Letërsia Shqiptare

Recensione të shkurtra për veprat: Nga vlerat e traditës dhe Kureshtje letrare
E marte, 23-10-2007, 05:00pm (GMT)

Nga Njiazi Ramadani

Vepra Nga vlerat e traditës (“Rilindja”, 2000), merret me ndriçimin e vlerave të ndryshme të traditës sonë kombëtare.

Nuhi Ismajli
Ndër çështjet e trajtuara të traditës sonë kulturore, në këtë vepër, është edhe ajo për fillimet e përhapjes së krishterimit në Iliri. Studiuesi N. Ismajli, duke u mbështetur në tekste biblike (Vap. 2,9), pa mohuar misionin apostolik të Shën Palit në Iliri, shpreh tezën e tij se ndër të parët ilirë që kontaktuan me predikimet e apostujve, pra edhe me krishterimin, qenë pjesëtarët e fisit ilir të partëve.
Pjesa më e madhe e shkrimeve të veprës Nga vlerat e traditës, merret me trajtimin e çështjeve të ndryshme të lashtësisë sonë të traditës. Ndër të tjera, përmes autorëve dhe veprave  të dokumentuara, studiuesi N. Ismajli ndriçon lashtësinë dhe vlerat e letërsisë sonë dhe shtron idenë për hartimin e historisë së letërsisë, e cila do të jetë një pasqyrë e lashtësisë dhe e vlerave të asaj letërsie.
Përmes shkrimeve të tij, studiuesi N. Ismajli, një kontribut të rëndësishëm e jep edhe për ndriçimin  e historisë së llojeve të ndryshme letrare; historisë së veprave, natyrës, veçorive dhe vlerave të shumanshme të tyre, ku shquhet sidomos ndriçimi I historisë, veçorive, llojeve dhe vlerave të ndryshme të veprës Meshari, pastaj trajtimi I thelluar I çështjes së ndikimeve biblike në shkrimin shqip dhe shkrimin e veprave shqipe etj.
Studiuesi N. Ismajli, në veprën Nga Vlerat e traditës, shquhet për kundrimet origjinale në shqyrtimin e çështjeve të ndryshme dhe për pikëpamjet e rezultatet e reja shkencore. Përmes kësaj vepre, autori , pa dyshim, e tekalon mendimin e deritashëm shkencor, në shumë probleme të trajtuara.
Vepra Kureshtje letrare (“Ura”, Gjilan, 2001), e përbëjnë pesëmbëdhjetë shkrimet e ndyshme (shqyrtime, ese, e recensione), shumica e të cilave janë botuar më parë në gazetat dhe revistat e ndryshme në Kosovë.
Në veprën Kureshtje letrare, N. Ismajli trajton dukuri /probleme të ndryshme letrare dhe analizon e vlerëson vepra të ndryshme letrare e shkencore.
I mbështetur në dije e argumente të qëndrueshme teorike dhe në lëndën konkrete letrare, ai ndriçon dukuri të ndryshme letrare të letësisë sonë.
Veprat letrare N. Ismajli I trajton nga aspekti teorik estetik. Ai analizon shtresat e ndryshme karakteristike të veprës letrare e posaçërisht mënyrën e realizimit artistik, karakteristikat dhe vlerën artistike të tyre.
N. Ismajli në veprën e tij merret edhe me analizën e vlerësimin e veprave  të ndryshme shkencore.
Veprat e tilla ai i vështron e vlerëson nga aspekti teorik, histriko-letrar e kritik dhe me argumente të qëndrueshme të këtyre fushave.
Karakteristikë e theksuar e kësaj vepre është gjykimi dhe vlerësimi kritik I autorit, I cili përshkon të gjitha shkrimet e kësaj vepre.
Problemet e trajtuara , analizat e thella, vlerësimet e mbështetura në dije historiko-letrare, teorike e estetike dhe argumente të qëndrueshme nga lënda konkrete letrare, stili shkencor, kultura e shkrimit përgjithësisht etj., bëjnë që shkrimet e kësaj vepre të paraqesin një vlerë të rëndësishme në shkrimet tona për letërsinë, të cilat zgjojnë vëmendjen e lexuesit të ngritur dhe provojnë e nxisin mendimin shkencor.     

Portreti krijuesit e studuesit Nuhi Ismajlit

Krijues që imponohet përmes vlerave

Nuhi Ismajli është studiues i pasionuar i kulturës shqiptare. Ai është historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, polemist e gjuhëtar; është një krijues i veçantë, i gjithanshëm dhe mjaft produktiv.
Për herë të parë, me shkrime për çështje të arsimit, paraqitet në vitin 1983, për të vazhduar pastaj me shkrime të tjera, për çështje të ndryshme gjuhësore, letrare etj.
Shkrimet e tij të para Nuhi Ismajli i botoi në gazetën “Rilindja”, pastaj në revistat “Fjala” e “Shkëndija”, për të vazhduar më pas me paraqitjet në gazetën “Bujku”, “Koha ditore”, “Zëri”, “Bota sot”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Iliria post” , në revistën “Identiteti”, të Prishtinës, si dhe në gazetat “Shekulli” e “Koha jonë” të Tiranës.
Shkrimet e Nuhi Ismajlit, të botuara në gazeta e revista të ndryshme, përbëjnë vëllime të tëra. Ai i ka botuar edhe dy vepra të plota, si: Nga vlerat e traditës, bot. “Rilindja”, Prishtinë, 2000 dhe Kureshtje letrare, bot. “Ura”, Gjilan, 2001. Sigurisht, po të mos ishte problemi i vetëfinancimit të botimeve nga autorët, që përbën një pengesë të madhe për publikimin e veprave të krijuesve sot, ky autor, vetëm me botimet nëpër gazetat e revistat e ndryshme, do të kishte edhe disa botime të tjera, të plota.    
Nuhi Ismajli është pjesëmarrës mjaft aktiv në takimet e ndryshme shkencore të organizuara nga institucionet shkencore të botës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në Sesionin shkencor për Çabejn, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1998 dhe, disa herë, edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në kuadër të botimeve shkencore të të cilave institucione i janë botuar punimet.
Do përmendur edhe faktin se Nuhi Ismajli është i përfaqësuar edhe me 6 njësi bibliografike për veprën e Buzukut, në veprën: Buzuku dhe gjuha e tij, të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më 2005.      

Një studiues i gjithanshëm

I pajisur me dije të gjera e të thella, të fushave të ndryshme të shkencave shoqërore, dhe duke studiuar me pasion, Nuhi Ismajli është marrë me trajtimin e çështjeve nga më të ndryshmet, si me çështje të gjuhës, letërsisë, kulturës, historisë… 
Në kuadër të studimeve të tij është marrë edhe me çështjen e historisë së krishterimit te shqiptarët, çështje me të cilën janë marrë shumë autorë të njohur botërorë e shqiptarë. Risia që ka sjellë këtu Nuhi Ismajli është se ai bën të ditur se nga fiset ilire, të parët në kontakt me krishterimin kanë rënë pjesëtarë të fisit ilir të partëve (Nga vlerat e traditës, f. 7-12 ).
Nuhi Ismajlin e ka interesuar edhe çështja e historisë dhe e etikës së polemikës në literaturën shqiptare. Ai, në kundërshtim me autorët e ndryshëm që pohojnë se polemikën më të hershme në literaturën shqiptare e kemi në veprën Historia e Skënderbeut të Barletit, pohon se në literaturën shqiptare polemikën më të hershme e kemi në letrën e Skënderbeut, dërguar princit të Tarantos, më 30. X.1460 ( Nga vlerat e traditës, f. 21-27).
Më pas, në shkrimin: Kur fillon polemika shqiptare (Koha ditore 6 shtator 2003), ai pohon se polemika është e njohur edhe në shkrimet parashqiptare, konkretisht në shkrimet e  shkrimtarit ilir Shën Jeronimit, veçmas, në veprën e tij Epistolat.

Letërsisa e vjetër shqipe – preokupim i veçantë

Duke çmuar shumë letërsinë e vjetër shqipe, Nuhi Ismajli mjaft shkrime ia kushton kësaj letërsie, me ç’rast ndriçon një varg çështjesh që kanë të bëjnë me historinë e shkrimeve të lashta nga shqiptarët edhe në gjuhë të tjera, natyrën e veprave të letërsisë së vjetër shqipe, llojet letrare dhe vlerat e ndryshme të saj, si: vlerat gjuhësore, artistike, kulturore, vlerat  kombëtare etj.
Në kuadër të shkrimeve të tij për letërsinë e vjetër shqipe dallohet sidomos shkrimi  Frymëzimet biblike të shkrimit të hershëm shqip (Nga vlerat…, f. 28-54), ku autori, përmes krahasimeve të kuptimeve të teksteve biblike dhe natyrës, kuptimit, qëllimit dhe funksionit të teksteve të vjetra shqipe, argumenton, përveç tjerash, edhe ndikimin e Biblës, si një faktor me rëndësi në nxitjet e shkrimit të vjetër shqip.
Por, një varg shkrimesh Nuhi Ismajli ka shkruar për veprën Meshari, në radhën e së cilave dallohen shkrimet: Vlera historiko-letrare e veprës meshari të Gj. Buzukut, shkruar më 1994, ku për herë të parë, në mënyrë më të gjerë flitet për vlerën letrare të Mesharit (Nga vlerat…, f. 65-77); Llojet letrare në veprën Meshari (Nga vlerat…, f. 78-92), ku për herë të parë flitet për llojet letrare të Mesharit dhe ku dëshmohet gjerësisht prania e vlerës letrare të Mesharit; shkrimi: Trajtimi letrar i veprës Meshari të Gj. Buzukut (Epoka e re, 8. 10. 2005, f. 19), ku provohet jo vetëm historia e trajtimit të vlerës letrare të Mesharit, por edhe e pranisë së pamohueshme të vlerës letrare të tij etj.
Në shkrimin: Vlerësimi i letërsisë së vjetër shqipe (kumtesë e paraqitur në Seminarin XXIII Ndrkombëtar…), autori jep pasqyrën e vlerësimit të letërsisë së vjetër shqipe, vlerat dhe kufizimet e atij vlerësimi si dhe vlerat e ndryshme të letërsisë së vjetër shqipe, njëherazi.
Natyrën dhe veçoritë e letërsisë së vjetër shqipe Nuhi Ismajli i ndriçon në studimin Fillimet e modernes në letërsinë shqipe (Iliria post, 29 korrik 2006, f. 20 ), me ç’rast ndriçon një varg çështjesh që kanë të bëjnë me përmbajtjen, llojet letrare, vlerat e letërsisë së vjetër shqipe, përkimet ndërmjet letërsisë së vjetër shqipe dhe letërsive të tjera evropiane etj., kurse mendimi më i rëndësishëm i tij është se letërsia e vjetër shqipe, të cilën ai e quan letërsi humaniste, është një letësi moderne.
Aspektet e ndryshme të letërsisë së Rilindjes, autorët dhe veprat e ndryshme të kësaj letërsie, gjithashtu, nuk kanë mbetur pa u trajtuar në shkrimet e këtij studiuesi. Ai ka trajtuar çështjen e frymëzimeve dhe porosive biblike në letërsinë e Rilindjes (Nga vlerat…, f. 93-101), veprën e De Radës, të G. Darës të Riut, por ka bërë fjalë edhe për autorë të tjerë, si për N. Veqilharxhi, P. Zarishi, Ndue Bytyçi, A. Santori, Zef Serembe, B. Bilota, Z. Skiroi, F. S. Noli, A. Xanoni, K. Kristoforidhi, N. Mjedja, P. Babi, P. Vasa, L. Gurakuqi, M. Grameno, H. Mosi, Gj. Fishta, Sh. Gjeçovi, V. Prenushi, Asdreni etj. 
Nga letërsia shqipe, pas vitit 1900 dhe ajo e viteve tridhjetë, në shkrimet e Nuhi Ismajlit, janë trajtuar veçanërisht vepra letrare e Gj. Fishtës dhe e E. Çabejt.
Dallohen në këtë rast, sidomos shkrimet për veprën Nji lule vjeshtet të Gj. Fishtës, për të cilën Nuhi Ismajli ka një këndvështrim dhe interpretim të veçantë (Kureshtje letrare, f. 5-18 dhe Identiteti, nr. 3, Prishtinë, nëntor 2003, f. 26-27 ).

Vlerësues kritik i shkrimeve
 
Nuhi Ismajli është marrë me vlerësime kritike të veprave të ndryshme letare e shkencore.
Ai ka vlerësuar në mënyrë kritike veprat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Kështu, ai ka vlerësuar prozën e I. Kadaresë, të B. Musliut, të K. Trebeshinës, të I. Ibishit etj., pastaj  veprat e ndryshme në poezi, si veprën e H. Vokshit, të S. Rrustemit, të S. Gjergjit, të L. Aliut etj.
Në fokusin e interesimeve shkencore të Nuhi Ismajlit, herë-herë, ka qenë edhe letërsia shqipe për fëmijë, me ç’rast ai ka bërë interpretime dhe vlerësime të çmuara për veprat letrare për fëmijë, të autorëve të ndryshëm, siç janë vlerësimet për veprën e I. Kadriut, të A. Canës, të M. Spahiu, të B. Buzuku etj.
Gjatë analizave e vlerësimeve të veprave të autorëve të përmendur, janë vënë në dukje një varg çështjesh, aspektesh e veçorishë të ndryshme, të veprave të caktuara, dhe të letërsisë bashkëkohore shqipe në përgjithësi.   
Vlerësim kritik Nuhi Ismajli u ka bërë edhe shkrimeve të ndryshme diskursive. Kështu, ndër të tjera, ai ka vlerësuar në mënyrë kritike shkrimet e M. Hysës, I. Ahmetit, Z. Xholit, E. Çabejt, B. Çapriqit, K. M. Shalës, B. Kosumit, po edhe të autorëve të tjerë, si shkrimet e R. Qosjes, S. Rizës, Dh. S. Shuteriqit, J. Kastratit, S. Çapalikut, V. Malajt, E. Sedajt, R. Ismajlit, R. Elsit, S. Hamitit, F. Hoxhës, Z. Rrahmanit, H. Salihut; R. Doçit, B. Becit, Sh. Demirajt, R. Ushakut, Sh. Islamajt etj.
I pajisur me dije të gjera e të larmishme, interesimin e Nuhi Ismajlit e kanë tërhequr edhe veprat e karakterit historik, filozofik, estetik, psikologjik, politik, pedagogjik-arsimor, publicistik etj.
Kështu, si më gjerësisht a më shkurtimisht, ai ka vlerësuar edhe shkrimet e J. Drançollit, A. Selmanit, L. Gjergjit, S. Çapalikut, H. Ferajt, B. Latifit, J. Dërvodelit, R. Azemit etj.  
Si mësimdhënës i lëndës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë dhe, si njohës i thellë i tyre dhe duke pasur rast t’i njohë për së afërmi tektet e letërsisë për arsimin e mesëm, vlerat po edhe të metat e tyre, Nuhi Ismajli ka bërë vlerësime të gjithanshme të tyre, duke dhënë kështu kontributin e tij të vlershëm në çështjen e përsosjes së teksteve shkollore për letërsinë shqipe. Shquhen kështu vlerësimet për tekstet: Letësia e vjetër shqiptare për klasën e 10-të, Letërsia romantike shqiptare 11 dhe Letërsia moderne shqipe 12, të S. Hamitit; Letërsia botërore 12, të A. Marrashit etj.

Polemika dhe kritika ndaj dukurive jokulturore
 
Nuhi Ismajli merret mjaft edhe me shkrimin e polemikës. Në polemikat e tij ai është marrë me çështje të ndryshme historike, gjuhësore, kulturore, letrare, politike etj. Madje, edhe mjaft shkrime të tjera të tij, kanë frymë polemike dhe tregojnë qartë shkrimet që u referohen.
I pajisur me një formim të gjithanshëm, me ndjeshmëri dhe ndërgjegje intelektuale, Nuhi Ismajli nuk hesht, po reagon shpesh ndaj dukurive  jokulturore e absurditeteve të ndryshme të realitetit.
Ai, ndër të tjera, ngritet edhe kundër polemikës pa etikë, polemikës së ulët, e cila si synim ka cenimin e bashkëbiseduesit, dhe kërkon një polemikë të mirëfilltë, e cila synon qëllime të larta - shqiptimin e së vërtetës ( Polemika e dështuar, Koha ditore, 11 janar 2003, f. 11).

Kultura e gjuhës dhe gjuha e shkrimeve

Në publikimet e tij të para shkrimore Nuhi Ismajli ka trajtuar çështje të drejtshkrimit e të drejtshqiptimit, për të vazhduar pastaj me trajtimin e problemeve të tjera të gjuhës, si me trajtimin e problemeve të historisë së gjuhës, të gramatikës, të leksikut, të figuracionit, të stilit, të cilat trajtoen ose si çështje të veçanta, ose në kuadër të trajtimeve të veprave të ndryshme letrare, shkollore-arsimore, shkencore etj.
E bëmë një shkrim kësisosj, për krijuesin N. Ismajlin, të nxitur nga vetë qëndrimi i tij që të imponohet, jo me reklama gjithfarëshe të kohës sonë, po përmes krijimeve, të cilat përherë synojnë të shprehin diç të re, thelbësore dhe të rëndësishme. Shkrimi, ndërkaq,  doli si rezultat i dialogut me autorin e veprën e tij.                                                                                                                            



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.