Letërsia Shqiptare

Ekrem Bardha: Larg dhe Pranë Shqipërisë
E premte, 24-03-2006, 02:27pm (GMT)

Duke lexuar shpirtin e Ekrem Bardhës "Larg dhe Pranë Shqipërisë"

Rrëfim zemre i një atdhedashësi e patrioti


Kur lexova librin "Larg dhe Pranë Shqipërisë", kam perceptuar dhe ndjerë se në atë libër ka folur një njeri me një shpirt të madh dhe vizion të gjerë, por, nga ana tjetër, ndjej se në pjesë të caktuara të librit, sikur Ekremi ka folur si të ishte vëllai binjak i tim eti. Janë pothuaj në të njëjtën moshë dhe kanë kaluar peripeci të njëjta në periudhën e fëmijërisë dhe rinisë. Ndërsa babai i Ekremit ka vdekur duke e lënë jetim, im atë ka qenë detyruar të marrë barrën e familjes në moshë shumë të vogël, pasi im gjysh ishte mjaft shëndetlig.
Kur lexoj ato tregimet e një fëmije gjashtëvjeçar, që nuk di si ta shpjegojë tmerrin e familjes në vdekjen e kreut të oxhakut, përjeton një traumë, e cila injekton pasiguri dhe konfuzion në zemrën e të voglit dhe terapia e çastit nuk është asgjë më tepër se vajtimet dhe përqafimet pafund të nënës. Shpesh babai im më ka treguar ndodhi të tilla, kur tragjedi godisnin familje dhe, përveç familjes dhe të afërmeve, askush tjetër nuk ofronte diçka (shteti nuk të gjendej pranë). Tek lexon dhe shpalos fletët e librit ndjen se si Ekremi, ky fëmijë i vogël, u rrit me kaq shumë dashuri, me kaq shumë respekt dhe me kaq shumë mundime sa s'ka se si të mos të të shkëputet një pjesë e mirë e shpirtit e të dalë prej teje në formën e lotëve të ngashëryer. Tregon Ekremi fëmijërinë, rininë e dhimbshme dhe të lodhshme, varfërinë që pllakosi vendin gjatë regjimit komunist. Nuk të del nga mendja dhe shpirti asnjë episod, asnjë detaj. Mbase duket e tepruar, por unë kam përjetuar disa momente të tilla në jetën time dhe rrëfimet e prindërve të mi e kanë plotësuar të vërtetën. Ashtu siç tregon Ekremi, se si familjet u përçanë gjatë luftës, se si u ndanë në komunistë dhe idealistë, ashtu më ka treguar dhe im at. Por Ekremi na jep detaje të dhimbshme nga familja e tij, pa paragjykuar, pa dënuar dhe pa rekomanduar. Ai thjesht rreshton faktet. Është një përpjekje për ta duartrokitur, pasi të fton të falësh, të kujtosh, por jo të kërkosh hakmarrje, dhe të drejton në rrugën e shkrimit të vërtetë të historisë së asaj kohe. Lexoj për persekutimet e njëpasnjëshme dhe grackat e shumta politike që u ngritën për t'i kapur në gabime "politike", atë vetë dhe nënë Bulen e tij të dashur, vëllezërit e tij, torturën disavjeçare të kësaj familje për t'u bashkuar me Samiun, vëllain e burgosur dhe zhdukur me kohë. Nuk mund të më shqiten nga mendja shpërnguljet, bujaria e një pjese të familjes apo miqve, tradhtia e pjesëtarëve të tjerë të familjes, arratisja për në Greqi, torturat e vëllait në Degë, rënkimet dhe krenaria e nënë Bules, manipulimet politike të punonjësve të institucioneve politike etj. Një libër që një pjesë të mirë na tregon historinë dhe vuajtjet e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare, thjesht sepse ishin me ide përparimtare dhe jo komuniste. Një libër që të servir një të vërtetë të madhe. Nuk mund të le pa përmendur që edhe në botën e lirë përndjekja vazhdoi, e hëngri "si krimbi drunë" shqiptarin…në rastin e Ekremit kam rilexuar pjesën e ndjeshme kur ai tregon se si i kërkoi gruas së tij të futet në lumin ndarës Greqi - Shqipëri dhe të marrë disa gurë nga bregu shqiptar, relike të mëmëdheut që e deshi aq shumë, por s'iu gëzua dot aty. E çuditshme si vjen koha. Në fakt për Ekremin e arratisur, bregu tjetër ka qenë një "Mollë e ndaluar" kur ai ishte përkarshi. E imagjinoj atë moment se ai lumë nuk është shumë i thellë apo i gjerë, ai rrjedh lirshëm pa kurrfarë ndarjeje. Eh, guralecat në këtë anë dukeshin diamante për atë person që ishte në anën tjetër. Një vend të posaçëm zënë tregimet e fëmijërisë, dhe s'ka si të jetë ndryshe, të gjithë jemi të gatuar nga "brumi" që kemi qenë si fëmijë dhe duket qartë dora skalitëse e një nënë heroike, ajo e nënë Bules. Një nënë e dhimbshur punëtore, tepër inteligjente, një grua menaxhere e suksesshme e një familjeje të madhe që tragjedia i dha sfida, të cilat ajo i përballoi me mund e dashuri. Jeta e mëvonshme Ekremit të ri është ajo tipike e sa e sa shumë djemve të rinj, jetë që u plagos dhe u traumatizua nga koha, nga ideologjia, për faje e krime të pa kryera, nga faje dhe krime të veshura për arsye të pashpjegueshme, faje dhe krime fiktive. Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë, thuhet shpesh. Pikërisht Ekremin s'e mposhti dot dhimbja që i shkaktoi diktatura komuniste, por atë dhimbje ai e përdori për të gjetur forcë e guxim. Ai gjeti mënyrën dhe rrugën e jetës. E shohim se si koha i dha burrërinë e parakohshme për të bartur mëmën mbi shpinë, për të gjetur rrugën e mohuar, rrugën e shpëtimit fizik dhe shpirtëror. Një histori tipike e shqiptarëve të deklasuar, të arratisur, të futur në rrjete të ndryshme ideologjike, kur kushëriri i parë ishte me Ballin tjetri me Partinë. Kohë e vështirë, jetë e vështirë, gjendje e mjeruar. Një transformim madhor ndodh në jetën e rrëfyesit, në jetën fizike, shpirtërore financiare, shoqërore. Ekremi nga fillimi deri në fund tregon se mëma e tij ishte shtylla, ishte pika e referimit, ishte "Leva e Arkimedit" për "globin" e tij. Ai çdo gjë ia dedikon asaj, dhe lexuesi e ndjen thellësisht këtë lidhje dhe krijon respekt të veçantë për atë grua.
Një biznesmen i suksesshëm, por që ha byrekun në lokalin e tij në tepsinë e mëmës, pa u turpëruar, përkundrazi klientët janë ata që habiten me afërsinë e kësaj familje dhe përgëzojnë atë vlerë. Këtu janë vlerat themelore që çdo njeri që lexon duhet të njohë. Afria familjare, respekti, dashuria toleranca, udhëheqja e atij që ka mundësinë dhe vlera të tjera të vyera. Një djalë i ardhur nga Radanji, sot një nga njerëzit më të pasur dhe me influencë në SHBA për lobin shqiptar, një transformim shoqëror, por një mishërim i vlerave më të mira njerëzore, pa transformuar asnjë prej tyre. Një personalitet, fjala e të cilit dëgjohet dhe respektohet në qarqet politike amerikane kur flitet për Kosovën martire a Shqipërinë, një njeri që punon, jep kontribut, sakrifikon, fal, toleron, udhëzon. Në libër qetësisht, me vërtetësi shpalosen bukur, me fjali të shkurtra ngjarjet, pasojat, traumat, vuajtjet dhe suksesi i madh i një personi dhe familjes së tij. Ekremi ka hartuar bukur dhe me një radhë kronologjike dhe transformuese rrëfimin e shpirtit të tij. Nuk mund të mos vesh re fjalorin e bukur dhe të pasur kolonjar në libër. Unë e përcolla me ëndje.

Merita Bajraktari Mçormack


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.