Letërsia Shqiptare

Pas leximit të librit “Jeta e një kumarxhiu” të autorit Arben Subashi
E hene, 03-09-2007, 06:48pm (GMT)

Nga Hamza Malaj

Gersi,

Kur linde ti me operacion, unë po luaja poker… U rrite në një kontradiktë, me mendime të pa temperuara. Ç’është ky baba bixhozxhi, pijanec, mashtrues? Ç’është ky baba që merr rrogën e mamit dhe shkon në bixhoz? Ç’është ky baba i ndjeshëm që kur jemi me temperaturë ai qan si fëmijë?

Oli

…Babi të është prezantuar në disa komplekse që është e vështirë për tu deshifruar. Në kujtesën tuaj është skalitur babi i keq, i pirë, kumarxhiu…kur grindej me mamin ti strukeshe pranë sobës si një trumcak dëbore, duke u dridhur se mos ndoshta copat e abazhurit, apo pjatave përfundonin në këmbët e tua… A tëkujtohen ato skena kur borxhlinjtë trokisnin në derë dhe ti i thoshe duke u dridhur, se babi nuk është në shtëpi? A të kujtohet ajo natë e tmerrshme kur erdhën me pistoletë të të merrnin peng dhe u desh ulërima e mamit të evitohej llahtaria? A të kujtohet ajo natë dimri kur trokiti xhaxhi polici dhe më morën si subjekt mashtrimi? A të kujtohet, kujtohet, kujtohet? oh sa shumë… U rrite i heshtur e i trembur. …mua pak ditë jetë më kanë mbetur. Por do vdes i qetë, me një bindje të pa lëkundur që Oli, do të bëhet djalë i mirë, student i mirë, familjar i mirë dhe një baba shumë shumë i mirë… Kur të lexosh ditarin tim të lutem mos më mallëko… unë po vdes me turp. Dhe të gjithë lexuesit do ta mbyllin ditarin me turp! Pra një turp i madh dhe ti i pafajshëm, do jesh një mikro-pjesë e këtij turpi…”

Këto janë pasazhe, të cilat, mbas leximit të librit, me janë fiksuar shumë qartë në memorje.

Libri autobiografik i Arben Subashit të fut në mendime. Tema të cilën trajton ka të ngjarë që të bëhet një kangrenë e shoqërisë shqiptare, në mos është bërë. Këtu qëndron edhe vlera e tij, i cili për mendimin tim duhet lexuar.

Natyrisht këtu fjala nuk është për adoleshentët, po më shumë për ata që sapo e kanë nisur apo joshen për ta nisur, rrugën e pistë të kumarxhiut.

Të tërheq më shumë vëmendjen sinqeriteti i personazhit kryesor, mënyra hokatare dhe sulmuese e të rrëfyerit, thyerjet e ngjarjeve në mënyrë krejt të papritur, nga ato morale, në ato të turpëshme. Ai nuk ka ç’të fshehi, sepse nuk do të fshehë. Ai është i ndërgjegjshëm për fatkeqësinë, por nuk heq dorë prej saj. Ajo e gëlltit në dallgët e veta, dallgë që përplasen mbi fizikun dhe gjendjen e tij shpirtërore, mbi të ardhmen e tij, mbi zemrën e prindërve e sakrificat e tyre, mbi pafajësinë e fëmijëve dhe mbi durimin dhe ngrohtësinë e bashkëshortes.

I futur krejt rastësisht në rrugën e kumarit, ai u bë rob i tij. Shumë herë u pendua, shumë herë u betua se nuk do ja shihte më surratin asaj porte, sidomos kur kthehej në shtëpi në gjendje të mjeruar dhe shihte sytë e përlotur të familjarëve. Por megjithatë, praktika tregoi, se midis njerëzve të shtrenjtë dhe kumarit, ai zgjidhte këtë të fundit. Sado e pabesueshme të duket, por kudo: duke ecur në rrugë, duke u shtrirë në shtrat apo duke fjetur, ai shihte vetëm ëndrra të lidhura me sallën e Kazinosë. Dhe kumari e sidomos pokeri, siç shkruan edhe autori, është “fjalë e vogël, lojë e madhe dhe rrënim i madh!” Sapo në xhep do të ndodheshin pesë lekë, ai nuk vraponte të blinte çokollatë fëmijës, por do futej në sallën e lojës, një sallë që të linte pa shpirt e pa zemër. Atje hipnotizohej, fillonte të skuqej në fytyrë, të dridhej dhe në fund, pas lojës, shndërrohej në një pulë të lagur pa një dyshkë në xhep, i gatshëm të vidhte kudo që do t’i dilte përpara, sidomos pleqtë e pa mbrojtur, duke harruar se edhe në shtëpi, kish lënë dy prindër, po aq të moshuar sa ata që binin pre e vjedhjes së tij.

Në këtë libër personazhi kryesor është i zhveshur krejtësisht nga turpi. Pyetja shtrohet se kush e bëri të tillë? Ethet e kumarit! Kur borxhlinjtë të zenë derën dhe bile tentojnë të marrin peng djalin, atëherë çfarë do të bësh? Do mashtrosh, do kërcënosh, do vjedhësh duke u futur kështu me këmbët e tua në rrugën e krimit. Dita kur merrnin rrogat ishte dita më e vështirë. Te dera prisnin në radhë huadhënësit. Dhe rrogën ose bukën e fëmijëve e merrte zagari tjetër që priste te dera, ndërsa ai shkonte pa asnjë lekë në shtëpi. Përfytyro i dashur lexues në ç’hall ishin bashkëshortja dhe fëmijët. Në libër janë disa skena të tilla, të cilat autori i ka dhënë realisht siç kanë ndodhur, duke na dhënë kështu një mesazh të madh: Larg nga kumari, larg nga kazinotë!! Dhe këtë mesazh e ka dhënë duke sakrifikuar pjesë, sado të vogëla të moralit të tij.

Diku i merrte lekët e lavatriçes një koleges së punës, diku mashtronte dhe i merrte rrogat e punëtorëve pagatorit. Dhe pastaj niseshin në qytete të ndryshme të Shqipërisë, te të afërt e të njohur dhe plotësonin deri diku borderonë e punëtorëve. Edhe këtë me mashtrime. Në një shtet të huaj, pasi i lanë të gjitha të hollat në Kazino, mbasi shitën dhe unazat e orët, u mbeti të shkonin te kazanët e plehërave, mos gjenin një copë bukë apo sallam të hedhur aty nga kuzhinat e restoranteve!

Kumarxhinjtë dallohen si strategët pas luftë. Gjatë lojës ata janë aq të përqendruar, saqë edhe fjalën “vdekje”, mundohen të mos e besojnë. Dhe autori shprehet: “Nuk besoj që droga të ketë efekt me dominues se kumari!”

Libri është i lexueshëm jo vetëm për mesazhin që jep, por edhe për natyrën humoristike me të cilën është shkruar. Ngjarjet, të cilat në shumicën e tyre janë tragjike e drithëruese, të përshkuara me një notë të hollë humori, megjithse në ndonjë rast edhe banal, të rrëmbejnë dhe fletët vazhdojnë të shfletohen pa mërzi. Përkundrazi!

Me skenat që përshkruan, megjithëse në vetën e parë, ai nuk i druhet realitetit, pavarësisht se në rastet më të shumta është një realitet i padenjë për një qytetar të kulturuar. Duke qenë i sinqertë me veten, ai është i tillë edhe me lexuesin. Ja se deri ku arrin sinqeriteti i tij: “Më abandonuan të gjithë shokët, miqtë, farefisi, saqë edhe fëmijtë e vegjël më largoheshin. U shndërrova në një parazit tipik. Bridhja nëpër lokale kërkoja cigare dhe servilosesha pa ndonjë efekt… Shita gjithçka: Veshje trupi, abazhure, disa piktura me vlerë deri te dryni i derës. Valiumi e luminali nuk më bënin më efekt”.

Me këto skena aq rrënqethëse, me të cilat është i mbushur libri, autori kërkon ti kujtojë kujdo se vetëm puna dhe paratë e ndershme, janë lulja rreth së cilës mblidhen e shijojnë jetën njerëzit. Ato janë nderi, dinjiteti dhe personaliteti i njeriut normal dhe të edukuar. Aq më tepër kur qytetet tona janë mbushur me kazino e lojëra fati, ky libër është shumë domethënës. Ndoshta duhen përdorur fjalët e Julius Fuçikut: “Njerëz ju kam dashur, jini vigjilent!” Ndërsa sa për ne, Hanibali, jo vetëm ka ardhur te porta, por ka pushtuar edhe Parkun e Rinisë në qendër të Tiranës. Dhe kjo me dashamirësinë e të gjitha qeverive tona të papërgjegjshme!



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.