Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E hene, 13-10-2008, 10:04pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Kritika - Analiza
 
Pse rrinë jashtë Nobel-it gjenitë në historinë e shkrimit...?!
E enjte, 01-11-2007, 07:33pm (GMT)

Nga Krenar Zejno

Udhëtimi selinean tej skajnatës mbetet unikal në historinë e shkrimit.

Skandal i së Keqes dhe Mjerimit Total, pllakosur sheshit jo si befasi të udhës, por si kanun kushtetues i ekzistencës dhe zembereku i vetë qenies, të cilit hipokrizia e dekorit të jargavitur moralist nuk i lëviz dot as qimen.

Roman Pikaresk…! Ky është përcaktimi, tinëzak dhe i cunguar, me të cilin enciklopeditë e rëndomta dekorojnë rrugëtimin e pasosur për në tjetrën anë të jetës. E meqë termi pikaresk kategorizon romanet në trajtë narrative autobiografike me udhëtarë hokatarë, tek ironizojnë dhe i zvjerdhen shoqërisë shtypëse, i bie që udhëtari Celine të jetë përkrah me Don Kishotin, Tom Jonesin e Fieldingut, Robinsonin e Defoes; pranë Guliverit apo Shvejkut - ikonave të përjetësisë së romanit. Por ja që është edhe s’është ...

Se enciklopeditë - këto depo publike ku kurtizanet e kritikës me shërbim inteligjent pushteti u shkordhin rebelimin të paudhëve mendjeçelë - ia kanë gjetur vendin domethënies së hollë të kryeveprave, duke e fshehur nëpër gallatën groteske. Mandej, në vlerësim të talentit gajasës të heronjve e autorëve, tek na i shfaqin si çaprazë të lezetshëm, kujdesen për saktësinë, honoret e homazhet në përkujtim të ditëvdekjes apo lindjes, a thua kanë vendosur t’u anullojnë përjetësinë!

Po ku djallin ta sistemojnë lakejtë ngashënjyes të mallkuarin Celine, që të prehet e pushojë një herë e mirë?!

U shkau nga duart në fund të natës, asokohe kur deheshin në pushimin mes luftash, ndërsa gjeniu klithi “atë ç’ka zërat duan të thonë, e nuk e thonë kurrë”. Dhe ja, nisi të interpretojë arien e Vdekjes që zë t’i shkulë edhe ata nga ofshama e jetës ku janë dergjur. Si meteorët që përshndritën verbërinë, burgun, ekzilin, posaçërinë e çmendinës, nën emrat: Baudelaire, Dostojevskij, Nerval, Rimbaud, Van Gogh, Wilde, Poe, Kafka, Joyce, Artaud, në shpërthim të ideve që ata përflakën në trajta shenjtërie drejt qiellit... të prehen e argëtohen me të djelën e yjeve.

Autobiografik... i bien shkurt, saktë e në kokë edhe odisesë selineane nikoqirët enciklopedikë. Duke e kapitulluar qysh në gërmën e parë të alfabetit, tek rreken të sqarojnë automatikisht rastet e biografive njësh me veprën.

Ka shumë fantazi në rrungajën e kritikës volumetrike. Saktësisht, e kundërta e përrallave. Gjeniu pat marë mëri me këso shkencërash kur thërriste shfarrosjen nga faqja e dheut të referateve që mbajnë në këmbë ngrehinën e Shtëpisë së Njeriut.

Se strehimi nëpër enciklopedi është ende çështje publike. Trajtohet sipas biografisë e s’ka të bëjë vetëm me atë ç’ka shkruan, por edhe ç’bën në-për kohën që shkruan, bile-bile çfarë bluan mendsh kur luan me zjarrin dhe çfarë bluan... tek luan mendsh ndër kohë. Kësodore, shqyrtohet herë biografia e heroit dhe herë e gjeniut të tij.

Si ta lyp nevoja. Zaten, vetë e ka gatuar. Në mos njërën, tjetrën. E për të qenë brenda pa e pasur brenda, e kapitullojnë në aneks. Mend ta quajnë roman nate pa shkëputje nga puna. Nënshtrimi ndaj vesit të zhgërryerjes nëpër enciklopedi mund të shpjerë në faqen e mëpasme, ku s’është çudi të kenë shpikur termin …autoroman.

Bodlerit, te gërma fill pas të parës, me siguri do t’ia kenë lënë jashtë verdiktin e vjetër:

“Poeti gëzon atë privilegj të pakrahasueshëm që i jep mundësinë të jetë, sipas qejfit, ai vetë apo dikush tjetër”.

Mbase një përcaktim i tillë, sipas kodit të enciklopedisë do ishte me vend të kishte vend në doracakun e kodeve të drejtësisë. Ky i fundit ka edhe kompetencat ta marrë seriozisht në dorë rebelimin tepër të poetit qejfli, dikushit apo sozisë.

Celine në indeksin e tij përkon pranë Cervantesit, në lojë inicialesh alfabetike.

Ce-Ce; si mizat që s’bëjnë shaka, pickojnë për vdekje. S’e kanë shpikur kot alfabetin enciklopedik, veçse për të kapitulluar simbolet dhe për të qethur nëpër kapituj mishërimin e teprisë gjeniale.

Nuk ka rend më tinzar – përçor – barazitar – rendor, se ai alfabetik në dorën e përndjekësve të devotshëm e dobiçsjellës, sa hartuesit e saj të përkorë.

Për çudi, edhe jetët Celine e Cervantes, mbi tre shekuj larg njëra-tjetrës, përqasen açik për nga rrasja në luftë, në burg, në frymën mbytëse pas kthimit në vendet e tyre, zhgënjimin, mjerimin dhe shprazjen e përvojave ndër kryevepra madhështore. Prapë se prapë ...autobiografik. Sepse rasti Celine nuk duhet assesi të përgjithësojë. Tek e fundit, u bëka fjalë për eksperienca personale udhëtimesh të rastit. Përcaktim cinik e kategorik, pështjellë nën trajtim enciklopedik.

Përnjëmend, gjenisë Cervantes do t’i kenë lënë shumë hapësirë strehimi, se me kryeromanin e kohrave ka zënë rradhën qysh prej shekullit të shtatëmbëdhjetë. I takon edhe oborri, ngase tok me gomarin bëhet vetë i tretë. Veç kësaj, Kishoti, kumbisur nëpër satirë me aq kujdes kritik, u duhet atyre pse shembëllen bëmën e vet aq të dështuar, si një rast tipik. Tashmë, mëria e tij ndaj padrejtësive, mundi i kotë për të drejtuar drurët e shtrembër të pyllit është zbehur krejt dhe s’ka rrezik. Kështututje, epiteti ‘donkishot’ i ngulet njëherë e mirë dështakëve demode, të rebeluar nga kjo botë. Tekembramja, u jepet edhe një titull fisnik, si shkëmbesë e hakmarrjes së shpirtit poetik. E nëse s’heqim dorë prej veskut bjerramot alfabetik, Don Kishotin mund ta hasim përsëri në shkronjën pasardhëse. Dhe rastësisht, krah...

Dostojevskit ...aq romantik.

Do-Do; Si ninulla që largojnë gjumin e thërrasin zgjumthin.

S’është çudi, që me të mbyllur kapitullin e Don Kishotit, duke e përgjumur me ndonjë trill hokatar të Rocinantit të vet gomar, të na e çelin atë të Dostojevskit me zgjimin e ndonjërës nga gafat e tij të rastit, si për shembull:

“Gomari është një njeri i mirë dhe i dobishëm”.

Megjithëqë Joyce na e vuri në vesh se “gjeniu nuk bën gabime dhe gafat e tij janë të qëllimshme e janë dyert e mëdha të zbulimit”, përkujdesja enciklopedike s’do prapsej pa na e bërë të qartë, prerazi, se Dostojevski ia ka dedikuar atë shprehje gomarit Rocinant, që i madhi Cervantes e bëri të flasë si njeri, pa qenë hiç fare shfrehje ndaj racës së gomerëve në përgjithësi, nëpër gjithësi. Përndryshe do e kish shkruar në shumës, si Celine kur përshkruan shumësin e anonimatit të “qenve që dinë të kujdesen për veten dhe u përgjigjen lehjeve”. Sjellja e këtij është goxha ndjellakeqe, se bëhet gjithëpërfshirëse, sado i trajton kafshët me mirësi. Mirë gomari që na ngordhi, po s’të lenë as mizat.

Enciklopedia sakaq, duhet të mbetet e vetme për nga (për)masat e (për)fshirjes, kot s’ia ka vënë vetes këtë emër e kësoj barre patetike. Kush rrëmon te E-ja, ka të ngjarë të bëhet me dije se emri i vjen ngaqë është e stërmadhe, ciklopike, e jo sepse vëren vetëm me një sy. Vetëkuptohet. Përsaqë ciklopin te c-ja e kishin, dhe mu aty po të lypsej e bënin me dy sy. Mjaft që te faqja e numrave, faqe më vete kjo, të shpallnin se njëshi paskej qenë dysh në gjuhën antike.

Floberit po ashtu, te gërma në vijim, me gjasë nuk do t’ja kenë përtypur kollaj mllefin ndaj përmasave të injorancës pa shërim. Sidoqë papagalli i tij Lulu`, që gjithaq u gjegjej lehësve, nuk përgjithëson se s’është anonim. Ashtu si zonja Bovari, bëmat e së cilës nuk është se cënojnë dhe aq madamat e tjera përtej. Kritika tok me klerin, kushedi pse u turrën për ta ndëshkuar e rrënuar Floberin. Mbase nga doktor Charles që mjekonte gratis sëmundjet e mizerjes së mjerë, siç do të bënte edhe Bardamya i Celinit ca më matanë.

Të dy, me po atë përkushtim ndaj çrrënjosjes së mikrobeve nga bartësit e tyre humanë.

Në fakt, teksa vetë njerëzia s’ta fal gafën e shërbimit falas dhe gjenerozitetin, merret me mend sa ta lejojnë këtë privilegj shenjtësh, dogmat të cilat e mbajnë si atribut të vetin.

Aq më pak, vesin e rrezikshëm për të ndryshuar botën. (Sainte-Beuve, një tip shef dekori i kritikës së zakoneve, ka nxirë ndoca faqe edhe kundër “faqenxirit” Flaubert dhe personazheve hiç pozitivë e asfare happy të cilët ligështojnë njerëzinë tek shtyn rrotën).

Por lumturia, edhe sikur të mos ish një mani mediokre siç e shpalli Floberi, s’ka si kushtëzohet prej bollëkut të saj nëpër letër. Se paskëtaj, turravrap drejt lumturisë prej letre, plot e përplot dengje kartash me manira letraro-ekonomiqare... gjer në sharrimin e drurit të fundit. Dhe prapë që prapë, në të njëjtën qafë. Poshtë e përpjetë. Hiçgjëkundit. Nga lartë teposhtë! Si Sizifi? Po ky i nëmuri ja mbërriti së pari ta merrte vesh se ç’ishte si njëra dhe tjetra faqe te lumturia. Sido ta sheqerosin testamentin e Kamysë - “duhet ta imagjinojmë të lumtur Sizifin ” kartat e velura nga shkërimtaria.

Gide, të cilin shkrimtarët e pasluftës e quanin mjeshtër dhe ekzistencializmi i detyrohet jo pak, e ndjeu se mitin e Sizifit do ia përdornin Kamysë me qëllime fitimi çarqet kritizere. Dhe kur qe tashmë plak, i moçmi Andre ia behu të thotë: “Sizifi do bënte mirë të binte rehat e të marrë frenat e situatës në dorë, duke i hipur sipër shkëmbit të tij” dhe t’i jepte fund kësaj afere. Ashtu si pat pikasur ndër të parët edhe kundërsulmin e kritikës mbi turrjen e letërsisë së Celinit drejt të vërtetës, nëmos vetë mësymjen e të vërtetës autentike në letërsi: “realiteti i përshkruar nga Celine është aluçinacioni që provokon vetë realiteti”

Gjenitë, gjithë e më shumë, po e dinin samirë që vetë nuk ishin shembulli për t’u ndjekur, por pse-ja për ta kërkuar. Jo më kot, qysh herët në muzg, Don Kishoti i shpjegon Sanços se të lashtët, Homeri e Virgjili, nuk i përshkruanin personazhet ashtu siç ishin, por si lypsej të ishin: shembull i virtytit për brezat. Po asokohe, shembulli bëhej vërtet virtyt dhe virtyti shembull i vërtetë.

Homerin e kanë nderur gjatë e gjerë nëpër enciklopedi. Nuk është, dhe s’ka përse, i racës së rebelëve. I përkiste dhe i mban anën fitimtarëve. Aq bukur i këndon luftës, në perla vargjesh të tëra. As kryegjeniu s’mundi ta hamendte se njerëzinë do ta mbyste e keqja, sa ta shndërronte edhe madhështinë e luftës në kuplara të të marrëve. Dhe se kauza belike bën të fshehet, sot e gjithë natën, pas shpatullave të tij të gjera.

Më tej, në do të lindë nevoja, kushedi, më t’i kthehen dhe atij vetë e ta quajnë luftëcytës.

Siç i shkrehen edhe kësaj iliade selineane. Kjo s’këndon epikën e burrërisë dhe besës homerike, por vajton kujën e shekullit të paburrërisë e pabesisë epike.

Nga Cervantes te Celine, zemërata e heronjve pa mirësjellje higjenike shoqëron procesionin e ligësisë njerëzore me sentencat kanonike dhe personazhet në pah ashtu si nuk duhet të ishin, por ja që ashtu janë...

Hë për hë, le ta ndërpresim me kaq, e të mbeten veç si copëra nga mozaiku i Rrenajës së Madhe. Anipse një vërrë në ujë, në ato ujëra të zeza të asaj të tëre që Celine e ka pagëzuar: “fantazi borgjezo-bizantine zbukuruar me keqdashje”.

Kuptimi kësaj të fundit, për ta nuhatur kollaj në rast nevoje si rasti ynë, do shprehur, nëmos bukur, hapur:

Duhet t’i përziejmë mirë e mirë, vazhdimisht, plehrat e kohrave me jashtëqitjet në vijim, dhe ju do shihni sa lehtë e me shpejtësinë e erës përhapet epidemia; për të ndjerë e vlerësuar kësisoj, efektin e hapeve kundër mërzisë e dizanterisë, teksa na i shpërndan gratis, përkujdesja dhe bamirësia.

Post scriptum Në se ndonjë shprehje histerike, rri padashje bukur, shpërhapur si vaji në lulelakrën akademike, autorësia i përket vetëm asaj: fantazisë epidemike.

E ky barrok kurrsesi s’mund të rreshtë këtu, e aq më pak prej meje, ku bën vaki të më zërë nata natën, udhës mb’udhë.

Ani mora rrugën...

Mbathim këpucë për këmbë të ndjeshme e ta ngasim shtegun pas hijes së gjeniut, ndryshe mbetëm pas dhe do përhumbemi nëpër qorrsokak.

Ku do vallë të mbërrijë e të na shpjerë i paudhi Celine, kësaj udhe mbi thëngjij të ndezur, me stacione vdekjeje drejt fundnatës?

Qysh në nisje dorëzon përgjegjësinë e tij për çka mbart udhërrëfimi pa shpallur pafajësinë e dëlirë (nuk i do aktet e kulluara), por fajësinë e përbotshme.

“Kështu zuri fill kjo punë. Të qe për mua, unë s’kisha thënë kurrgjë. Hiç. Ishte A... shoku im, që më bëri të flas {...} ngjau pas darkës. Ai diç do të më flasë. Unë e dëgjoj {...} ç’të rrimë jashtë {...} edhe unë tok me të brënda{...} ende këmbë njeriu në rrugë{ ...} pisku i vapës, as makina, gjë prej gjëje”.

Fjala – Koha – Njeriu! Trinia e Metaforës Selineane. Trikëndësh metafizik, në të cilin gjeniu ka ngjeshur simbole, për ta shpërthyer prej zanafillës drejt një vizioni apokaliptik. Triptik natësor zhytur në errësirën primordiale si tharmi i çdo materie dhe thelbi në pahun e territ zanafillor. Pjesët natësore të gjërave, vëren Ciorani, janë më thelbësore se ato të ditës. Celine e di ç’kërkon, e di që vetëm ai ka të drejtë, dhe na e thotë: nuk do më të vijojë të vdesë. “Ndoshta vëtëm këtë kërkojmë në jetë, asgjë tjetër veç dhimbjes për t’u bërë vetvetja para se të vdesim”.

Rrugëtimi i tij nuk mund të mbetej vetëm si rrëfim ku del në shesh dhe njihet e liga.

“Të vrisnin e të vriteshin dëshironin, me gjithfarë mjetesh, dhimbje të vjetra, mizerje të reja, urrejtje pa emër, për sa nuk kishin luftën mizore që përshpejton gjërat”.

Kjo do të ishte shumë pak. Po të ishte për kaq, Celine as nuk do të paralajmëronte që po i dorëzonte njerëzimit një nga dosjet madhore, ku i padituri është po ai të cilit i drejtohet për të shqyrtuar akuzën dhe për përmasat e së cilës ishte i vetëdijshëm paraprakisht.

Për ta kryer këtë mision, do kishte mjaftuar e vetme, retorika e stërgjatur e Volterit një shekull përpara: “A besoni ju që njerëzit janë vrarë e janë prerë gjithmonë me njëri-tjetrin siç bëjnë edhe sot, që kanë qënë kurdoherë gënjeshtarë, dinak, të pabesë, mosmirënjohës, kusarë, të dobët, të lëkundshëm, të poshtër, ziliqarë, grykës, pijanecë, kopracë, ambiciozë, gjakatarë, shpifës, të hurit e të litarit, hipokritë dhe budallenj?”

Për Celinin ‘udhëtimi është njohja e hiçasgjësë’. Kryhet si udhëtim imagjinar. Nuk është thjesht eksperienca e tij jetësore, por kërkimi kah një gërmëzimi tjetër, gjuhëzimit të përditshëm, modernitetit. Prandaj, e urta gjuha jonë, më e para skriptum, fjalës eksperiencë i thotë përvojë. Kështu na e kthjellon kuptimin se si përvojtje ajo s’mund të mëtohet nga jashtë në eskursion, si eksperiencë ekstra e zgjedhur nga udhëtari, por si përvojë–përvuajtje dhe pre e shtyrjes në udhën pa krye. Po ashtu, rrafshi kuptimor i udhëtarit të gjuhës shqipe, që prej baladave e gjer sot e kësaj dite, na e përcjell drejt e në lëkurë ndjesinë e lidhur me detyrimin për të marrë udhët nga e keqja apo me të shtyrë, e jo si voyage i dëshiruar apo soditës. Ekzistencializmit të Sartrit i është dashur ta shprehë: “Vetë na bëni të bëjmë atë ç’ka nuk do të donim, pastaj na detyroni të përgjigjemi për atë që bëjmë ”

Rrallë zhargoni dhe format idiomatike e mahisin brumin gjuhësor sa në letërsinë selineane, për t’i shpëtuar skematizimit të mendimit duke shfaqur non-sensin e gjithë çka ekziston, disfatën ekzistenciale. Shumë rrallë teknikat e shkrimit mund t’ia mbërrijnë të prodhojnë një aritmi të tillë të thekshme brenda ritmit tensionues, sa t’i japin narracionit kaq spazma trallisëse. Plazmimi stilistik unikal, siç i ka hije mjeshtrit të madh të stilit, vjen drejtpërdrejt me goditje akute, i çartikuluar por solid, me ngarkesa tepër të forta emocionale të ndjenjës së tragjikes dhe ndjesisë së groteskut, e me temporitëm që e ruan të njëjtin tonus përgjatë gjithë udhërrëfimit. Tejzgjahu i shkrimit punon mbi tre shtresa kuptimore, njëkohësisht. Në tre pista leximi shkrirë në njëra-tjetrën. 3 x 1. Thurur në një kompozim triptik.

Kështu shtresa e parë e endjes, më në pah, është veçse baza për të hedhur dy të tjerat.

Ndërsa e dyta do të qëndiset përmes një implikimi metaforik të parreshtur, duke ngarkuar me peshë simboli edhe aktet që rrjedhin prej veseve të shndërruara në natyrë njerëzore, pothuaj të pavetëdijshme, madje të paevitueshme, ndaj edhe të shoqëruara hap pas hapi me gromësima, teshtima, vjellje, përmjerje, e shkarkime fiziologjike gjithësojshe.

Në të tretën shtresë, edhe pse krejtësisht transhendentale, qesëndiset përqiellja e tokës dhe e ardhmja që gris të tashmen.

Askurrë, faqet e mureve prefabrikat që gatit betonierja e teorizmave nuk janë trandur e krisur, gërmuar e gërmëzuar, sa nga matrapiku i sintaksës së markës “Celine”.

Stili Celine! I përsosur, i papërsëritshëm! As nuk e kemi atë aftësi për ta përshkruar. Aq më tepër që për stilin e tij, me ç’dëgjohet, nuk është se mungojnë referatet. Kështu, pikërisht, fashitet thelbi i asaj çka shpall gjeniu, për t’i mëshuar gjatë, vetëm latimit të formës. Por krijimi përbind i Celinit nuk mund të fshihet duke u marrë vetëm se me ç’lloj stili është kryer akti i mbarrsjes së kësaj pjelle unikale. Sepse do të ishte sikur, me të kuptuar diç nga bota, të na varnin shpalljen funerale:

MOS VRISNI MENDJEN KU SHKON ME QEFININ NEN SQETULL I PAUDHI CELINE,

PO SHPEJTONI TE CUDITENI ME STILIN: SI KRIMBI I MENDAFSHIT

E KA ENDUR MENDAFSHIN E MORTJES PER QEFIN!!

Vallja apokaliptike e vdekjes (njeriut ndër vdekje) është aq vitale sa ndjehet si një organizëm i gjallë, në një natë pus ku ritmi aritmik i zemrës së sëmurë përndjek krejt leximin. “Kjo është jeta. Një bisht drite që fundoset ndaj nate. E brenda saj njerëzit që herë-herë dalin nga errësira e zënë të flasin, por nuk u duhet besuar. Pastaj i përpin sërish nata. Nata që përpin zërat, pastaj hiçi”.

Rruga e natës selineane do të ishte si një urë lidhëse midis modeleve të udhëtimit pikaresk në autorët e romanit klasik dhe atij të udhëtimit në errësirën e qenies, rrotull vetes e brenda saj, në letërsinë moderne. Një version për trion magjike të kësaj letërsie do ta shihnim të ndërtuar prej romaneve:

Në kërkim të kohës së humbur - Uliksi – Udhëtim në fund të natës.

Proust - Joyce - Celine.

I pari - me një udhëtim të vërtetë zbulimi, duke na e ngarë udhën jo drejt kërkimit të vendeve të reja, por... syve të rinj.

I dyti - duke stërholluar e shtrirë petat e mendimit në hapësirë e kohë si askush tjetër, përmes eposit të përditjes së Uliksit të tij, brenda një qyteti çfarëdo dhe një dite të vetme dosido.

Celine - me një mërgatë të pashpresë veçse për t’i ikur vendodhjes, duke u endur nga një natë në tjetrën, nëpër copëra errësire që edhe kur grisen e shqyhen, mbeten si zhele terri në skaj të Natës së Madhe.

Kur gjenitë e dhimbjes e ngrenë këtë gjer në kupë të qiellit dhe, sidoqë e tillë, e çpojnë me satirën e mprehtë që t’i dalë e keqja, ata afrohen mes tyre në luftë ndaj luftës, mizerjes, kolonializmit, heroizmit vëllavrajës si Kaini me Abelin.

A nuk e hedhin bashkë edhe Vallen e Vdekjes Varrezave, duke i vozitur tejendanë?

“Duhet t’i biesh qark vetë natës, aq kohë e këmbë duhen për t’i ardhur rrotull varrezës”. Me sa duket pëshpërima e të vdekurve u thotë atë çka ajo e të gjallëve gjithmonë e fsheh. Diç duan ende të mëtojnë gjenitë prej mortit të errët ndër varre:

Joyce e fundon rrëfimin “Të vdekurit” në një pllajë varresh, ku as bora nuk e zbardh dot terrin; Becketti sodit epitafet në varrezën e “Dashurisë së parë”; Stainbeck, në varrezat e “Lagjes Tortila”, ku banorët nën uturimat e sirenave humben në errësirë, secili më vete; Faulkner, me shpurrën që përcjell arkën e vdekjes për në banesën e fundit duke rrëfyer, secili në vetën e parë, njeriun “Ndërsa vdes”. Conradi përpara tyre, po me sirenat e kobshme të anijeve, i jepte fund novelës emblematike “Zemra e errësirës”. Celine e mbaron udhëtimin e terrtë nën fishkëllimën e rimorkjatorit që zvarris vdekjen. Për të na e sjellë në titullin e veprës që do pasojë “Vdekje me kredi” dhe duke e mbjellë sërish qysh në rreshtat e parë. E më pas, Camus apo Cioran, do t’i dorëzoheshin po ashtu errësirës së varrezve.

Meteorologjia metaforike e Celine

Nata - moti - fuqitë natyrore! Meteorologjia metaforike që Celine e përdor përsosur për të tensionuar vizionin e tij të universit, dhe për t’i theksuar pulsionet irracionale dhe bazike të njeriut. Edhe romani i sapopërmendur çelet nën një stuhi aq të fortë sa tregimtari Celine lutej ta shkulte e ta zhdukte edhe shtëpinë. A nuk e patën rënduar sinoptikën edhe baballarët e stilit modern? Melvili në gjuetinë e metaforës me dimensionet më të mëdha alegorike –balenës “Moby Dick” apo Conradi tek nis Marloun dhe heronjtë e vet për te “Zemra e errësirës”, nën retë që mbulojnë qiellin, në përballje me forcat okulte të natyrës që sikur duan të ndërpresin çdo projekt njerëzor e t’i dalin përkundër njeriut për të anulluar çdo sens drejt arritjes. A thua se njeriut nuk i mjafton vetja për një gjë të tillë!

Tejshkrimin e natës celiniane brënda natës së madhe, si raport i pjesës me të tërën, do ta shquajmë pikërisht përmes elementëve si errësira, moti i acartë, verbëria, varrezat, portjerët dhe postoblokët, trikëndëshat, shishet e verës, deri te ‘qirinjte e vegjël që rregëtijnë gjithë jetën në një univers të frikshëm’; soba e zjarrit që nuk ngroh, në kulm të çdo shtëpie rrethuar nga ata, vetëm prej të cilëve duhet patur frikë, njerëzit!

Ku është mirësjellja, mirënjohja!? “Nuk duhet kërkuar. Nuk janë. Sapo shfaqen ndëshkohen pamëshirshëm, egërsisht. Njerëzit hakmerren për shërbimin që u kryen!”.

Është për t’u çuditur që ky përcaktim, në pikun e epërm të së keqes, bëhet njësh me një kategorizim gati në formë ligjore të Proustit, që në të njëjtën gjuhë shprehet:

“Varfëria e largon egërsisht altruizmin dhe mirësjellja ndëshkohet pamëshirshëm”.

Shih! A nuk ngjajnë si dy pika uji?! Pikë e zezë! Ndoshta, kush e di, në një cak të tillë si prej fundi mesianik të historisë, letërsia nuk të gjegjet dot më, dhe hordhitë e imagjinatës gjeniale mbërrijnë e trazohen në të njëjtën pikë ku më s’mban, dhe nisin të fjalosin njësoj! E meqë fraza na shkau drejt humnerës, udhës së Celinit, le ta ndriçojmë me ca dritë nga e të ngjashmit të tij, Camus: “Veprat e disa shkrimtarëve formojnë një të tërë ku secilës i jep dritë e tëra dhe të gjitha shikojnë njëra-tjetrën”. Sidoqoftë, me durim edhe pak, në shkrimin tonë duhet t’i mbetemi në besë ashpërsisë së Celinit, që iluminizmin e tij ka zgjedhur të na e përçojë përmes errësirës, duke përshkruar pa dritë biseda epidemike: “fjalë që vuajnë nga sëmundje; epidemitë rreshtin kur mikrobet nuk i duan më toksinat. Është më e ndërlikuar dhe më e mundimshme se jashtëqitja përpjekja jonë mekanike e bisedës”.

Bota për Celinin është një Shtëpi-arkivol “që do të shëmbet vërtetë një ditë bashkë me arkitektin dhe zhurmat jashtë, si anije që shkon nga frika në frikë me pasagjerët nën plane më të trishtuara se vetë jeta”.

Shtëpitë: karkasa të mizeries, simbol i një inkursioni traumatik ndonëse të pashpresë mbi tërë ngrehinën e njeriut, që zbehen dhe i dorëzohen natës, sapo njerëzit e ditës janë turrur për t’i rimbushur ndaj nate, ashtu ‘të hutuar, bosh, të zgërlaqur, të kënaqur, si një autobus i zbrazur që sulet drejt parkut të tij’.

Njeriu, kafshët, sendet, brenda e jashtë mureve, vorbullojnë duke u zhvendosur dhe ndërfutur në lëkurën apo karkasën e njëri-tjetrit, për të na e përçuar empatikisht kuadrin universal të katastrofës.

Kafshët që nga mikrobet, larvat, kaviet, deri te macet, qentë dhe derri therror që linçohet nga turma, gjallojnë si viktima të qenieve njerëzore të cilat ‘adhurojnë tërbimin e vetes njqindmijëherë më të tërbuar se njëmijë qenër’.

S’ka shumë vend për sendet dhe gjërat në prozën e Celinit. Ai nuk i ngarkon me faj “Sendet pa vlerë sipër oxhakut që ndonjë hallë province do t’i ketë pasur të tepërt. Gjërat që mërziten duke u vërvitur nga njëra anë e fatit në tjetrën” përderisa ato janë krijime e sajesa të njeriut, me të njëjtin fat që kanë edhe “fëmijët që shkelen nga të rriturit poshtë tavolinave të festave”.

Kutërbimi i erës së keqe vjen me shumicë dhe na e bie më afër duhmën e mizerjes dhe dekompozimit. Celine nuk e përmend shpesh ushqimin, gastronominë. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Atij vetë, i duhet të ushqehet aq sa të vjellë vaktin e rradhës pa nxjerrë zorrët. Mjerimi i zi nuk ka nevojë për ngjyrime. E zeza i përfshin të gjitha ngjyrat. Siç duket ndryshimi midis urisë dhe mjerimit është se uria mbetet puroide, ndërsa mjerimi ka dhe neps. Në fakt në erën moderne ka, së tepërmi, neps. Ka evoluar dashja. Njeriut i lejohet të dëshirojë gjithçka, por ai vetë mbase për forcë zakoni, s’mund ta teprojë. Dhe mjaftohet thjesht duke dashur diçkanë e tjetrit. Saktësisht, lehtësisht, me elegancë dhe efikasitet: fiks atë që tjetri ka, duke përtypur e kërpitur si kafshatë në gojë. Vetëm vera nuk mungon, gjatë rrugës së Celinit, si qysh ahere. Se, që hareja të bëjë ujdi me tmerrin, duhet dehja. Vera është lëng me biografi njeriu. Sa më shumë ta mbash mbyllur në shishe, aq më shumë fisnikërohet. Të deh si dogma dhe të mbush me vartësinë e saj, aq të virtytshme dhe efikase për dialektikën e ligjërimit, bindjes e dëgjimit.

Celine e shkruan vulgaritetin e vulgut, që është veçse e zakonshmja, me një gjuhë të jashtëzakonshme dhe aspak vulgare. Kontrapunkte brilante ndër errësirë! Ndërkohë perversitetin, që nuk është e zakonshmja, na e përshkruan përmes zakoneve të jetës tërësisht të zakonshme. Perversitet i pazakontë që rrjedh prej zakoneve!

Kush si ai, e ka fotografuar mjerimin në një të tillë përfshirje, pellgje e rrëke të zeza dhe stomaqe e zorrë aq të thara, sa të çudit fakti se nga gjeneron gjithë ai bollëk jashtëqitjeje, ai zgjerim i potencialit vital njerëzor, qoftë në të pëgërë; duke ngritur në këtë mënyrë, si më pas Kundera, inversin e problemit më të spikatur metafizik: mungesën e jashtëqitjes te krijesat qiellore. Dhe duke e zhvendosur kështu sa më tutje njeriun-njeri, e aq më larg parajsën.

Cikli spiralor i mizerjes

Ai, Celine, mund ta përshkruajë atë tmerr lufte: koka pa trupa, trupa acefal; gjymtyrë më vete, vete pa gjymtyrë; anije me mish, mish për top. Dhe pastaj: pastaj të na e kallë datën akoma më tepër me ...paqen. Jo paqen në kohë paqeje, por paqja në kohë moslufte, mos-shkrehjeje, mizerjeje; Dhe mandej: ishim më mirë kur ishim më keq! Ngërç neurotik prej mosshkrehjes dhe duf i pashpërthyer. Si shekujt tanë të lojtur loja luftash me metaforën e epërme e bizarre të Kadaresë, “zgjatimin atavik të shtyllës kurrizore”.

Celine mund t’i degdisë e shakullisë personazhet e tij në kufijtë e qenies, ku dhe kur t’i teket e pasdokohe të na i rikthejë sërish, herë të ndryshuar papritur si një metamorfozë kafkiane, herë të vërtitur në një spirale që nuk është as cikli i jetës, as i vdekjes. Herë të lënë në fatin e tyre, dhe herë nën kurimin e integritetit biologjik që i bën ata natyrisht (më saktë, natyralisht) mbeturinë, tepricë, kotësi. Sa më shumë narkozë, anestezi, elekroshok, koma e letargji aq më pranë caqeve të ekzistencës dhe kritereve të vdekjes; aq më tepër personazhet i largohen njerëzores dhe i ngjajnë të kundërtës. Kthehen në gjallesa të cilat gjallojnë, vegjetojnë, shtazërojnë; marrin e japin me njëri-tjetrin e me veten në atë farë soji që një zot do ta merrte vesh se ç’është e ç’nuk është njerëzore!

Personazhet e tij nuk janë për të mbetur në mendje. E vetmja notë lirizmi vjen gjatë përkushtimit dhe ndaj vdekjes së Beberit (bebe), simbol i vdekjes së jetës qysh në moshën foshnjore. Shkrimtari i lë ata në mes të rrugës, si plagë të hapura, por nuk i lejon të vdesin. Robinsonin vetmitar e lë të verbohet e shpërngulet si Edipi prej Tebës. (krahasim tepër i konsumuar, por nisur nga idea se autori i referohet këtij modeli mitik). Paskëtaj ia rikthen sytë, por tashmë kjo nuk ndryshon gjë. Është ‘mushkria e gërryer pashërueshmërisht nga kujtimet e fatkeqësitë’ që nuk mund ta përballojë dihatjen e re, me lemza të vjetra.

Nusja, plaku dhe i biri vizatojnë gjeometrinë tokësore brenda trekëndëshit të madh kosmogonik, atë natë të vogël në një cep të natës së madhe. “Nusja Henruje i mbante dorën plakës dhe të birit ndërsa unë dorën e tyre dhe të Robinsonit gjithashtu. Ishim bashkë. Kjo është. Ja shpjegova menjëherë priftit këtë. Ai e kuptoi”.

Parapini, Baritoni, prifti Protist (tamam Proté) bëhen personazhe arketip, të ngulur si arkitrarë të ngrehinës kalbësirë, pseudo-moralit, çmendinës dhe eksperimenteve të gabimit, me rënimin e të cilave do të bjerë gjithë konstrukti. Sidoqoftë nuk i braktis Celini të mjerët e tij. “Do të ishte njësoj sikur të na shkonte në mendje se mund ta lëmë diku rrugës vuajtjen tonë ”.

Ai mund të endet nga Evropa në Afrikën e paanë e nëpër Amerikë me etjen për të kuptuar dhe pastaj të na e ngjeshë kuptimin e qashtër të botës veç në klaustrofobi, strukur brenda mureve me frymë, ku ‘familja thotë atë që mendon për psherëtimat e gromësimat’.

Me një skenë perversiteti familjar të pafre, Celine skicon modelin e tij të aliazhit të jetës me vdekjen, nëpërmjet seksit. “S’ka mënyrë më të mirë për t’u familjarizuar me idenë e vdekjes se sa ta lidhësh me ndonjë ide libertine” (G.Bataille citon de Sadein, Historia e syrit). Përmes shpërnguljes së dhunës te pasardhësi dhe kafshët shtëpiake, performancës frazeologjike banale, në kërkim të stimujve të jashtëm komplementarë për ekstazë, por brenda mureve të shtëpisë, si dhe përshkrimit të seksit si nevojë e thatë (usur venerorum), Celine i vë kapak vizionit të tij të mohimit njerëzor, duke siguruar edhe vijimësinë.

Rrihmë mami, më zhdëp por veç pusho!.

Hesht. Zhduke fjalën, kështu bëhesh jo-njerëzore, ca më shtazë! Sa më shumë shtazë aq më pak të shijon rrahja perverse mbi pasardhësin. “Asnjë kafshë nuk mund të jetë snobe” i ka thënë filozofi Kojeve nxënësit Bataille (Celnaja, njeriu, kafsha. G.Agamben).

Ndërsa fëmijës së gjorë ia thotë instikti i vetëmbrojtjes. Ja dhe shpëtimi. I vetmi shpëtim. Deri në rradhën e ardhëshme kur prindërit, këta arkondë të vegjël e nikoqirë të botës materiale të kthehen sërish nga shitjet, pasi të kenë ulur qepenin por jo dritën e reklamës që feks “Këpucë për këmbë të ndjeshme”; drejt orgjisë së rikuperimit të fuqisë së harxhuar, rigjenerimit efiçent e me cikël të mbyllur brenda resurseve të shtëpisë.

Po lutja e dëshpëruar – më zhdëp por veç pusho!- që fëmija i lyp perversitetit që e ka pjellë, mund të bëhej edhe fraza e përgjithëshme empatike e lexuesit të ndjeshëm, drejtuar narratorit që sheh dhe përshkruan gjëmat. Pra, mos e përdor gjer në këtë cak armën letale që prapë të lë gjallë, fjalën. Kurrgjë më shumë se fjala nuk e ka forcën e dyfishtë të mbjellë farën poetike të bukurisë e gjithaq të vjellë vjellën e shpifanisë.

Por Celine nuk rrëfen histori. Është historia që herë pëshpërit e herë thërret natën selineane ditë pas dite. Në këtë katrahurë, ai është syri që zë pusi për të shquar në shtigjet e errëta plot Satana e Lilith, ku dhe vetë humanizmi i tij shpesh bëhet pre e çarkut që vetë ka ngrehur. Ashtu siç e shtyn Matuzalemin drejt kurthit e Liga, në tregimin e Singerit, për ta marrë me vete për në qytetin e ndërtuar nga gjyshi Kain.

Celine nuk qahet. Ai veç dhimbet, s’është zë por këlthitje e pafund që nuk epet, nuk fiket.

A nuk duket se Nata ushqehet me zërat që sikur i kafshon e mbyt, i tret në copëra zhurmash dhe qit heshtjen, asgjënë?

Në kërkim të një imazhi piktorik të veprës së Celinit do të na duhej të binim para sysh artin e Francisco Goyas dhe korrin e Korbave në veprën fundore të Van Goghut, me krahët në një ngjyrë të zezë tmerri dhe jashtëqitjeje, siç e përcakton Antonin Artaud në esenë ulëritëse, Van Gogh, i vetëvrari i shoqërisë.

T’i dedikojmë një variant të thjeshtë skicimi vizual udhëtimit selinean.

Titulli: “cikli spiralor i mizerjes”.

Le të imagjinojmë për një çast një spirale të hollë e të mprehtë, të saponxjerrë nga farka në kudhër. Bazamentit të hekurt ku do të ngulet, ndoshta do t’i shkonte mbishkrimi i Kafkës: “Definitive është vetëm vuajtja”.

Edhe maja e mprehtë e spirales mund t’i lihej mprehtësisë së thekshme të grahmës kafkiane: “Ah, sikur të kisha mundësi të mbetesha gjallë pa qenë i shtrënguar të jetoj”.

Ndërsa për dredhjen spiralore do parapëlqenim një mbishkrim nga Migjeni ynë:

Përherë shoh qartë,
e ma qartë,
dhe vuej thellë,
e ma thellë...

E përfundon në shumës rrugëtimin e tij Celine; te pijetorja që dëshiron t’i tregojnë gjithçka për dramën. E kishte paralajmëruar:

“ Ka një çast ku njeriu është krejt vetëm, kur ka arritur në fund të gjithçkaje që mund t’i ndodhte, ky është fundi i botës. Vetë hidhërimi nuk të përgjigjet më, e atëhere duhet të kthehesh prapa mes njerëzve, nuk ka rëndësi se cilët”.

Me shumësin, por vetëm. Siç na çelet(e paçelur) edhe vepra pasardhëse “Vdekje me kredi”: “ Ja tek jemi sërish, ende të vetmuar. Ka një vazhdë, në tërë këtë mesele, një rëndësirë, një pikëllim...”

Udhëtimin imagjinar të natës e sos duke soditur, për një çast fillikat, nën këmbanat e zhaurimën e rimorkjatorit atypari, që thërret zvarrë gjithçka drejt heshtjes. Një roman i nisur si në jerm, në zhegun e rrugëve, dhe i sosur në nanurisjen e detit të paanë. Invertim i përsosur i shfaqur në fund të rrëfimit si për të na kthyer në zanafillë. Anullim dhe rijetim nga e para. Apo vijim deri në plotësinë e fundme të historisë, teksa i mënçuri kundron i qetë dhe i çmenduar epilogun. E përtej skajit të mbrapshtisë... pragun e një historie të re?

“Katastrofat kanë mënyrat e tyre për të rregulluar gjërat” pat lënë si ngushëllim shkrimtari i kombit të tij – Viktor Hygo. Mbase është i tillë vizioni i botës së Celinit: katastrofik, por jo fatal.

Rrëfimi Celinian, më tej se një vepër rrënqethëse, është një urragan që qeth nga rrënjët. Udhëtimi i tij mbetet një kuje e përbotshme që klith pikërisht – KU JE ? Si një pikë loti e shkarë nga shenja e pikësimit, për ta qarë pikëpyetjen më të shquar metafizike, shqarthin e pakapshëm me emrin – QUO VADIS ?!


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Copera kujtimesh per jeten e Mitrush Kutelit (01-11-2007)
Recensione të shkurtra për veprat: Nga vlerat e traditës dhe Kureshtje letrare (23-10-2007)
Jeton Kelmendi në rumanisht - një shpërthim autokton i shpirtit shqiptar (15-10-2007)
Historitë pa emra të njeriut "modern"! (14-10-2007)
Universi poetik te Ali Podrimja (13-10-2007)
Jorgo Bulo: Kriza e kritikës, është krizë e vlerave (12-10-2007)
Klara Kodra: Gjendja kritike e librit dhe kritika (12-10-2007)
Bukuria e vargut (08-10-2007)
Romantiku i harruar (05-10-2007)
Halil Haxhosaj FJALË E PLAGË (poezi) (03-10-2007)
Rizah Sheqiri në gjuhën rumune (25-09-2007)
Dimensioni semantik i dhembjes (23-09-2007)
Golgota e një populli martir në retrospektivë (16-09-2007)
Vepra me kritikë letrare me vlerë (14-09-2007)
Pas leximit të librit “Jeta e një kumarxhiu” të autorit Arben Subashi (03-09-2007)
Përse është poet modern Migjeni? (21-08-2007)
Figura e Kozmosit në veprën letrare (20-08-2007)
Mehmet Myftiu, autori i romanit për disidencën shqiptare (18-08-2007)
Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar (17-08-2007)
Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit (13-08-2007)
Shpetim Kelmendi në Oazet e paradites (09-08-2007)
“Home”, një roman krejt i veçantë (01-08-2007)
Shënime për romanin “Tri motra në një qytet”, të shkrimtarit Petrit Palushi (29-07-2007)
Botues librash apo seksere te rendomte (21-04-2006)
Si lindi “Lahuta e Malcis” (18-04-2006)
Libri është i shenjtë (17-04-2006)
Poezia e ndaluar e Agim Gjakovës (15-04-2006)
Shkrimtarë, çfarë profesioni keni? (13-04-2006)
Skender Sherifi, Poezia Kentaur (10-04-2006)
Faslli Haliti, Poezia Qe Nuk Vdes (02-04-2006)
Bota si libër (27-03-2006)
Ekrem Bardha: Larg dhe Pranë Shqipërisë (24-03-2006)
Flutura Acka: Kryqi i harreses (18-03-2006)
Alfred Papuciu: Nxenesja e etur e gjuhes romanshe (14-03-2006)
Tonin Cobani: Variacione me fjalen komb (24-02-2006)
Bedri Myftari: Zonja e Ambasadorit (01-02-2006)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Ndue Ukaj: Arti i të shkruarit
Ejup CERAJA: HAJKU TË MBËSHTJELLA ME TIS METAFORIK
Daut Demaku: Për librin e jetës dhe iniciativën e mrekullueshme
Nijazi Ramadani: Vështrim për veprat letrare poetike me poezi lirike të Lumnije Thaçit-Halilit
Nijazi Ramadani: Mbi romanin “Dashuri pa kufij”, prozë e art-jetëshkrimit e Shqipe Kadishanit
Thani Naqo