mendoj se arti, edhe nëse flet për politikën, nuk mund të jetë viktimë e politikës, nëse di të mbledhë më të mirën. Të gjesh motivet, mbi të gjitha, të dish të japësh mesashe, kjo është detyra e artistit. Do të ishte një turp, në një realitet kaq të rëndë, të mos bëheshe pasqyrë e asaj që po ndodhte, të mos ishe i impenjuar. Është e ndaluar që memoria të vdesë. Shkruhet edhe mbi gjëra të rënda, derisa këto gjëra të mos ndodhin më. Një plejadë e tërë shkrimtarësh dëshmoi pas Luftës së Dytë Botërore, mbi atë që kishte ndodhur në kohën e nazizmit. Nëse një shkrimtar mbyll sytë para asaj që ndodh, është një tradhtar.

Fjalë të forta tuajat. Nuk mendoni se një ditë do të konsideroheni një poet i angazhuar, ndoshta edhe do të kritikoheni, ashtu sikurse ndodhi në Itali në vitet ’60, kur neoavangardistët u ngritën kundër neorealistëve të impenjuar të pasluftës?

Çdo gjeneratë plotëson atë më të herëshmen. Memoria nuk mund të jetë një gjë që mund të tejkalohet. Memoria duhet të ekzistojë. Çdo kohë do të ketë nevojë për memorien dhe njohjen e historisë. Unë mendoj se do të jetë gjithmonë një pjesë e letërsisë që do të ketë nevojë për këtë memorie. Letërsia ka mesazhin e saj. Të luash me fjalët, nuk përbën asnjë lloj arti.

Marrë nga “L’Unita”. Përktheu nga italishtja Majlinda Bregasi

Tema

Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Një lidhje shkrimtarësh ka vetëm shkrimtarë (12-08-2007)
Heshtje në 70-vjetorin e Mjedës (11-08-2007)
Letërsia si habi estetike (04-08-2007)
Kur libri 'bashkon' kufijtë (29-07-2007)
Zyrë për të drejtat e Autorëve apo Polici për Botuesit? (17-07-2007)
Udhëtimi me fat i Ornela Vorpsit (03-07-2007)
Nën ombrellën e parathënies së... (30-06-2007)
“Thesari” i Berishës, librat antikuare për Skënderbeun (30-06-2007)
Një viktimë e Ligjit për librin (30-06-2007)
Botuesit kundër Nenit 45 (30-06-2007)
Kur flasim për përkthimin (16-06-2007)
Visar Zhiti, fiton çmimin letrar “Mario Luzi” (12-06-2007)
Dashuritë e shkrimtarëve tanë (21-05-2007)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
U krijua: Vatra e poetëve Shqiptarë ''Një Shqipëri në mërgim!''

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]