Gjendja në të cilën ndodhte libri shqip në ditët e sotme ka ngjallur reagime në studiues dhe kritikë të letërsisë në vendin tonë. Kritikja letrare Klara Kodra e cila ka vite që merret me letërsinë shqiptare gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” tregoi disa nga të metat që gjenden sot në letërsinë shqiptare ndërkohë që nuk harroi të na tregojë edhe disa nga detajet e kritikës letrare para viteve ’90. Studiuesja është e njohur në aktivitetin e saj ku ka bërë shumë studime dhe botime të ndryshme. Ka bashkëpunuar për hartimin e shumë teksteve për shkollat e mesme si dhe ka bashkëpunuar për hartimin e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”.Ndonëse ka bërë shumë artikuj studimorë në fushën e letërsisë së shpejti do të nxjerrë në botim “Letërsia e shkrirjes së akujve” që i kushtohet letërsisë shqiptare të 17 viteve të fundit. Këtu do të ketë shumë artikuj kritikë për autorë të njohur si:Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi etje, por nuk do të mungojë kritika edhe për më të rinjtë. Ky botim do të përmbajë dhe disa trajtime kritike për romanin dhe poezinë e viteve pas ’90.
Jeni një kritike e njohur në fushën e letërsisë ndërkohë që këtë aktivitet e keni vazhduar shumë vite më parë por edhe tani. Si zhvillohej kritika letrare në vendin tonë para viteve 90?
Para viteve 90 synimi i përgjithshëm ishte që të bëhej një kritikë sociologjike dhe kryesisht marksiste pastaj ekzistonte rreziku i sulfologjizmit vulgar . Sepse në përgjithësi qoftë nga urdhrat që vinin nga lart qoftë nga redaktorët kuptohej sikur ajo formula që brendia ishte primare donte të thoshte që forma ishte e dorës së dytë, por kjo ndarje nuk mund të bëhej. Në art brendia nuk mund të ekzistojë pa formën d.m.th mesazhi kërkon strukturën dhe realizmi socialist ka pasur ndonjëherë keqkuptime lidhur me formën sepse ka pasur nga ata kritikë klasikë që mendonin se forma ishte thjesht një veshje. Në atë kohë vihej theksi tek mesazhi që sigurisht nuk duhej të shkëputej nga ato binare të caktuara ideologjike.
Pas viteve 90 shpërtheu një lloj kritike e re në fushën e letërsisë. Mendimi juaj për këtë?
Në të vërtetë pas viteve 90 ka një çorientim të përgjithshëm të kritikës letrare. Tani nuk arrij deri atje si i thonë disa që kritika ka vdekur por problemi është pikërisht se tani kritika në atë formë të kritikës sikur nuk i jepet dorë që të shfaqet. Vazhdon një degë tjetër e shkencës letrare ku disa studime vazhdojnë në formën shkencore që i shërbejnë edhe kritikës. Por në kuptimin e vërtetë të kritikës që duhet të ndjek letërsinë dhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës kjo nuk ndodh. Tani mund të themi se ka recensione dhe shkrime kritike por këto janë më tepër brenda një klani të mbyllur d.m.th. që janë lavdërime ndonjëherë edhe sharje të cilat janë shumë subjektive dhe nuk ka një kritikë të organizuar. Më parë ishte mendimi i ideologjizimi të kritikës por sidoqoftë ekzistonin debate kritike dhe kishte diskutime krijuese të veprës. botoheshin shumë artikuj kritikë në media ndërsa tani edhe një gazetë letrare që ka qenë nuk botohet më. Por këtu kanë përgjegjësi edhe mediat që i kushtojnë pak rëndësi kritikës por kjo bën që edhe kritika të shkurajohet. Sigurisht mund të punohet edhe për pasion por jemi në kapitalizëm dhe duhet të dalë në pah edhe faktori material.
Sa ndikon mungesa e kritikës në letërsinë shqiptare në këtë gjendje që ndodhet aktualisht libri shqip sot?
Mungesa e kritikës ndikon sepse pikërisht kritika këtë detyrë ka që të ndajë trëndafilat nga gjembat dhe pikërisht këtë punë të durueshme prej milingone kritika nuk para e bën sepse ato të pakta shkrime që dalin janë mjaft subjektive. Nganjëherë ka aq shumë lavdërime sa të duket sikur të gjithë ata që shkruajnë janë gjeni. Pastaj ka edhe nga këta kritikë që janë niilistë që do të thotë që nuk pëlqejnë asgjë dhe shikojnë vetëm të metat e një letërsie. Mendoj se një kritikë duhet të kapi thelbin e veprës se thelbi është më tepër pozitiv apo më tepër negativ . Duhet të shikojë edhe marrëdhëniet e harmonishme të mesazhit edhe të formës. Sigurisht që duheshin ndaluar edhe ato prirje të ndryshme se në romanin dhe në poezinë tonë ka shumë prirje moderniste dhe pasmoderniste por që vazhdon gjithashtu të ekzistojë edhe realizmi. Tani në formën e një realizmi kritik tradicional jo në formën e një realizmi socialist por sidoqoftë nuk mund të jetë një realizëm si ka qenë dikur. Është një realizëm që ka ditur thithur edhe teknika moderniste.
Meqë jemi tek fusha e kritikës, është pohuar se kritikët letrarë para viteve 90 kanë qenë provincialë. Sa është e vërtetë kjo sipas mendimit tuaj?
Kjo thënie ka një kuptim që provincial do të thoshte në krahasim me letërsinë evropiane dhe botërore pra të mbyllur në një botë të ngushtë që nuk komunikojnë me letërsinë evropiane dhe atë botërore. Ndërsa Agron Tufa është shprehur por asaj teze që kanë qenë provincialë vetëm në kohën e realizmit socialist. Unë mendoj që kjo thënie nuk është e drejtë, sepse edhe në atë kohë edhe tani ne kemi vepra që janë të denja të përfaqësohen edhe në letërsinë evropiane. Dhe në fakt disa nga shkrimtarët tanë e kanë marrë këtë njohje edhe në Evropë si :Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli tani vonë por edhe emra të tjerë të talentuar. Unë mendoj që problemi nuk është në nivelin e pamjaftueshmërisë estetik të letërsisë sonë por në faktin e gjuhës sonë që është shumë e veçantë Ne jemi një popull i vogël , prandaj duhej që të mobilizoheshin përkthyes të mirë të një niveli të lartë që të mund ta bënin të njohur letërsinë tonë në botë.
Pas viteve 90 si një kritike e letërsisë shqiptare çfarë të metash vihen re nga ju?
Tani ka një prirje për ta rinovuar letërsinë por këtu do të ishte një farë rreziku një prirje e tepruar drejt tërësisë. Kjo do të thotë që nuk është se buron tamam nga thellësia e veprës por nga moda. Ai ndikim i modernizmit çon në një errësirë që duket sikur jep atë idenë e thellësisë por ashtu duket sikur maskohet më tepër një mesazh i cekët me një formë të errët. Kjo kuptohet nga lexuesi si një cektësi të brendshme, dhe pasatja vërej që tani ka edhe disa skema të reja si p.sh një prirje për ti bërë një përshtypje lexuesit me ngjyra tepër të forta erotike ose makabre që mua nuk më duket prirje pozitive. Tani kuptohet që ata që janë më të talentuar i kapërcejnë këto sepse shkrimtari i talentuar edhe kur i jep një temë që është vërtetë tragjike ose dramatike e jep me vetë përmbajtje ndonëse është mirë që janë thyer disa tabu të mëparshme.
Letrarët në vitet e realizmit socialist a kanë qenë provincialë në idetë e tyre?
Letërsia në vendin tonë gjatë realizmit socialist nuk ka qenë me ide provinciale. Le të mos harrojmë se realizmi socialist si drejtim letrar ka ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe ka qenë praktikuar në të ashtuquajturën demokraci popullore të asaj kohe pa llogaritur që ka pasur edhe shkrimtarë të realizmit socialist jashtë atyre vendeve ku kishte triumfuar socializmi. Ndërsa brenda letërsisë sonë jo të gjithë këta që përfshiheshin në këtë strukturë, jo të gjithë i kanë zbatuar në mënyrë strikte rregullat e tij. Kjo kuptohet se talentet e fuqishme ngrenë krye kundër rregullave ndonëse ka qenë ajo tendenca e përgjithshme partisë shtet për të ndërhyrë në letërsi dhe redaktorët në përgjithësi zbatonin politikën e partisë ndërsa shkrimtarët kërkonin të çarën për të depërtuar dhe talentet më të fuqishëm si Ismail Kadare apo Fatos Harapi kanë depërtuar edhe elemente të realizmit të mirëfilltë ose të modernizmit. Bie fjala poezia e Fatos Harapit ka pasur që në atë kohë hermetizëm. Poetët sidoqoftë e kërkojnë gjithmonë lirinë e tyre edhe në diktaturë. Ndërkohë që unë jam e mendimit se edhe pas viteve 90 tek shkrimtarët tanë nuk ka pasur ide provinciale dhe aq më tepër kur të gjithë synojnë që të njohin sa më shumë letërsinë evropiane dhe atë botërore. Unë mendoj se një shkrimtar bëhet evropian dhe botëror pa sakrifikuar frymën kombëtare por të shkruajë për realitetin shqiptar. Por ka edhe vlera esenciale gjithmonë . Ka tema që janë njerëzore kështu nga njëra anë mund të ruhet ngjyrimi shqiptar por nga ana tjetër mund të përfaqësohen ato që janë të vlefshme për njerëzit e çdo kohe dhe çdo vendi.
Si përjetohet tek lexuesi kjo krizë në të cilën ndodhet sot libri shqip?
Kriza e librit është e lidhur ngushtë me lexuesin sepse letërsia nuk ka më atë që kishte në kohën e diktaturës. Në atë kohë si të thuash letërsia ishte vetmja dritare mbi botë ngaqë njihej më pak media elektronike dhe ishte më e kufizuar në ato programe që ajo përcillte. Ndërsa tani njerëzit janë më të lidhur me televizorin dhe duan që të zëvendësojnë në një farë mënyre librin me të po dihet se kjo nuk mund të zëvendësohet pasi libri jep një mesazh shumë më të thellë. Por për fat të keq ka shumë përkthime të dobëta që të japin një ide të gabuar për shkrimtarin dhe me këtë prishin shijen, dhe nuk duhet lejuar që të merren përkthyes të pakualifikuar por duket se shtëpitë botuese për të mos i paguar shumë marrin të rinj që nuk kanë përgatitjen duhur.