Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 09:49am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Kritika - Analiza
 
Vepra me kritikë letrare me vlerë
E premte, 14-09-2007, 07:27pm (GMT)

Nga Halil Haxhosaj

Emri i shkrimtarit, krijuesit dhe kritikut letrar Ali D. Jasiqi, është i pranishëm qysh herët në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Ky shkrimtar është i njohur që në vitet 1960 me shkrimet e tij të para me poezi, për të vazhduar me proza e sidomos me tregime dhe për t’u dëshmuar me shkrime të ndryshme nga lëmi i kritikës letrare. Qysh në këto vite ai nisi të shquhet me shkrime kritike, me recensione e të tjera studime për veprat e letërsisë shqiptare, por edhe të asaj evropiane, botërore e dhe më gjerë. Madje, shkrimet e Ali D. Jasiqit zgjuan interesimin e lexuesit dhe të studiuesve, duke u bërë i njohur si kritik letrar.
Deri me tash Ali D. Jasiqi botoi këto vepra letrare: “Josip V. Rela”, “Pesha e fjalës”, “Shenjë në lis”, “Premtime e realizime” dhe “Shfletime”. Ka shkruar edhe një monografi për Qazim Tolajn. Para pak ditësh, Ali D. Jasiqi, botoi edhe dy vepra të tjera me kritikë letrare që janë: “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” dhe “Tridhjetë e një shkrim për prozën,  studimet e të tjera”. Të dy veprat i ka botuar SHB “Vatra”, Prishtinë, në vitin 2007.

Vlera e kritikës letrare për poezinë

Vepra “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” ka në gamën e saj një material mjaft të mirë dhe të bollshëm të kritikave, recensioneve dhe shkrimeve të tjera për poezinë. Madje gama e interesimit të Ali D. Jasiqit për këtë gjini letrare nuk është e tkurrur, por ajo shtrihet në një kohë dhe hapësirë të thellë dhe të gjerë. Gjerësinë dhe thellësinë e karakterizojnë interesimet e autorit për veprat e autorëve që i merr për t’i trajtuar. Andaj, edhe interesimi për këtë gjë nuk është i njëtrajtshëm, madje as një dimensional, po ai shtrihet edhe në disa shtresime e interesime që nuk paraqesin ndonjë “detyrim” shqyrtimi. Kjo shtrirje përfshin veprat e autorëve, gjegjësisht të poetëve prej më të njohurve e deri tek ata që posa e kanë botuar veprën e vet të parë poetike. Kështu, autori ia arrin që veprën e vet me kritika letrare për poezinë ta stolisë me lëndë të bollshme, e cila përveç interesit letrar që ka, ajo ka edhe vlerë të një lëndë interesante të paraqitjes së një kronologjie të përshtatshme për t’u shfrytëzuar nga të interesuarit për studimet e veprave të autorëve të paraqitur në vepër. Numri i poetëve të paraqitur është më i vogël se sa veprat që janë marrë për t’u trajtuar. Kjo dëshmohet me faktin se Ali D. Jasiqi në këtë vepër nuk trajton vetëm një vëllim poetik të një poeti, por ai i ka përfshirë këtu nga disa vepra të tyre. Poetët, për veprat e të cilëve shkruan në këtë përmbledhje kritikash janë: Din Mehmeti, Esad Mekuli, Fahredin Gunga, Enver Gjerqeku, Beqir Musliu, Ali Musaj, Bedri Hysa, Abdyl Latif Arnauti, Leonard De Martini, Besnik Mustafaj, Haxhi Vokshi, Halil Haxhosaj, Engjëll I. Berisha, Naime Beqiraj, Brahim Avdyli, Naim Lushi, Ali Jakupi, Skënder Zogaj, Agim Ramadani, Muharrem Kurti, Naim Kelmendi, Tahir Bezhani, Syhejl Havolli, Smajl Smakaj, Mehmet Haxhosaj, Enca Skutari, Teuta Arifi, Nijazi Ramadani, Dashnim Hebibi, Zana Piraj, Gani Xhafolli, Rasim Selmanaj, Nue Oroshi, Nexhat Sadullahu, Ragbete Zabërgja-Uka, Pjetër B. Geci, Shpend Gjocaj, Hasije Selishta-Kryeziu, Rasim Syla dhe Agim Byci.
Pra, autori Ali D. Jasiqi në veprën e vet “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” trajton veprat poetike të dyzet poetëve të meseve, trevave, moshave, stileve, individualiteteve dhe vëllimeve të ndryshme. Por, megjithatë ai ia arrin që në këtë vepër t’i shpalosë imtësisht vlerat, figurat, stilet, vargjet, metaforat dhe vlerat e tjera artistike të veprave poetike të këtyre poetëve. Bile, ai bën një punë të madhe kur flet prej një deri në pesë vepra të një autori, siç është rasti me poetin Din Mehmeti, sepse kështu ia arrin që të paraqesë nuancat më të spikatura dhe më të avancuara të një krijuesi. Po ashtu në vepër nuk mungojnë edhe paraqitjet e veprave të autorëve të trevave të ndryshme të poezisë shqiptare duke filluar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva, Italia e deri te vepra e Abdyl Latif Arnautit, poetit me prejardhje shqiptare nga Siria.

Studimet për prozën dhe shkrime të tjera

Libri tjetër me kritika letrare, studime e shkrime të tjera i Ali D. Jasiqit “Tridhjetë e një shkrime për prozën, studimet e të tjera”, botoi SHB “Vatra”, Prishtinë, 2007, paraqet një lëndë interesante dhe të bollshme letrare, nga fusha e kritikës letrare, studimit dhe më gjerë. Për dallim nga libri tjetër me kritika për poezinë, këtu autori nuk shkruan vetëm për veprat e një gjinie letrare, por, kjo vepër është e konceptuar, e ndërtuar dhe e shtrirë në tri njësi apo kapituj që janë: I. Për prozën, II. Për studimet dhe III. Laramane.
Në kapitullin e parë “Për prozën” janë përfshirë shkrimet për trembëdhjetë veprat e shkrimtarëve duke filluar nga romani i Jusuf Buxhovit “Qyteti i dënuar me vdekje” e deri te vepra e parë në prozë, “E ngjashmja të ngjashmes i gëzohet” të autores Safete Shasivari-Rexhepi. Në këtë kapitull janë paraqitur shkrimet për veprat në prozë (tregime dhe romane) të këtyre shkrimtarëve: Jusuf Buxhovi, Anton Nikë Berisha, Zeki Bejtullahu, Hajdar Salihu, Ibrahim Berisha, Rexhep Ferri, Tahir Jaha, Rexhep Zogaj, Ibrahim Ibishi dhe Safete Shasivari-Rexhepi.
Ndërsa, në kapitullin e dytë “Për studimet”, autori Ali D. Jasiqi fut shkrimet e ndryshme me kritika, analiza dhe studime të tjera për veprat letrare të këtij lloji. Andaj për këto shkrime mund të thuhet se janë edhe shkrime kritike për kritikën (metakritike). Kjo mund të arsyetohet sepse autori shpreh mendimet e veta, pra origjinalitetin e tij, për ndonjërën nga vepra që e merr për ta analizuar. Ky kapitull ka një shtrirje pak sa tjetër sepse është i përbërë nga një mozaik interesimi dhe interpretimi. Këtë gjë ai e bën duke u ndalur në interesimin e posaçëm që ka zgjuar vepra tek ai. Dhe mu kësaj kritiku letrar Ali D. Jasiqi ia del mbanë. Këtu janë paraqitur shkrimet për veprat me studime e kritika “Romani shqiptar” të Hasan Mekulit,  “Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës” të Xhavit Aliçkajt, studimi “Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit” të Anton Nikë Berishës, për veprat me kritika, studime të tjera të Ibrahim Rugovës, librin “Vepra” botuar postmortum të Latif Berishës dhe në fund është kritika për veprën “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë” e autorit Astrit Bishqemi. Në këtë kapitull janë paraqitur disa mendime, pse jo edhe shkencore, të kritikut dhe studiuesit Ali D. Jasiqi, për veprat që i ka trajtuar. Edhe kësaj ky autor ia del me sukses, duke paraqitur një material të bollshëm dhe mjaft interesant.
Kurse në kapitullin e tretë dhe të fundit të veprës “Tridhjetë e një shkrim për prozën, studimet e të tjera”, që titullohet “Laramane”, Ali D. Jasiqi, ka paraqitur një lëndë vërtet të larmishme, apo “laramane” siç e quan, të llojeve dhe të zhanreve letrare. Në këtë kapitull ka shkrime për veprat e ndryshme të autorëve: Ali Podrimja, Zeki Bejtullahu, Hasan Hasani, Agim Deva, Jonuz Fetahaj, Musine Kokalari, Abdullah Thaçi, Islam Balaj, Bedri Dula, Rrustem R. Berisha dhe Tahir Bezhani. Veprat e këtyre autorëve janë shkrime të ndryshme duke filluar nga ato me ese politike, poezi, aforizma, përralla të përpunuara, tregime, vjersha për fëmijë, drama dhe shkrime monografish për luftën, e të tjera. Në këtë kapitull janë futur disa shkrime që, mbase, nuk e kanë vendin këtu, sepse janë lloje që kanë mundur të sistemohen në kapitujt e tjerë të veprës.  
Edhe pse në këtë vepër me kritika letrare autori i saj nuk aplikon ndonjë metodë të ngurtë apo edhe të shabllonizuar, ai mbase ka mundur të bëjë një shtrirje paksa tjetër në kapitujt e saj. Kjo arsyetohet me dëshminë e disa kritikave për veprat poetike, që autori i fut në kapitullin “Laramane”. Në këtë kapitull janë disa shkrime kritike për veprat me vjersha për fëmijë të autorëve: Agim Deva, Hasan Hasani, Jonuz Fetahaj, Avdullah Thaçi dhe Islam Balaj, cilat kanë mundur të vendosen në librin tjetër me kritika “Pesëdhjetë shkrime për poezinë”. Apo edhe shkrimi për veprën e Musine Kokallarit “Rreth votrës”, që është një vepër me përralla të përpunuar, apo që diku-diku autori Jasiqi e quan vepër me prozë, ka mundur të vendoset në kapitullin e parë të vepërs “Për prozën”.
Por, megjithë këto “lëshime” formale, mund të konstatohet e Ali D. Jasiqi me këto dy vepra me kritika letrare e hedh poshtë mendimin se nuk po shkruhet kritikë letrare sot dhe se ajo është duke ngecur. Po ashtu disa të dhëna në këto vepra janë dëshmi se pena e këtij shkrimtari dhe kritiku letrar nuk ka pushuar, por ai ka shkruar dhe ka përcjellë krijimtarinë letrare të të gjitha gjinive letrare që krijohen në trevat me shqiptarë. Përveç kësaj që u tha, veprat me kritika letrare të Ali D. Jasiqit kanë edhe vlera të tjera për të cilat do të shkruhet në të ardhmen.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Pas leximit të librit “Jeta e një kumarxhiu” të autorit Arben Subashi (03-09-2007)
Përse është poet modern Migjeni? (21-08-2007)
Figura e Kozmosit në veprën letrare (20-08-2007)
Mehmet Myftiu, autori i romanit për disidencën shqiptare (18-08-2007)
Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar (17-08-2007)
Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit (13-08-2007)
Shpetim Kelmendi në Oazet e paradites (09-08-2007)
“Home”, një roman krejt i veçantë (01-08-2007)
Shënime për romanin “Tri motra në një qytet”, të shkrimtarit Petrit Palushi (29-07-2007)
Botues librash apo seksere te rendomte (21-04-2006)
Si lindi “Lahuta e Malcis” (18-04-2006)
Libri është i shenjtë (17-04-2006)
Poezia e ndaluar e Agim Gjakovës (15-04-2006)
Shkrimtarë, çfarë profesioni keni? (13-04-2006)
Skender Sherifi, Poezia Kentaur (10-04-2006)
Faslli Haliti, Poezia Qe Nuk Vdes (02-04-2006)
Bota si libër (27-03-2006)
Ekrem Bardha: Larg dhe Pranë Shqipërisë (24-03-2006)
Flutura Acka: Kryqi i harreses (18-03-2006)
Alfred Papuciu: Nxenesja e etur e gjuhes romanshe (14-03-2006)
Tonin Cobani: Variacione me fjalen komb (24-02-2006)
Bedri Myftari: Zonja e Ambasadorit (01-02-2006)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Ndue Ukaj: Arti i të shkruarit
Ejup CERAJA: HAJKU TË MBËSHTJELLA ME TIS METAFORIK
Daut Demaku: Për librin e jetës dhe iniciativën e mrekullueshme
Nijazi Ramadani: Vështrim për veprat letrare poetike me poezi lirike të Lumnije Thaçit-Halilit
Nijazi Ramadani: Mbi romanin “Dashuri pa kufij”, prozë e art-jetëshkrimit e Shqipe Kadishanit
Thani Naqo

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]