Metafora e modernitetit të një proze
Shënime për romanin “Tri motra në një qytet”, të shkrimtarit Petrit Palushi (Ombra GVG)
NDUE DEDAJ
Tri motra në një qytet…
Diçka nga trinia e shenjtë, apo një trinom fatkeq nga “shenjtëria” e jetës shqiptare nën diktaturë?
Tri fate njerëzore në një. Si tri silueta që duken dhe zhduken në egërsinë e jetës, ku njeriu mund të shihte ëndërr dhe vdekjen e vet (Flaka). Ato më së shumti janë motrat e vetvetes, që nuk i bëhen dot motra dhe qytetit ku i çojnë për të shtyrë vetminë e pafund të internimit. Tri motrat (Vesa, Flaka, Jehona) duan të depërtojnë në poret, qelizat e botës përreth, por nuk i qasin, pasi ato janë të huaja dhe mbetën si të tilla gjer në fund.
Në romanin “Tri motra në një qytet”, shkrimtari Petrit Palushi ia ka dalë të formësojë estetikisht atë kohë të diktaturës totalitare, të vizatojë fijet e ferrit që mbështillnin jetën njerëzore, e cila më tepër thuajse vegjetonte, sesa qe një jetë që jetohej normalisht.
Lëvizja nëpër një botë absurd
Tri motrat Lisi qenë nisur një ditë nga Melbourni i largët, krejt të shpenguara, për të takuar vëllanë e tyre që kishte ardhur student në Shqipërinë e origjinës, por që kurrë nuk arrijnë ta gjejnë në jetë normale, pasi ai qe i ndrymë në një çmendinë.
Nuk është, pra, Kostandini që ngrihet nga varri të përmbushë një amanet.
Janë “tri motrat e tij”, aspak në kohë mitike, por në një kohë të ashtuquajtur moderne, krejt të pamundshme ta përmbushin amanetin për të vëllanë. Kishin udhëtuar mbi dhjetë orë si në legjenda nga kryeqendra (Tirana) për të mbërritur në atë qytet pranë Dy Drinave “dhe u qe dukur se rrugëtimi nuk do të soste ndonjëherë”... pasi nuk do të shndërroheshin asnjëherë në banore legjitime të atij qyteti, por do të mbeteshin bujtëse “të çuditshme, të pazakonta”, ngaqë ato papritur ishin bërë me biografi për të qenë aty e mbrapa përjetësisht të dyshuara, të vigjiluara dhe natyrisht të dëbuara.
Shkurt, tri motrat do të mbeteshin ashtu siç erdhën, me të shkuarën e tyre, por pa një të tashme dhe natyrisht edhe pa një të ardhme. Liria e tyre kishte marrë fund me kohë. Edhe sportelisti i hotelit i kujton njërës prej tyre se ajo nuk mund të dilte natën nëpër qytet kryemëvete pa pyetur kënd…
Tri motrat shfaqen si personazhe që lëvizin në një botë absurd, ku liria brehej nga pak çdo ditë.
Metafora e flokëve të verdha
Tri vajzat flokëverdha rrezatojnë me hijeshinë e tyre, por gjithsesi është një hijeshi që nuk duhet lënë të rrezatojë pasi shtie në mëkat. “Nuk u mësua kurrë se kush e solli për së pari lajmin se duhej të ruheshin prej tri motrave flokëverdha, se duhej të ruheshin prej tyre përnjëmend, madje më tepër se prej gjarprit, se hijeshia e tyre qe e sipërfaqshme, e akullt, si drita e rrejshme që vesh terrin, ndërsa thellë-thellë në shpirtin e tyre ato ruanin të ndryme një lloj zezone që mund të përvëlonte çdokënd” (f.32 ).
Autori përpiqet të krijojë atmosferën e rëndë dhe jopritëse ndaj tri motrave Lisi, dhe një gjë e tillë ndodhte sipas psikozës së mbrapshtë që të rinjtë e atij mjedisi ishullor të mos josheshin, marroseshin prej degjenerimit që tri motrat e hijshme mbartnin si një virus të botës (kapitaliste) nga vinin. Kjo është metafora brilante e flokëve të verdha që për një qytet shkakton huti e pështjellim, kurse për poezinë e shpirtit të tyre një lirizëm të veçantë. Ato vajza janë si një mëkat i madh i kohës së pandjeshme, krejt të pashpirt. Për të gjithë janë të huaja, vetëm për fëmijët me të cilët shihen herë pas herë te lumi, jo! Dhe kjo është bërë qëllimisht nga autori i vëmendshëm, duke i parë ata fëmijë jo si sfond, por si një ndjeshmëri, si një mbushje të jetës së tri motrave me pastërtinë fëminore. Edhe pse ditët e tyre nuk kishin më kuptim (“zëra të mbushur plot e përplot me psherëtima”), prapë tri motrat Lisi nuk i dorëzohen fatit të mbrapshtë që u ka rënë për hise, bëjnë vetveten pa u përshtatur me socialitetin politik (ideologjik) të kohës, pa qenë kurrfarë heroinash e as e kundërta e tyre; ato përpiqen të jenë ato që janë, të mbetën thellësisht njerëzore, të vërteta dhe pa kurrfarë farë artificialiteti në jetën e tyre. Autori nuk u jep kurrfarë statusi social për t’i bërë më aktive, më të kërkuara, më interesante. Vajzat e sapoardhura e shpallin që në fillim ankimin, kërkojnë një tempull ku të luten, por nuk ka më tempuj të shenjtë pasi ato janë rrëzuar e shembur me pahir. Nisin e mbijnë bunkerët, që duket se kanë vetëm një të mirë, se aty njëra prej motrave gjen vendin e vetëm për të bërë dashuri me të dashurin e saj, Atjon Morinën:
“Qe një strehë e plogësht, e terrtë, në të cilën kishin shkuar edhe do herë të tjera.
Dhjetë hapa pa mbërritur atje, vunë re se në bunker qe shkruar me bojë të kuqe: “Rroftë diktatura e proletariatit!”.
Flaka e preku lehtas me dorë Atjonin si t’ia kujtonte se duhej të nxitonin të shpëtonin nga një erë e përvëlimtë që do t’i përplaste për tokë” (f.88).
Palushi ia del mbanë ta krijojë atmosferën e rrëfimit; kështu, lexuesi zhytet në fijet e këtij rrëfimi dhe shfaqet para tij një kohë e diktaturës totalitare, kur personazhet (Vesa, Flaka, Jehona), enden në një jetë me plot mungesa dhe ku hetohet lehtë formësimi prej autorit i një jete t’absurdtë.
Palushi, tejet i kursyer në fjalë e mizanskena, e ka futur lexuesin në qarkun e rrëfimit dhe e ka ngujuar aty (brenda makthit të absurdit) të ndjekë fatin e motrave, më shumë se me fjalët e autorit, me meditimin dhe përjetimin e vetë lexuesit. Ky i fundit nuk rri soditës, por ecën nëpër fatin e brishtë vashëror, me shpresën se diku do të ketë sadopak fat për tri motrat e pamirëseardhura. Mirëpo ato janë robinjat e fatit të kohëve moderne në një qytet të izoluar malesh.
Ato duket se i ndjek hija e sistemit më shumë se vetë sistemi dhe kjo është merita e autorit në shpalimin e rrethanës në të cilën ato vajza gjenden. Hetuesi që e thërret njërën nga motrat është sa hija e frikës së shtetit dhe sa rutina e një perversiteti moral. Paçka ecejakeve si nëpër mjegullnajë, gjithmonë diçka lëviz brenda atyre shpirtrave, sa Flaka (që sikur nxirret më në pah si personazh) pasi ka parë ëndërr vdekjen, ikën e sigurt se askush nuk do ta zinte për ta burgosur. Është një ikje e spikatur, pa ushtarë që mund ta ndalojnë. Ajo është e sigurt në ikjen e saj dhe kjo është fijeza e shpresës së lënë nga autori, siguri e atij soj individi që nuk vendos asgjë tjetër para çmimit të lirisë së vet.
Përmes vokacionit të një stilistike moderne
Autori, tashmë i thekur në hullinë e prozës, ka dëshmuar talent dhe mjeshtëri në përdorimin e detajit artistik.
E gjitha te romani “Tri motra në një qytet”, zhvillohet si nën ajsberg; ajo majë që shihet është e mjaftueshme për ta shtegtuar lexuesin në hijetinat e nëndheshme të jetës së atij qyteti, që nuk e kishte në dorë t’i priste miqtë si miq dhe t’i bënte të tijat tri motrat. Është një qytet sa real aq simbolik, ku pikëpriten Drini i Bardhë dhe Drini i Zi e ku shkrimtari Petrit Palushi e sjell edhe dritën e vagullt të Përroit të Andrrës, që është dhe kryemetafora e modernitetit të prozës së tij, shpaluar me një ndjesi të veçantë në romanin me të njëjtin titull; pra, Përroi i Andrrës është qasur dhe në këtë roman të dytë, si një prurje metaforike, prej brumit të një lënde toponimike-poetike.
Rrëfimi mjeshtëror i Palushit ngërthen bukur mitin, legjendën, ëndrrën e zhgjëndrrën, përmes vokacionit të një stilistike moderne. Ky tipar krijues ndihet gjithandej në roman, si në dhënien e simbolikave të njohura por origjinale, si në rastin kur Vesa hedh në lumin Drin shishen me një copë letër të shkruar, që ai kumt të mbetej si i ngurosur dhe të ecte nëpër kohë përmes vërshimit të ujërave të dy Drinave të bashkuar në një...
Një kumt i padeshifruar por i nënkuptuar, ku si përmes tij Flaka do të shkonte ta gjente shpirtin e humbur andej nga kishte ardhur, nga një tjetër jetë.
Operimi i shkëlqyer me gjuhën
Petrit Palushi është një shkrimtar që e ka të kallur së brendshmi pasionin e gjuhës, që nga struktura e koncentruar ligjërimore, leksiku i zgjedhur shenjëzues e aspak dekorativ, apo emrat domethënës të personazheve: Vesa, Flaka, Jehona apo Jeton Lisi apo dhe Egzon Drini (ku njëri jeton absurdin e jetës në Spitalin Psikiatrik e tjetri e ç’gëzon jetën në ujërat e Drinit që e rrëmbejnë ende pa mbushur njëmbëdhjetë vjetët). Po ashtu bora dhe ngrica e atij dimri të parë në atë qytet, mbartet simbolikisht në “ndjesinë e diçkaje të ngrirë” si përjetim, apo “trupin po ma mbulon ngrija”, siç shprehet njëra nga motrat, madje “trupin dhe shpirtin”, siç ia kthen tjetra. (Kujtoj këtu se edhe te romani “Përroi i Andrrës”, emrat e personazheve janë tejet domethënës dhe të spikatur: Shpendi, Sibora, etj).
Në romanin e tij të paradokohshëm “Përroi i Andrrës”, Palushi paraqitet me një visar gjuhësor të begatë, me fjalëkrijime dhe fjalë të rralla të shqipes. Në këtë kontekst, gjuhëtari Hajri Shehu është shprehur për pasurinë gjuhësore të “Përroit të Andrrës”: “Në këtë roman kemi vjelë rreth 300 njësi të panjohura” (“Rruga e Arbrit”, mars 2007, fq. 7)
Me romanet “Përroi i Andrrës” dhe “Tri motra në një qytet”, Palushi paraqitet si një ndër më të vlefshmit shkrimtarë shqiptarë të dekadave të fundit, pra edhe si një shkrimtar i gjuhës. Kjo lloj letërsie e re meriton dhe qasjen e fjalorëve, për një vargan trajtash sintaksore, poetike-gjuhësore. Po përmend vetëm disa prej tyre në romanin “Tri motra në një qytet”, si: ashtusoj, breshnim, dritnajë, e rrejshme, hidhëtì, i egërtuar, i lehtuar, i pakmëparshëm, kahmos, krejtekrejt, kryemëvete, mbas një vramendjeje, ngjitmas, për të disatënherë, pikaderdheshin, pluhnajë, qyqevetëm, të ashtullojtë, thirrnaja, turbullì, ujanë, etj.
Më së fundi do të thoja se romani “Tri motra në një qytet”, i Petrit Palushit, është një vepër me një teknikë të përkryer rrëfimore, kur vepra merr frymë estetikisht në të gjithë përbërësit e vet dhe ku operohet me fjalën në mënyrën më të efektshme.
E gjithë vepra mund dhe duhet të shihet vetëm si tërësi në përbërësit e vet, dhe vetëm kësisoj mund të hetohen e shijohen vlerat e veçanta të kësaj proze.