Nga Blerina Goce
Titulli: Histori pa emra
Autori: Mimoza Hysa
Roman
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 500 lekë
Një homazh për jetën që vjen përmes ndëshkimit. Një hapësirë e fituar me egoizmin e natyrshëm të mbylljes njerëzore. Një përqark i përditshëm, i brendshëm, i kudogjendshëm. Një udhëtim i hollësishëm, i vërtetësishëm në mendjen 'humane'. Një psikologjisje brenda atyre që pikëpyesim secili prej nesh, edhe pse kufijtë "zgjerohen në ngjarje" në rrëfimin e Mimoza Hysës.
Një grua në kërkim të lirisë, në luftë me vetveten dhe mungesat; e munduar të brumëzojë identitetin. Një Medea e vendosur në ditët e sotme, në fakt një figurë e gjithëkohshme…
Personazhit të saj nuk i ka vendosur emër. Por shumë mirë ne mund të përjetojmë njësh historinë(të)e saj.
Vajza pa origjinë, "kopilja" që rreket të krijojë familjen e që vetiu "veçohet" nga bota, me 'ftohtësinë' e njeriut që atribuon pastërtinë, mund të jetë kushdo. Ndaj dhe "Histori pa emra" është më shumë se një ngjarje.
Libri fillon duke na vënë përballë "të ndodhurën", me aludime për të përtejmen, e përjetime të marra në një "të shkuar". Porse e shkuara është thjesht "brumi" i esencuar me ndjesitë, të katrorizuara në të tashmen e të ardhmen që në fund dëshmon "në hapësira të bardha".
Ngjarjen mund ta kuptojmë edhe si 'meditim' që hapet e rrethizohet te një bosht: nëna "vrasëse" që ëndërron të ketë familjen "e pastër", si e tillë "dashuronjëse e jetës". Idealistja naive e gjendur ballë dilemave që s'mund t'ju shmangesh. Ëndërruesja e sinqertë, e vetmuar "në kërkim të ndryshimit".
Ndryshim, që instinkti i vetë qenies sonë e frymon dhe kërkon pikësëpari te familja. Te e ndjera mirë dhe "e dëshiruar" tek ai rreth i ngushtë njerëzish që pretendon të të duan kurdo. Ndryshim, që lidhet spontanshëm me nevojën për të qenë i njëjtë me të tjerët, për të mos qenë i përjashtuar. Sepse vetëdija e pranuar në shumësi është mjerane dhe paragjykuese…
Ne njihemi me "Medean" përmes rrëfimit dhe analizës që ajo vetë bën.
"E përtejmja i tërheq fort njerëzit. Çka përtej klasës së tetë, çka përtej martesës dhe përtej pllakës së gurtë të fundme…". Me këto fjalë e fillon librin Hysa "e futur nën lëkurën" e personazhit të vet "pa emër", i vetmi rrëfimtar gjatë gjithë librit. I ngjashëm deri diku me një ditar, ngjarjet përcillen në vetën e parë dhe si e tillë "thellësia" emocionale vjen më e plotë.
Pasi deshi të ndryshonte imazhin, të sfidonte përqarkun, të ndryshonte "bombën" të cilin e bëri baba të fëmijës së vet, vajza "kopile" ndihet sërish "në bosh". Asgjë nuk ndryshon. Madje dëshira e saj është përdhunuar. Një dhimbje psikologjike, para së cilës ajo fizike (keqtrajtimi, dhuna fizike e seksuale) nuk është asgjë.
Në (pa) vetëdijen e vet ajo "mpreh thikat" për të nesërmen…
Tradhtia, pritja, indiferenca… janë zilet e alarmit për ngurtësinë e pandryshimit dhe "yshtja" për një hakmarrje të pastër, "përtej" lodhjes.
Kjo "lodhje" është promotori i mëshirës së urrejtshme, edhe ajo më së shumti e munguar.
E vizatuar me ngjyra të holla e të detajshme, përmes vetërrëfimit, "Medea", "kopilja" është qendërboshti, rreth së cilës "vizatohen" personazhet e tjerë.
E megjithatë, "të tjerët" (bomba, plaka, mustaqespica, babai, nëna, dy motrat binjake…) individualizohen lehtësisht dhe kanë "një fytyrë" të tyren. Tipare që autorja ka ditur t'i "godasë", edhe pse nganjëherë përmes fjalëve të kursyera. Një strukturë jo tradicionale e rrëfimit, ku gjuha dhe rëndësia e saj lidhen ngushtë me analizimin, përsiatjen, meditimin.
Proza e Mimoza Hysës dëshmon për një refleks të kërkimit psikologjik bashkëkohor, për një trajtesë gjuhësore që si e tillë i reziston bukur shijeve.
Ndërsa si ngacmim filozofik ajo hedh idenë se "këputjet" pandashëm lidhen herë-herë me dhunën.
Ndryshe nuk do të kisha ardhur. Do të bëja një jetë si hije…
E keqja është më e fortë se e mira.
Nuk është e thënë që të gjitha nënat t'i duan fëmijët. Mua nuk më kishin dashur. Dhe unë nuk doja…
…Të gjithë me një arsye do të tallen mbi trupin tim. Të mirë. Se unë jam engjëll që nuk kundërshtoj. Ndoshta një ditë do ta kuptojnë që nuk vritet kështu e mira.
…qan një zë i çjerrë që s'kam ku e fus, s'kam ku e çoj, s'kam ku i gjej vend në këtë humnerë të ndotur ku janë përlyer të gjithë…, qan dhe unë marr thikën e mprehtë, atë që kam lënë për ditë të vështirë… për të zgjidhur me forcë atë që nuk e zgjidh dot me të butë… marr thikën e mprehtë…
Atë ditë do ta kem therur si mish…
…damarin e pulsit të jetës që hovte pa faj e preva të qetësohej…
Shikimi im ishte më i keq. Ishte i drejtpërdrejtë. Si pasqyra e zotit.
…isha shuku i dhimbjes që priste vetëm t'i vinte dita.
…Mua më kishin përdhunuar dehjet e tij të përnatshme, ato më kishin përdhunuar.
Asgjë nuk kishte ndodhur. Më ishte tharë jeta. Si lulet në oborr. Po bomba nuk e kuptonte. Sepse për të ngjarjet ishin bardhë e zi… …Kurse ato që nënkuptoheshin, ato të brendshmet, të padukshmet, ai nuk i kishte nuhatur kurrë. Prandaj nuk e kuptoi që unë po çmendesha. Që unë po çmendesha nga mungesa e tij. Ose të dyve na trembi frika.
…Po kërkonim fundin. Se makthi rritej… Nuk zhdukej pa dhunë. Kisha besuar më kot se mund të triumfoja pa dhunë. Më kot.
Turpi ka kuptim kur bota përqark merret me ty. Nëse bota nuk merret, turpi nuk ka kuptim. Shuhet. Atëherë përse të mos ikim larg botës, përtej botës?
Nuk erdhi e gjitha nga bomba. Njeriu kur nuk i gjen zgjidhje ngjarjeve mundohet t'ua hedhë fajin të tjerëve.
Unë e kisha përbuzur jetën. Sepse përbuzja veten. Që në thelb.
"Të gjithë njerëzit janë egoistë e zvogëlohen në hiç para ekzistencës".
Burrat të gjithë kanë frikë. Janë trima vetëm në tufë.
Ndërtesë e bardhë, me njerëz të bardhë, për prehje. Me shikim të bardhë që kalon horizontin. Asnjëherë sytë e mi nuk e kishin kaluar horizontin më parë. Asnjëherë nuk kishin shkuar përtej. Duhet të kisha jetuar në një vend të hapur, si ky. Në një vend të hapur, mendja është e hapur, jeta bëhet e hapur. Po kur vjen ajo ditë që njeriu i këput lidhjet që e mbajnë shtrënguar dhe i zgjat rrugët? A mund të këputen lidhjet pa dhunë?
26/09/2007