| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Migjeni publik? E marte, 13-05-2008, 06:48pm (GMT) Nga Elsa Demo Shtyhet miratimi i amendamentit "Ceka" për të drejtën e autorit. Mustafaj: Ndryshimi, për interesa të vogla dhe personale të Cekës.
Ceka ka propozuar që të zbriten ato vite kur autorët nuk janë paguar. Kështu që e drejta e autorit për Migjenin vlen deri në vitin 2031. Për autorë të tjerë bëhet llogaritja sipas vitit kur ka vdekur autori. Për Lasgush Poradecin, e drejta e autorit duhet të paguhet deri në vitin 2050 dhe për Mitrush Kutelin deri në vitin 2053. Deputeti Besnik Mustafaj ka kundërshtuar llogjikën e Cekës si një propozim i sjellë deri në Kuvend "për interesa të vogla dhe personale të zotit Ceka". Sipas tij "këta shkrimtarë nuk kanë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Sivjet në gusht vepra e Migjenit bëhet vepër publike dhe dihet që Migjeni nuk ka lënë as vajzë dhe as grua. Pas dy vjetësh Fishta dhe Konica bëhen vepër publike dhe as këta nuk kanë lënë pasardhës. Ne po bëjmë një lojë me kohën për të shpërblyer trashëgimtarë shumë të largët që mund të ketë një autor. Kjo nuk është bërë në asnjë nga vendet e Lindjes. Nëse do të vazhdohet t'i merret e drejta e autorit Migjenit apo Konicës e Fishtës pas dy vjetësh, atëherë në mënyrë të pashmganshme kjo do të ndikojë në kufizimin e shpërndarjes së këtyre veprave." I vetmi që ka diskutuar replikat Ceka-Mustafaj, ishte ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango i cili ka rënë dakord me të dy palët: me logjikën e Mustafajt që "nuk ka precedent një amendim i tillë i ligjit për të drejtën e autorit dhejemi ndoshta vendi i parë që e bën këtë"; dhe me logjikën e Cekës sipas të cilit "është e paprecedentë shkelja e të drejtave të autorit që ka ndodhur në diktaturë". Ministri Pango tha se shembujt e autorëve të përmendur ia mbushin mendjen dhe që aprovimi i këtij amendamenti "na nderon". Sipas Pangos aprovimi do të bëhej si përjashtim nga rregulli. Është nga rastet e rralla në këto vite që edhe pse vakët diskutohet në parlamentin shqiptar rishikimi i pronësisë intelektuale i njehsuar si pronë publike në vitet e regjimit të Hoxhës. Hedhja e këtij hapi do të quhej e guximshme, sepse ky do të përbënte precent për të gjithë ata autorë që kanë krijuar gjatë asaj kohe dhe janë shpërblyer jo sipas të drejtës së autorit, por me rrogë. I vetmi komunitet që e ka ngritur si debat kthimin e pronës intelektuale autorëve, kanë qenë kineastët. Shekulli
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||