Nga Gëzim Tushi
Raporti i njeriut me librin nuk mund të jetë “çështje periferike” e interesave socio-kulturore për individin dhe shoqërinë. Gjithnjë ky problem ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga treguesit sintetikë dhe esencialë që dëshmon “cilësinë e qytetërimit” të një vendi apo populli. Sidomos në shoqërinë moderne, në të cilën janë të pranishme zhvillime e raporte paradoksale me librin, përsëri ai është një nga mjetet e pazëvendësueshme të “informacionit masiv”, të imperativit të “kulturimit intensiv” të njeriut, për të qenë adekuat me kërkesat dhe sfidat e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Por në ditët tona kjo çështje është bërë një nga gjërat më të diskutueshme. Ndoshta nga që pas disa ditësh do të hapet në Tiranë Panairi Kombëtar i Librit, nuk do të ishte pa vlerë që të diskutojmë për çështjen e “marrëdhënieve të tij me qytetarin”, me lexuesin dhe botuesin.
Në të vërtetë, asnjëherë raporti i njeriut me librin nuk ka qenë konstant. Në periudha të ndryshme të shoqërisë, por dhe të jetës personale të njeriut, roli i librit dhe marrëdhëniet e tij me njeriun kanë qenë të ndryshme. Ka patur periudha historike që e kanë ngritur librin në “kult”, duke e konsideruar si të vetmin mjet të kulturimit. Kjo epokë në të cilën është mbivlerësuar libri, ka qenë e lidhur me filozofinë e iluminizmit që e konsideronte kulturën si “çelës të artë” për të zgjidhur problemet e njerëzimit. Ky “kult” i librit në këtë epokë ka qenë i lidhur me vlerësimin e jashtëzakonshëm të tij, sepse ai ka qenë i vetmi “mjet universal” për shkollimin dhe kulturimin e brezave. Shoqëria në të vërtetë në çdo kohë ka treguar respekt dhe ka krijuar një “kult” social dhe kulturor të veçantë, i cili edhe pse natyrisht më i zbehur, ndihet ende edhe në ditët tona. Por tashmë në shoqërinë moderne, duket se për shkaqe të caktuara sociale, të zhvillimit dhe ndryshimit të “sistemit të komunikimit”, shkencor dhe artistik, për shkak të mënyrave të tjera “ekstra libreske” të përvetësimit dhe transmetimit të njohurive, vendi i librit në shoqëri, ka tendencë të spostohet nga pozita e privilegjuar që ka patur dikur, si tregues për njeriun e ditur, të kulturuar, të edukuar, bashkëkohor. Futja e teknologjive të reja, sidomos e teknikave dixhitale të transmetimit të “njohurive të kompaktësuara” shkencore dhe kulturore, sidomos shtimi i mjeteve alternative kulturore si televizioni, kompjuteri, interneti, etj, duket sikur e kanë “zbritur nga piedestali” librin, nga pozicioni në të cilin ai për një kohë shumë të gjatë ka “qëndruar i vetëm”.
Tani në kohën e qytetërimit modern ka një shqetësim të gjerë social dhe kulturor, për shkak të “dukurisë universale” të braktisjes së kulturës dhe të librit, nga qytetërimi. Padyshim edhe në Shqipëri, kohët e fundit ka një prirje të njeriut për t’ju larguar librit, duke e plotësuar boshllëkun e tij me plotësim të kërkesave materiale. Sociologët e konsiderojnë këtë të vërtetë si transformim të shoqërisë sipas modelit të “qytetërimit të kënaqësive materiale”, i dhënies tërësisht të njeriut pas kotësive, dehjes me reklama, komfort e konsumizëm si qëllim në vetvete. Zgjerimi i hapësirës së “shoqërisë së kënaqësive”, të “qytetërimit të konsumacionit”, kanë “ngushtuar” hapësirën për librin. Madje, tashmë ka filluar të cenohet monopoli i dikurshëm i librit si “mjet argëtues”, duke e zëvendësuar atë me konsumin pasiv, të detyruar, parazitar, të paqëllimtë të emisioneve televizive, duke shëtitur, duke bërë vakanca në zonat turistike, etj, etj. Kalimi i kohës së lirë “pa vrarë mendjen” është një nga tendencat e vanitetit social që ka filluar të shfaqet dukshëm edhe në shoqërinë tonë.
Në të vërtetë, ky realitet i trishtuar i marrëdhënieve të njeriut me librin është bërë objekt i rëndësishëm për diskutimet sociale dhe shkencat shoqërore. Madje, po synohet që në këtë ballafaqim të “dy tendencave”, dukshëm kontradiktore, të dhënies së njeriut pas “konsumizmit material”, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, largimi i tij gjithnjë e më shpejt nga libri si mjet kulture, sociologët po përpiqen të sjellin argumente për një “relacion social” të ri, jokontradiktor, midis njeriut dhe librit. Ata po flasin për një harmonizim më të mirë të “politikës së konsumacionit material” me “politikat e komunikimit kulturor”, në të cilën libri mbetet një nga mjetet kryesore. Një tjetër argument që sjellin ata që nuk e duan ose që duan “të sulmojnë” librin, është se shoqëria moderne tashmë ka hyrë në fazën e “qytetërimit teknik”, në botën e teknikës. Sociologët thonë se ky zhvillim i papërmbajtur i “qytetërimit teknik’, urban, trazues, ka sjellë një tejkalim të “kultit” të dikurshëm të librit. Në fakt, ka shumë kohë që këtë “diskriminim” të librit e konsiderojnë “goditje kulturore”.
Tashmë edhe në vendin tonë kanë ndryshuar marrëdhëniet e shoqërisë dhe të njeriut si individ me librin në përgjithësi. Qoftë me librin shkencor, politik, artistik dhe enciklopedik. Ai ka filluar të përdoret gjithnjë e më pak nga lexuesi masiv. Në fakt, duhet pranuar që për shkaqe të caktuara historike, të nivelit të jetesës, libri në shoqërinë tonë nuk ka qenë “i privilegjuar” në ato përmasa që ka qenë për disa popuj të tjerë të perëndimit, tek të cilët ka qenë ndërtuar që herët, një shoqëri që përgjithësisht ka qenë “elitare” pikërisht nga që ka patur marrëëdhënie të ngushta me librin. Shoqërinë tonë të së kaluarës e kishte kapur “sëmundja totalitare” e ndalimit të librit, duke e konsideruar atë si mjet që degjeneron. Nën teorinë diabolike të kufizimit të “luksit emocional”, atëherë ishte e pamundur për lexuesin shqiptar të etur për dituri të vërteta dhe jo për pallavrat e “besimit të ri”, siç ka thënë i mençuri Cesllav Millosh, të kishte në dorë libra filozofikë, manuale politike e sociologjike, romane psikoanalitike, vepra me ndërlikime psikodashurore, të cilat “ishin sheshit” në perëndim. Por tani kemi pa kufizim pothuaj çdo gjë. Atëherë “kishim uri”, por nuk kishim “ushqim”; ndërsa tani kemi “ëmbëlsira” (vepra letrare, filozofike e historike të shkëlqyera), por me sa duket nuk kemi “uri intelektuale”, ose kemi iluzionin se “jemi të ngopur”. Kjo është një nga arsyet pse ka tendencë që të bjerë akoma më poshtë “kulti” i librit në shoqërinë tonë. Ndërkaq, edhe tradita e lidhjes sonë me librin nuk ka qenë aq e pasur dhe intensive. Nuk jemi mësuar të kemi patur “librin në dorë” kudo, ashtu siç disa popuj evropianë e kanë të pandarë në radhë për shërbime, në metro, në avion, në kafe. Nuk është e vështirë ta kuptosh këtë realitet kur je në perëndim, dhe kur çdo njeri patjetër do të ketë një libër në dorë, në çantë.
Sigurisht, kjo “kontradiktë” ka dhe shkaqe të tjera që e largojnë librin nga lexuesi. Së pari, është epidemia e mentalitetit të kulturës së sipërfaqshme të mentalitetit përtac që justifikon këtë realitet me mungesën e kohës, duke propaganduar si epërsi të padiskutueshme dhe si rrugë të vetme “rrugën elektronike”. Pa e mohuar këtë epërsi të “kulturimit elektronik”, që tashmë është përhapur gjerësisht edhe në shoqërinë tonë, nuk mund kjo të përdoret si shkak për “përplasjen”, midis “kultit të librit” dhe autoritetit të “alternativës elektronike”. Në këtë ballafaqim të deformuar të potencës së librit të shkruar dhe informacionit elektronik ka trajtime të deformuara të realitetit, duke idolatrizuar zgjidhjen elektronike si “zgjidhje moderne” në raport me “kultin e librit”, i cili për një kategori njerëzish tashmë konsiderohet “mënyrë e tejkaluar”.
Pa dyshim edhe faktori ekonomik që lidhet me çmimin dhe tregun e librit ka ndikimin e vet në këtë realitet. Në periudha të tilla të reformimit social-ekonomik të shoqërisë, kur çështjet ekonomike dalin në plan të parë, gjithnjë ato që e pësojnë janë kultura, leximi, libri. Kur merkantilizmi bëhet filozofi sunduese e jetës, kur të gjithë jemi dhënë pas mirëqenies, fitimit, luksit apo përballimit të varfërisë, të duket si ironi qesharake të të bësh propagandë për të ngritur në piedestalin e merituar “kultin e librit”. Nuk është pa influencë, madje është i dukshëm ndikimi paradoksal i ekonomisë së tregut në “autoritetin e librit”. Në shumë raste, largimin e qytetarit nga libri e ka bërë rritja jashtëzakonisht e madhe e çmimit të tij. Blerja e librit tashmë ka marrë trajtën, jo të një sendi të përdorimit masiv, por të një “mjeti luksi”, të cilin jo gjithnjë e ndesh në shtëpitë e të gjithëve. Më thonë librashitësit me të cilët kam kontakte se shtresa e mesme është blerëse e librit artistik, politik dhe enciklopedik. Ndërkohë gjithnjë e më pak i afrohen “tregut të librit”, njerëzit e pasur, të pasurit e rinj, të cilët kanë para, por “nuk kanë kohë” apo dëshirë që të kenë lidhje me librin. Me sa duket këto lidhje janë shkëputur, që kur kanë filluar të pasurohen.