| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Panairi i Librit në ditëlindjen e tij të 10-të E hene, 15-10-2007, 06:22pm (GMT) Doloreza Dyli - Metropol Mbi 100 shtëpi botuese gati për të shfaqur librat e rinj Për gati 10 vjet me radhë librat në Shqipëri kanë gjetur vendtakimin e duhur. Hap dyert edhe këtë vjeshtë Panairi i Librit, duke shënuar kështu fundin e një dekade eksperiencë. Në edicionin e tij të 10-të, Panairi “Tirana 2007” bashkon këtë vit më shumë vepra të botuara nga shtëpi e ente botuese, si dhe autorë nga vendi e jashtë kufijve. Në këtë organizim parashikohet të marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese, agjenci shpërndarjeje libri, studio grafike e diskografike, institucione, organizata e subjekte të tjera që kanë si objekt kryesor punë me librin dhe botimin. Shoqata e Botuesve Shqiptarë së bashku me Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, në mjediset e kësaj të fundit hapin në periudhën nga 14-19 nëntor ditët e ekspozimit të plotë e të gjithanshëm të botimeve shqiptare para publikut të kryeqytetit dhe jo vetëm. Takimet tradicionale midis autorëve, botuesve dhe lexuesve, ditët e përurimit dhe promocionit të librave të rinj, ditët e mbledhjes rreth tryezave të debatit për problemet e librit dhe rritjen e nivelit të të lexuarit do të jenë në fokusin e këtij eventi tema me rëndësi për të ardhmen e kulturës së librit në vendin tonë. Qëllimi kryesor i organizimit të kësaj veprimtarie, ashtu si çdo vit tjetër mbetet ekspozimi dhe bërja publike në mënyrë sa më të gjerë të botimeve shqiptare, kryesisht atyre të kohëve të fundit. Veprimtaritë e planifikuara Ditët e panairit “Tirana 2007” pritet të kenë një program të pasur. Nga organizatorët, ekspozuesit dhe krijuesit, do të organizohen edhe konferenca shtypi, paraqitje librash, por nuk do të mungojnë as bisedat me lexues e dashamirës të librit, takime me shkrimtarë etj, numri i të cilave mendohet të arrijë në 120 të tilla. Për realizimin e tyre, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës do të vërë në dispozicion të ekspozuesve 3 salla konferencash me kapacitetet të ndryshme. Ky program, veç ekspozimit në vende të dukshme të mjediseve të panairit, do të jetë i përfshirë edhe në pjesën e parë të katalogut të pjesëmarrësve në gazetën e përditshme ose periodike të këtij takimi të përvitshëm, si dhe në fletë volante, por nuk do të mungojnë as deklarimet gjatë gjithë ditës nëpërmjet qendrave të zërit që do të funksionojnë pranë stendave. Për vetë natyrën kulturore e promovuese që ka ky panair tashmë me një traditë 10-vjeçare, do të ketë disa veprimtari që janë edhe më thelbësoret për një takim me përmasa të tilla. Kështu, ceremonia e çeljes së panairit do të ketë formën e një konference, dhe mjaft interes do t’i kushtohet edhe ceremonisë së dhënies së çmimeve nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Autorët e ftuar Panairi i Librit në Tiranë është shndërruar tashmë prej vitesh në “strehën” më të madhe të takimit mes autorëve shqiptarë nga të gjitha trevat e diasporës. Nuk ka veprimtari në botën kulturore shqiptare që të bashkojë në një rast të vetëm kaq shumë autorë, studiues, kritikë e gazetarë. Panairi i Librit është kthyer tashmë në një mundësi të papërsëritshme të lexuesit dhe dashamirësit të librit për të takuar autorët e preferuar shqiptarë e të huaj. Dhe sigurisht, që në një përvjetor kaq emblematik, “Tirana 2007” nuk do të harrojë të servirë për vizitorët edhe shkrimtarë të huaj. Këtë vit, organizatorët synojnë të sjellin në kryeqytetin shqiptar shkrimtarë të suksesshëm italianë, grekë apo edhe amerikanë, të cilët janë të njohur për veprat e tyre të përkthyera në gjuhën shqipe. Një numër i madh vizitorësh mendohet të vizitojnë Panairin e Librit “Tirana 2007”. Pritet të ketë nga të gjitha shtresat e popullsisë, lexues të niveleve e moshave të ndryshme. Në mënyrë të organizuar do të vizitojnë panairin e Tiranës punonjësit e bibliotekave të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës. Por, si çdo vit, pjesa më e interesuar dhe më masive që do të vizitojë këtë panair, është shtresa e nxënësve e sidomos e studentëve. Për këtë qëllim, gjatë ditëve të panairit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë Arsimore të Tiranës, do të organizohen vizita nga nxënës të shkollave të të gjitha niveleve, si pjesa më e interesuar për librin. Çmimet dhe vlerësimet në “Tirana 2007” Prej vjetësh është bërë traditë tashmë dhënia e çmimeve të ndryshme letrare gjatë ditëve dhe në përfundim të panairit të librit. Është Shoqata e Botuesve Shqiptarë ajo që jep edhe çmimet më të rëndësishme për shkrimtarin dhe përkthyesin e vitit. Ndonëse këtë vit nuk do të mungojnë as çmimet dhe vlerësimet për paraqitjen më të mirë të stendës, për librin më të realizuar, si dhe për autorin më të dashur për fëmijët, një çmim i dhënë edhe në bashkëpunim me UNICEF-in. Por, ashtu siç është bërë traditë në këto vite, për të tretin vit radhazi do të kurorëzohen “Shkrimtari i vitit” dhe “Përkthyesi i vitit”. Kanë qenë autorët Vath Koreshi dhe Fatos Kongoli ata që janë nderuar vitin e kaluar si shkrimtarët më të mirë, dhe si përkthyes, Edit Dibra e Shpëtim Çuka. Çmimet e shoqëruara me diploma nderi, dinstiktiva e shpërblime nderi, do të jepen në ceremoninë e organizuar një ditë para mbylljes së panairit, për të kurorëzuar në këtë mënyrë edhe më të suksesshmit në kulturën e librit. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||