Letërsia Shqiptare

Gjoka: Duhet të rivlerësohet edhe historia e letërsisë
E hene, 03-09-2007, 09:16pm (GMT)

Gjërat nuk thuhen kurrsesi hapur! E në këtë mënyrë, pasuar nga ndonjë përgjigje e zgjuar, libri heshti për më se dhjetë vjet në dorëshkrim.

Anila Mema

E nëse populli thotë, "më mirë vonë se kurrë", shprehja vlen edhe sot kur në duar, një botues dashamirës, jo në Shqipëri, por Kosovë, na sjell një vepër tonën, një vepër plot të vërteta, ku të gjithë i kemi menduar, por asnjëherë nuk i kemi thënë. "Sistemi letrar piramidal" është studimi i katërt dhe vepra e tetë e autorit dhe studiuesit Behar Gjoka, i cili ndonëse nuk mban tituj apo doktorata, jetën ia ka kushtuar letërsisë. Por vepra e tij më e re, e dalë pak ditë më parë në Prishtinë, nga shtëpia botuese "Faik Konica", nuk është një studim si gjithë të tjerët. Problemi që trajton është edhe më i madh nga ç'njihet, nga ç'shihet. Të rivlerësohet historia e letërsisë shqipe! Në gati 300 faqe libër, të përbërë nga tre pjesë, autori shqyrton çështje të mprehta ku në pjesën e parë autorit bën një vështrim kritik të tipareve të modelit të socrealizmit. Gjithsej vepra ka 35 kapituj, nga këto shtatë kapituj janë me analiza tekstesh, siç është rasti për poezinë e Migjenit, për Fishtën si poet, për Kutelin mjeshtër i prozës, Trebeshinën, Pashkun, Pipën etj. I pyetur nga "Panorama", botuesi Nazmi Rahmani është shprehur: "Vepra do të promovohet në panairin e librit shqip në Tiranë". Por deri atëherë, autori Behar Gjoka na tregon pikat e errëta të historisë së letërsisë ku studiuesit duhet të ndërhyjnë. Në një intervistë të gjatë dhe ekskluzive, Gjoka rrëfen pa drojë: "Eshtë koha të mos merremi me biografi shkrimtarësh, me adhurimin mediokër, të lexuesve që lexojnë kopertinën apo fotografitë e shkrimtarëve".

Keni hedhur në treg një libër, ku shtroni çështjen e rivlerësimit të letërsisë dhe historisë së saj. Një problem i ndërlikuar që kërkon përgjigje...
Kemi letraren që e njohim, ku bën pjesë krijimtaria e Kadaresë, Agollit, Qoses, Arapit etj., dhe kemi letraren që fare pak e njohim, në të cilën përfshihet vepra e Camajt, Pipës, Pashkut, Trebeshinës, Xhaferit, etj. Ky realitet letrar i dyzuar e bën të pashmangshme verifikimin e vlerave letrare, sidomos për të kthyer në panteonin e letrave shqipe vlerat e krijuara në të kaluarën por edhe në bashkëkohësi. Kuptohet se distanca prej 17 vjetësh ka kthyer në vlera do të thosha të prekshme edhe autorë të ndaluar si Konica, Fishta, Kuteli, Koliqi, Haxhiademi etj. Pra ky libër shtron për diskutim çështjen e qëndrimit që do të mbahet ndaj letrares, e cila është e përzier me joletraren. Kundrimi i çështjes tenton të jap një lloj përgjigje, duke shfrytëzuar gjithë përvojën e teorive letrare bashkëkohore, të cilat e kanë përqendruar vëmendjen nga teksti. Ideja e hedhur në vitet '60 nga Roland Barti, "Mbi vdekjen e autorit" është nga ato situata që detyron shqyrtime letrare të ndryshme nga deri tani. 

Çfarë kuptoni me letrare dhe jashtëletrare, në letërsinë shqipe?
Në një farë mënyre lexuesi shqiptar e ka bërë zgjedhjen, nga pjesa më e madhe e letërsisë së përzier me ideologji, me shenja jashtëletrare, është distancuar prej kohësh. Kjo vihet re nga fakti që më shumë lexohet letërsi e huaj. Por ikja e lexuesit nga letërsia shqipe është një problem që për shkrimtarët, studiuesit dhe institucionet e kulturës, duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Kjo jo se letërsia ka atdhe, por se letërsia e një kombi vërteton nivelin e qytetërimit, të atij kombi si dhe kahjet nga do të lëvizë njeriu i kësaj bashkësie, ndërsa noton në letraren dhe joletraren.

Ku mendoni se duhet bërë rishqyrtimi i materies letrare të letrave shqipe?
Libri ka në fokus dukuri dhe individualitete të spikatur të letërsisë shqipe, duke i vështruar ato si përvojë shkrimore, si prani e papranishme, një term i Umberto Ekos, sepse lexuesi shqiptar në asnjë rrethanë nuk ka shkëputur marrëdhëniet me tekstet e Fishtës, Konicës, Kutelit, etj. Fakti që libri ka venë në qendër modelin letrar të realizmit socialist, me dështimet dhe arritjet, me eksperimentimet dhe deformimet, në marrëdhënie me letërsinë e mëparshme, por edhe me letërsinë e shkruar njëkohshëm me të, tregon se do të duhet kthyer në shqyrtim gjithë letërsia e shkruar në gjuhën shqipe. Qoftë letërsia zyrtare, pra e realizmit socialist, qoftë letërsia jozyrtare ose e kundërvënies, sepse me interes të lexuesit është prania e vlerave. Përqasja ndërmjet këtyre dy modeleve, sipas gjykimit tim, është me shanse të jashtëzakonshme për të kuptuar qoftë nivelin e ndotjes, nga jashtëletrarja, po ashtu edhe nivelin e literaritetit që gjej te autorët e të gjithë krahëve të letërsisë bashkëkohore. Ky model është kundruar edhe në përqasje me letërsinë e së kaluarës, e cila nuk ka pse të lexohet me kufizime ideore.

Ju jeni përqendruar te modeli i realizmit socialist, cilat janë arsyet e këtij vështrimi kaq të zgjeruar?
Kjo pjesë është përfshirë në këtë libër për faktin se do të duhet të kthehemi nga letërsia si tekst, nga letërsia si lexim i letrares. Pjesa më e madhe e librit merret me problematikat teorike, me mënyrën se si realizmi socialist debutoi në letërsinë shqiptare, në pasojat që pati, kjo letërsi për humbjet e ndjeshme të identitetit, por edhe të vlerave letrare, dhe sidomos në trajtimin e këtij modeli si një "mish i huaj", i cili mund të ndahet pa ndonjë dhimbje të madhe. Në këtë moment që po flasim unë jam i bindur që askush nuk ka pikën e respektit për realizmin socialist, por unë nuk di ndonjë shkrimtar të këtij niveli që të jetë distancuar nga letërsia e shërbesës. Pra ngjyrimet rozë të realizmit socialist janë të pranishme në shumicën e librave të shkruara në atë kohë. Jemi në një paradoks, jemi distancuar nga modeli, por prodhimin letrar të asaj periudhe e trajtojmë sikur nuk ka të bëjë fare me atë model. Pra, është një moment i një reflektimi të pamënjanueshëm që do të duhet ta vëmë, qoftë dhe për të vërtetuar se si qytetar do distancohemi nga idhujt. Ne shqiptarët i krijojmë me tepri në të gjitha fushat pse jo dhe në letërsi.

Ç'përfshini me letërsinë e shërbesës?
Letërsia e shërbesës përfshin gjithë krijimtarinë letrare të realizuar sipas modelit, të socrealizmit qysh nga parathëniet e Nolit e deri te mali i librave me poezi, prozë, studime letrare, që e pati parësore domethënien, dhe pothuajse, e prangosi formën artistike. Emrat që të gjithë i dimë.

Vatra të errëta të historisë së letërsisë shqiptare, cilat janë sipas jush?
Historinë e letërsisë shqiptare e kanë lexuar me kufizime ideore, periudhën e parë të letërsisë shqipe, krijimtarinë e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit, Bogdanit, e cila është pranuar si fakt gjuhësor dhe historik, por vijon të heshtet si fakt letrar. Po ashtu periudha e letërsisë midis dy luftërave botërore do të duhet të kthehet me të gjithë përbërësit e vet, me Konicën, Fishtën, Kutelin, Koliqin, Santorin, Xananin, etj. Gjithashtu pjesë e historisë së letërsisë shqipe duhet të jetë vepra e Martin Camajt, Kasem Trebeshinës, Arshi Pipës, Anton Pashkut, etj.

Pse i keni kushtuar një kapitull të veçantë të quajtur sistemit letrar piramidal, ku përmendni shkrimtarë të letërsisë shqipe?
Kjo pjesë interpreton thelbin e dukurisë së shkrimit të historisë së letërsisë shqipe, i cili duhet të shmangë, qoftë famën e Kadaresë, e po ashtu mungesën e famës së Trebeshinës. Fama në mjediset serioze, letrare dhe shkencore nuk merret në konsideratë. Këta dy shkrimtarë, nga të dalluarit e letërsisë shqipe, pavarësisht ndryshimeve thelbësore, që kanë të bëjnë me tipin, që në fakt mua nuk më intereson, që kanë të bëjnë me pranimin apo kundërshtimin e komunizmit, që kanë të bëjnë me kompromisin apo moskompromisin e bërë me sistemin, aspekte të cilat për mendimin tim janë jashtëletrare, me kontributet e dëshmuara, do duhet të kundrohet vetëm në vlerat tekstologjike, tashmë vetëm në poetikën letrare.

Kur menduat ta shqyrtoni letërsinë në këto sipërmarrje kaq të ndërlikuara teorike dhe tekstologjike?
Libri ka filluar që në vitin 1997, dhe është përfunduar në vitin 2002. Pati një hezitim për ta botuar në Shqipëri, rastësisht kam biseduar me Nazmi Rahmanin, botuesin e "Faik Konica" në Prishtinë në panairin e vjetshëm, dhe ai vendosi ta botojë. Në këtë kohë pra, nga nëntori 2006 deri në korrik 2007, unë e kam rimarrë edhe njëherë nëpër duar gjithë tekstin dhe janë shkruar nga e para, rreth katër kapituj. Eshtë pjesa për Camaj, Kutelin dhe Pipën, si dhe sistemi letrar piramidal.
Kam menduar të shprehem, si lexues i asaj letërsie, para '90-ës dhe pas viteve '90, ku shansi i ndryshimit të sistemit hapi jo pak dritare për ta krahasuar me nivelet reale ku ka arritur letërsia e përbotshme. Për mua rezulton se kemi krijuar një iluzion sikur jemi kampion të letrares, por përqasjen e kemi bërë me vetveten.

Me këtë libër mund të keni dhe kundërshtime të ashpra?
Mendoj se nëse libri do zgjojë debat, i cili për mendimin tim është thelbi i trajtimit të letërsisë së ndërlikuar, si teori dhe si tekste, atëherë ia ka arritur qëllimit. Nëse do vijojë të heshtet, si struci që fsheh kokën në rërë, për mendimin tim letërsia shqipe do të udhëtojë duke pasur në esencën e vet letraren dhe joletraren. Kjo lidhet edhe me faktin se letërsia është e mirëseardhur për të gjithë nivelet e lexuesve, pra shija e mbrapsht e leximit, të cilën e nënvizon Tomas Elioti, poeti dhe kritiku anglez në fillim të shekullit XX, është aktuale për letraren e tanishme, ndonëse në fillim të shekullit XXI për ne. Të kuptohemi në të gjitha rastet letërsia lexohet me shije personale.

Ku qëndron thelbi i rivlerësimit të letrares gjithëkohore dhe gjithëhapësinore?
Janë të dy proceset shumë pranë: vlerësimi i asaj pjese të letërsisë së mallkuar dhe të ndaluar ku bën pjesë Fishta, Konica, Kuteli, Koliqi, apo Camaj, Pipa, Pashku, Trebeshina etj., në mënyrë që ta pasurojmë tablonë letrare shqipe, me këto përvoja që kanë sendërtuar veprën letrare cilësore. Pandarazi me këtë proces është i nevojshëm edhe procesi i rivlerësimit të prodhimit letrar të realizmit socialist dhe se këtu për të bërë ndarjen e letrares nga joletrarja. Në këtë proces ndërtues në thelbin e vet, pra që të përthithen vlerat letrare e para që do të duhet të funksionojë, si sipërmarrje, është shmangja e përjashtimit të përvojave letrare, të çfarëdo ngjyre qofshin. Gjë që mendoj se e realizoj në mënyrë mjaft të ashpër realizmi socialist. Ky problem që do të duhet të jetë objekt i institucioneve të kulturës, shkencës së letërsisë, të studiuesve dhe shkrimtarëve. Kurrsesi nuk është problem individual, është çështje që nëse nuk kryhet me vetëdije, do të vijojë udhëtimi i pakuptueshëm i vlerave dhe antivlerave letrare.

A ka pasur reflektim gjatë këtyre viteve mbi historinë e letërsisë?
Formalisht është pranuar se është bërë gabim me dhjetëra vepra dhe autorë, por ai borxh që i kanë shkrimtarëve dhe letërsisë, nuk mund të kthehet me veprimtari përkujtimore, por vepra letrare duhet të jenë pjesë e antologjive të realizuara, vetëm nga kritere letrare. Eshtë një studiues, Jakobson, që thotë se letërsia është diçka e dallueshme nga letrare", që do të thotë që ne kemi letërsi madje me numrin e popullsisë, botimet janë të ndjeshme por përgjithësisht mungon letrarja. Ajo shenja që e bën letërsinë kënaqësidhënëse dhe në frymë të një kohe apo të një shoqërie të caktuar.

Vazhdimisht thoni letrarja, nga buron gjithë ky shqetësim për esencën e letërsisë?
Mendoj se më tepër se sa problemi i sendërtimit të vlerave letrare apo historisë së letërsisë, sidomos i asaj bashkëkohore, më tepër se sa çështje e shkrimtarëve, është problem i mirëfilltë i letrares, tashmë i letrares që gati-gati shkëput marrëdhëniet me kontekstet shkrimore, me biografinë e shkrimtarëve, me adhurimin mediokër, të lexuesve që lexojnë kopertinën apo fotografitë e shkrimtarëve.

E gjithë kjo ka një kosto, e keni menduar?
Padyshim ka një kosto, dhe nëse këtë nuk e dinë njerëzit, studiuesit, në rastin e letërsisë, e bën koha. Madje e bën pamëshirë. Por fakti i pranisë, së një pjese të madhe të mediokritetit letrar, të realizmit socialist, është ushqim shpirtëror i shkollës shqiptare është për t'u shqetësuar. Kemi arritur te momenti, për shkak të shijeve të mbrapshta të leximit, për shkak të edukimit leximor me këtë model letrar, që nuk kuptojmë Fishtën, Camajn, nuk shijojmë Kutelin, Trebeshinën dhe Poradecin. Mos të harrojmë këto janë disa nga piketat e vlerta të letrave shqipe.

Shumë breza janë edukuar me këtë lloj historie letrare. A nuk është vonë që dilni me këtë argument?
Anglezët thonë: asnjëherë nuk është vonë! Përgjithësisht ne shqiptarët në të gjitha aspektet vonohemi. Letërsia ka një rregull të pashkruar, nuk ecën me ritmet e ndryshimeve shoqërore. Ka një dinamikë të brendshme, ka një ritëm që buron nga ligjësoritë letrare. Do duhet të njohim dhe pranojmë këto ligjësori, në mënyrë që të hyjmë në marrëdhënie normale me letraren. Unë kam mbaruar shkollën në kohën e realizmit socialist, e kam lexuar në shumicën e herëve, jo pa kënaqësi këtë letërsi. Por njohja individuale më çoj te shansi i njohjes së përvojave të tjera studimore, si dhe i vlerave të anatemuara të letërsisë së përbotshme. Për ta rikonsideruar dhe rilexuar, tashmë vetëm si tekst këtë letërsi. Pra, ndryshe është ta lexosh një letërsi dhe krejt tjetër ta studiosh. Po të rija te dija shkollore, puna mbaronte shumë shpejt, Fishtën, Konicën, Koliqin etj., i përfshija te shkrimtarët reaksionar dhe nuk ishte nevoja t'i analizoja. Ajo që të jep koha dhe shkolla është pjesë nuk është e tëra. Shkrimtarët që vijojnë të shkruajnë, pra proceset e hapura është e vështirë të gjykohen.

rishqyrtimi

    Vlerësimi i letërsisë së hershme shqipe

    Rivlerësimi i letërsisë së periudhës midis dy luftërave

    Vlerësimi i letërsisë bashkëkohore jozyrtare

    Shqyrtimi i letërsisë së të gjitha periudhave me bazë teoritë bashkëkohore

    Hartimi një hierarkie vlerash letrare, nëse është e arsyeshme të kemi një të tillë

per Ismail Kadarene
“Kadareja është brenda dhe jashtë realizmit socialist. Kjo situatë e dyzuar është e prekshme, qoftë në prozë, qoftë në poezi. Në atë kohë ndikonte për të mbajtur ndezur kandilin letrar. Por tani kundrimi vetëm në dyzim është i pamjaftueshëm për të prekur vlerën apo mungesën e saj në tekstet letrare. Dyzimi na shfaqet sidomos në trajtimin e qëndresës shqiptare. Kam parasysh romanin "Kështjella", e cila kundron të kaluarën, por i shërben aktualitetit të kohës shkrimore. "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" që ndalet te epopeja e luftës, si dhe romanet kushtuar heroizmit të partisë, kundërrevizionazmane si "Dimri i madh" dhe "Koncert në fund të dimrit". Kam parasysh tekstet të paripunuara të Kadaresë. Disa vepra të tjera si "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave", "Kronikë në gurë", "Krushqit janë të ngrirë" e ndonjë tjetër, më tepër s'kanë të bëjnë me realizmin socialist në kuptimin e teknikës shkrimore, jo të frymës”.

per Kasem Trebeshinen
“Trebeshina autori i pabotuar plotësisht, i lexuar, në shumicën e herëve pa vëmendje. Në opusin e tij letrar do të veçoja lëvrimin e surealizmit, si një model që i kundërvihet socrealizmit, siç nënvizon Robert Elsie, që na shpërfaqet tek "Odin Mondvalsen", "Mekami", "Rruga e Golgotës", e në dhjetëra proza të tjera. Do të veçoja faktin e shkrimit të rreth 80  pjesëve dramatike, ku gjejmë të shkruara dramën klasike, por edhe atë moderne e deri te teatri absurd. Po ashtu, sipas mendimit tim, romani "Kënga shqiptare" me pesë vëllime me 1754 faqe, është i vetmi libër në letrat shqipe, që realizon tipologjinë e shkrimit të romanit "Epope". Mjafton këto prurje, padyshim edhe të tjera, dhe sidomos disidenca letrare që ai ngërthen si krijues për ta rikthyer në panteonin e letrave shqipe. E bashkë me të, edhe Camajn, Pipën, Zorbën, Pashkun, Xhaferin, e dhjetëra të tjerë që iu përkushtuan letrares”.

per Dritëro Agollin
“Agolli figurë e skenës letrare, si kryetar i Lidhjes për disa dekada por edhe poet i shquar lirik, ndonëse mbeti në gjendjen e shërbesës, prozator, nga të dalluarit në lëvrimin e prozës humoristike. Kam parasysh romanin "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo". Në fakt është një libër që është brenda realizmit socialist por në sfondin e vet të përkujton, herë-herë, Molierin, që ndonëse ishte zbatues i thekur i klasicizmit, njëherazi ishte dhe kundërshtues i atyre rregullave fikse. Në fakt se çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe nën thundrën e realizmit socialist, jam i sigurt që shumëçka, e di më mirë se kushdo, pikërisht Agolli, i pakonvertueshëm edhe në këtë kohë, ndonëse udhëtimi i tij letrar vijon të jetë i mirëpritur nga lexuesit. Në veprën e Agollit hasim edhe lëvrimin herë-herë cilësor të tregimit dhe novelës. Madje disa prej tyre krijimeve janë bërë edhe filma”.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.