| Letërsia Shqiptare | ||||
|
"Fitorja e padukshme" e Mujë Buçpapajt E diel, 18-11-2007, 07:06pm (GMT) Poezia e tij ka edhe gjuhën e imazheve, që janë sa reale e të prekshme aq edhe "të largëta" si shiu që rigon. Portreti i bukur dhe i fshehtë i një kombi dhe i një vendi të copëtuar nga lufta. Por edhe ëndrra dhe "realiteti i ëndërrt", "ngjyrësuar" nga dashuria janë pjesë të komunikimit vargësor të Mujë Buçpapajt. "Fitorja e padukshme", libri i tij, botuar së fundmi edhe në SHBA është promovuar dje në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në kuadër të Panairit të 10-të të Librit, "Tirana 2007". "Poemat e tij janë të pastra si kristali në lidhje me poezinë. Në bashkëbisedim autori njeh pozicionin e tij si autor dhe është i ndërgjegjshëm për këtë rol", u shpreh botuesi i librit të Buçpapajt, përfaqësuesi i "Marinaj Publishing" në Teksas, SHBA, Gjekë Marinaj, duke e cilësuar autorin si "poet publik" dhe veprën e tij "plot pasion". "Ai mund të shkojë në majë të maleve të Tropojës dhe të shpërndajë në botë zërat dhe melodinë e barinjve të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, poezia e tij rrjedh si një lumë, duke shpjeguar dhe nivele të ndryshme të kuptimit te disa fjalë. Është e rëndësishme të përmendet se disa fjalë lindin në imazhet e tij. Imazhet krijuar nga poezia e tij janë shumë realiste dhe bëjnë deri poemat dhe strukturën e tyre. Struktura e tij ekziston. Duke parë këtë strukturë, atëherë mund të shohësh dhe rezonancën dhe ritmin që ndodhet në poezi", vijoi më tej Marinaj. I pranishëm në takimin e djeshëm ishte edhe Eduard Garcia, që ndihmoi për botimin në SHBA të veprës së M. Buçpapajt, si dhe një prej përkthyesve të veprës, Ukë Buçpapaj. "Kam lexuar librin 4-5 herë, por akoma nuk kam pasur kohë të zhbiroj çdo gjë", komentoi Garcia, duke u ndalur në atë që mund të quajmë pjesën më "delikate" të një artisti e të çdo personi në përgjithësi. "Poema kryesore për mua në libër është 'Shiu nuk është shi'. Poeti bën një ndarje paksa të fshehur që vazhdon edhe në vende të tjera në libër. Siç ndahet dhe thuhet është loti i artë. Ndaj poeti preferon shiun ideal, të cilin e ëndërrojmë", u shpreh Garcia, duke vijuar se kështu, në vargun e tij jetojmë në një botë shiu ideal e njëkohësisht real. Një gjë që ai e kishte parë dhe në poema të tjera, si: "Zhgënjim total", ku Buçpapaj "flet për paqen reale e ideale që i referohet qetësisë shpirtërore". Më intime, sipas tij, është një poemë e veçantë, ndryshe nga të tjerat e titulluar "Koha", ku autori i drejtohet një gruaje. Dhe këtu sipas Garcias është ndarja e dy koncepteve të kohës, asaj që ekziston dhe asaj imagjinare. "Koha ideale që një njeri jeton gjatë dashurisë, koha në të cilën ne jetojmë është e paprekshme, e pakthyeshme…", cilësoi ai. Përkthyer nga Ukë Buçpapaj dhe poeti amerikan Clod Freeman III, libri është botuar në shqip dhe në anglisht dhe përmban 62 poezi. Parathënia është shkruar nga Laura Bowers, e konsideruar si e ardhmja e poezisë amerikane dhe botimi shoqërohet me komente të poetëve Frederick Turner, Gjekë Marinaj, Dan Reed dhe Susan Rushing Adams. Vlerësime "Poezia e Mujë Buçpapajt është si vetë Ballkani i tij: Deng i ngjeshur energjish tragjike. Në një kuptim, ai është poeti i thjeshtësive të madhërishme: Imazhet gjakuese, thuajse sureale në thellësinë e tyre, i bëjnë thirrje botës së bukur të natyrës sonë të përbashkët, që të kthehet te qëllimi i tij fisnik dhe i moralshëm. Mirëpo, ndjeshmëria e tij është edhe ajo e evropianit të sofistikuar, në të vërtetë, më i lashti ndër evropianët: Aty gjendet zbulimi therës ironik i brutaliteteve të jetës, që mund të sjellë vetëm përvoja e luftërave. Kjo është vepër madhështore". Frederick Turner "Mujë Buçpapaj është poet i klasit botëror. Poezitë e tij janë gatuar me mençuri të skajshme, ku tonet ironike dhe elegjiake nuk burojnë thjesht nga zgjuarsia ose mendjemprehtësia, por nga urtësia e plotë, fund e krye e çlirët, e zemrës. Ato bashkërendojnë shëmbëlltyrën madhështore me inteligjencën e qartë dhe mahnitëse, për të hulumtuar dhe për të nxjerrë në shesh përbërësit e identitetit të një kombi të ndarë në dysh, të cilët edhe të tmerrojnë, edhe të gëzojnë e të japin zemër njëherësh". Gjekë Marinaj "Fitorja e padukshme na çon në mbretërinë e shqisave, në truallin e gjallë dhe kaotik të kënaqësive dhe të dhimbjeve tona. Këto janë lirika prekëse të jetëve në zgrip të botës së re". Dan Reed "Mujë Buçpapaj sjell për lexuesit pamje të shpejta dhe të pashlyeshme të zemrës së Evropës Lindore, të zhyer nga lufta, si dhe të shpresave për paqe në atdheun e vet. Sikurse, T. S. Elioti, ai trazon kujtime dhe dëshira, duke i kundërvënë të porsalindurit e fshehur në pyje dhe të qarat e fëmijëve nga sjellja ndërmend e dashurive, e degëve të mollës dhe të shiut". Susan Rushing Adams |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||