Letërsia Shqiptare

Jorgo Bulo: Kriza e kritikës, është krizë e vlerave
E premte, 12-10-2007, 06:55pm (GMT)

Vlerat e krijimtarisë artistike së popullit tonë janë padyshim vlera të cilat janë një tregues i historisë i traditës dhe i kulturës sonë kombëtare. Letërsia shqipe si çdo letërsi e çdo populli krijon vlera që në radhë të parë i përkasin popullit dhe kombit të vet ku këto vlera shpesh herë bëhen universale dhe janë një tregues i rëndësishëm i imazhit të çdo populli në botë. Por në ditët e sotme libri shqip po përballet me një krizë e cila tashmë është pranuar nga shumë studiues dhe kritikë. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” prof. Jorgo Bulo i cili është edhe drejtues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë shprehu mendimin e tij për gjendjen e letërsisë në vendin tonë.

-Letërsia dhe libri shqip sot po kalojnë një krizë e cila po e dëmton krijimtarinë artistike. Cili është mendimi juaj për këtë stad të zhvillimit të saj sot?
Ky është një konstatim që konstatohet nga sondazhet që bëhet dhe mendoj se ka  disa arsye të cilat lidhen me vetë zhvillimet letrare por të cilat lidhen edhe me kritikën për këto zhvillime kritike të librit shqip e cila është edhe ndërmjetëse midis librit edhe lexuesit. Në kohën tonë është karakteristike një farë  shkatërrimi i vlerave të rritjes së sistemit të vlerave dhe pasojat e kësaj në fushën e kulturës sipas mendimit tim janë dy : është një fyreje jo normale  por e frikshme e vazhdimësisë dhe një mungesë po aq e frikshme e pikave të referimit. Në këtë kuptim kritika letrare i përjeton vetë sot këto pasoja duke e përjetuar ajo vetë një krizë që qëndron brenda kritikës por edhe jashtë kritikës së krijimtarisë artistike.

-Ku qëndron kjo krizë brenda kritikës letrare?
Qëndron brenda kritikës sepse ajo u gjend e papërgatitur përpara ndryshimeve  në vetë procesin  letrar dhe përpara kërkesave,ku lexuesi  i një tipi të ri dhe të një informacioni tjetër filloi që të jetonte para kritikës. Duke vepruar me një sistem mjetesh dhe metodash tradicionale herë të tejkaluara dhe herë të etiketuara si të tilla, kritika letrare mbeti si të thuash si e habitur përpara një realiteti të ri letrar dhe intelektual. Ajo ishte përpara disa sfidave të cilat nuk po i përballon dot dhe gjithmonë në këtë kontekst flasim për kritikën letrare dhe letërsinë pas viteve 90. Kjo kritikë e kompleksuar si të thuash përpara një situate të tillë brenda saj edhe e gjendur përpara një shumësie metodash që premtonin shumësi interpretimesh dhe qasjesh ndaj veprave letrare, ofronin mundësinë e një pritjeje tjetër, ku ajo nisi që të përjetojë një fazë shtangiesh, amullie ose një fazë të një eklektizmi foshnjarak por sidoqoftë njëra më e keqe se tjetra.

-Përmendët edhe një krizë kritike letrare jashtë saj, ku ndeshet ajo sot në krijimtarinë artistike në vendin tonë dhe konkretisht tek libri?
Kjo  krizë jashtë kritikës letrare qëndron në kuptimin e krizës që përjeton vetë objekti që përjeton vetë libri. Ndryshimet në procesin letrar shpesh kanë qenë kaotike edhe pse kuptohet që ky proces kryhet normalisht me zigzage dhe jo çdo hallkë që e përbën atë është e thënë që të shënojë domosdo një përparim. Kritikës nuk i jep dorë të gjejë vetveten mungesa e disa pikave në kurbën e zhvillimit që shënojnë realisht rritje dhe risi të vërteta  artistike. Këto risi me sa duket janë të pakta, kritika si veprimtari intelektuale ka mbetur tejet e zbehtë , kurse si institucion pothuajse nuk ekziston as ajo as mjetet ku ajo bën jetën e saj . Kjo kuptohet me tribunat  e debatit letrar, gazetat dhe revistat serioze të specializuara si mediume të një kritike profesionale. Në shoqërinë tonë janë shumë gjëra për tu ringritur. Është për tu ringritur vetëdija e identitetit dhe e qytetërimit tonë si popull. Vetëdija e vlerave tonë dhe e së kaluarës e së ardhmes sonë dhe padyshim vetëdija kritike në kuptimin e gjerë të fjalës dhe bashkë me të institucioni i kritikës në kuptimin e ngushtë të fjalës. Pra duhet të ringrihet  kritika letrare artistike si shprehje e gjykimit dhe e vlerësimit profesional, për atë që krijohet dhe në përshtatje me atë që është krijuar.
 
-Pas viteve 90 çfarë roli ka luajtur kritika në krijimtarinë artistike sipas mendimit tuaj?
Pas viteve 90 unë them me bindje se kritika nuk ekziston ajo është në një fazë eklektizmi foshnjarak dhe nuk e orienton lexuesin drejt vlerave të vërteta të krijimtarisë artistike.
Me këtë pohim e them në mënyrë të përgjithshme pa u ndalur në emra apo faza konkrete. Ka kritikë që para viteve 90 që mund të ishte profesioniste dhe që e kanë abandonuar profesionin e tyre. Natyrisht që kanë dalë edhe kritikë të rinj që premtojnë por me këtë ende nuk mund të them se kritika ka krijuar një fizionomi të re dhe e kryen rolin që duhet të kryejë si ndërmjetëse midis krijimtarisë artistike të librit dhe lexuesit ose midis veprave të artit dhe spektatorit.

-Në libraritë tona ekzistojnë botime që i përkasin edhe epokës së realizmit socialist por edhe vepra që janë shkruar këto 17 vitet e fundit, ndërkohë që një pjesë e tyre janë edhe ribotime. Si ndikojnë sot këto tek lexuesi kur bëhet fjalë për nivelin artistik?
Është e vërtetë  se sot ekzistojnë shumë libra të cilat janë shkruar në sistemin e mëparshëm  dhe janë produkt i një sistemi të caktuar të cilat janë edhe pjesë e historisë se kulturës dhe pjesë e historisë sonë. Historia e letërsisë sigurisht që është një proces i cili nuk mund ti krijohet zbrazëti dhe nuk mund t’i fshihen periudha të tëra nga ky proces me gjithë problemet që ka pasur problemi letrar në një periudhë që qoftë shkrimtarët, artistë, kompozitorë dhe shumë krijuesi krijonin mbi bazën e disa parimeve të caktuar të realizmit socialist. Kjo nuk do të thotë që në atë periudhë nuk janë krijuar vlera të cilat janë padyshim pjesë e historisë, traditës dhe e kulturës sonë . Nuk mund të ketë zhvillim pa e njohur traditën dhe pa e pasuruar atë me diçka të re.

-Sot letërsia e huaj në vendin tonë po konkurron letërsinë shqiptare e cila sa vjen edhe zbehet. Mendimi juaj për këtë dukuri pasi tashmë dihet se libri shqip në pjesën më të madhe të tij paraqitet me një nivel të ulët artistik para lexuesve?
 Natyrisht që kjo periudhë pas viteve 90 është një periudhë shumë e shkurtër dhe nuk mund ta gjykojmë këtë nivel të librit shqip sot në pjesën më të madhe të tij. Megjithatë gjatë kësaj kohe janë shfaqur  shkrimtarë, krijues të cilët kanë dhënë vepra të cilat janë mirëpritur nga lexuesi dhe kanë pasur edhe një pritje që janë vlerësuar në botën jashtme si p.sh veprat e  Fatos Kongolit apo të ndonjë autori tjetër i cili ka qenë i suksesshëm me veprat e tij në disa vende të botës. Megjithatë në një periudhë kohore gjatë këtyre 17 viteve krijimtari letrare në vendin tonë nuk mund ta gjykojmë kaq lehtë. Proceset artistike kështu janë ka zigzage ka periudha krijimtarie ngritjeje ka edhe periudha krijimtari uljeje. Krijimtaria artistike sigurisht që do të zhvillohet por që duhet të presim zhvillimet e mëtejshme të krijimtarisë sonë letrare.

-Si një njohës i kritikës çmendim keni për këtë stad që po zhvillohet kritika jonë sot të krijimtarinë artistike ndërkohë po zhvillohen debate lidhur me provincializmin e tyre?
 Unë e kam thënë mendimin tim dhe  mendoj se as letërsia e një vendi dhe as kritika e një vendi nuk mund të jenë dhe të quhen  provinciale. Letërsia shqipe si çdo letërsi e çdo populli krijon vlera dhe që në radhë të parë i përkasin popullit të vet dhe kombit të vet që shpesh herë bëhen vlera universale. Mund të marrim një shkrimtar të njohur Nobelist islandez i cili në veprën e tij ka rigjallëruar të gjithë sagën islandeze baladën dhe vlerat islandeze ka rigjallëruar veprën dhe shpirtin e popullit të tij, ai është bërë një shkrimtar botëror. Ashtu si shumë vepra të Ismail Kadaresë  që pasqyrojnë shpirtin dhe jetën shqiptare kanë pasur një pritje ndërkombëtare të admirueshme dhe nuk mund të flitet për shkrimtarë  provincialë. Natyrisht nuk mund të flitet as për një kritikë që natyrisht bëhet ndërmjetëse e kësaj krijimtarie me lexuesin. Është tjetër gjë që letërsia jonë është pak e njohur sado që mund të themi se ne kemi autorë si Ismail Kadare, Fatos Kongoli kemi artistë që kanë pushtuar skenat e botës , kemi piktorë që hapin ekspozita në botë të cilët përçojnë vlerat kombëtare. Natyrisht që me të gjitha këto tregohet që kultura jonë letrare dhe arti nuk janë provinciale.

-Pas viteve 90 krijimtaria artistike u përball me disa kushte të reja të zhvillimit të saj. Sa kanë ndikuar ato në krijimtarinë tonë?
Sigurisht që periudha  e tranzicionit krijoi një tronditje të përgjithshme në krijimtarinë tonë artistike por edhe në sistemin vlerave edhe në jetën e krijuesve dhe pa dyshim që kjo ka ndikuar në ecurinë  e saj. Shumë krijues u gjetën përpara vështirësive të natyrave të  ndryshme. Këto vështirësi i përkisnin natyrës artistike dhe të natyrës materiale  që edhe këto padyshim kanë ndikimin e tyre. Është një kërkesë e ligjshme që shteti dhe institucionet shtetërore duhet ta përkrahin sa më shumë krijimtarinë artistike por edhe atë shkencore.

Sot


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.