Nga Admirina Peçi
Për pak ditë do të mbërrijë tek lexuesi i gjithë korpusi i veprës së Ismail Kadaresë. Një botim testament, varianti i fundit që shkrimtari do të lërë për lexuesit e tij, një botim ku Kadare ka bërë ndërhyrjet e tij të fundit, që nga krijimet e fillimeve të tij e deri tek veprat e këtyre viteve. Gjithë krijimtaria do të përfshihet në një kolanë prej 20 vëllimesh, ku do të përfshihen të gjithë veprat e famshme të shkrimtarit, por edhe ato të papublikuara kurrë më parë, krijime të mbetura në sirtar prej vitesh e të tjera shkruar së fundmi. Bujar Hudhri, presidenti i shtëpisë botuese “Onufri”, rrëfen gjithë detajet e kësaj sipërmarrje, të cilën, siç pohon botuesi, vetë Kadare e ka ndjekur dhe është kujdesur në çdo hap.
Z. Hudhri, po përgatisni një kolanë me veprën e plotë të shkrimtarit Ismail Kadare të cilin ju e quani të fundit, bazën e të gjithë referimeve të ardhshme. Shpesh, veprat e tij janë botuar e ribotuar… A keni një ide se si do të pritet ky botim përfundimtar i veprës së plotë të Kadaresë?
Fakti që veprat e Kadaresë janë botuar dhe ribotuar është një argument më shumë përse mund ta realizojmë me sukses këtë aksion ambicioz. Një vepër e tillë, e certifikuar nga lexues të më se 40 gjuhëve të botës, është përzgjedhur, për fatin e mirë, rreptësishtë nga vetë autori me një kriter të vetëm, cilësinë e lartë artistike. Kadare është i vetmi shkrimtar, absolutisht i vetmi, që në çdo gjeneratë ka lexuesin e vet. Kadare tashmë është një klasik i gjallë.
Atëherë iu ka lindur juve ideja për këtë kolanë?
Në këtë rast ka më shumë rëndësi momenti që zoti Kadare vendosi se kur ky aksion të nisë. Të ishte për mua, këtë punë do të doja ta kisha filluar me kohë. Por duke u përballur çdo ditë me realizimin e këtij projekti ambicioz, i jap shumë të drejtë autorit. Është sensi i tij i masës, ku Kadare nuk gabon asnjëherë. Përveç kësaj, në ditët kur do të dalin dy vëllimet e para, “Onufri” shënon 15- vjetorin. Kjo koincidencë për mua është shumë domethënëse.
Janë bërë disa kolana me veprat e Kadaresë. Botimi nga “Onufri”, ç’të re sjell?
Në rend kronologjik, kjo është përmbledhja e katërt e veprës së Kadaresë. Për herë të parë një përmbledhje prej dhjetë vëllimesh u botua në Prishtinë më 1980. Kjo përmbledhje pati një sukses të jashtëzakonshëm në gjithë Kosovën. Në Tiranë, pas një viti u realizua botimi prej dymbëdhjetë vëllimesh. Botimin tjetër, këtë herë në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, Kadare e ka kryer në Paris, me botuesin e tij, “Fayard”. Për fatin tonë të mirë, ky projekt ngrihet mbi një bazë solide, kemi si të thuash një traditë.
Dhe si e keni shfrytëzuar këtë traditë?
Botimi në Francë, shqip dhe frëngjisht, përveçse një nder shumë i madh për letërsinë shqipe, ka thjeshtuar, shpejtuar shumë nga punët që po përballemi. Gjithë këto vite Kadare ka sistemuar krejt veprën e tij, e ka riparë artistikisht. Duke u nisur nga botimi në Francë, i cili si kriter kishte atë tematik, zgjodhëm tjetrin, atë kronologjik. Pra, e gjithë vepra do të renditet sipas kohës kur ajo është shkruar. Kuptohet, ky kriter nuk mund të ruhet rigorozisht, por synimi ky do të jetë.
Sa vëllime do të përfshijë kjo kolanë?
Përfundimisht, kjo kolanë do të përfshijë rreth njëzet vëllime. Do të jetë më e plota që Kadare ka botuar. Këtu kam parasysh sasinë e teksteve të autorit, aparatin shoqërues, si dhe studimet dhe parathëniet, shkruar në kohë të ndryshme nga autorë shqiptarë e të huaj, nga gjithë bota.
Kjo kolanë do të jetë vetëm me veprat e njohura apo do të kemi edhe surpriza?
Do të ketë shumë tekste të reja. Surpriza e madhe e këtij korpusi do të jenë veprat që botohen për herë të parë, si tregimi “Provokacioni”, qysh në vëllimin e dytë, vepra të tjera krejtësisht të panjohura për lexuesin, si tregimet “Leximi i Hamletit”, “Bisedë për diamantet në pasditen e dhjetorit”, novelat “Djegia e Voskopojës”, “Darka e gabuar” dhe “Sorkadhet e trembura”. Por sigurisht, pika kulmore do të jetë romani “E hyjnueshmja”. Autori e ka shpallur si romanin e të tij fundit.
A mund të na flisni më shumë për këtë roman?
E vetmja gjë që mund t’ju them është se kurrë nuk keni lexuar më parë nga Kadare një tekst të tillë. Dhe sigurisht, ky nuk është romani i tij i fundit.
Kadare është tërhequr tashmë plotësisht në botën e librave të tij, larg daljeve dhe prononcimeve mediatike. Ju si botues, e konsideroni këtë një kohë të artë për krijimtarinë e tij?
Kur bëni këtë pyetje, me siguri i referoheni medias shqiptare. Por Kadare ka qenë shumë aktiv në median ndërkombëtare, sidomos për çështjen e Kosovës, në konferenca e takime të shumta. Për sa i përket asaj që thoni ju, nuk mund të bëj krahasime të tilla. Kadare është një talent i madh dhe koha ime si botues është e papërfillshme për kalendarin e tij.
Përmendët më sipër se parathëniet janë shkruar në kohë të ndryshme nga autorë shqiptarë e të huaj. Mos do të thoni se për çdo vepër do të kemi kritikë e studiues të ndryshëm?
Pikërisht. Por për të ardhur deri te kjo zgjidhje, është diskutuar shumë. Në fillim fitoi varianti të mos kishte fare parathënie. U mendua që lexuesi të mos ndikohej nga asnjë gjykim tjetër. Pastaj zgjodhëm një variant tjetër, që të caktohej vetëm një kritik a studiues (siç është Eric Faye te kolana e “Fayard”). Përfundimisht arritëm në zgjidhjen që ju përmendët: çdo vepër do të ketë kritikun a studiuesin e saj dhe parathëniet në këtë ndërthurje do ta rrokin si asnjëherë krejt krijimtarinë e Kadaresë.
Le të flasim për poezinë, ç’vend do të zërë ajo në këtë kolanë?
Krijimtaria poetike e Kadaresë do të përfshihet në vëllimin e shtatë. Kriteri do të jetë kronologjik edhe këtu, natyrisht. Dhe kriteri tjetër, më i rrepti, zgjedhja e pjesës më të mirë të krijimtarisë së tij pesëdhjetëvjeçare në poezi. E di që këtu do të kemi debate me autorin, pasi ai është treguar shumë i prerë në botimet nga krijimtaria poetike. Për vite të tëra e shtyu botimin e vëllimeve poetike. Mbaj mend, një herë organizova një takim të Kadaresë me një aktore e cila kishte ideuar një mbrëmje poetike nga krijimtaria e tij. Përballë entuziazmit dhe bukurisë që rrezatonte kjo aktore, ndërsa recitonte vargje të njohura të Kadaresë, shihja indiferencën, ftohtësinë me të cilën ai përcillte gjithçka ndodhte para syve të tij. Mbasi aktorja, krejtësisht e dekurajuar nga kjo përballje, ishte tashmë në ashensorin e Sky Tower, ku është banesa e Kadaresë, ai m’u kthye mua: Ama ç’shije! Por kur unë i thashë se këto poezi i dinin përmendësh mijëra lexues, ai heshti, sikur të thoshte: E ku merrni vesh ju nga poezia!
Me sa dimë, ju keni botuar disa vëllime me poezi nga Kadareja...
Po, është e vërtetë. Pas botimit të librit të parë me 40 poezi “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, që për Kadarenë ishte një befasi e madhe pritja e ngrohtë që i bëri lexuesi, botuam 60 poezi në vëllimin “Kristal” dhe 100 në vëllimin tjetër, “Pa formë është qielli”. Rezistenca që ka treguar Kadare për të mos botuar poezi, mbase ka qenë si kundërvënie ndaj vëllimeve poetike të panumërt të botuar pas viteve nëntëdhjetë.
Kur do të nisë botimi i kësaj serie, dhe kur mendoni të përfundojë?
Kjo kolanë do të jetë në duart e lexuesit në Panairin e Librit të Tiranës në muajin nëntor. Do të dalin dy vëllimet e para. Kështu do të veprohet edhe në të ardhmen. Deri sa të përfundojë ky aksion i rëndësishëm kulturor brenda tre vitesh.
Në disa vepra Kadare ka ndërhyrë, duke riparë pjesë nga veprat e tij apo thjesht detaje gjuhësore. Në këtë botim të fundit të veprave të tij ku vihen re më shumë këto ndërhyrje?
Është fat i madh që botimi i kësaj kolane po ndiqet nga afër prej vetë autorit. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, ndërhyrjet në tekst janë vetëm të natyrës artistike, Kadare dallohet për një skrupulozitet të tillë që në botimet para viteve nëntëdhjetë. Me fjalë të tjera, sa here ka pasur rastin ta ribotojë veprën e tij, e ka rishikuar atë vetëm artistikisht. Në këtë sens, kolana e botuar nga “Onufri” do të jetë referencë e vetme për të gjitha botimet e ardhshme të Ismail Kadaresë.
Me sa thoni ju, ky është dhe dallimi i kolanës së botuar nga “Onufri” në raport me botimet e tjera?
Sigurisht. Ky është një botim testamentor i veprës së Kadaresë.
Dhe së fundi, a keni statistika mbi raportin e veprës së Kadaresë dhe interesit të lexuesit shqiptar. Mund të na rrëfeni detaje mbi numrin e botimeve dhe ribotimeve, shitjeve, rekordeve etj.
Siç ju theksova më sipër, Kadare ka një lexues shumë besnik. Vepra e tij ka njohur botime pa fund në gjuhën shqipe. Vetëm “Onufri” gjatë dymbëdhjetë vjetëve bashkëpunim ka botuar 50 tituj nga Kadare. Ka tituj që janë botuar dy, tre apo katër here. Rekordin e mban libri “Dialog me Alain Bosquet”. Në panair do të dalë botimi i pestë.