| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Mehmet Myftiu, autori i romanit për disidencën shqiptare E shtune, 18-08-2007, 07:22pm (GMT) Nga: Gjovalin Kola Botimi i veprave të ndaluara të Kasëm Trebeshinës, Mehmet Myftiut, Trifon Xhagjikës, Frederik Rreshpjes etj. në vitet 1990 e në vijim, kanë hequr tashmë çdo dyshim për ekzistencën e disidencës edhe në Shqipëri. Kjo rrymë letrare, që paraprihet nga pikëpamja ideoestike që në vitet 1945-1946 me kundërshtimet e S. Malëshovës, S. Luarasit, I. Dishnicës ndaj ideve zhdanoviste që nisën të depërtonin këtu që me vendosjen e pushtetit komunist, ka njohur lulëzimin e saj me samizdatet e viteve ‘50-‘60. Në mënyrën më të qartë dhe të organizuar, grupi i dytë i disidentëve me K. Trebeshinën, Mark Ndojën dhe M. Myftiun denoncohet publikisht në mbledhjen plenare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të shkurtit 1954. Si nga raporti, ashtu dhe diskutimet e pjesëmarrësve del qartazi se kemi të bëjmë me një ballafaqim pikëpamjesh të kundërta përsa i përket lirisë së shkrimtarit, natyrës së letërsisë dhe rolit të politikës dhe të shtetit në raport me kulturën dhe artet. Pa hyrë në shpjegime të tjera, mjafton të kujtojmë se disidentët kishin ato mendime të lira që kanë sot njerëzit e letrave në Shqipëri dhe se ata, pikërisht për këtë herezi e ndarje nga ideologjia e Partisë, u dënuan, u persekutuan dhe u degdisën gjithë jetën nëpër burgje, internime e privime të tjera shoqërore e politike. Letërsia “ilegale”, prania e disidencës Sigurisht, që nga ajo kohë autorët e sipërpërmendur nuk mundën të botojnë ndonjë vepër, por u detyruan t’i nxjerrin në dritë vetë me forma vetjake e të kufizuara të samizdatit (daktilografi, shaptilografi, dorëshkrim etj.), të cilat qarkullonin ilegalisht dhe, po të kapeshin, merreshin si provë materiale në gjyqet kundër autorëve disidentë. Kjo ka ndodhur me gjyqet e Trebeshinës, A. Delvinës, të T. Xhagjikës etj. Ky i fundit ka pasur fatin tragjik të një pararendësi të shquar në Bashkimin Sovjetik, Osip Mandelshtamit (1891-1938), të dy të pushkatuar për shkak të veprës së tyre letrare. I pari për një poezi satirike për Stalinin më 1934-n, i dyti për vjershën “Atdheu është lakuriq”. “Shkrimtari”, një roman – dëshmi Nga pikëpamja e objektit, romani i Mehmet Myftiut, “Shkrimtari” (1964), botuar në version të plotë vetëm në vitin 1995, është një dëshmi e asaj çka u ndodhi disidentëve të viteve 1950, përfshirë edhe autorin vetë. I dalë nga radhët e familjeve patriotike dhe të forcave të majta antifashiste, megjithëse fare i ri në moshë, Myftiu bën pjesë në brezin e të rinjve idealistë që besonin aso kohe se komunizmi do të mund t’i zgjidhte problemet e shoqërisë shqiptare: do të vendoste drejtësi e barazi sociale, sistem të përparuar politik dhe sidomos mirëqenie për popullin. Me një biografi shumë të përshtatshme për regjimin e ri - 13-vjeçar në luftë, arrestuar nga gjermanët dhe mbyllur në kampin e Prishtinës nga shpëton mrekullisht – Myftiu merr pas çlirimit detyra dhe funksione të besuara në KQ dhe në LSHA. Natyrë idealisti dhe i ndjeshëm ndaj së drejtës dhe vlerave humane, i prirur të afirmojë individualitetin si intelektual në rrethin e shkrimtarëve të kohës, çka rezultoi e pamundur në kushtet e atomizimit të individit nga ideologjia dhe praktika e Partisë-shtet, M. Myftiu kalon fazën e formimit në një periudhë transformimesh dramatike. I gjendur edhe nën ndikimin e mikut dhe kolegut të tij, Kasëm Trebeshinës, i cili provon para tij demagogjinë dhe kërbaçin e ish-shokëve të idealit dhe të luftës, Myftiu vendos të marrë anën e “armikut të klasës”, siç u cilësua menjëherë autori i “Promemories”. Në fakt, kjo ishte zgjedhje fatale për të, sido që ai bëri këtë me bindjen se kjo ishte rruga e drejtë dhe bindja e tij. Në një kuptim të gjerë, Myftiu mbronte atë për të cilën kishte luftuar dhe shpresuar: lirinë e mendimit e të krijimit, të drejtën e kritikës dhe humanizmin, parime që komunistët i varrosën më të marrë pushtetin absolut. Shpalosja e “së vërtetës” së ndaluar Ndryshe nga romani «Odin Mondvalsen» (1952-1955) i Kasëm Trebeshinës, vepër e shkruar sipas teknikës simbolike, «Shkrimtari» paraqet një rrëfim të vërtetë, sipas modelit të njohur tradicional. Myftiu është preokupuar të tregojë historinë reale, ngjarjet, personazhet se sa të kërkojë ndonjë mënyrë moderne rrëfimi. Ai mendonte se imperativi i tij si shkrimtar me mendime të lira ishte pikërisht shpalosja e “së vërtetës” së ndaluar, e cila u mungonte lexuesve të kohës së tij. Në vend të saj, ata mësoheshin me veprat që e deformonin jetën sipas parimeve të letërsisë së propagandës. Në kujtimet e tij, autori ka dhënë madje të dhëna të hollësishme edhe për prototipat ku është mbështetur për të krijuar personazhet. Besniku, për shembull, personazhi kryesor është ai vetë, Hyseni është Kasëm Trebeshina, Agimi, kritiku letrar është miku i tij i ndjerë, Trim Gjata, shkrimtari i ri i porsakthyer nga Bashkimi Sovjetik është Ismail Kadaré, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, Aliu Nexhmije Hoxha etj. Roman që hyn në letërsinë e realizmit, “Shkrimtari” nuk është një koment për jetën, siç ishin romanet e realizmit socialist, por një zbulim lakuriq i vetë jetës. Vlera më e qenësishme e tij është kjo “lakuriqësi” ose ndryshe dëshmia. “Shkrimtari” mund të klasifikohet te “romanet - dëshmi”. Këtë veçori thelbësore të tij e ka shprehur më parë shkrimtari Kiço Blushi, i cili në pasthënien e botimit të tij të plotë më 1995-n shkruan për të këto fjalë: ”Ky roman, që flet për raportin e intelektualit (shkrimtarit) me diktaturën, afro tridhjetë vjet më parë, nuk është një tablo e pikturuar me penel, në telajo, në studio, që krijohet për t’u ekspozuar në sallone, por një dëshmi autentike dhe e ndershme njëlloj si muralet e të burgosurve, të cilat fati i krijimit dhe i krijuesve, “defektet” artistike ua kthen në vlera estetike me magjinë e papërsëritshme të vërtetësisë së tyre tragjike”. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||