Letër e hapur
Z. President,
Më datën 26. 12. 2007, Parlamenti i Shqipërisë votoi dhe miratoi ligjin Për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (20 %) për librin në import. Botuesit, në përgjithësi, po veçanërisht ne, botuesit e teksteve shkollore, e kundërshtojmë me forcë miratimin e këtij ligji, pasi jemi të bindur për pasojat negative që do të sjellë ky ligj në shtypjen e teksteve shkollore. Jemi në dijeni të tentativave të mëparshme të pasuksesshme për t’ia arritur të njëjtës gjë dhe tashmë, kalimi me ngut i këtij ligji në parlament, pa u konsultuar me grupet e interesit, na bind se shtysat e miratimit të këtij ligji, janë për të mbrojtur interesa të caktuara që duan të ruajnë monopolet e vjetra mbi shtypjen e librit dhe aspak për të mirën e shkollës, madje shkojnë ndesh dhe me vetë interesin e zhvillimit dhe modernizimit të industrisë së shtypshkrimit në vend.
I nderuar President,
E ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë për specifikat e veçanta që ka botimi i teksteve shkollore, i cili nga ky ligj goditet më së tepërmi. Në botuesit e teksteve shkollore jemi të detyruar të zbatojmë me përpikëri kontratat që kemi lidhur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe që kanë të bëjnë me çmimin e përcaktuar të tekstit, cilësinë e letrës dhe afatin e shtypjes së librave. Në këtë kontratë, nuk është e parashikuar TVSH-ja mbi librin, gjë që tashmë, me ligjin e ri, e pamundëson botuesin të plotësojë kërkesat e kontratës.
Që prej 3 vjetësh, kur ka filluar reforma në arsim e quajtur “ALTERTEKS”, ka ndryshuar tërësisht fizionomia e teksteve shkollore në drejtim të cilësisë së shtypit, të letrës e të libërlidhjes, duke i bërë ato të krahasueshme me tekstet evropiane. Kjo cilësi u arrit falë faktit se botuesit i zgjedhin vetë shtypshkronjat ku i shtypin librat, duke u nisur nga kostoja më e ulët, cilësia më e lartë dhe afatet më të shkurtra të shërbimit. Reforma e “ALTERTEKST”-it solli konkurrencë te tregut vendas me atë të rajonit. Për vitin shkollor 2007 – 2008, një numër i madh i teksteve shkollore u shtypën jashtë vendit, në shtypshkronja me teknologji moderne. Kjo krijoi mundësi që, jo vetëm të përballohen kufizimet e ngushta të kostove të përcaktuara në reformën e teksteve shkollore, po edhe të arrihet një shtypje mjaft cilësore, madje në afatet kohore të shkurtra, në të cilat jemi të detyruar të punojnë.
Vendosja e TVSH-së për librat vetëm në import, i vendos shtypshkronjat e vendit në pozita favorizuese përkundrejt shtypshkronjave jashtë vendit dhe cënon parimin bazë të barazisë në konkurrencë, duke i shmangur shtypshkronjat e vendit nga konkurrenca dhe nxitja për të rinovuar teknologjitë e tyre të vjetruara. Në këto kushte, edhe çmimet e shtypjes nuk ka gjasa të bien në nivelet e çmimeve në të cilat punojnë shumë shtypshkronja të rajonit, por përkundrazi të rriten. Sipas këtij ligji, botuesit detyrohen t’u drejtohen vetëm shtypshkronjave të vendit, por paradoksi është se as kapaciteti, as cilësia e shtypjes dhe as afatet e shtypjes nuk do të mund ta bëjnë të realizueshme këtë.
Siç duket, konkurrenca e lirë (që do të thotë se botuesit i zgjedhin vetë shtypshkronjat, ku do t’i shtypin librat) bie ndesh me interesat e atyre shtypshkronjave, të cilat për momentin nuk ofrojnë standarde të teknologjisë moderne të shtypit. Vendosja e TVSH-se së librit vetëm në import krijon mundësi për krijim të monopolit, eliminon konkurrencën, prish cilësinë e shtypjes së teksteve, duke e kthyer reformën e teksteve shkollore 3-4 vjet mbrapa. E keqja më e madhe është se rrezikohet seriozisht pajisja e nxënësve me libra në fillim të vitit shkollor (kur brenda një muaji duhen shtypur 5-6 milion tekste për nevojat e shkollave).
I nderuar President,
Ne kërkojmë nga ju që të mos e dekretoni këtë ligj, i cili nuk ka logjikë ekonomike dhe është i dëmshëm për kulturën dhe reformën në arsim; ligj që favorizon interesa të ngushta të disa personave në pushtet të lidhur me shtypshkronja të caktuara dhe diskriminon grupe të tilla interesi si: botuesit, autorët e teksteve shkollore dhe drejtpërdrejt mësuesit dhe nxënësit që i përdorin këto tekste.
Së fundi, po theksojmë se ky ligj bie ndesh me vetë Ligjin mbi TVSH në Republikën e Shqipërisë, me konventën e firmosur me UNESCO-n dhe me paktin e Asociim Stabilizimit ku Shqipëria ka synim të aderojë.
Me konsideratën tonë më të lartë dhe me besimin për mirëkuptim.
Shoqata Botuesit e Teksteve Shkollore