| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Veli Karahoda, letërsi në vend të fjalëve E hene, 15-10-2007, 07:50pm (GMT) Intervistë/ Prezantim i një autori cilësor, thuajse të panjohur në Shqipëri Në atmosferën e një letërsie tjetër, 39-vjeçari Veli Karahoda do të ishte ndër shkrimtarët më të përmendur, ndoshta qysh me përmbledhjen eseistike "Panairi i kufomave" të vitit 1992, por për konsumatorin shqiptar të letërsisë së dominuar nga gjenitë me badigardë e kobure, emri i këtij autori është thuajse i panjohur. Për mospërfshirjen e Karahodës e shumë prozatorëve të tjerë në mjeranen "Antologji të prozës bashkëkohore shqiptare", kam protestuar në shkrimin "Përjashtimi si kriter antologjik", të botuar në një "ARS" të vitit 2005, por nuk është se dikujt iu nxi faqja për këtë. Sikurse e thotë në intervistën e tij të parë për një media - në Shqipëri - për Karahodën mund të mos jetë shkruar më asnjë rresht, derisa para pak kohësh, emri i tij u përmend në një kontekst joletrar në "gazetën më të madhe" në vend. Për artikullshkruesin - një prej shqiptaro-"amerikanëve" të shumtë që i lejojnë vetes luksin e nxjerrjes së konkluzioneve për realitetin e këtushëm nisur veç prej faqeve online të gazetave - janë të panjohur emrat e shkrimtarëve nga Kosova e Maqedonia, edhe pse mund të kenë shkruar 26 vepra, siç është rasti i Zejnullah Halilit të ndjerë, ose edhe pse mund të jenë vlerësuar mjaft mirë nga lexuesit, kritika apo institucionet letrare atje, siç është rasti i Karahodës. Nisur ndoshta edhe nga ky fakt, me të drejtë Karahoda i bën një analizë, paksa të zgjatur ama, kësaj sëmundjeje të pashëruar, që tanimë shfaqet jo si pasojë e pamundësisë së njohjes së veprave, por për shkak të vështirësisë së ruajtjes së higjienës mendore në atmosferën e një Shqipërie si kjo. Veli Karahoda ka marrë çmim letrar për njërën prej dy përmbledhjeve poetike ("Balsamuesit e luleve", çmim vjetor nga Rilindja, 1995), por fjalët më të mira janë shkruar nga kritikët për prozën e tij, tregimet, novelat, e posaçërisht romanet. Pavarësisht se Karahodës mund t‘i pëlqejë ta quajë veten autor romanesh, tregimesh, poezish..., nuk do të ishte aspak e gabuar të shkruhej thjesht prozator ose romancier, e jo vetëm për shkak se dy veprat e fundit të tij në prozë janë vlerësuar me çmime ("Lukrecia", çmimin "Pjetër Bogdani"; "Shtatë fjalët e fundit", çmimin "Hivzi Sulejmani"). Talenti i këtij autori, që nga romani i parë në moshën 23-vjeçare e deri te "Shtatë fjalët e fundit" do të ishte, megjithatë, i pamjaftueshëm pa erudicionin befasues që reflekton e gjithë krijimtaria e tij. Intervista Pesëmbëdhjetë vitet e qëndrimit tuaj jashtë Kosovës a po e dëshmojnë se s‘është aspak e nevojshme të jetosh përditë në gjuhën e tokës tënde për të njohur e përshkruar vende, njerëz dhe mentalitete në zhvillim? Jeni një ndër autorët jo të paktë shqiptarë që jetojnë larg e për të cilët, në Shqipërinë që mëton të jetë qendra e universit shqiptar, nuk dihet asgjë. Madje artikullshkruesi i një gazete të përditshme, e rreshtonte emrin tuaj në një listë emrash, sipas tij aq të panjohur sa të ishin nxjerrë prej kushedi ç‘numëratori telefonik. Si e përjetoni "refuzimin" e Shqipërisë? Cili është komenti juaj për mosdijen e artikullshkruesit në fjalë? Sa i përket artikullit që përmendni ju, unë nuk dua të flas për autorë të caktuar, por për fenomene. Është një diskurs tekanjoz, joproduktiv. Gjëra të tilla ndodhin kur njeriu është fatalisht i painformuar, nervoz, hiperaktiv, i ngutshëm dhe nuk mendon shumë lidhur me ato që shkruan. Artikulli në fjalë vlon nga inatet, mëritë, kundërthëniet. Për hir të korrektësisë, duhen prezantuar argumente të sakta për të arsyetuar kriterin e vlerës që sugjerohet. Ndërkaq, frazat cinike si "njerëz nga numëratori telefonik" nuk i dëmtojnë shkrimtarët, por tregojnë se po civilizohemi: kemi mësuar ç‘është numëratori telefonik. Megjithatë, është për të ardhur keq kur lexon një raport policor që sulmon autorë të vdekur që nuk kanë mundësi për t‘u mbrojtur. Gjëra të tilla mund të evitohen në mënyrë elegante. Thjesht, duhen pasur informacione të sakta për njerëzit për të cilët shkruan. Mund të thuash, fjala vjen, se një autor nuk i përmbush dot kriteret për t‘u prezantuar në ndonjë "enciklopedi të lirë". Por për ta thënë një gjë të tillë, më parë duhet lexuar vepra e autorit të kontestuar. Duhen ofruar argumente, analiza, duhen qartësuar kriteret e vlerësimit. Ankesat, protestat, vaji infantil nuk janë argumente. Të ankohesh ngaqë dikush i paska bërë një prezantim socrealist Dritëro Agollit nuk është argument. Agolli është një nga figurat qendrore të realizmit socrealist dhe prezantimi që i është bërë është tërësisht në natyrën e shkrimit socrealist. S‘të duhet ndonjë talent i jashtëzakonshëm prej tekstologu për të kuptuar se tekstet si nga prezantimi i Agollit nuk bëhen dot rastësisht, por janë produkte subkoshiente të një tradite shkrimi të kultivuar për vite të tëra nga eksponentët e realizmit socialist, nga bujqërit letrarë, nga inxhinierët e shpirtit. Më tej, kontestimi i shkrimtarëve të njohur nga Kosova dhe Maqedonia nuk është asgjë e re. Tendencat për parcializimin e letërsisë shqipe nuk janë ekskluzivisht vese mbrapshtane feudalësh bajraktarë letrarë. Kjo provon edhe një gjë akoma: se disa kritikues prishtinas të Tiranës kulturore, pavarësisht nga teprimet dhe gabimet eventuale, kanë të drejtë kur flasin për një arrogancë, për një mendjemadhësi ose për qëndrime maternaliste, patronizuese ndaj qendrave kulturore jashtë kufijve të Shqipërisë. Sidoqoftë, thelbi i aferës në fjalë është një absurd klasik. Them klasik në kuptimin e rëndomtësisë. Një lapsus logjik i shndërruar në procedurë. Kur e nis shkrimin me një logjikë të mbrapshtë, të tërat janë më pas derivate të saj, konsekuenca të një marrëzie. Domethënë, të ngresh zërin kundër injorancës së përgjithësuar duke zbuluar lakuriq injorancën personale. Të çirresh, të klithësh, të shkumëzosh si një Rottweiler duke brohoritur parulla e slogane staliniste: Ta shpëtojmë popullin, ta shpëtojmë partinë, ta shpëtojmë diktaturën e proletariatit etj. Mentaliteti i betonuar stalinist kërkon gjithmonë të shpëtojë diçka. Diçka që realisht nuk i takon. Komunistët e kanë zakon të thirren në emër të popullit, në emër të shoqërisë, në emër të luftës klasore. Të gjitha entitete abstrakte, siç do të thoshte Croce. Në emër të abstraksioneve, të zhdëpin dajak, të ndëshkojnë, të linçojnë. Por të gjitha këto janë fenomene jashtëletrare. Çështje kategorizimesh, katalogizimesh, punë për burokratët. Janë po ashtu fenomene jashtëletrare edhe epitetet dhe stolirat e epigonizmit dhe inferioritetit që përdoren nga disa studiues e kuazi-studiues, si fjala vjen: "gjenial", "gjeni i letrave", "koka e kombit" etj. Këto epitete sulmojnë intelektin njerëzor. Janë frenetizma religjiozë, çartje ikonoklastësh. Gjëra të tilla i ha pazari vetëm në shoqëritë me sisteme vlerash të përmbysura ose inekzistente. Këto servilizma linguistike përçmojnë në radhë të parë vetë individin të cilit i adresohen. Ndaj, jam plotësisht dakord me thënien e Robert Musilit se në letërsi, talentet pak mbi mesataren quhen nga bashkëkohësit e tyre njerëz gjenialë. Sidoqoftë, meqë artikulli që përmendët ju flet për "enciklopeditë e lira" në internet, ja disa argumente: ato nuk janë enciklopedi ekskluzivitetesh. Ato nuk janë Encyclopaedia Britannica, as Larousse, as Brockhaus Enzyklopädie, por burime alternative informacionesh ku mund të mësoni për prezervativët, viagran, shkrimtarët, kaubojt etj. Por gjërat ngatërrohen dhe si pasojë e ngatërrimit të gjërave, vijnë pastaj thirrjet histerike drejtuar autoriteteve universitare. Ftesë për ndalesa. Ftesë për të luftuar tendencat revizioniste të "gueriles" kulturore. Ftesë për aktivizimin e policisë shpirtërore. Një fletërrufe tradicionale e sajuar nga frustracionet dhe nga kujdesi atëror për të shmangur kontaminimin e shëndetit publik. E vërtetë: qëkur janë zbuluar metodat kangaru në Gulag, komisariatet staliniste të shëndetësisë shpirtërore janë kujdesur gjithmonë për higjienën mentale të popullit të tyre abstrakt. Nga ana tjetër, në qoftë se është fjala për një Kanon Letrar ngjashëm me atë të Harold Bloom-it, atëherë qasja është e gabuar. "Wikipedia" nuk është vendi për të vendosur kanone letrare. Për më tepër, fenomeni është kapur nga bishti. Letërsia shqipe nuk është e gatshme për të bërë kanone letrare. Për të bërë gjëra të tilla duhet etabluar më parë një sistem vlerash. Paradoksi është ky: nga një anë, të gjithë e kanë të qartë se letërsisë shqipe i mungon një kritikë letrare moderne dhe akoma një sistem vlerash që t‘i tejkalojë kriteret estetike marksiste-leniniste të Alfred Uçit, e, nga ana tjetër, duan megjithatë kategorizime. Duan kategorizime, por nuk duan të lexojnë. Më shumë shkruajnë sesa lexojnë. Letërsia shqipe ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Summa summarum: çështja se kush duhet të figurojë nëpër enciklopedira interneti është problemi më i vogël i kulturës shqiptare. Bagatela për marrëzinë. Për më tepër, të gjitha këto ngjajnë me ato efektet psikosomatike të hipokondrisë: dridhesh frike nga një sëmundje që akoma nuk e ke. Sidoqoftë, një mësim bon sensi mund të nxjerrësh edhe nga erupcionet e marrëzisë: njeriu nuk duhet të shkruajë kur është i hutuar, konfuz, i mërzitur, i zymtë. Duhet pasur parasysh thënia e Bergsonit se humori, të qeshurit, është një cilësi njerëzore e neglizhuar. Duhet bërë çmos për të kthyer humorin e shëndoshë. Po kështu duhen shmangur agresionet fashistoide që të nxisin t‘i quash shqiptarët e internetit njerëz që "akoma s‘kanë zbritur nga pemët". Një "argument antropologjik" i ngjashëm, sigurisht me qëllime të tjera, është përdorur edhe nga ksenofobi serb Jovan Cvijiç. Mania për të bërë kategorizime zoologjike dhe sidomos për të gjeneralizuar nuk i bëjnë mirë shëndetit njerëzor. Të prishen dhëmbët nga floskula të tilla. Çfarë mendoni për situatën letrare shqiptare, nëse jeni në korent të zhvillimeve të këtushme? Këto janë konditat kulturore ekzistuese. As letërsia nuk i shpëton dot manisë së improvizimeve. Një imunitet i tillë është i pamundur. Një gjë është t‘ia bësh qejfin vetes, tjetër gjë është të konstatosh se, fjala vjen, letërsia shqipe nuk ka nxjerrë akoma një roman të madh, një roman total, siç thuhet. Madje unë nuk di të ketë pasur përpjekje për ta bërë atë që bëri Musili te "Njeriu pa virtyte", Fuentesi te "Terra Nostra", Peter Esterhazy te "Harmoniae Caelestis" etj., etj. Një prej karakteristikave të prozës së sotme shqipe është natyra e saj kryesisht deskriptive, përshkruese. Për virtuozitete teknike as që mund të flasim. Herë-herë kam përshtypjen se nga padurimi për t‘u përkthyer në gjuhë të huaja, disa autorë harrojnë se janë shkrimtarë dhe jo sajues raportesh policore ose komisarë të Interpolit. Nga ana tjetër, Ismail Kadare ka akoma një ndikim të fuqishëm te një numër i madh krijuesish shqiptarë. Ndikimet, influencat janë pjesë integrale e letërsisë. Dihet influenca që ka pasur Faulkneri te shkrimtarët e të dyja Amerikave. Gjithmonë kanë ekzistuar aradha të tëra shkrimtarësh të influencuar nga Dostojevski, Joyce-i, Gide-i, Kafka, Camus-ja, Bataille, Rulfo, Borges-i etj. Bota letrare ka çudira të ndryshme: kafkologë, rulfoistë, fitzgeraldianë, deshifrues monstrash letrare, fetishistë dorëshkrimesh, skribomanë, nëpunës letrarë etj. Megjithatë, influenca shket nganjëherë në epigonizëm. Imitimi mekanicist i stilit, i ritmit, i monstrave, shfrytëzimi i teknikave identike, figuracioni i huazuar me alternime të mezidallueshme i bëjnë qesharake dhe të palexueshme imitimet letrare. Këto janë gjëra të rrezikshme, sepse gjithmonë ka një anë tjetër të medaljes. Fjala vjen, Kadare është një shkrimtar i ideve, i temave të mëdha, i ambiguiteteve. Të rrallë janë shkrimtarët me resurse të pashtershme idesh si puna e Kadaresë. Nga ana tjetër, Kadare s‘mund të krenohet për stilin e tij dhe aq më pak për ndonjë virtuozitet teknik në punë narracioni krahasuar me mjeshtrit e teknikës së rrëfimit si Faulkner, Woolf, Llosa, Pynchon, Celiné, Grass, Esterhazy etj. Ndërkaq, te disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë, që tashmë i janë shmangur me sukses influencës kadareane, vihet re një artificializëm a manierizëm që ia zë frymën tekstit me arabeska e ornamente, me mbiemra e ndajfolje, me eufemizma e sinonime, me neologjizma e perversione aliteracionesh. Më kujtohet vagëllimthi një pasus nga libri "Alkimia e fjalës" e Jan Parandovskit, ku thuhet se krijimi i fjalëve të reja kërkon po aq talent sa për të formuluar një mendim të ri. Megjithatë, stili "barok", që përmenda më lart, nuk është problem për shkrimtarët që kanë sens për masën. Alejo Carpentier ka qenë një mjeshtër i madh i stilit "barok". Antipodi i stilit "barok", bie fjala, është ai borgesian. Një stil djallëzisht i saktë, aristokratik, bindës, i mbështjellë me një aurë elegance të ftohtë si një shkrim runik i gdhendur në gur. Në fund dua të shtoj, pa sajuar lista emrash, se Shqipëria ka sot disa shkrimtarë të arrirë, veprat e të cilëve përbëjnë fondamentin e një tradite të re të shkrimit modern dhe të kulturuar. A jeni i integruar në ambientet letrare daneze apo të të tjera qarqeve evropiane? Ç‘mendoni për nivelin e debatit letrar që zhvillohet në këto vende? Kam pasur prezantime personale dhe debate me shkrimtarë në PEN-in danez dhe suedez. Jam ftuar disa herë në tryeza shkrimtarësh në Londër, Stokholm, Paris, por këto gjëra s‘më interesojnë shumë. Banketet letrare pak kanë të bëjnë me letërsinë. Përjashto nostalgjinë për vendlindjen, nganjëherë ndihem me fat për faktin që qëndrimi im këtu më bëri të mundur leximin në origjinal të shumë autorëve si: Kirkegaard, Ibsen, Strindberg, Hamsun, Blixen (alias Isak Dinesen), Georg Brandes (njeriu që "zbuloi" Nietzsche-n) etj. Sa i përket debatit letrar ose përgjithësisht debatit kulturor në Danimarkë, mund t‘ju them se është shumë korrekt. Por duhet pasur parasysh që danezët kanë universitete dhe institute shkencore të fuqishme. Disa gjëra, për të cilat folëm më lart, s‘mund të kthehen në tema debatesh në shoqërinë daneze. Janë gjëra absurde. Përveçse në vendlindje, a keni marrë pjesë në konkurset letrare që zhvillon Ministria e Kulturës së Shqipërisë? Përse? Nuk kam marrë pjesë në ndonjë konkurs letrar. As në vendlindje, as në Shqipëri. Arsyeja? Nuk më ka shkuar mendja. Cili është shkrimi apo intervista e fundit që është bërë për ju në mediat e Shqipërisë, letrare ose jo? Romanet tuaja dallohen për një fantazi krejt origjinale e jo fort të zakontë në letërsinë bashkëkohore shqiptare, edhe për shkak se ju hera-herës rrëmoni të kaluarën, por duke ia fshirë datat ngjarjeve, ndoshta me qëllim të shprangosjes nga kalendari historik. Jeni i vetëdijshëm për këtë cilësi që mbart një pjesë e krijimtarisë tuaj? Sa e qëllimtë ka qenë kjo zgjedhje? Ka pasur mendime se "bota" e "Shtatë fjalët e fundit" ngjan tepër vegimtare, herë reale, herë ireale, herë sureale apo absurde. Unë mendoj se arsyeja duhet kërkuar te mendja njerëzore, te mënyra sesi idetë, qëndrimet dhe botëkuptimet mbi fenomenet lindin kryesisht atëherë kur njeriu përballet me ekstremet e jetës: me vdekjen, me luftërat, me absoluten si një ide dhe si një burim i përhershëm i frikës. Kur i përmend absoluten dhe frikën në këtë kontekst, e kam fjalën te besimi religjioz, tek ajo Primus in orbe Deos fecit Timor (Perënditë janë krijuar fillimisht nga frika). Kjo nuk është një çështje pa rëndësi: njeriu përballet me dilema serioze kur është fjala për besimin. Çfarë është besimi i vërtetë i njeriut? Nga cili zot duhet të ketë më shumë frikë për të qenë "sa më i drejtë"? Kur besëtytnia i hap rrugë frikës dhe frika bëhet e pranishme, madje e gjithëpushtetshme, cilit besim duhet t‘ia nënshtrojë njeriu frikën e tij? Është shkalla e frikës apo shkalla e represionit, e terrorit, e trysnisë kulturore dhe politike ajo që i detyron njerëzit të bëjnë "një zgjedhje të saktë"? Ideja e vdekjes është inspiruese: ajo të shtyn të mendosh për kohën "mbas vdekjes", për "realitetet e paekzistueshme, por të mundshme", për ringjalljen, për transformimet, për jetën dhe pse jo: për atë Unin e Thellë të Bergsonit "që e bën të mundur pavdekësinë". Edhe heronjtë e librit "Shtatë fjalët e fundit" këtë gjë bëjnë: frymëzohen, habiten, trishtohen. Botëkuptimet e tjetërllojta mbi ekzistencën lindin në çastet e përballjes me "të pashpjegueshmen". Ndërgjegjja njerëzore shikon me sy të trishtuar njerëz të ngritur varresh; mendja njerëzore "komunikon" me botën e përtejme nga dëshira për të kuptuar botën e këtejshme. Disa ecin mbi ujë, si Jezusi. Disa ngrihen në qiell, si Jezusi. Disa vetëshpallen shenjtër të nxitur nga dëshira për të provokuar dogmat, tabutë, absoluten. Nuk e di nëse ka libra "të magjepsur" pas diçkaje, por më duket se "Shtatë fjalët e fundit" është një libër "i magjepsur" pas fenomenit të përsëritjes. Ndoshta një libër i papërsosur, por gjithsesi i lindur nga obsesionet tekanjoze për të kuptuar "mekanizmin" e përsëritjes. Më tej - harresa dhe kujtesa, pa të cilat, me sa duket, nuk mund të imagjinohet përsëritja. Në kontekstin historik, harresa, jo si një gjendje patologjike apo si një amnezë, por si "një lënie mënjanë, një harresë e qëllimshme, një lloj indiference", mund të çojë drejt mohimit të së shkuarës. Ndërkaq kujtesa historike, e qartë por e mohuar, i ngjan një azili mendimesh guximtare që s‘thuhen kurrë. Nga frika. Ose nga marrëzia. Më në fund - përsëritja si një pasqyrë ku reflektohen pasojat e harresës dhe kokëfortësia inatçore e kujtesës. E megjithatë, tek po hidhja në letër ato që ma hante mendja se i kuptoja, një pyetje nuk më shqitej nga mendja: Vallë është e mundur që përsëritja të ekzistojë para dhe pavarësisht kujtesës? Mbase ishte një lajthitje e çastit, krejtësisht metafizike, kur dëshira për të shkëputur kujtesën nga përsëritja dilte më e fuqishme se "arsyetimi logjik", sipas të cilit, për të qenë e mundur përsëritja, duhet pasur çfarë të përsëritet. Në fund pëlqeva mendimin e Kierkegaardit: se përsëritja dhe kujtimet janë një lëvizje e vetme, por në drejtime të kundërta. Ajo që evokohet si kujtim, ka ekzistuar, dhe përsëritet mbrapsht; ndërsa përsëritja e vërtetë evokohet përpara. Një shpjegim alternativ mund të ishte ai i dhënë nga Peter Thielst: jeta duhet kuptuar mbrapsht e duhet jetuar përpara. Në fund, "Shtatë fjalët e fundit" është një botë provokimesh të përsëritura. Nuk i mungojnë orakujt, shenjtit, engjëjt, sharlatanët, profetët, mitet, perversionet, të vdekurit që kërkojnë varret e tyre. Historia shkruhet me fjalë. Disa nga këto fjalë quhen fakte. Disa të tjera - trillime. Romani shkruhet me trillime, me qëllim që të konfrontojë faktet dhe trillimet e historisë. Unë, natyrisht, insistoj për të mos mbajtur llogari për të pavërtetat që mund të ishin të vërteta. Një gjë e tillë s‘mund t‘i kërkohet një autori. Autori nuk është as shenjt, as profet. Ndërkaq, sa i përket pyetjes suaj lidhur me "fshirjen e datave të ngjarjeve", kjo gjë qëndron plotësisht. E para, nuk i pëlqej romanet historike. E dyta, pikërisht për shkak të atributeve antihistoriciste të tij, libri "Shtatë fjalët e fundit" ofron, sipas meje, një mundësi leximi alternativ të tekstit: si një parodi për romanet me sulltanë, oborrtarë, vezirë etj. Intensiteti i ngjarjeve dhe gërshetimi i lirikës me dramatiken, e gati edhe i horrorit me realen që rrëshqet ndër ëndrra, është një tjetër tipar që dallohet në disa romane tuajat. Gjithçka është fantazi e pastër, apo mund të flitet për vargëzim episodesh të jetëve të dikujt, shumëkujt? Ju ka thënë dikush se romanit tuaj "Shtatë fjalët e fundit" i vjen era dhè, në kuptim të realizimit, të përshkrimit të detajuar të ngjarjeve, të gjendjes së personazheve, por sidomos të ndjesive që perceptojnë shqisat e këtyre personazheve? Si ia keni dalë t‘i vendosni fjalët pikërisht në ato vende? A arrin letërsia t‘ju përmbushë si individualitet? A ndiheni i realizuar prej saj? Për mua letërsia është vetë jeta. Për një marangoz, druri është sigurisht më i rëndësishëm. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||