| Zemra Shqiptare | ||||||
|
Sarë Gjergji: Rëndësia e manifestimit shkencor e multikultural ''Takimet e Don Mikelit'' - Stubëll E shtune, 13-09-2008, 03:16pm (GMT)
Nga Sarë GJERGJI Kishte shumë arsye për organizimin dhe mbajtjen e një manifestimi shkencor e multikulturor, i cili do prekte anë e aspekte të ndryshme të fushave të shumta të shkencës, artit, letërsisë, shkollës-arsimit, kulturës, por edhe të politikës e të vetë jetës në Kosovë. Me rrënimin e autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, pushteti serb jep sinjalin më bindës për vendosmërinë e tij për zhbërjen e Kosovës. Dhe rrënimi i autonomisë nuk nënkuptonte vetëm privimin a zhveshjen e shqiptarëve nga pushteti, por ajo prekte të gjitha institucionet, shtrihej në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, duke përfshirë këtu edhe arsimin, shëndetësinë, kulturën… Të zhveshur kështu deri në palcë, njeriu sikur humb kuptimin e të jetuarit, humb dinjitetin e tij. Manifestimin “Takimet e don Mikelit”, është vështirë ta quash vetëm manifestim shkencor e multikulturor. Është më shumë se kaq, po patëm parasysh gjithë botën që manifestonte dhe mesazhin që transmetonte: është një sistem i tërë i një filozofie të re i injorimit të pushtetit të pushtuesit, i vetëdijesimit dhe i bashkimit të popullit dhe mbrojtjes përmes formave më demokratike e më të avancuara, është një sistem vlerash që sforconte ndjenjën dhe përkushtimin për kulturën, shkollën, arsimin. E ngritur kështu në shkallën e një sistemi, ky manifestim mbledh njerëz të shtresave, kategorive e profesioneve më të ndryshme dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova Lindore. Për më se një dekadë ky manifestim ka qenë për njeriun tonë, shprehje e dijes, e moralit, e urtësisë, e kujtesës kombëtare, ka qenë arkivi, kronika e historia e jetës së tij, mesazhi i qartë për vendosmërinë dhe synimet tona, ka qenë vetë shpirti ynë. Ndonëse nën kërcënim të tanksave të pushtuesit dhe përkundër shumë arrestimeve të organizatorëve të këtij manifestimi (më 1990), ky manifestim nuk druhej e as që tërhiqej përpara kësaj makinerie. Për më tepër, manifestimi jepte përgjigje të qartë përballë problemeve politike, sociale e historike dhe si rrjedhim pati bashkimin e shqiptarëve rreth një kauze drejt realizimit të synimeve tona dhe, mirë e mirë propagandonte e trasonte rrugën e drejtë që duhej të bënte Kosova. Shih për këtë, manifestimi, si të thuash,
Akademia shkencore, ku trajtoheshin tema të ndryshme historike, filozofike, etnografike, sociale, letrare, politike e çka jo tjetër, arti poetik, figurativ e skenik, kënga dhe mesha e shenjtë ishin vlerësimi dhe shqyrtimi më i lartë i realitetit të kohës dhe i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, një kronikë e llojit të vet, një protokol i vetë popullit, një laborator, në të cilin zienin revolta e papërmbajtur e synimi për të ardhmen…(Të përkujtojmë këtu se pikërisht në këtë manifestim, më 1990, publikisht u këndua për Kosovën Republikë, ose thënë më mirë, ajo u promovua para masës së gjerë, edhe pse, siç thamë më lart, pjesëmarrësit e manifestimit ishin të rrethuar nga makineria policore e ushtarake serbe). ‘’Takimet e don Mikelit’’ me gjithë dinamikën e saj brenda kohës dhe hapësirës, duke ligjëruar identitetin kombëtar (edhe në raport me të tjerët), do të dëshmojë se forca e kulturës është e pakontestueshme, e pathyeshme, që nuk njeh kthim prapa. Këto takime edhe pas luftës sonë çlirimtare, vazhdojnë të provojnë nevojën e funksionimit dhe forcën e shkencës, artit, kulturës, politikës parimore, të dijes në përgjithësi për efektin që ushtron në natyrën dhe edukimin e qenies sonë.
Një tregues tjetër i seriozitetit të këtij manifestimi është edhe botimi i Buletinit të Takimeve të don Mikelit., pa harruar këtu edhe publicitetin që i japin masmediat e shkruara dhe ato elektronike, këto të fundit edhe me programe dokumentare mbi manifestimin. (Ky shkrim publikohet në prag të manifestimit të sivjetmë, që do mbahet me 27 shtator, me fillim në orën 09:00) |
||||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||||