Nga Alma Mile
Dy ditë para vendimit të Presidentit për ligjin "Për librin", botuesit dhe përfaqësuesit e arsimit jopublik, i bëjnë sërish thirrje Bamir Topit të mos e dekretojë. Botuesit: Çështja, në Gjykatën Kushtetuese
"Servilizëm politik" e quajtën botuesit dhe përfaqësuesit e arsimit jopublik, vendimin e vonë të qeverisë, për të përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vetëm periodikët e huaj. Pas deklaratave publike dhe letrës së hapur drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, botuesit dhe përkrah tyre edhe përfaqësues të arsimit jopublik, bëjnë një përpjekje të fundit në këtë klimë të rënduar ku janë përfshirë me devotshmëri si ata që kundërshtojnë ligjin edhe ata që e mbrojnë atë.
Një thirrje qytetare ishte kjo e djeshmja për të mosdekretuar ligjin "Për librin", që parashikon rikthimin e TVSH-së për librin e importuar. "Përjashtimin nga TVSH-ja e periodikëve të huaj e konsiderojmë një servilizëm politik. Për interesin e 150 copë gazetave që hyjnë në Shqipëri, ligji mund të shfuqizohet dhe përkundrejt këtij servilizmi ndaj të huajve, askush nuk mbron interesat e 860 mijë nxënësve dhe 6 milionë shqiptarëve në rajon", - u shpreh në konferencën për shtyp të organizuar dje, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Fatmir Toçi. Ai shtoi se qeveria u dorëzua para presionit të të huajve.
Vendimi për heqjen e TVSH-së për këtë kategori shtypshkrimesh, u bë i njohur nga vetë kryeministri Berisha. Vetëm pak ditë para botuesit e huaj deklaruan se do të bllokojnë shpërndarjen e gazetave dhe revistave që ata sjellin në Shqipëri. Lajmi u njoftua nga Associated Press, ku thuhej se shkak për këtë vendimi ekstrem të botuesve të huaj dhe distributorëve të tyre, u bë vendosja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga ana e qeverisë shqiptare, gjë që çon në rritjen në masën 20% të këtyre produkteve.
Në emër të arsimit jopublik, vetëm 2 ditë nga afati për dekretimin ose jo të ligjit, Petrit Çela i bëri thirrje Presidentit të mos e dekretojë atë, pasi kemi të bëjmë me një rast të pastër të shkeljes së Kushtetutës, duke e konkretizuar me nenet përkatëse (18, 116, 122…) si dhe marrëveshjet e asociim-stabilizimit. Në këtë drejtim botuesit shkojnë edhe më tej. "Nëse ky ligj dekretohet, atëherë ne do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk mund të pranojmë një ligj që shkel Kushtetutën". Të gjitha palët e pranishme në konferencë e quajtën ligj të nxituar (vendimi u mor nga qeveria në datën 26 dhjetor dhe u miratua në Parlament në datën 27 dhjetor), që do të rëndojë në xhepat e konsumatorit shqiptar. Përfaqësuesi i Lidhjes Shqiptare të Arsimit Jopublik, Petrit Çela, e quan "edhe nga ana ekonomike shumë të dëmshëm këtë ligj sepse deformon tregun, takson në mënyrë diskriminuese dhe të katërfishtë studentët dhe familjet e tyre, duke i detyruar ato të paguajnë taksat publike, pagesat private, dhe njëherazi TVSH-të në arsim dhe botime", - tha ai.
Sa i përket pretendimeve të hartuesve të ligjit dhe mbrojtësve të tij, sipas të cilave vendosja e TVSH-së për shtypshkrimet e importit mbron aktivitetin vendas, botuesit shprehen se është e drejtë mbrojtja e aktivitetit poligrafik shqiptar, por në radhë të parë ka rëndësi cilësia që i ofrohet lexuesit. Si përfaqësues i arsimit universitar privat, Henri Çili, e quajti vendosjen e TVSH-së një vendim të papritur. "Një vendim që na erdhi si rrufe në qiellin e pastër, përkundrejt premtimeve të kryeministrit për mbështetjen e arsimit dhe të sektorit privat",- tha Çili. Sipas tij, tani ishte momenti për defiskalizimin e sektorit dhe jo të penalizimit, duke e rënduar me të tjera detyrime. Çili shprehu edhe një herë në emër të Consorciumit të Universiteteve Jopublike, qëndrimin kundër vendosjes së TVSH-së. Kundër këtij ligji ka qenë edhe një numër mjaft i madh intelektualësh, të cilët nuk kanë nguruar të reagojnë e të japin mendimin e tyre në lidhje me këtë vendim. Dje, botuesit nuk mund të mos përmendnin pandjeshmërinë e qeverisë dhe të parlamentarëve kundrejt zërit intelektual dhe e quajtën të çuditshëm indiferentizmin e treguar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe asaj të Integrimit të cilat "duhet të ishin të parat që të reagonin ndaj ligji të padrejtë."
Pro ligjit
Mero Baze:
"Vendimi për heqjen e TVSH për gazetat dhe pastaj dhe për librin ka bërë një mishmash në legjislacionin tatimor dhe ka krijuar një persekutim me ligj ndaj industrisë së shtypit"
Shpëtim Nazarko
Konkretisht, librit të ardhur nga jashtë (dhe kryesisht atij shkollor) t'i vendoset TVSH. Kjo për të vënë në kondita të barabarta tipografitë ballkanike me ato tonat.
Ndërkombëtarët
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Distributorëve, një masë e tillë mund t'i detyrojë ata që të tërhiqen nga Shqipëria, duke bërë që vendi të mbetet njësoj si para viteve '90 kur ishin të ndaluara të gjitha botimet e huaja.
Ministria e Financave
Të gjitha furnizimet që janë trajtuar deri tani pa TVSH në këto institucione, nuk kanë ndikuar në ofrimin e shërbimeve me kosto të ulët për nxënësit dhe studentët.
Lidhja Shqiptare e Arsimit Jopublik
Një formë e tillë ligjbërjeje, e pastudiuar dhe që artikulon vetëm efekte fiskale, që nuk merr në konsideratë njerëzit dhe dëmin kulturor-arsimor afatgjatë, do t'i largonte edhe më shumë shqiptarët nga libri, arsimi dhe kultura.