| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Halil Haxhosaj: Gjakova në krijimtarinë letrare të Hasan Hasanit E enjte, 13-12-2007, 08:56pm (GMT) GJAKOVA NË KRIJIMTARINË LETRARE TË HASAN HASANIT Nga Halil Haxhosaj
Shkrimet e para i bëri qysh kur ishte nxënës i shkollës fillore, ndërsa vjershën e parë e botoi më 1965 në revistën letrare “Jeta e re”, kur i kishte mbushur 18 vjet dhe kur ende ishte nxënës i bankave të shkollës Normale të Gjakovës. Si nxënës i kësaj shkolle ishte ndër anëtarët më të suksesshëm të Grupit letrar “Afërdita”, të cilin e udhëhiqte poeti i mirënjohur Din Mehmeti, që ishte profesor në këtë shkollë. Pas dy vjetësh prej botimit të vjershës së parë, Hasani botoi edhe përmbledhjen e parë me poezi “Krojet e bardha”, më 1967, kurse në vitin 1969 i botoi edhe dy vepra poetike: “Dallgët e vërrinit” dhe “Dy legjenda”. Është e rëndësishme të thuhet se në këtë vit regjistrohet në Fakultet në Prishtinë dhe punoi në redaksinë e gazetës së studentëve “Bota e re”. Por ai nuk e ndali kurrsesi aktivitetin letrar, sepse vit pas viti jo vetëm që shkruante por edhe botonte vepra letrare në poezi, prozë, etj. Tematika dhe gama e interesimit letrar të Hasan Hasanit në fillimet e krijimtarisë letrare është e ngulitur në ngjarjet më të rëndësishme të kohës dhe të historisë së popullit nga treva prej nga vjen. Kështu, pena e tij dhe muza e frymëzimit ishin të ngjyrosura me përjetimet artistike të njeriut të kësaj treve. Andaj, nuk është aspak e çuditshme pse ky autor që në fillim do të shkruaj për vendlindjen, luftën, emancipimin, lirinë, jetën e re, Dushkajën, Gjakovën. Gjakova është një gurrë e pashtershme frymëzimi për vargjet poetike të Hasan Hasanit. Qyshë në fillim të krijimtarisë së tij ai shkruan vargje për Gjakovën. Madje, këto vargje janë një dëshmi se ai është njëri ndër krijuesit tanë më të mirë në përkushtimet që i bën Gjakovës, njerëzve të saj, trimave, trimëreshave, dëshmorëve, heronjve, luftëtarëve të paepur, etj. Ai shkruan vargje përkushtuese për Bajram Currin, Emin Durakun, Dyl Tahirin, Ganimete dhe Abedin Tërbeshin, Hysni Zajmin, Shani Nushin etj. Por edhe për dëshmorët dhe luftëtarët e luftës së fundit çlirimtare të Kosovës dhe të Gjakovës ka shkruar vargje dhe vepra Hasan Hasani. Bile vepra më kapitale e kësaj kohe është “Dëshmorët e Dukagjinit” ku janë përfshirë shkrime për të gjithë të rënët e kësaj treve në luftën e fundit. Po ashtu shkroi edhe veprat “Abeceja e UÇK-së” dhe “Shqiponjat e Jabllanicës” ku shkruhen vargjet më të bukura për trimat e UÇK-së, për dëshmorët dhe luftëtarët si dhe për ata që nuk kursyen asgjë, madje as jetën për lirinë e Kosovës. Dhe thënë me gjuhën e statistikës, ky shkrimtarë i ka shkruar më se 1500 vargje poetike, për Gjakovën, dhe shumë faqe të tjera të prozës, tregimeve dhe publicistikës. Krijimi i parë me këtë tematikë është poema “Baladë për Plakun e maleve” kushtuar Bajram Currit. Poema është botuar në revistën letrare “Jeta e re” numër 1 në vitin 1967. Ajo përbëhet prej pesë pjesësh me vargje monokolonë me rimë. Vargjet janë gjashtëmbëdhjetë rrokeshe dhe po ashtu janë të renditura në formën e monokolonës pa ndarje në strofa. Madje mund të konstatohet se ky është varg i formës naimiane të veprës “Bagëti e bujqësia”. Poema është e mbështetur në të dhënat historike të vrasjes së Bajram Currit në Shpellën e Dragobisë. Në të poeti përdorë edhe vargje të këngës popullore që inkuadrohen mrekullueshëm. Madje kjo formë e vargjeve veç sa e ngjiz dhe e shtreson edhe më thellë përjetimin dhe figuracionin poetik. Kështu, trimi Bajram Curri, nga pena e Hasanit duket po aq madhështor, trim dhe i paepur mu sikur në këngët popullore dhe në kujtesën e popullit. Kësaj figure emblematike të Gjakovës, poeti do t’i kthehet prapë në vitin 1980 duke e përpunuar baladën për të. Ai tash e shkruan një kurorë sonetesh me titull “Baca i Dragobisë”, ku secilin prej soneteve e titullon dhe në fund edhe sonetin e pesëmbëdhjetë e quan Magjistral. Ndërkaq soneti i katërmbëdhjetë “Roje i bëra, në gjumë dremitëm” është një krijim lirik, i cili shpirtëzohet me ndjenjën dhe përjetimin figurativ të poetit për këtë figurë të madhe tonën.. Madhështisë së tij i falin nga diçka: guri, shpella, gurra, pisha, lulja, gështenja, Dragobia, dielli, Shkëlzeni, Valbona dhe toka edhe atëherë kur “Bleron bjeshka dhe zbardh bora n’Dragobi”. Në fund të kurorës është shënuar data 1967-1977, ndërsa kjo është botuar në vëllimin poetik “Idhuj adhurimi” më 1998. Të dyja poemat kushtuar Bajram Currit janë poemë me subjekt të caktuar, i cili paraqitet në fillim të saj dhe mishërohet me krijimin poetik dhe figurativ duke frymuar dhe reaguar si subjekt lirik i saj. Ndërkaq, Hasan Hasani, poezinë përkushtuese për Gjakovën me titull të njëjtë e shkroi në vitin 1980 dhe e botoi në përmbledhjen “Uanazëforta” në vitin 1984. . Edhe ky përkushtim është një krijim në formë të poemës dhe përbëhet prej 10 pjesësh dhe 123 vargjesh. Secila pjesë e poemës ndahet në strofa që kanë nga dy vargje katërmbëdhjetë rrokeshe me rimë AA. Duhet potencuar se në fund të secilës pjesë është vetëm një varg, i cili, mbase është shprehje poetike e ngjizur dhe e skalitur figurativisht e mjeshtërisht nga poeti Hasan Hasani. Këto dhjetë vargje, mbase sinjifikojnë atë për të cilën poeti krijon dhe ajo është Gjakova artistike. Por, kjo anë nuk duket formale, madje as e shkëputur, por bashkëjeton në simbiozë me Gjakovën reale, me Gjakovën e kohës në të cilën jeton dhe krijon poeti Hasan Hasani. Poeti nuk e ndal këndimin për Gjakovën, por atë e shtrinë edhe më thellë në histori të reja të saj. Si çdo krijues tjetër edhe ai është vizionar për fundin e një shekulli dhe fillimin e një të riu. Përendemi i shekullit XX për Gjakovën ka domethënie tragjike. Ndërsa fillimi i shekullit tjetër vjen me rreze dhe dritë tjetër të diellit të Gjakovës. Shekulli XX perëndon pas hijes së vet duke e hëngër dhe duke u ngulur në vetveten e tij, por duke përfunduar me vargun “Shekulli XX po i sjell këngëfitoret e veta!”. Këto këngëfitore bëhen edhe më të praruara në fillim të shekullit XXI kur Kosova e pret krahëhapur fitoren e lirisë të pritur me shekuj. Kjo liri skalitet me gjakun e derdhur të trimave të UÇK-së. Ata janë trima, sypatrembur, hero, viga, bij të shtrenjtë të atdheut. Ata janë farkues të jetës së re që po lulzon në Kosovën e çliruar. Figura e Gjakovës në krijimtarinë letrare të Hasan Hasanit vjen gjithnjë duke u shtrirë në gjerësinë dhe në thellësinë e vet. Ajo nuk është e ngurtë, madje as e tkurrur, por frymon, rrezaton, shkëlqen dhe merr figuracion tjetër. Madje, kjo figurë nuk është e ndalur vetëm në një dritare të një kohe të historisë, por ajo hapëron horizonteve të jetës, marshon shtigjeve të lavdisë historike, por edhe të tragjedisë së saj. Të gjitha këto, pena krijuese e shkrimtarit Hasan Hasani di t’i skalisë, di t’i latojë, di t’i gërshetojë dhe di t’i paraqesë ashtu siç e ka merituar dhe ashtu siç e meriton edhe sot Gjakova. Andaj, Gjakova në krijimtarinë letrare të Hasan Hasanit është një simbiozë e jetës së saj në realitet dhe në poezi. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||