Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E premte, 22-08-2008, 03:33am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Kritika - Analiza
 
Nga Prend Buzhala - Poetika e kontemplacionit
E hene, 19-11-2007, 07:41pm (GMT)

(Romani “Valë mbi i valë “ i Anton Harapit)

Dy veprat kryesore të Anton Harapit, romanet “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”, janë botuar mbas vdekjes së autorit. Kushtimisht, botimi i tyre i parë ishte bërë në vazhdime në revistën aq të njohur “Hylli i Dritës”. Këto dy vepra, deri në përmbysjet e diktaturave, patën të njëjtin fat të mosbotimit e të ndalimit të leximit të tyre në Atdhe e në Kosovë.

Konteksti historiko-letrar dhe konteksti shoqëror

Prend Buzhala
Të dy romanet, të botuar atëbotë në vazhdime, ishin një hinc et nunc, një dialog me kohën aktuale e me lëvizjet shoqërore, politike, diturore e letrare të viteve `20 e `30 të shekullit XX. Si vepra postume, zënë vendin e tyre në Letërsinë Moderne Shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, kur qenë shfaqur e qenë stabilizuar shumësia e procedimeve estetike, kur bënin jetën e tyre letrare drejtime e tendenca artistike, struktura dhe tipa ligjërimorë-stilistikë, si veçori të modernes.

I njohur si njëri ndër françeskanët më të devotshëm shqiptarë, si drejtor i kolegjit françeskan, si njëri ndër drejtuesit e revistës “Hylli i Dritës”, Atë Anton Harapi (5 janar 1888 - 14 shkurt 1946), do të dallohet edhe si shkrimtar e publicist, si dijetar dhe edukator, si teolog dhe filozof, si politikan dhe atdhetar; do të shquhet si predikatar në fushën e oratorisë klasike kishtare, ashtu sikundër do të shkëlqejë me ligjëratat filozofiko-shkencore e në fushën e fjalimeve politiko-programatike. Fjalën e Shkruar ai nuk do ta lërë të vetmuar; asaj ia lë në shoqëri edhe motrën tjetër, Fjalën e Gjallë.

Nga ana tjetër, veprat e Anton Harapit nuk mund të qëndrojnë jashtë yllësisë kulturore-letrare të kohës e jashtë logos-it të këtij realiteti. Prandaj, ai do të inkuadrohet, me veprën e tij e me veprimtarinë e tij, në krahun e konceptit kulturor-social-politik të françeskanizmit shqiptar “Fe e Atdhe”, kur në spektrin e ideologemave të shfaqura, sikundër e vërejnë studiuesit letrarë të kësaj periudhe, artikuloheshin kërkesat për një poetikë të angazhuar sociale (revista “Bota e re” me përfaqësuesit e saj Migjeni, Nonda Bulka, Shuteriqi, Musaraj, etj); apo kërkesat për krijimin e një shqiptarizme joletrare-romantike, por radikal-demokratike, pra të një “neoshqiptarizme” me orientim oksidental dhe duke e marrë kulturën si çelës të ndryshimeve (Branko Merxhani, Vangjel Koça, Nebil Çika, Jorgji Meksi e revista “Përpjekja shqiptare”); apo kërkesat për një “diktaturë të ndritur” e për një apologji ndaj rendit ekzistues. Shkrimtarët e këtyre viteve e pasuruan letërsinë shqipe me përmbajtje e vepra të reja, me përvoja specifike të meseve prej nga dolën e u formuan, me mënyrën e të menduarit, po edhe të veprimit, dhe, sidomos, me modelet gjuhësore-stilistike. Këtë kuadër të gjerë të ideve të reja, e përplotësonin letërsia, publicistika dhe veprimtaria e Gjergj Fishtës dhe Nolit, e Konicës dhe Lasgush Poradecit, e Mid’hat Frashërit dhe Ernest Koliqit, e Etëhem Haxhiademit dhe Sterjo Spasses, e Gaspër Palit dhe Petro Markos. Vepra letrare në prozë e Konicës, e M. Kutelit, e Migjenit, e Sterjo Spasses, e Ernest Koliqit, e Zef Harapit, e Nonda Bulkës, e Lumo Skëndos, e Haki Stërmillit, e Luigj Thaçit, e Andon Frashërit, e Petro Markos, e Andrea Varfit, e Lazër Shantos, e Foqion Postolit, e Mustafa Greblleshit etj, përbën polimorfizmin e prozës shqipe të gjysmës së parë të këtij shekulli.

I veçantë, me zërin e tij të individualitetit krijues, në këtë plejadë shkrimtarësh, bën pjesë edhe Anton Harapi, veprat e të cilit, sikundër edhe ato të autorëve të larttheksuar, do të brendatrupëzojnë veçori të realizmit social, të sentimentalizmit, po edhe të ekspresionizmit, të neoklasicizmit e të simbolizmit. Por Anton Harapi do të bëjë hir me emrin e tij në kuadrin e konceptit të larttheksuar të ideologemës françeskane “Fe e Atdhe”, që i hiqte rrënjët e tij nga thellësia e shekujve e jo nga ato vite; koncept që paraqitej gjithnjë me fytyrë të re e të përtëritur. Prandaj, pranë emrave të Atë Gjergj Fishtës, Atë Shtjefën Gjeçovit, Atë Bernardin Palajt, Atë Vinçenc Prennushit, Atë Anton Xanonit, Atë Marin Sirdanit, do të bëjë hir edhe ai i Atë Anton Harapit, aty ku do të bëjnë po atë hir edhe veprat e Leonard de Martinit, dom Ndue Bytyçit, Mjedjes, Nikajt etj; do ta vazhdojnë po atë traditë të lashtë që nga kohët e Shën Hieronimit, Barletit, Bardhit, Frangut, Buzukut, Budit, Bogdanit, Kazazit etj. Tradita françeskane në Shqipëri vjen që nga viti i largët 1240, siç thotë Marin Sirdani, “me perhapë gjithkahë qytetnim e besim”, duke u martirizuar nga “shpata mizore e armikut” shekullor turk; françeskanët “qindruen rojë e strukun, prej Nordit t’Shqypnis, edhe kurë për ket vend Europa nuk diftojte mâ kurrnji interesë, e kurë pushtimi turk bâjte çëmos per me zhgatrrue çëdo shêj krishtênimi” (Thallòczy); po këta françeskanë “vijuen nji luftë të pareshtun per ‘fé e atdhé’ qi zgjati nder shekuj” (Sirdani). Janë po këta emra që themeluan kulturën nacionale, gjuhën, letërsinë, arsimin etj.

Kurse gjatë viteve ’30 të shekullit XX, kur u shkrua vepra “Valë mbi valë”, ishte ai horizont i receptimit letrar, kur polemikat po ngriheshin në rrafshin e konflikteve ideore e politike, kurse depresionet e krizat evropiane po reflektoheshin edhe në shoqërinë shqiptare. Prandaj, gjendjet e situatat e ngjashme shoqërore, sikurse është thënë shpesh, nxisin tendenca të ngjashme të reagimeve e të ndjeshmërive në shumë fusha të jetës e të krijimtarisë: me utopitë shoqërore e politike; me ideologemat letrare e kulturore. Edhe këtu do të njihet filozofia e Kjerkegorit mbi subjektivizmin si të vetmen të vërtetë e të vetmen filozofi, që ndikoi shumë tek ekspresionistët. Do të lexohet e do të përvetësohet filozofia e Niçes për njeriun plot gjallëri e vullnet, i cili është një titan (mbinjeri). Jehu i filozofisë së Huserlit prek edhe letërsinë tonë, me pikëpamjet e tij mbi esencën e fenomeneve. Me idetë e tyre këndej kanë depërtuar edhe Bergson, Adler, Frojd, Shopenhauer.

Kjo bashkëjetesë idesh filozofike, stilesh e trajtash letrare, do të ushtrojë ndikim edhe në veprat e Anton Harapit, të cilat do ta përjetojnë fatin e mosbotimit e të anatemimit; ato do ta kenë fatin e autorit të tyre. Vepra e Anton Harapit mënjanohet nga horizonti i receptimit në gjysmëshekullin e dytë, kur do të lejohen për t`u botuar, lexuar e studiuar vetëm shkrimet e krijimet e letërsisë sociale të viteve `30. Autorët socialë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të kalojnë, nga pozitat e radikalizmit ekstrem majtist, në ato të fushatave ideologjike; duke iu bashkangjitur mbas mbarimit të kësaj lufte regjimit në fuqi, që po “e realizonte” socializmin; do të quhen shkrimtarë përparimtarë, ndërkohë që praktikat tjera estetike-letrare u anatemuan e u ndaluan; autorët tjerë u quajtën reaksionarë, konservativë, properëndimorë, tradhtarë, fashistë, spiunë, foklorizantë, e deri edhe antisllavë e nacionalistë. Vendin e muzave dhe të gjykatores së vlerësimeve estetike e zunë gjykatoret ideologjike, kamxhiku dhe shpata politike.

Mirëpo, në vitet `90 vepra e Anton Harapit të pushkatuar rikthehet në horizontin e rikonstruktuar e të rindërtuar të pritjes. Veprat e tij, të botuara në diasporë e tani edhe në Atdhe, i kthehen Letërsisë Shqipe dhe lexuesit shqiptar për t`u lexuar lirshëm, po edhe për t`u interpretuar e studiuar.

Romani “Andrra e Prêtashit” (shënimet autori i ka mbajtur gjatë vitit 1918, kur shërbente në Malësi), është konsideruar jo vetëm kryevepër e këtij autori, po ndër “veprat e pakundshoqe” në letërsinë shqipe (Aurel Plasari). Ajo nis me “ândrrën” e njërit prej personazheve, Pretash Cukës, që i sheh dy orë të malit tek kacafyten mbi kishën e Cukalit, dhe, fatkeqësisht, kjo “ândërr” realizohet: njëra orë e përmbys tjetrën. Kështu, mbasi gjendet i vrarë Prelë Luca i Triepshit, përtërihen gjaqe, gjaku “i zë” lagjet e katundet e Malësisë. Narratori i veprës, frati, merr rolin e zhdrivillimit të këtyre krimeve, për të arritur, në fund, t’i pajtojë gjaqet. Pos paqes së kërkuar për këta banorë (lexo: edhe për të gjitha trojet shqiptare), autori e kërkon edhe bashkimin e trojeve të copëtuara të Atdheut: mbasi po vepronte e punonte menjëherë mbas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur u copëtuan trojet shqiptare. Në këtë kontekst, zë vend edhe lëvizja e malësorëve nëpërmes një memorandumi e demonstrate para të huajve në Shkodër. Semiologjia e kësaj ândrre shtrihet edhe më tutje: tash, në fund të veprës, personazhi i Maxha Grishit (personifikim i malësorit të urtë e hokatar), sheh ândërr te kisha e Arrës në Hot: “Kur qe, prej atij zjarrmi po del nji diell e flakëron nji kryq, e mbi te, me shkrola të mëdha sa m’u këndue prej kahmos, ishin shkrue këto fjalë: Rrnoftë Shqipnija!” narratori i veprës bën një autokomentim: pastë kush e realizoftë ândrrën e bashkimit shqiptar! Së këndejmi semiologjia e ândrrës (si vëren kritiku Bardhyl Matraxhiu), merr konotacione të shumta. Po shtojmë: a nuk janë, këto, arketipe e tipe të jetës shqiptare të gverreve të brendshme, vëllavrasëse, në jetën politike deri në ditët e sotme? Dhe a nuk e pagoi me jetën e tij këtë edhe Harapi?

Poetika e tillë e kundrimeve të brendshme, përdoret edhe në veprat tjera, edukative, kulturologjike, publicistike, sociologjike, politike apo filozofike, të këtij autori. Mjafton të përmendet vepra “Vlerë shpirtërore” (1936), që shkruhet “në çastet më delikate” të Shqipërisë. Lexuesi shqiptar tashmë i ka në dorë këto vepra, ndër të cilat edhe “Njisimi kombëtar dhe Ideali Kombëtar” (1997, Gjakovë), “Kulla e Babelit” (Tiranë 1999), “Shqyptari dhe bota e tij” (Prishtinë 2003), “Vlerë shpirtërore” (Prishtinë 2003) etj. Vlera antologjike e testamentore kanë artikujt e tij “Ta bajmë monumentin kombtar: bashkimin e shqiptarvet”, “A jemi shqiptar apor do të bahemi?”, “Njisia kombtare dhe edukata e popullit”, “Prej kah do të nisemi e ku do të kapemi?”, “Rrfana e jetës shqiptare”, “Rrymët e jetës shyptare”, “Çka na dan – çka na bashkon?”, “Nuk jemi si thonë” etj. Në të gjitha shkrimet e karakterit të tillë shumësor, ai veçon vlerat njerëzore e kombëtare, po edhe mangësitë a veset tona kombëtare. Kudo shquhet intelektualiteti i guximshëm, aristokratik, zëri i thellë i mendimtarit, analistit e dijetarit të rrallë, tek iu jep udhë problemeve më të ndërlikuara të kohës, aq aktuale edhe për sot! Gjithnjë ai e kërkonte Res Publica-n e tij ideale, idealogjinë shqiptare, njësinë e kombit, qytetërimin e harmoninë kombëtare.

Vepra “Valë mbi valë” e Anton Harapit, së pari është botuar në vazhdime, në rubrikën me të njëjtin titull, të revistës “Hylli Dritës”, diku kah viti 1935. Ndërsa biografi pasionant i Harapit, Atë Daniel Gjeçaj, na thotë se “vetëm vjetin 1939 nën rubrikën ‘Valë mbi valë’ nisi rishtas të flasë mbi banorët e Cemit”. Ndërkaq, si vepër postume, u botua në diasporë, në Romë (e jo në Atdhe!), më 1995. Edhe ky libër, ta quajmë kushtimisht roman, pati të njëjtin fat, si “Andrra e Pretashit”.

“Ngjarja”, për të cilën bëhet fjalë në “Valë mbi valë”, është një e dhënë autobiografike: më 1918 Atë Antoni u caktua si famullitar në Grudë. Për në famulli niset nëpër liqe të Shkodrës me një lundër që e ngajnë dy peshkatarë; e kalojnë natën në breg të liqenit; të nesërmen arrijnë në Tuz, takohen me oficerë austriakë dhe Atë Antoni arrin në Grudë. Çka na flasin këto pak të dhëna për veprën? Pse kësaj vepreje, që në fillim, po ia njohim veçorinë letrare dhe përse po e quajmë roman?

Ky shkrim letrar, i botuar atbotë në vazhdime, sikundër e përmendëm më parë, ishte një dialog me kohën aktuale të autorit, një dialog, pra, edhe me lëvizjet shoqërore, politike, diturore e letrare të viteve `20 e `30. Mirëpo, kjo vepër, e botuar, mbas shumë dekadash, më 1995, tek iu rikthye letërsisë sonë, rrezaton përmasa të reja të traditës letrare, të modeleve të komunikimit artistik si identitet të qenies artistike, njerëzore e kombëtare. Zëri i shqiptimit të vetvetes dje, bëhet dialog me kohët sot.

Semantika e zhanrit dhe amëza letrare

Të gjithë studiuesit e letërsisë do të pajtohen se zhanri letrar është veçori e literaritetit; do të thotë se ai, si i tillë, nuk mund të vendoset në fusha të tjera: të shkencës, të dijes apo të filozofisë, sikundër pohon studiuesi polak, M.Glovinjski. Prandaj, si ta quajmë, këtë vepër postume, të cilën as autori e as tre autorët e parathënieve të librit, Tringë Dukagjini, Pal Dukagjini dhe Adrian Marku, nuk e përcaktojnë zhanrin e saj?

Në radhë të parë, leximi i kësaj vepreje shkakton kënaqësi estetike e shpirtërore: ngarkesat emocionale, modeli letrar i komunikimit, njësia e fabulës, e syzheut dhe e kompozicionit, prania e narratorit që i bashkon të gjitha fijet e veprës, teksti i endëzuar në veten e parë, struktura, tematika etj, bëjnë që atë ta lexojmë si një roman të mirëfilltë. Ç`është e vërteta, zhanri letrar, nga studiues të ndryshëm të letërsisë vështrohet në kuadrin e traditës, si prodhim i kulturës përkatëse, po edhe si dokument i vetëdijes shoqërore. Kështu, në këtë rast, duke pasur parasysh formimin klasik, filozofik e teologjik të Anton Harapit, edhe kjo vepër do ta ngërthejë paradigmën zhanrore filozofike, teologjike e letrare: ajo rrëfehet në veten e parë, posi veprat e Shën Augustinit “Soliloquia” (“Bisedat me vetveten”) dhe “Confessiones” (“Rrëfimet”); shfrytëzon trajtën dialogjike posi Platoni në veprat e tij dhe e përdor trajtën narrative posi Didëroi në novelat e tij filozofike; shfrytëzon trajtën filobiblike të shkrimit, posi autorët e krishterë. E, mbi të gjitha, të duket se ky autor ka dashur të japë një episod të jetës së tij, një shënim jetësor, një vetërrëfim autobiografik. Mirëpo, vepra “Valë mbi vale” del një vepër arti, një vepër letrare.

Për ta dëshmuar këtë shumësi leximesh konvergjente e, pse jo, edhe divergjente apo kontekstuale, po ia japim fjalën Tringë Dukagjinit, e cila thotë: “Elementet e subjektit janë të organizuem simbas kësaj skeme: drama e pafund e jetës, shqiptare e njerëzore, na çfaqet në pesë skena: Skena I – Nisja për në famulli; Skena II – Udhëtimi nëpër liqênin e Shkodrës; Skena III- Natë në bregun e liqênit; Skena IV – Mbërrijtja; Tuzi; Skena V – Me oficerat austriakë; Famullia”.

Në dukje, kjo fabul është e rrudhur, posi në romanet e letërsisë moderne; ngjarja zhvillohet pa konflikte, e qetë. Në vepër shkrimtari ligjëron në mënyrë të drejtpërdrejtë, në veten e parë. Ai dëshiron t`i rrëfejë ndjesitë, përshtypjet, kundrimet dhe observimet e tij. Autori sikur dëshiron ta përfillë thënien e Boris Ejhenbaumit, se “shkrimtari shpesh e përfytyron veten si narrator (rrëfimtar) dhe në mënyra të ndryshme përpiqet që fjalës së tij të shkruar t`ia japë iluzionin e rrëfimit”. Rrëfimi në veten e parë krijon mundësi për të depërtuar në botën e brendshme të personazhit, por edhe për të akumuluar, sjellur dhe ndriçuar kujtimet. Fabula këtu është vetëm një kornizë, apo një amzë e prirjeve për meditime e përsiatje; tutje është një amzë e kuptimit të ekzistencës e të esencave jetësore; së andejmi shfaqet si patinë, në të cilën autori e ndërton strukturën kompozicionale të veprës në dy plane: në planin e vështrimit të jashtësisë (të ambienteve, të pamjeve, të imazheve jetësore), si dhe në planin e kundrimit të brendësisë, apo të “kundrimeve shpirtërore”, sikundër ligjëron e thotë shkrimtari-narrator. Kjo shtresë e mbrendshme, refleksive, e veprës, në planin e paradigmës fabulare, të duket e thjeshtë, por si strukturë letrare-artistike është shumështresore, e shumëfishtë dhe shumëdrejtimëshe. Prandaj, veprën mund ta lexojmë si prozë shumësore. Nga tërë ajo shumësi estetike-semantike, tregimtari e veçon Unë-in e tij, posi në romanin modern. Në këtë rrjetë të përsiatjeve e të “kundrimeve shpirtërore”, sikur do ta gjejnë manifestimin e vet shprehjor: ajo thënia e lashtë e Parmenidit “Një flet për të gjitha”; apo formula heraklitiane “një nga e tëra dhe e tëra nga njëja”; apo ajo e Brunos: “E tëra është Një”. Është njajo Qenia Gjithëpërfshirëse që e kanë gjakuar të gjitha religjionet botërore: qenësi që gjendet tek çdo ekzistencë. “Ligji”, “Prania”, “Thelbi”. Caku drejt Idealit, pra, drejt kërkimit të Fuqisë së Pafundme, pafundësisë. Vështrimi i një gjëje më të lartë. Njeriu spiritual. Do të thoshim: Adami i Prishur, Adami Mëkatar, do të gjendet gjithnjë e gjithnjë në kërkim të Adamit të Përsosur; Njeriu do të kërkojë e do të kërkojë të rikthehet në gjendjen e tij “të përsosur”.

Pra, në këtë rrjetë kundrim-rrëfimesh bota paraqitet krejt unike: gjërat e veçanta, personazhi, rrëfimtari apo detaji flasin për tërësinë, ashtu sikundër e sqaron vetë personazhi-tregimtar i veprës për njërin nga personazhet, Shanin:

“këtu nuk âsht Shani qi flet e ankon, âsht zemra e nierit, e tanë mierzimit…ky âsht zâni i natyrës, kti kushtrimi të zêmrës, ksaj ushtime të shpirtit i do dhanë përgjigje” (fq. 59).

Nëse Dekarti udhërrëfyesin e tij të vërtetë e gjen në Cogito-n e tij; nëse Kanti këtë udhërrëfyes e përfytyron në format racionale të njohjes, si dhe në kategoritë e në subjektivizmin e tij intelektual; nëse krishterimi këtë drejtues e gjen tek Jezui; nëse filozofët do të jenë gjithnjë në kërkim të Njeriut Ideal, të Njeriut të Përsosur; atëherë Anton Harapi do të bëjë përpjekje, që botën përreth e ballafaqimet me të, të mos i vështrojë vetëm në planin intelektual e meditativ, po edhe në planin e “energjisë shpirtërore”, të vullnetit e të përjetimeve. E së andejmi do të shfaqen e rishfaqen konceptet e përsiatjet e tij për Njeriun “sokol mbi të gjitha valët e tallazet e jetës” (fq. 82), Njeriun “që mund të rrijë me ballë ngulët përherë i njejtë, i mirë, i fortë, i pakurrkund dangë jete” (fq. 82); do të shfaqet e rishfaqet koncepti për “nji vetje, të thuesh absolute” dhe atë e gjen te figura e Jezuit.

Në veprën “Valë mbi valë” njeriu vështrohet e kundrohet si medium i disa faktorëve dhe si medium i raporteve shoqërore. Nga hapësirat e këtyre mediumeve refleksive-krijuese shkrimtari e veçon faktorin psikologjik:

“Faktori psikologjik po kishte nji pjesë të madhe në jetë, e posi konditë, ndoshta âsht mâ e madhja, por jo e vetmja. Veçse as në fantazi vetëm nuk po u rrnueka; po u lypke dishka për bazë: kafshata e gojës, edhe e thatë, së mbrami, ani, por e patrazueme…”(fq. 38-39).

Zatën, shtresa e brendshme e paradigmës fabulare dhe, sidomos, e asaj kompozicionale, merr përmasat e një eseizmi modern, përmasë, kjo, aq e kërkuar dhe aq e formësuar në poetikën e romanit me prirje moderne. Për të gërmuar në shpirtin e gjërave e për të hyrë brenda botës shpirtërore të njeriut, apo siç thotë autori që ka marrë rolin e rrëfimtarit, “me depërtue në mendje të të gjithve e të secilit, për me hetue e me pa fondin e jetës”, vepra do të mbështetet prandaj në tezën qendrore të filozofisë së drejtimit fenomenologjik: për ta parë qenien përbrenda.

E pra, ky kontemplacion e kundron esencën e fshehur të gjërave e të botës së brendshme të njeriut, kundron eidos-in apo kuptimet ideale të dukurive. E afërt me filozofinë zen-budiste: “Rruga e zenit është hyrja në vetë objektin, është shikimi i përbrendshëm”. Ashtu sikundër do ta nyjëtojë të vërtetën për Botën, Njeriun dhe Universin filozofia e Vedantës indase: në zemrën më intime të shpirtit të njeriut gjendet qendra e gjithë universit.

Rrëfimtari, në vibrimet e tij të brendshme narrative-meditative, hap një shteg drejt zgjidhjes së një problemi, ndriçon një dukuri a një çështje jetësore. Ky kërkim nëpër hapësirat e pafund të “pamjeve shpirtërore” (fq. 37), nëpër universin e ndjesive të pakapshme e “të trandjes së pejzave të zêmrës”, do ta përbëjë atë energjinë e brendshme që vë në lëvizje trajtat e jetës dhe që i ringjall e i ndriçon krejt befasisht me projektorin e imagjinatës krijuese. Semantikisht zhanri letrar-filozofik i Anton Harapit në veprën “Valë mbi valë” pasurohet edhe me paradigmat e rrëfimit biblik; kërkimet shpirtërore-meditative marrin formën e togjeve të pyetjeve biblike, sa edhe filozofike, aq herë e atëherë kur njeriu vihet para të panjohurës apo para situatave të lëkundshme të ekzistimit. Togjet e pyetjeve shqiptohen si togje psiko-stilistike, si tog uratash e lutjesh; herë-herë ato marrin trajtën e një ankimi ndaj jetës në tokë, apo shpërfaqin drojën para enigmave të ekzistimit e para shtigjeve të errëta të fatit; herë del një tog-kërkim-pyetjesh për ta gjetur Pikën e Arkimedit nëpër shtigjet e gjallimit e të ekzistencës:

“Ti pra je nieri? ti shqiptari? ti nierzimi? Shqipnia? Kshtu thekshëm pëvetshe vedin e turrshëm u matshe me depërtue në mende e në shpirt për me hetue e me fondin e jetës”(fq. 37).

“Kta, thaçë, sugure janë nierz e do të mendojnë , por si do të mendojnë? Ku do ta mbështesin gjallnimin e vet? Në shka, së mbrami, do të pushojë mendja? (fq. 38).

“ Ku jam? Ku due? Shka due?”(fq 42).

“Thue se njimend nafaka t`ep gjân, por ta merr zêmrën? A ka si me kenë ky kontrast në natyrën nierzore? Miradijet e jetës në kulm e mirësija nierzore në fund? Sa mâ ngusht syni, aq mâ tepër me u ngushtue shpirti?” (fq. 48)

“Si âsht kjo punë;se gjithçka na lên; e masi gjithçka na lên, âsht për me na mbajtë në jetë? Ku je, more nieri, shka m`i thue, ti filozof a natyralist ksaj tfaqe misterjoze, para së cilës, jo unë e ti, por askush nuk mund të rrijë sehirxhi, pa u interesue?”(fq. 63).

“A jetë me të thanë ty qi në ditën mâ të mire e kputë fijen tue e lane nieriun të plandosun nën dhê të zi?”(fq. 66).

”Hajde, po e zamë se na po punuekemi me të drejtë, për der ku të na marrë mendja, po si kishin m`u gjetë qinda e mija vetësh qi hjekin e vuejnë, pa ua dijtë kush veç Zoti? Dro, pak janë rasat, ndër të cillat n`êmën të nderës bâhen shnderimet me të pasë keq mendja, n`êmën të të drejtës bâhen paudhni të çuditshme e n`êmën e në doken e mirsis, ushtrohen veprat mizore me t`u përqethë shtati me i ndie e me i diktue?” (fq. 70). Kurreshtja, qortimi e brenga njerëzore që dalin nga këto togje retorike pyetjesh, shprehin edhe ndjeshmërinë e lartë krijuese të Anton Harapit për artin letrar: për të gjetur shtegun dhe për të depërtuar në hapësirat e ndërliqshme të jetës së personazhit. Brenda një tufëze të vetme stilematike autori gërsheton lirizmin me intelektin, nga njëra anë, po i vë në këtë gërshet të së bukurës edhe vibrimet emocionale me trajtimin e çështjeve që e preokupojnë atë, nga ana tjetër. Ky proces-pyetësor shpalohet si sprovim i vetëdijes së personazhit për gjallimin mbi tokë, pra si sprovim i vetëdijes së tij ekzistenciale . Janë klithma ekspresioniste për njeriun e goditur në jetë. Zaten, edhe titulli i veprës “Valë mbi valë”, është titull ekspresionist, tek e shpreh dinamizmin, të bujshmen, lëvizjen, dallgëzimin jetësor. Është edhe titull refleksiv, që shenjon shkallët e katet e larta të jetësimit e të njëmendësisë, të meditimit e të hapësirave metafizike; pra, të “valës” metafizike të këtyre hapësirave mbi “valën” e reales. Së këndejmi, Harapi sikur e harton një Plan të Ekzistencës, një Program të Esencës. “Vala” e parë do të ligjërojë estetikisht për jashtësinë, realitetin e jashtme, botën materiale, botën e kufizuar. “Vala” e dytë do të notojë nëpër pafundësitë e realitetit të brendshëm, të botës shpirtërore e në kërkim të kësaj pafundësie. “Valët” tjera, tek do të shtegtojnë “mbi” njëra-tjetrën, do të përqafohen me kuptimet e hyjnueshme, tejekzistenciale e me vetërealizimin më të lartë brenda shpirtit të pafundësisë. Atje, diku, tek vegullojnë sferat e përsosmërisë së largët. “Valë” që i kërkojnë burimet e fuqisë së shpirtit e burimet e fuqisë së jetës. Autobiografizmi, sikundër e thamë, e përcakton zhanrin letrar të kësaj vepre; për ta krijuar, së këndejmi, përshtypjen dhe iluzionin artistik të vërtetësisë, si dhe për të shkruar për gjëra të njohura e për ngjarje të përjetuara. Dukuria a ngjarja biografike e ditës, do ta tërheqin shkrimtarin vetëm për aq sa ato do të shfaqen si impulse a si “imprezë” për observime e për aventura shpirtërore. Autobiografizmi, si shtresë romanore, është i realizuar në rrafshin e fiksionit letrar; e vërteta jetësore realizohet në rrafshin e së vërtetës artistike. Nën prizmin e imagjinatës krijuese gërshetohen dokumentarizmi, e ndodhmja, imazhet, pamjet e përshkrimet e jashtësisë me “fondin e jetës”, me totalitetin jetësor. Për t`u krijuar iluzioni i vërtetësisë në vepër, përmendet dy-tri herë emri i autorit. Prandaj, në amëzën fabulare ndjehet sfondi dokumentar mbi “ngjarjen” për të cilën rrëfehet.

Autori e shfrytëzon autobiografizmin, si bazë dokumentare, për të dhënë kuadro njohëse mbi kohën e mbi ambientet e paraqitura, prandaj rrëfen si narrator i gjithëdijshëm. Pos me imagjinatën krijuese, shkrimtari ndërhyn edhe me erudicionin e tij: hulumtimet etnografike, psikologjike, estetike, sociologjike, filozofike e religjioze do të sintetizohen në vështrimet e realitetit të jashtëm e në gamën e gjerë të përsiatjeve.

Kronotopi i udhëtimit

Studiuesi i njohur letrar, Mihal Bahtin, flet për kronotopin e “udhës”, sepse pikërisht në udhë “priten e gërshetohen në një pikë kohore e hapësinore rrugët njerëzore nga më të ndryshmet”.

Tërë udhëtimi misionar i fratit narrator një të mërkurë të muajit korrik të vitit 1918; natën e kalon në bregun e liqenit, në Sy-Gjon dhe dita e nesërme e gjen në Tuz, kurse mbasmesnata në Grudë. Në fillim të këtij udhëtimi vështrohet “jashtësia”, jepen pamjet e imazhet e tregut të qytetit të Shkodrës. Ato pamje e imazhe shndërrohen në nxitje të imagjinatës krijuese, e cila e tërheq “prej nji fuqije të msheftë…para pamjeve shpirtnore e ndiesive…”(fq. 37). “Pamjet shpirtnore”, mbase, kanë jetë më të gjatë, jetojnë gjithmonshëm në thadrimin e kujtesës së shprehur në krijimin e tij letrar; jetojnë si bagazh shpirtëror e si përvojë e grumbulluar për t`i zhdrivilluar artistikisht, me anën e vëzhgimit të mprehtë, depërtues; për t`u dhënë përgjigje pyetjeve të shumta. Kamera letrare-realiste e shkrimtarit ndalet në një ditë tregu, për të dhënë pamje të mizërisë së njerëzve, pamje të Urës së Drinit e të Urës së Buenës, pamje të njerëzve, të kafshëve, të qerreve, të rrugëve plym, të karrocave, të qytetarëve, e malësorëve, të drithërave e bulmetrave, të shitësve e blerësve, të bakallëve e hamallëve; për ta dhënë aromën e qytetit me erë peshku e erë myku; për t`i dhënë, mandej, shenjat e një realiteti historik e të një ambienti me doket e pamjet etnike, me dekorin oriental, ballkanik e evropian. Është viti i fundit i Luftës së Parë Botërore. Kamera letrare ndalet në ngjyrat etnoambientale: në defilimin e malësorëve e të qytetarëve të pasur e të varfër, po edhe në defilimin e shkodranëve, dukagjinasve, zadrimorëve, bregbuenasve, mirditorëve, kranjanëve, shestanasve etj. Tek të gjithë këta grupe shkrimtari bën një karakterizim të shpejtë realist të strukturës së tyre shoqërore, shpirtërore, etike e etnopsikologji ke. Lënda etnike-shoqërore këmbehet me atë refleksive. Në shkrirjen e ngjyrave etnike-regjionale të jetës e të mentaliteteve gërshetohet rrafshi universal i problemeve, kurse në spektrin e ngjyrave të jetës e të mendësisë feudale-patriarkale shqiptare e të dekorit oriental, do të ndeshet depërtimi i një emancipimi latent, krejt pak i hetueshëm, i mallrave dhe i tregut evropian. Aty do të ndeshet fryma arkaike e jetës me të folurit e veçantë, kurse vetë qyteti është shndërruar në një udhëkryq ngjarjesh; aty parakalojnë udhëkryqet historike shqiptare e evropiane. Edhe vetë qyteti, me urat, me rrugët e me lëvizjet, ta sugjerojnë këtë “valë mbi valë”, ku marrin udhë rrjedhat e jetës e rrjedhat e ngjarjeve të kohës. Po ashtu, qyteti është një vendndeshje, ku kryqëzohen mendësitë etno-regjionale shqiptare, zakonet, religjionet, patriarkalizmat e format etnike-arkaike të jetës. Aty ndjehen rrënjët e fuqishme anteike të qëndresës popullore. Këmbimi i këndshikimeve të rrëfimtarit është i shpeshtë: nga ai i etnografit si vëzhgues i matur e i kursyer, arrin tek rrëfimtari lirik i përjetimit ekstatik të bukurive të natyrës.

Rrëfimi simbolik mbi udhëtimin e personazhit-rrëfimtar vazhdon të na njohë me ambientin e liqenit e me personazhet tjerë. Udhëtimi misionar mban unitetin fabular-kompozicional të veprës. Dy peshkatarët shirokas, nana e shkrimtarit me të nipin, së bashku me personazhin tregimtar udhëtojnë e lëvizin me një barkë nëpër natyrën madhështore të Liqenit të Shkodrës. “Mëshehtësitë e natyrës janë njimend të mëdha e të panjohuna”, mediton ai. “Udhëtimi me take kthehet në simbol të udhëtimit nëpër jetë e nëpër mëshehtësitë e shpirtit njerëzor”, shton autorja e parathënies së veprës. Vizioni i hapësirave, i imazheve dhe i peizazhit shënjohet si vetënjohje e shenjave të identitetit shqiptar, të identitetit hapësinor etnik e përgjithësisht të jetës shqiptare. Për këtë arsye, liqeni dhe pamjet e tij zgjojnë përjetime të thella, kurse shkrimtari shpërthen në sintagma sintetizuese nocionore, tek zgjojnë e përftojnë “pamje estetike”, “rrymë e jehonë shpirti”, “balçim të jetës”; pra, ato pamje do të përftojnë ekzigjencën shpirtërore.

Fabula e endëzon dhe e shënon qëllimin e udhëtimit të fratit, kurse mbrapa kësaj fabule zbulohet gjithnjë një realitet i dytë, i thellë, i amshueshëm; zbulohen hapësira të reja të kuptimit të esencave jetësore, aty ku shëtit “syni i shpirtit”(fq 46). Pranë një udhëtimi a lëvizjeje do t’i ndiejmë observimet metafizike të fratit-narrator, pranë një metafore a kontrasti figurativ-refleksiv do ta ndiejmë zërin e mbrendshëm të rrëfimtarit dhe thelbin e ekzistimit. Dy peshkatarët shirokas, Gaspri dhe Shani, po edhe tetë peshkatarët tjerë që i takojnë në liqe, janë njerëz të thjeshtë që luftojnë për bukën e gojës. Mirëpo edhe varfëria, edhe mundimi, edhe vuajtja, janë masë e vlerave njerëzore:

“kje ashtu si ishin, zbathë e zdeshë, hangër e pa hangër, fjetë e me brî për tokë, lagët e ndragët, lodhë prej mundi e këputë prej mërzije, pak e gati kurrgjâ s’e kishin fitue për me çue te shpija, me gjithkta, flitshin e bisedojshin ata të vorfën, si mos me pasë farë kahri, qi mos me i pasë njohtë, me të vojtë mendja se janë mâ të lumët e botës” (fq. 49).

Peizazhi i liqenit jetohet e përjetohet, pra, në mënyra të ndryshme. Përjetohet si element i qetësisë së shpirtit (“provova knaqet e qetsis së papërzieme me mërzît e vetmis”); si prirje e krijuesit për të dhënë sinteza shpirtërore-jetësore (“ndesha nji nder ato neje t’jetës: i vorfni bujar e pasaniku tahmaçar”, “natyra s’âsht harrim i nierzve, po ajo i fal nieriut zemrën të aftë për ta përfshi gjithë jetën nierzore”); si shenja-toponime hapësinore të identitetit shqiptar (Liqeni i Shkodrës, Maja e Rumisë me Tarabosh, Veleçiku me Parû, Bishti i Valës, malet e thepisuna të Dukagjinit, Krahu i Rumisë me Krajë e Taraboshi me Zogaj e Shrokë, Tuzi, Gruda etj).

Nga ana tjetër, udhëtimi me lundër ta kujton lundrimin filozofik te “Fedoni” i Platonit për të depërtuar në botën e shpirtit, sikundër thotë Ardian Marku; t’i kujton lundrimet misionare nëpër dete e ujëra të Shën Palit; apo lundrimin e Noes mbas kataklizmës (“Ishte nji e mërkurë e korrikut, vjeti 1918”, e fillon veprën Harapi; pra, ajo nis me përfundimin e vitit të kataklizmës që solli Lufta e Parë Botërore).

Figura e fratit rrezaton parimet fetare, por nuk e shquan asnjëherë “jetën rregulltare” të tij mbi jetën e të tjerëve. Ai i mishëron shpirtdëlirësinë e ndershmërinë, pa e veçuar veten nga të tjerët, sepse edhe meshtari “nieri âsht e rri nier, i ligshtë, i gabueshëm e i ndrrueshëm, si u bâ meshtar, si ndêj shekullar. Pse bâhemi rregulltarë, nuk ndërrojmë natyrë”(fq. 111). Zëri i tij është zëri i gjeneratave të përvuajtura të intelektualit shqiptar. Ai s’është intelektuali i hutuar që e ka humbur kompasin e jetës, por është intelektual me formim klasik-teologjik, që i njeh mirë të djeshmen dhe bashkëkohësinë, prandaj dallohet e cilësohet me logjikën e hekurt të paraqitjes së realitetit, me mendimet e thëna tejet qartë dhe me shprehjen tejet të disiplinuar. Për ndryshim nga filozofi, i cili mbyllet brenda një sistemi idesh, Anton Harapi, si filozof, e then këtë mbyllje sistemore me forcën e imagjinatës krijuese. Zatën, vetë krijimtaria letrare, do të thotë, vetë zhanri i romanit, e mbjellin në trupin e tyre lirinë e thënies e lirinë e krijimit; e kjo liri, së këndejmi, nuk do të lejojë mbyllje brenda një sistemi të preferueshëm filozofik. Kësaj radhe Shkrimtari ngadhënjen mbi Filozofin.

Simbolikisht personazhi-rrëfimtar pushon në Sy-Gjon. Në skenën narrative del Nana, jo vetëm si burim jete, e cila sheh te djali i saj meshtar e te nipi vazhdimësinë e ekzistimit, vazhdimësinë e brezave; ajo është nëna shqiptare, e cila mburret edhe për djalin e saj idealist. Mirëpo, “Harapi âsht nji udhëtar i palodhun në ujnat e patrazuem të shpirtit njerzuer”, thotë njëri ndër autorët e parathënies së veprës.

“Nji përnji na valltojmë n’ket jetë. Lum kush i grah vetit e nuk e lên m’u mujtë prej së keq. Për me rrnue duhet guxim: guxim mos m’u trembë të vështirave, guxim për me i msy, me i përballue e me i qëndrue…” (fq. 75): kështu i shpalon fijet e idealit në jetën njerëzore personazhi-rrëfimtar. Anton Harapi e kërkon, posi Migjeni, Noli e Lasgushi, njeriun “sokol mbi të gjitha valët e tallazet e jetës” (fq. 82), kërkon “njeriun që mund të rrijë me ballë ngulët përherë i njejtë, i mirë, i fortë, i pakurrkund dangë jete” (fq. 82), kërkon “nji vetje, të thuesh absolute” dhe atë e gjen te figura e Jezuit, posi Lasgushi që e gjen te Nositi e te Përjetësia, posi Migjeni që e gjen te Mbinjeriu, posi Noli që e gjen herë te Skënderbeu, herë te Jezui, e herë te Misionari, te Kryetrimi, te Mesia a te Kryeprofeti. E Anton Harapi, pra, ishte bashkëkohës i Lasgushit, Migjenit dhe Nolit. Këtë e “harruan” anatemuesit e tij për një gjysmë shekulli rresht!

Dhe, përsëri në udhë. Përsëri në kërkim të absolutes e të relatives, në kërkim të arsyes e të botërave të panjohura të natyrës, të jetës e të universit. Udhëtimi zgjat nëpër viset e Atdheut, atje diku kah Veriu, kah përleshjet e përgjakshme që kanë ndodhur gjatë historisë. Udhëtim deri te caku:

“Nieri nier, po, ka pse lên e ka edhe pse des, pse ka nji qëllim qi nuk e lên kurr as me dekë, sheh ku matë e për shka rrnon, i sigurtë se vlerët vërtet nierzore, ideale e shpirtnore janë pamort, prandej, pshtetë me nji fond të patrandshëm, do të kapet në liqenin e jetës së vërtetë…” (fq. 64).

Dhe këtë qëllim jetësor e sheh te njerëzit e te personazhet e veprës, me të cilat na njofton shkrimtari.

Bota e kontrastuar

Njëri ndër parimet krijuese të Anton Harapit në veprën “Valë mbi valë” është poetika e kontrastit. Ky parim ndeshet në kontrastin e ideve, në kontrastin e karaktereve njerëzore, si dhe në kontrastimin e manifestimeve shpirtërore. Kontrastohen edhe ambiente e imazhe të ndryshme. Në botën e kotrasteve e të rrjedhave antinomike jetësore të kësaj vepre, polarizimi i personazheve e i interesave të tyre këmbehet me shenjën refleksive të fijeve të përbashkëta të gjallimit. Meqenëse janë profile të ndryshme shpirtërore e njerëzore, ashtu sikundër janë edhe profile me gjendje të kundërta të situatave jetësore, vetjet në këtë roman e ndriçojnë nga disa anë idenë a mendimin filozofik të shkrimtarit. Gjatë udhëtimit të tij simbolik e shpirtëror, gjatë këtij rrugëtimi filozofik e prej, personazhi-rrëfimtar do të hasë në ambiente të ndryshme e në karaktere të ndryshme. Këta karaktere më shumë paraqiten si personazhe-ide. Shani e Gaspri, pos që janë vëllezër e peshkatarë, janë edhe personazhe-ide që do ta personifikojnë gjendjen e rëndë sociale të malësorëve shqiptarë, nga njëra anë; por ata janë edhe personazhe-ide që do të qëndrojnë në pozitë ambivalente ndaj meshtarit, nga ana tjetër; pra, në hapësirat e raporteve e të esencave të jetës me këndshikime e qëndrime të ndryshme e të kundërta jetësore; me rrugë e drejtime të veçanta jetësore e kulturore.

Kështu, në kontrast jetësor-ideor, në kontrast ekzistencial e esencial, do të qëndrojnë “jeta rregulltare” e fratit dhe “jeta shekullare” e njerëzve të thjeshtë, e peshkatarëve dhe e oficerëve intelektualë austriakë; në këtë ballafaqim jetësh do të ndërthuren e do të ndeshen antagonizma, akuza dhe përvoja të ndryshme jetësore, ashtu sikundër do të ndërthuren edhe fijet e shumta të ndërlidhjeve shpirtërore; ndërlidhje, këto, aq të kërkuara e aq të gjurmuara nga personazhi-rrëfimtar; janë ndërlidhje e rrjedha antitetike jetësore që i nënshtrohen sintezës intelektuale dhe asimilimit meditativ të meshtarit.

Pamje kontrasti do të gjejë përshkrimi autorial-narrativ në prozën e ashpër të jetës nëpër ambientet shqiptare. Përballë destruksioneve jetësore dhe përballë veprimeve kundërthënëse e të papritura, shkrimtari nuk do ta thurte artin e fjalës së tij të bukur, sikur të mos e bënte parim krijues paraqitjen e caktuar të trajtimit tematik dhe sikur të mos e veçonte të vërtetën e dëshiruar, - siç do të thoshte Mopasani, - për t’i shquar idetë e kundërta, sjelljet e kontrastuara, e botëkuptimet e ndryshme, ashtu sikundër do t’i ligjërojë vetë jeta njerëzore në planin themelor të krijimit të pamjes së formës artistike. Pra, ai nuk do të krijojë sipas një skeme të thatë e shterpe. Krijuesi do të synojë ta ruajë masën në mes të drejtpërdrejtshmërisë dhe qenësores, pra, të thelbores në roman, gjithnjë sipas parimit hegelian, për të mos bredhur mbas situatave pa fund e pa cak. Së këndejmi, çdo motiv apo situatë, secila temë apo secili personazh do t’i nënshtrohen këtij parimi estetik: për t’i dhënë vetëm të domosdoshmen, konkreten, kryesoren, esencën.

Vepra vë në pah edhe kontrastin midis racionalizmit intelektual të fratit dhe logjikës pa cak, sipërfaqësore e euforike të peshkatarëve; vë në pah edhe kontrastimin midis disiplinës jetësore e shpirtërore të meshtarit (këtu: të rregulltarit) dhe ritmit tjetër jetësor, krejtësisht nëpër të tjera caqe, të shekullarit. Për ta dalluar nga shtresat tjera narrative-meditative një rrëfim jetësor, autori-rrëfimtar i gjithëdijshëm do të ndërmjetësojë me anën e alegorisë. Shembëllyeshëm strukturimit biblik të ligjërimeve që përmbajnë shëmbëlltyrat e Jeziut. Ky procedim dhe ky alegorizim letrar, së këndejmi, strukturën tekstore do ta shpërndërrojë në alegori mitike e në alegori jashtëhistorike, pra në metaforikë; tek i zgjojnë asociacionet e idesë së përsëritjes së përjetshme të gjërave, në ciklin e mbyllur niçean. A nuk janë ironizimet tekstore një këndvështrim i kundërt me prapaskenat lirike të një rrëfimtari idealist? Mirëpo, Anton Harapi kësaj radhe, sikur mbyllet edhe në këtë çark.

Përqasja e ambienteve, e imazheve, e religjioneve, e qytetërimeve, e karaktereve njerëzore etj, autorit i ngjet si enigmë e si paradoks: “Lëviz sa të jesh e gukso kur mos të kesh…Mëshehtësitë e natyrës janë njimend të mëdha”. Vështrimi kontrastiv i jetës do të trajtohet edhe nga kënde tjera: nga paraqitja e ftohtë e ambientit dhe amullisë së tij drejt gjallërisë së jetës e drejt lëvizjeve jetësore; nga kritika observuese-narrative (“shqiptari që s’e do punën”) drejt ideve që të vënë të lëvizje; nga përqasja e ëndrrave, e dëshirave dhe e iluzioneve me njëtrajtshmërinë e ekzistencës, me memecllëkun e me shurdhësinë e kohës, me egërsinë e me vrazhdësinë e prozës së jetës. Si një lehtësim shpirtëror do t’i ndiejmë përjetimet ekstatike të natyrës e të ekzigjencave shpirtëtore. Mirëpo, edhe në këso çastesh të përjetimeve të bukura, nuk ka himnizime të ambienteve patriarkale, të zanave, të shtojzovalleve, të dragojve e të heronjve, sikundër është pohuar deri më tash për këtë dorë shkrimtarësh, gjithsesi me tendencë, nga kritika oficiele e anatemuese shqiptare. Prandaj, në veprën e Harapit ka më shumë heronj të jetës e të revoltës individuale, sikundër janë peshkatarët dhe plaka mikpritëse e Tuzit.

Autori në roman shpesh e shpesh ndërfut metatekste e komentime, të cilat shërbejnë si masë për vlerësime, për gjykime e për kërkime shpirtërore: “pashë të gjitha kavît e mjerimeve, hetova të gjithë faktorët e lumnis” (fq. 39). Metatekstet romansore, brendakomentimi autorial i tekstit, do ta artikulojnë idealin e rrëfimtarit si vëzhgues i gjithanshëm dhe i thellë dhe do ta shquajnë idealin e tij në jetë: “M’u bâ si t’m’u çilte perdja e thaçë: i madh me të vërtetë âsht aj, i cilli, naltue mbi rrymët e përpjekjet e zakonshme të shumicës, sheh pa perde,vendon pa droje, falet kambë e krye, per gjithçka âsht të madh e të naltë, fisnik e të vlertë për jetën e shumicës…” (fq. 39).

Vetë udhëtimi i personazhit narrator kalon nëpër situata kontrastive njerëzore e ambientale: nga zallahia, nga labirinthi e zhurma e qytetit ai largohet e zhytet në qetësinë idilike-romantike të liqenit; nga këneta në dëlirësinë e bjeshkëve të Malsisë.

Impulset e kundërta jetësore-shpirtërore do të thadrohen në tekst si shkrepëtima fjalësh të urta, fjalësh-sintezë, që vijnë mbas një sprove jetësore a mbas një situate të provuar; kështu do të riprovohen miqësitë e sinqerta e fisnike, që “maten nalt ndër ideale”, po edhe miqësitë e rrejshme: “dashnija ka dorë të fortë sa deka”(fq. 42). Këso shkrepëtimash kontrastive-sintetike, si fjalë-shenja monumentale, nuk janë të rralla në këtë vepër:

1 “ndesha nji ndër ato neje të jetës: i vorfni bujar e pasaniku tahmaçar”(fq. 48);

2 ”kafen mâ t’mirë ta qet e nderin mâ t’madh ta ban i vorfni, se pasaniku”.(fq. 48;

3 “mâ derë-çilë e mâ bukë-dhanës janë ata, të cilëve u del, por s’u tepron, se ata qi kan me shkrrye”(fq.48).

Të duket sikur krijuesi bën një program social-artistik, për të shprehur angazhimin e tij shpirtëror, për të qëndruar gjithnjë në anën e të varfrit dhe në anën e njerëzve me etikë të fortë njerëzore. Rrjedha e paraqitjeve kontrastive del më e ndjeshme estetikisht e më e kapshme artistikisht, kur shkrimtari, pra, i drejtohet lëndës së jetës sociale. Ironia e thekshme e padrejtësisë sociale, e shqiptuar përmes personazheve të peshkatarëve, sidomos përmes Shanit, ta kujton letërsinë sociale të viteve ’30, kur edhe u botua në vazhdime kjo vepër. Në njësitë e togjeve e të replikave letrare-dialogjike, si në modelin e dialogëve sokratianë, shtrohen tema e probleme të rënda të aktualitetit social: gjendja e vështirë sociale e shtresave të varfëra, situata e pozita e hidhur e skamnorëve, si dhe revolta, mjerimi, vuajtja e mundimet. Mirëpo, të vërtetat psikanalitike, pse jo, më shumë do të paraqiten si këndvështrime e ngushëllime për ta mundur e për ta mbytur realitetin e hidhur të jetës së vështirë:

“E shirokasit, poashtu janë në zâ, se pa bukë në bark, pa gjâ mbas shpirtit e me nafakën n’ujë, kângës ia thonë ditë e ia thonë natë” (fq. 49).

Frati-narrator, i ndërgjegjshëm se jeta njerëzore ka plagë, varrë e kontraste pezmatuese, do ta pohojë edhe bukurinë e idealeve njerëzore. I formuar në shkollën e përvojave të shumta e të kundërta jetësore, i ngritur në përvojën e jetës së rregulltarit e të dijetarit, në hapin e parë, ai sikur sjell një frymë fataliste-ngushëlluese: “t’bâjmë edhe nji sy gjumë, se lâshat e telashet s’kan me pasë marim kurr per të birt e Adamit” (fq. 59). E tillë, pra, fatale dhe e bukur, e ngrohtë dhe tërë rreziqe, janë natyra që e rrethon njeriun dhe jeta që i është dhuruar atij.

Frati identifikohet me skamnorët në mënyrën e vet: “edhe vetë me xhepa të shpikun”. Ndeja e dialogu zhvillohen në gjirin e natyrës nanë. Skamnori i Anton Harapit e ka dinjitetin e tij dhe kryengritjen e tij të shpirtit, e ka krenarinë e tij e kryeneçësinë prej malsori dhe nuk është i sakatosur e i gjymtuar moralisht e shpirtërisht, si personazhet migjenianë apo si ata të Nonda Bulkës, të cilët gjithçka përreth e kanë ferr. E ky ferr ka depërtuar edhe në shpirtin e tyre. Kurse skamnori i Harapit i gëzohet punës së vet të vështirë e tërë rreziqe, i gëzohet këngës, bisedës, por i gëzohet edhe pijes.

Duke e jetuar dhe përjetuar botën e tillë të kontrasteve, autori do të gjendet gjithnjë në kërkim të vënies së urave solidare, në kërkim të humanizmit e në kërkim të harmonisë:

“harmonija ndër kontraste, lumnija ndërshej dy skajeve mâ të para e mâ të fundshme të natyrës, qi janë jeta e deka” (fq. 63).

E pra, nuk i kërkon fijet e përçarjeve të shpirtit, apo të përçarjeve e të plasave shoqërore.

Përmes njësive të tëra meditative, autorit-rrëfimtar do t’i ligjërojnë rrjedhat e asociacioneve të lira, të ndërdijes e të vetëdijes, posi në romanin modern: “Mendimi âsht si antinomi, nji gjâ e kundërt me t’vërtetën, më thotë Kanti e ndjekësat e tij” (fq. 63). Këso rrjedhash ndërdijësore e asociative, për të kaluar, së këndejmi, në shtresat meditative, në këtë roman janë të shpeshta:

“gjendje pësimi shpirtnor” (fq. 51), “fantazija, ndihme prej terri”, “pezullim shpirtnuer”, “do rrymë tjera mendore”, “për të kallë ndër ndiesi e pikpamje të mija rrymë e përshtypje të papasuna”, “më kapin gjithnduer mendimesh, fantazija e shpjegueme prej frymëzi- it të shiseve muer joll e matej me dalë edhe kontrollit t’arsyes…” etj.

Këto rrjedha e tufëza, nga ai vrujim psikik-shpirtëror, e kthejnë rrëfimtarin kah vetja, për t’u dhënë, së këndejmi, mbas kontemplacionit dhe për të gjurmuar pafundësisht kuptimin e esencës së jetës. Këtë gjendje shpirtërore të rrjedhës së vetëdijes autori e shpreh edhe në mënyrë popullore: “me blue gjithnduer kokrrash" (fq. 51). Duke e ndjekur vazhdën e pandërprerë të këtyre antinomive, rrëfimtari e shtron edhe një herë problemin aq të rëndë e të vështirë të ekzistencës:

“se mbi këtë tokë nuk jeton kush lumninë e plotë, haj kje Papë a mbret, haj kje i pasun ai fortë, i dijshëm a i pashkollë, se me dijtë me e gjetë rrfanën e jetës” (fq. 67).

Lirizmi tragjik e refleksiv mbi ekzistencën derdhet nga këndshikime e nga burime të pashterrshme të lëndës jetësore; po ky lirizëm vrujon nga rrymat shpirtërore, të cilat ndeshen e përplasen me njëra-tjetrën:

“E shka âsht edhe mâ zî, se të shumën e herës, faqe botës, i keqi jet i mirë e i miri jet i keq; i padrejti lavdohet për drejtësi, i drejti jet preja e tij; i pashpirti e i pandershmi jesin me nderë, e vetë i ndershmi jet i pandershëm!” (fq. 70).

Shkrimtari-frat-rrëfimtar është i vetëdijëshëm, se, në këtë rast, shkrimi i është vetëm një akt krijues, akt i vetëdijes kundër të keqes, kundër të së ligës, e kundër dhunës që shfaqen kudo nëpër botë.

Rrëfimtari tashmë është shndërruar në mishërim të jetës kontemplative. Vetë udhëtimi misionar është një akt jetësor e një akt veprimi në përqasje me antinomitë e me kontemplacionin. Në vorbullën e proceseve antinomike e të botës së kontrastuar, te autori-rrëfimtar do ta gjejnë pajtimin e vet të plotë mendimi me veprimin, do të pajtohen vita activa dhe vita contemplativa, të cilat herë do të veçohen e herë e herë do të kundërshtohen, herë do të ndriçohen e herë do të harmonizohen ndërsjelltas.

Kavia e jetës

Për derisa nga njëra anë, rrafshi kontrastik me manifestimet shpirtërore e me imagjinatën krijuese, me universin e ideve e me botën e personazheve do të krijojë mundësi të shumta të shprehjes artistike, si dhe të paraqitjes së botëve gjithnjë të panjohura; gjithnjë me prirjen për të mos u mbyllur në një sistem idesh; nga ana tjetër, rrafshi refleksive-meditativ do të synojë mbylljen mbrenda një rrethi përsiatjesh, për t’u ngritur, së këndejmi, në një poetikë të kontemplacionit. Tregimtari i prozës së Anton Harapit është jo vetëm një vëzhgues i gjithëdijshëm, po edhe një rrëfimtar kontemplativ, veprues e komentues i situatave. Mbi këtë poetikë endëzohen e shtjellohen, thuren e ndërthuren si observimi narrativ, ashtu edhe meditimi në botën e brendshme të personzaheve. Diskursi, pothuajse, eliptik i veprës, e zëvendëson procedimorin e stilizimeve e të ornamentikës së tepruar të shprehjes. Duke synuar paraqitjen e esencave të jetës, procedimori i tillë rrëfimtar, shumëkuptimor e shumështresor, për aq sa i pushton hapësirat e kontemplacionit, po aq i ngushton ato, si rrjedhojë e këtij strukturimi; për aq sa i zgjeron mundësitë e refleksionit, po aq i rrudh e i përqendron ato brenda një vetëdijeje subjektive, individuale e kontemplative. Procesi i individualizimit të këtij personazhi do të nisë me veçimin e tij nga shumësia, nga komuniteti, të cilit i takon.; për të marrë udhë drejt lundrimeve shpirtërore. Vetëdija kontemplative e personazhit rrëfimtar do të ndeshet në një varg e në një vazhdë të pafund reagimesh e lëvizjesh të brendshme shpirtërore, pengesash e fluturimesh shpirtërore. Ndeshet në vazhdën e shumë dramave, të cilat luhen vetëm në një skenë: në skenën e botës së brendshme mendjendriçuese, aty ku luan, ndeshet, aktron, përplaset, thyhet e rilind vetëm një personazh: vetvetja. Do të gjendet në vazhdën e impulseve, të nxitjeve, të përshtypjeve e të kundrimeve të pafund shpirtërore, në të cilin univers lëviz vetëm qenia e personazhit rrëfimtar.

Prandaj, shpesh ky personazh do të gjendet në pozitën e vetmitarit. Shkelja në hapësirat e vetmisë do t’i krijojë personazhit narrator mundësi për të hyrë në botën e lirë të observimeve. Vetmia, aq e kërkuar dhe aq e gjakuar, do të ndërtojë relacione të reja, gjithnjë të reja, të botës së ndërlikuar të Njeriut Kontemplativ: ajo bëhet hapësirë e vetekzistimit, bëhet vetënjohje, vetësprovim shpirtëror, betejë me vetveten. Anton Harapi është fitimtar idealist në këto hapësira të vetmisë; ai nuk është ndonjë i mundur a ndonjë i vetmuar që kalëron drejt vdekjes. Kurrsesi. Pra, maja e individualizimit sa më të plotë do të arrihet, kur ai do të gjendet në mediumin e vetmisë: ashtu, në një lundrim që i ndriçon rrugët drejt sferave të idealit. Në këtë vetmi të kërkuar ka diçka nga vlera gnoseologjike, që e vlerësonin mendimtarët antikë grekë e romakë; ka diçka edhe nga krishterimi mesjetar, i cili pati nënvizuar idealet asketike të vetmitarit. Gëte pati thënë: “Nëse vetëm një herë do të kesh mundësi të gjendesh i vetëm në kuptimin e vërtetë të fjalës, atëherë më nuk do të jesh i vetmuar”! E pra, vetë titulli i veprës, “Valë mbi valë” do ta sugjerojë përpjekjen për t’i gjetur esencat e vlerat e përgjithshme, me të cilat njeriu do të mund të kishte lidhje të amshueshme.

Shkrimtari, në poetikën e kontemplacionit, gjithsesi, do t’i veçojë një varg çështjesh që kanë ngarkesë etike e filozofike. E tillë është çështja e njeriut të drejtë. Të varfrit e të skllavëruarit ofshajnë më kot për të kërkuar drejtësi e lumturi në këtë botë. Në këso rastesh frati idealist do ta shquajë protestën morale kundër të këqijave që ngjanë përreth nesh. E kur as aty nuk gjen ngushëllim e rrugëdalje, ai do të ngjitet në sferat e transcendencës. Qetësinë e gjen në rendin e drejtësisë hyjnore, e cila s’është asgjë tjetër, pos një figurë mitike e ligjeve të pafajësisë njerëzore!

Po shtojmë: tek e fundit, kush më shumë se krishterimi krijoi Frymën e Pavdekshmërisë e të Ringjalljes, të Ngritjes Në Këmbë, kur njeriu bie për dhé; kush e vuri të varfrin dhe të robëruarin në një shkallë me të mëdhenjtë, me mbretërit, me gjeneralët a sundimtarët tjerë; kush e krijoi, prandaj, si krishterimi, martirizimin si revoltën më të skajshme kundër shtypjes e tiranisë; ishte krishterimi ai që e krijoi Të Drejtën E Martirizimit; por ky martirizim bëhet në emër të vlerave më të larta njerëzore dhe kurrë nuk do t’i prekë të pafajshmit a fëmijët; një martirizim që kufizon me pacifizmin e “drejtësinë hyjnore”; e pacifizmi konsiderohej vlerë e qenieve të zhvilluara shpirtërisht, do të thoshim. A s’është “drejtësia hyjnore” burim për të gjitha kushtetutat dhe kanunet e shteteve demokratike e moderne?

E pra, frati idealist e shquan plotësisht vetëdijen për “ngjitjen” në katet e larta apo në “valët” më të larta të transcendencës: ashtu sikundër do ta shquajë edhe vetëdijen për kufizimet, për rrudhjet dhe për mbylljet brenda atyre kateve të larta të shpirtit e të observimit. Prandaj ai do të zbresë në realitetin e jetës së përditshme; së këndejmi, në regjistrin e problemeve jetësore, shënohet edhe çështja e veprimit përballë kësaj transcendence: “Edhe në ket kërkesë ngela: ke gjeta me idenë, por pa fuqinë vepruese, kuj i gjeta lvore për pa kurrkund thalb” (fq. 39). Alternativa e “kundrimit shpirtëror” e do “fuqinë vepruese”; njëra pa tjetrën, alternativat e tilla, janë si “lvore pa kurrkund thalb”. “Thalbi” është nocion i Harapit për esencat dhe kontemplacionin, kurse “lvorja” është realiteti i jashtëm; që të dyja i kanë shtysat e veta. Nëse misionari idealist, sikundër është frati, është i pafuqishëm, që, me kontemplacionin e tij të zgjidhë çfarëdo problemesh të rënda praktike; ai do ta tregojë këtë forcë veprimi e këtë vrull jetësor me shembullin e udhëtimit të tij. Udhëtimi shënon lëvizjen, veprimin, cakun, qëllimin. Ndërsa “kundrimet shpirtërore” do t’i shënjojnë botën e shqetësimeve të brendshme dhe përjetimet, vetëdijen ndriçuese dhe sintezat observuese. E kështu, përsëri do të ndeshen e do të brendakryqëzohen në gërshet me njëra-tjetrën vita activa e vita contemplativa.

Tregimtari shpesh do të gjendet në rolin e intelektualit e të eseistit, duke mëtuar për të dhënë përfundime precize shkencore-filozofike dhe duke synuar që ta pushtojë jetën nga thellësitë e saj:

“S’ka si shpirti e ndiesit bujare të pershîhen me rrethana të vendit, të kohës, të ndeshtrashave të jetës!” (fq. 42). “E mendja më trette larg anë e kand në Shqipnî e nder shqiptarë.” (fq.56).

Tek ia përcjell lexuesit këto mesazhe, te romani “Valë mbi valë” problemet dhe temat e botës shqiptare duan të marrin vlerë gjithënjerëzore; autori do të jepet në kërkim të kuptimit e të qëllimit të jetës:

“po s’kje zemra, po s’kje dashtnija, ndera, shpirti, hatri e kuptimi, që ju lidh jú per fmi e familje, per rrnesë e gjallnim, per shka tjeter, dro per pare, a per pasunî do të bájshi e do të vuejshi, sá hiçni e sprovoni?…Po, po u tham prap, se pa to nuk rrnohet, po kúr te vije thika n’asht, si me bâ?” (fq. 72).

Herë-herë vizioni tragjik i jetës dhe i ekzistencës, do të mund të veçohet e do të nxirret nga refleksionet për krizat e për pasigurinë e përgjithshme, ashtu sikundër do të mund të veçohen e shpërkumtohen nga përsiatjet për situatat jetësore të individit në ambientet sociale dhe për izolimin e veçimin e këtij individi nga filozofia e esencës, po jo nga ajo e ekzistencës:

“Më sá mund i pshtojmë dekës, aq mund u pshtojmë vuejtjeve në ket jetë” (fq. 73), ose : “Kshtu âsht kjo jetë: Nji lojë qi vijon me luftë e maron me dekë” (fq. 75).

A nuk ishte vetë jeta e Atë Anton Harapit një lojë me vdekjen, për shkak të misionit të tij idealist?

(Ky shkrim është botuar, së pari, te revista lettrare "Jeta e re" e Prishtinës, më 1996, mandej te konmpleti i veprave të Anton Harapit dhe, së fundi, n librin e autorit të këtyre radhëve, "Muza e kujtesës", që u botua sivjet, më 2007).


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Botimet fetare në Kosovë (14-11-2007)
Alma Papamihali dhe libri i saj i ri "Nën tingujt e natës" (12-11-2007)
Lasgush Poradeci kthehet... (10-11-2007)
“Kulti i librit” dhe paradokset e kohës... (10-11-2007)
Poeti Leom sipas revistës Natiunea të Bukureshtit (02-11-2007)
Pse rrinë jashtë Nobel-it gjenitë në historinë e shkrimit...?! (01-11-2007)
Copera kujtimesh per jeten e Mitrush Kutelit (01-11-2007)
Recensione të shkurtra për veprat: Nga vlerat e traditës dhe Kureshtje letrare (23-10-2007)
Jeton Kelmendi në rumanisht - një shpërthim autokton i shpirtit shqiptar (15-10-2007)
Historitë pa emra të njeriut "modern"! (14-10-2007)
Universi poetik te Ali Podrimja (13-10-2007)
Jorgo Bulo: Kriza e kritikës, është krizë e vlerave (12-10-2007)
Klara Kodra: Gjendja kritike e librit dhe kritika (12-10-2007)
Bukuria e vargut (08-10-2007)
Romantiku i harruar (05-10-2007)
Halil Haxhosaj FJALË E PLAGË (poezi) (03-10-2007)
Rizah Sheqiri në gjuhën rumune (25-09-2007)
Dimensioni semantik i dhembjes (23-09-2007)
Golgota e një populli martir në retrospektivë (16-09-2007)
Vepra me kritikë letrare me vlerë (14-09-2007)
Pas leximit të librit “Jeta e një kumarxhiu” të autorit Arben Subashi (03-09-2007)
Përse është poet modern Migjeni? (21-08-2007)
Figura e Kozmosit në veprën letrare (20-08-2007)
Mehmet Myftiu, autori i romanit për disidencën shqiptare (18-08-2007)
Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar (17-08-2007)
Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit (13-08-2007)
Shpetim Kelmendi në Oazet e paradites (09-08-2007)
“Home”, një roman krejt i veçantë (01-08-2007)
Shënime për romanin “Tri motra në një qytet”, të shkrimtarit Petrit Palushi (29-07-2007)
Botues librash apo seksere te rendomte (21-04-2006)
Si lindi “Lahuta e Malcis” (18-04-2006)
Libri është i shenjtë (17-04-2006)
Poezia e ndaluar e Agim Gjakovës (15-04-2006)
Shkrimtarë, çfarë profesioni keni? (13-04-2006)
Skender Sherifi, Poezia Kentaur (10-04-2006)