| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Pse nuk jepet “Kurora e artë” për poetët shqiptarë E enjte, 06-09-2007, 09:02pm (GMT) Nga Shpend Vinça Strugë: Poeti Ali Podrimja ishte pjesëmarrës i Festivalit poetik mbrëmjet strugane të poezisë dhe për disa ditë qëndroi në qyetin e Strugës. Edhe pse njëherë refuzoi, ai pranoi më në fund të jap intervistë ekskluzive. Poeti Ali Podimja njihet si intelektual i fjalës së drejtpërdrejtë dhe poet i madh. Në interviste ai flet drejt dhe qartë për një varg çështjesh letrare dhe jashtëletrare, por gjithmonë ai i mbetet besnik vokaciont të tij. Edhe në bisedë ai flet me gjuhën e poetit. Kush është Ali Podrimja? Besoj se lexuesi, sado i pa informuar të jetë, e di kush është Ali Podrimja. Një pjesë e njerëzve e dinë dhe e njohin si poet, të tjerët si eseist, një grupacion tjetër si publicist, disa të tjerë si redaktor të tjerët si përkthyes, por të gjithë e njohin si njeri të fjalës së bukur dhe të guximshme. Ali Podrimja ka lindur në vitin 1942 në Gjakovë. Ka botuar mbi 20 vepra letrare. Është nderuar me shumë shpërblime kombëtare dhe ndërkombëtare. Madje ai është i prezantuar në shumë antologji të poezisë. Poezia e Ali Podrimjes është e përkthyer në më shumë se 20 gjuhë, në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, polonisht, hungarisht, kroatisht... Ali Podrimja jeton në Prishtinë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Podrimja: Sigurisht që e ruaj atë identitet. Nuk mund ta tradhëtoj udhëtimin tim poetik, siç thoni ju në pyetjen tuaj, sepse jam përcaktuar për diçka të shenjtë dhe dihet se edhe krjimtaria i ngjan në fushëbeteje, e unë në këtë fushëbetejë kam hyrë me ideale dhe me qëllime të caktuara të cilave do t'u qëndroj besnik deri në fund. Për këtë udhëtimi im poetik është me plot të papritura të cilat më nxisin t'i mund ato. Prandaj edhe artikulimi im bart me vete edhe tërmete. Keni qenë edhe më parë pjesëmarrës i mbrëmjeve strugane të poezisë. Çfarë do të thoni për këtë manifestim poetik? Podrimja: Takimet poetike të Strugës kanë zënë të bien nga niveli. Shkaku, ndoshta është se organizatorët nuk mund të jenë gjithmonë të përkrahur nga shteti. Shihet se këtij manifestimi i mungon shumçka. Së pari, zgjedhja e poetëve është gjithnjë e më e varfër. Më kujtohen takimet e mëhershme kur kjo hapësirë, në të dy anët e Drinit gumëzhinte nga bisedat dhe debatet e ndryshme mes krijuesve. Kishte edhe zënka që disi paralajmëronin kohërat me plot furtunë. Këtë bisedë e zhvillojmë në Strugë ku edhe mbahen mbrëmjet strugane të poezisë dhe është një çështje e cila nuk mund të anashkalohet. Akoma shpërblimi më i lartë i këtij manifestimi, “Kurora e artë” nuk i është dhënë asnjë poeti shqiptar. Çfarë do të thoni për këtë? Podrimja: Në këtë Pellg të Ohrit ai që e ka merituar “Kurorën e artë” para së gjithëve ishte princi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, por Lasgushi nuk është më. Megjithate, mendoj se Kurorën e artë ka mundur t'i takoj letërsisë shqipe që moti, por ekzistojnë edhe momente xhelozie mes kulturave dhe nuk mund të pranohet ndoshta gjeniu krijues shqiptar. Disa nga ata që e kanë marrë “Kurorën e artë” unë i kam lexuar, për asgjë nuk kanë qenë më lart me vlerat e tyre se bie fjala miku im Fatos Arapi, i ndjeri Azem Shkreli apo bardi ynë, Dritëro Agolli apo krijuesit tanë të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu. Pse nuk është marrë “Kurora e artë”: Lëre, ndoshta na kanë zili! A është përzier politika në ndarjen e “Kurorës së artë”? Podrimja: Sigurisht që ka politikë. Përmes një manifestimi që mbahet 46 vjet qëllimi kryesor ka qenë afirmimi i fjalës maqedone dhe dalja e saj nga hapësira e saj e brendshme. Keni qenë një ndër poetët prijës në mbështetjen e poetëve të rinj ku jo gjithmonë kanë dominuar vlerat. Sot, a mendoni se e keni tepruar në mbështetjen që u keni dhënë poetëve të rinj? Podrimja: Është e vërtetë se kam përkrahur poetët e rinj dhe atë e kam bërë që hapësira e jonë mos jetë e zbrazët, por të shtohen emra dhe dëshiroja që nga çdo cep i vendit tonë të shfaqet ndonjë yll që të bëjë dritë aty ku frymon. Nuk them se të gjithë e kanë merituar një përkujdesje të tillë, por qëllimi im ka qenë thjesht që fjala e bukur shqipe të vihet në lëvizje dhe të mos harrojmë se vlerat megjithatë do të shfaqen dhe do të nxjerrin emra në letrat shqipe. Gjithë këtë e kam bërë si redaktor i Shtëpisë botuese "Rilindja" që kishte për qëllim që në letrat shqipe të ketë emra të rinj, ndërkaq vlerat do të shfaqeshin vetvetiu e kjo varet nga potenca krijuese e poetëve. Çfarë jete institucionale kulturore zhvillohet në Kosovë dhe ku ndodhet krijuesi, pra edhe poeti brenda kësaj hapësire? Podrimja: Jeta krijuese në Kosovë veç ka rënë dhe nuk dëgjohet fare. Arsyet për këtë rënie janë të shumta. Për fatin e vlerave të mirëfillta, nga të gjitha rrafshet vendosin disa institucione ku në maje të tyre gjinden njerëz që fare pak u interesojnë të arriturat kombëtare, prandaj mungon edhe përkrahja. Nuk ekziston më "Rilindja" e cila për çdo vit botonte deri në 300 tituj. Kujtoni vetëm kompletet e veprave të Naimit, De Radës, Fishtës, veprat e Çajupit, titujt e shumë veprave nga historia kombëtare. Kur i kujtoj motet e shkuara, dhe atë në çfarë rrethanash i kemi bërë ato punë, pra i kemi botuar ato vepra, më vjen të pështyj në disa institucione në krye të të cilave gjenden mediokritetet. Kosova pret pavarësinë, por poezia kosovare çfarë mund të pres pas pavarësisë? Podrimja: Krijuesi dhe poeti do të jetë në lëvizje, në kërkim të së bukurës, por do të kenë probleme edhe me kujtesën sepse lufta 150 vjeçare për pavarësinë e Kosovës i ka lënë ca vrragë te akcili brez i yni. Vështirë është ta harrosh gjenocidin serb dhe të mos thuash diç për atë tmerr njerëzor. Po ashtu kam përshtypjen se njerëzit tanë nuk e njohin aq mirë të kaluarën e fqinjëve tanë. Serbët vazhdojnë të thonë se djepi i shtetit të tyre është Kosova, por harrojnë të gjorët se serbët dikur quheshin Rasi dhe djepi i shtetit të tyre ishte Rashka. Pra, djepin e tyre duhet ta kërkojnë 160 kilometra tej Mitrovicës. Mirëpo, siç thotë edhe vetë babai i Raçëve, Dobrica Qosiqi, çdo gjë e tyre është ngritur mbi rrenën. T'i rikthehemi poezisë. Ku është poezia shqipe sot, sa ajo arrin të jap kontributin e saj krahasuar me periudhat e shkuara. Sa vlerat e mirëfillta ruhen dhe sa respektohen ato? Podrimja: Nëpër çfarë kohe kemi kaluar dhe kalojmë, megjithatë duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, por neve na mundojnë dhe na mungon organizimi kombëtar. Letërsia shqipe vazhdon të shikohet shpesh në formë fisesh e jo në integritetin e saj. Letërsia shqipe nuk fillon nga Durrësi dhe të pushoj aty te Kukësi. Letërsia shqipe ka një hapësirë tepër të madhe. Arbëreshët nuk do të harrohen kurrë për atë që bënë për letërsinë shqipe, poashtu edhe shumë krijues të tjerë që gjallëruan jashtë Shqipërisë londineze nuk do të harrohen. Për mua, letërsia shqipe është nga germa A deri në germën e fundit të alfabetit dhe ka një hapësirë tejet të madhe ku duhet respektuar vlerat pa marrë parasysh se janë në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni apo në diasporë. Unë kam respekt ndaj secilit krijues që ka kontribuar në afirmimin e qenies kombëtare. Sa ata që merren me politikë janë afër poezisë dhe sa ata e mbështesin poetin? Podrimja: Pjesa dërmuese e politikanëve tanë nuk e dinë se çka është fjala e bukur. Nuk e dinë po ashtu se çfarë mesazhesh të nxjerrin nga ajo fjalë e bukur. Ata që dinin nuk janë më në mesin tonë. Këta që vërtiten në kohën tonë mendojnë më tepër për xhepat e tyre të shkyer. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||