| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Romani i parë i letërsisë shqipe, shkruar më 1889, i kushtohet një martireje të krishterimit E merkure, 19-12-2007, 09:10pm (GMT) 94 vjet me parë botohej romani "Shkodra e rrethueme", vepër e prozatorit të njohur, Dom Ndoc Nikës, që pas shumë pohimesh e mohimesh, konsiderohet gabimisht si romani i parë shqiptar. Romani pa dritën më 10 dhjetor 1913. Në kohën kur Dom Ndoci, prozatori që i la letrave shqipe një numër të madh prozash të të gjitha natyrave, qysh nga librat shkollorë, tek historitë e tek veprat e mirëfillta artistike, të parat e prozës së mesme e të gjatë në shqipet, fyhej në mënyrë të pabesueshme, burgosej, mohohej e harrohej, Historia komuniste e Letërsisë Shqipe njihte si romancier të parë të shqipes, Foqion Postolin me romanin e tij "Për mbrojtjen e Atdheut", botuar më 1909, ndjekur nga botimi i romanit tjetër, shumë të njohur nga të gjithë lexuesit shqiptarë: "Lulja e Kujtimit", botuar më 1921. Emri i Dom Ndocit, në se kujtohej ndokund, kujtohej vetëm për t'u denigruar. E kështu mbetet edhe sot në tekstin e lartpërmendur, në përdorim. Sidoqoftë, tani pranohet se ai është romancieri i parë me romanin "Shkodra e rrethueme". Në të vërtetë ai është romancieri i parë, por kjo vepër nuk është e para e prozës së gjatë artistike shqipe. Romanin e parë Dom Ndoci e botoi që më 1889. Titullohet "Marcja: martirja e parë e krishtenimit në fillés të vet". Eshtë historia e martirizimit të Marcies, e cila kallet e gjallë në dhe, sepse nuk pranon të mohojë Krishtin. Vepra është një rrëfim ndërmjet hagjiografisë e romanit, me gjatësinë e një novele, që lexohet me endje edhe sot, në se mund të gjendet ende në skajin e ndonjë biblioteke tejet të vjetër shkodrane. Ka ardhur, pra, koha të pranojmë se fillon me një martire të krishterimit historia e romanit shqiptar. Marrë nga Radio Vatikani Revista Kuvendi
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||