Letërsia Shqiptare

U dynd vdekja dhe gëlltitur mbet nga vargjet
E diel, 16-12-2007, 06:34pm (GMT)

U dynd vdekja dhe gëlltitur mbet nga vargjet*

Nga Ardian Kristian Kyçyku

-Disa fjalë mbi praninë e Ali Podrimjes në poezinë evropiane

Asnjëherë s’është vonë të flitet për Vdekjen, sidomos për dy fytyrat thelbësore që lindja e re (sipas mistikëve) dhe fundi i botës, ose asgjësimi (sipas ateistëve), i ka të paktën qysh kur në këtë botë shkruhen vargje. Vdekja e dhunshme, e pazbërthyeshme, zemërgurtë, e dalldisur, e shoqëruar nga një humor çnjerëzisht i zi - dhe Vdekja pa të cilën letërsia nuk do të kish ekzistuar. Ndoshta në pafuqinë apo në ngutjen për t’i ndarë qartësisht të dyja fytyrat e Vdekjes, qëndron edhe tragjedia e vërtetë e njerëzimit, por edhe kufiri që veçon grurin nga egjra. Njeriu pasmodern nuk i ndruhet më vdekjes ngaqë e ka lënë veten t’i zhvatet ajo që ka më të shtrenjtë dhe më të amëshuar qysh nga lindja, domethënë Besimi. Ai lejoi, madje bëri çmos që ta zhvendoste besimin në qënie tek besimi në sende. Por, teksa qëniet janë të pafundme ngaqë dhurojnë e vetëdhurohen, sendet kanë një fund ngaqë përthithin në mosdije gjithçka dhe të gjithë. Në një farë mënyre, e ardhmja e njeriut është shkretuar nga e shkuara, sepse sendet, duke mos pasur as të shkuar e as të ardhme, orvaten t’i ngjizin rrejshëm ato. Mistiku i shquar Kleopa këshillonte qartë: në të djathtë të mbajmë frikën nga Perëndia, në të majtë frikën nga Vdekja, për të lartuar kësisoj muret shpirtërorë që e ndihmojnë njeriun të çapitet vetëm përpara, drejt shpëtimit. Vdekja e epërme, mësimdhënësja, ajo që urtëson, mbush me mëshirë e mirëkuptim, është e lidhur ngushtë me Perëndinë, madje përfaqëson një mjet të fshehtë të Tij. Por sytë e njërëzve të sotëm janë të zbrazët, të përndezur nga pakënaqësia dhe pangopja, ndërkohë që uria e shumëfishtë e tyre është bërë qelizore dhe marroke, ngaqë e kanë harruar Vdekjen dhe i druhen në mënyrë sporadike, në raste urgjence, vetëm vdekjes së trupit. Ky është shkaku që, ndër të tjera, nuk ia kanë frikën as Perëndisë.

Rrallëherë ndonjë fjali më ka ardhur njëherazi në të dyja gjuhët që shkruaj. Fjalia U dynd vdekja në kullën e Poetit dhe i rrëmbeu fëmijën (në shqip) dhe Nãvãli Moartea în turnul Poetului şi-i rãpi copilul (rumanisht) më është ngulitur në mendje pas leximit të poezisë së Ali Podrimjes**, përkthyer në rumanisht. Ndodhia që ka lindur fjalinë e mësipërme është aq e dhimbshme, saqë lyp heshtjen e një përshpirtjeje, e ruajtjes së diçkaje të shenjtë, por e njëjta heshtje ta përshfaq vegueshëm shtjellimin dhe çnzjëtimin e një të shkruari që vështirë se mund të ndryhet në kanune a rryma letrare. U dynd vdekja në kullën e Poetit dhe i rrëmbeu fëmijën. Djalin. Mbartësin e gjakut, e emrit dhe të ardhmes së fisit. Në vitin sprovëmadh 1982. I la në këmbim penën, trandjen e prindit mbetur pa bir, - si në kohëra lufte, kur jo fëmijët varrosin prindërit, por anasjelltas, - sidhe një sasi të stërmadhe letre të bardhë. Në atë letër dergjet i vetmi ngushëllim, i shkallëzuar, gati-gati ritual, i Prindit-Poet. Mirpo i rrëmbeu djalin. Mirpo i la krejt pjesën tjetër të botës. Biri merr me vete një botë të tërë, ndërsa Prindit i duhet të rindërtojë nga shkretia e strukur përtej letrës së bardhë dhe jetës së nxirë dhunshëm botën-me-djalë. Aspak rastësisht, biri quhet Lumi***. Barasvlerësi i Përmbytjes dhe i ujit të së shtunës në traditën shqiptare është E mori lumi. Ky lumë haset edhe në përfytyrimin apokaliptik të prozatorit të madh Mitrush Kuteli. Lumi i Madh përmbys gjithçka, kthen sëprapthi, rrënon dhe gëlltit një botë të tërë - ndërsa prindi Ali Podrimja lipset ta mposhtë letrën e bardhë të një zije pa ngushëllim duke pritur (edhe ne tok me të) çfarë ka për të sjellë Lumi i Vogël.

Do të kish qënë e gabuar të pohonim se Podrimja nuk do të kish qënë zëdhënësi i madh i Dhimbjes po qe se nuk do të kish humbur të birin. Por është e sigurtë se tronditja e humbjes së një “kryevepre” në mish e eshtra e mësoi dhe e përgatiti për të ligjëruar në vend të shumë njerëzve të shtypur nga paparashikueshmëria e Vdekjes. Ai nuk e rrëmben të drejtën për të folur në vend të të tjerëve dhe as nuk abuzon me sasinë e stërmadhe të letrës së bardhë, por e fiton si një të drejtë tejlëndore, njëlloj sikur kjo e drejtë të qënkej i vetmi mishërim i mundshëm i fëmijës së bjerrur, aq sa mund të betohesh se është lindur me fuqinë dhe misionin për t’i ndriçuar të cfiliturit nga vdekja, në palcë. Tragjedia na kujton tërthorazi ritin e stërlashtë të dakëve, të cilët, për të marrë një përgjigje apo një falje nga Yjori, zgjidhnin nga një djalosh të panjollë, të pastër shpirt-e-trup-kulluar, dhe e bënin të hidhej në një gropë plot me shigjeta. Në një farë mënyrë, ai ishte shpëtimtari i fisit. Po qe se përgjigja vonohej, donte të thoshte se djali nuk pat qënë i pastër aq sa duhej. Prandaj zgjidhej një tjetër, dhe kështu deri në marrjen e përgjigjes-zgjidhje. Një përfytyrim tanimë i pragmatizuar rreth rëndësisë së trupit dhe të shpirtit, i shtynte dakët të gëzoheshin në vdekjen e dikujt, të këndonin, të ngazëlleheshin, dhe të qanin me shtatë palë lotë kur lindej dikush.

Koha dëshmon se Podrimja nuk është zgjedhur rastësisht. Drama mizore e hapësirës në të cilën është lindur, – ku shpesh vetëm vdekja nuk vonon e ku nënat i mëkojnë edhe fëmijët e vdekur, – përgatiste kaherë një zë i cili do të mundte t’i jepte zemër shpirtit të bashkësisë në çaste mëdyshjesh, ose pas fatkeqësish që duken absurde. Roli i këtij zëri nuk është më i vogël as sot, sepse drama kosovare dhe mbarëshqiptare, ende nuk ka marrë përgjigje. Dhe kur shumë vetë bëjnë çmos që ta anashkalojnë vuajtjen vetjake dhe atë kolektive, kur jo pak të tjerë mezi presin të zhvatin dekoratat e caktuara për vuajtjet e tjetrit, qoftë edhe duke e dekoruar këtë, - njëlloj sikur dekorata të qënkej nëna e vuajtjes, - e folmja në emër të Vuajtjes së thellë njerëzore tingëllon patetike ose e stisur. Por Podrimja dikton një tjetër strukturë të ligjërimit, madje edhe të leximit të poezisë. Ai nuk ndalet vetëm në një apo dy degëzime të Dhembjes (për dashurinë e përdhosur, për atdheun e shkretuar e të plaçkitur, për hipokrizinë e rëndomtë, për sahanlëpirjen dhe demagogjinë, që e çojnë botën në humnerë, për njeriun e poshtëruar e të huajsuar, për shpirtin e rrënuar, për prindër përjetësisht në zi etj), por njësohet me vetë Dhembjen e qënies që ende ndodhet në trup - dhe i rrëmben butësisht vetë gjuhën.

U dynd Poeti në shtëpinë e Vdekjes dhe i rrëmbeu ligjërimin…

Poeti Ali Podrimja shfaqet në shkrimin shqip të mesviteve ’60, kur hapësira perëndimore e Evropës e mbante lindoren në një farë oborri të mbyllur, apo burg të hapur, por deri në cak të oborrit. Izolimi s’mund të ketë asnjëherë një “prind” të vetëm, ndërsa zgjatja e tij në kohë e mpak hapësirën, e bën frymëzënëse dhe ul çmimin e lëkurës. Mos vallë Perëndimi ka dashur të shohë sa është në gjendje të mbajë lindori fatkeq, apo ka synuar ta përhapë vdekjen e papërgjegjshme, trupore, motër e kësaj bote dhe jo e qiellit? Pó Perëndimi, duke ndryshuar klishetë e parrullave të dikurshme, por duke ua ruajtur thelbin, i shpërdoroi deri në bjerrjen e fjalëve burimore, e shpirtmadhësisë, e empatisë, e detyrimit njerëzor për ta përfytyruar veten, qoftë edhe përkohësisht, gjer edhe thjesht për kurreshtje shkencore, në vendin e sivëllait, për të mbërritur deri tek humbja e Hirit, aq sa u katandis vetëm në gjendjen e soditësit. Perëndimi nuk merr pjesë drejtpërdrejt dhe nuk përfshihet në dramën e mirëfilltë, ama dëshiron ta udhëheqë fatin e saj. Rehatia ime vlen më shumë se vuajtja jote, duket sikur thotë, megjithse ti je i gjallë dhe i munduar, ndërsa unë i nginjur dhe i ngurtësuar. E çfarë pastaj nëse…

E çuditshme është që të ngujuarit në skenë i ka pushtuar euforia dhe besojnë se po rindërtojnë nga themelet botën mbarë. Poezia shqiptare kalon nëpër një periudhë kënetore, ku Shpirti përndiqet e poshtërohet ashtu siç as poezia nuk arrin dot ta rrëfejë. Diktatura i bind përfaqësuesit e metastazikut realizëm socialist se janë feneri i komunizmit në botë dhe se pjesa tjetër e planetit s’ka asnjë rrugëdalje mbijetese, nëse nuk përvetëson mësimet e internacionalizmit proletar. Gjoja jo paranoja na mban të vetërrethuar, duke na detyruar ta bëjmë hak fatin, por presim përqark dramës së Perëndimit, që ky të na japë të drejtë, të na përulet, ta pranojë miopinë e vet. Të njëjtët zëra sëmurës u kallin tani frikën lexuesve me zgjerimin e pamëshirshëm të globalizimit, dukuri që, sipas tyre, do t’i shfarosë letërsitë kombëtare, vlerat, autenticitetin etj. Synimi është që lexuesit, të helmuar gjatë një gjysmëshekulli, të ngrenë në qiell dhe të mos mundin të heqin dorë nga shpëlarja e vullnetshme e trurit, nga frika e globalizimit, pra të rrafshojnë çdo vlerë të re letrare, ose ta trajtojnë si ndonjë murtajë. Përndryshe pushteti i pinjollëve dhe i nipërve të propagandës, - që ngatërrojnë fuqinë e dhuntive me atë të qeverive, - zhduket.

Ali Podrimja shfaqet si një zë i pangatërrueshëm në poezinë shqiptare dhe flet në emër të Dhembjes tërësore pikërisht kur shumica e kolegëve të penës u thurrin lavde arritjeve të komunizmit. Shqipëria e tij është e përjetshme, e shkëputur nga realiteti i çastit në disa shtresime kohore dhe hapësinore, të ndërthurrura e të ndërvarura (Arbëria, Çamëria, Kosova, Shqipëria, Diaspora, Guri, Kulla, Uji i Madh, Drini, Sharri, Ereniku, Arta, Bjeshkët e Namuna, ura dhe lumenj dhe kulla dhe të vdekur të mbivendosur në kohë dhe në hapësirë etj, zonë në të cilën një vashë, bie fjala, mbytet në një lumë falë pikëllimit të brigjeve që nuk takohen), por e pacënuar dhe e paprekshme në poezi. Ajo është Uni-Versi**** i shpërbërë dhe i përbërë nga vers-e (vargje). Poetografia, - që t’i vemë një emër gjeografisë së ngjizur nga Podrimja, - nuk është shprehja e një arratie në vargje, por e një angazhimi në fatin e amëshuar të etnisë, ku përmasat e kohës janë të shkrira në një të tashme të paskaj. Poeti i këqyr vuajtjet dhe pamundësitë e dje-sot-nesër me syrin global dhe nuk i thërrmon dramat e përditshme, apo të përjetshme, që të ushqejë globalizmin. Por është i vetëdijshëm se sa e tashme duhet të rrjedhë deri në (ri)përmbushjen e përfytyrimit të vet zanafillor, sa breza lipset të mbërrijnë në botën tjetër, mbase për ta ndrequr me çmimin e jetës baraspeshën e prishur të kohërave - dhe duron, por pa iu shmangur për as edhe një grimë tragjedisë së kombit të tij.

Poezia e Podrimjes është bërë dhe mbetet bashkëkohëse me Gurin që mendon e hesht në gjuhën shqipe. Në kushtet e sotme, ky Gur është jo vetëm kufi i së vetvetishmes dhe i dinjitetit, por edhe koka e kthjellët e vetëqënies së një kombi. Ai ndan qartë vdekjen e rëndomtë nga ajo e lartë, mbështetëse e Shpirtit. Guri e ndihmon Poetin të riformësojë vajtimin, kujën e sidomos ankesën, duke rishpirtëruar dinjitetin. Ajo që lëviz dhe përshkruan lëvizjen mund të shtjellohet në mënyrë të paparashikueshme dhe të panatyrshme, sidomos nën trysninë e pragmatizmit. Prandaj nga poezia e Podrimjes nisin të tërhiqen foljet. Tendosja, të cilën foljet e zbutnin dikur, mërgon tani drejt fjalësh të tjera, drejt përfytyrimeve të mëtuara në dhe nga mungesa e foljeve, struket deri në shkrirje, duke krijuar kësisoj një poezi thuajse të prekshme, por të prekshme deri në pikën ku s’mund të shformohet. Poezia bëhet frymëzim dhe frymëmarrje dhe asnjëra nuk vepron këtu si një folje, por si një realitet që ndërtohet shkallë-shkallë, si një lutje e dyfishtë: për të mbijetuar shpirtërisht dhe për t’i forcuar ata që ndjejnë njëlloj, por që nuk mund të shprehen në (uni)verse. Shpeshherë, sikurse ndodh me poezinë e madhe, tek Podrimja gjithçka duket sikur shkruhet vetë. Më saktë: qëniet, sendet, hapësira dhe koha duket sikur kanë rënë në ujdi që të përcaktojnë një ligjërim dhe të bëhen të lexueshme me shkuesinë e autorit. Poezia flet në një kohë kur jeta dhe vdekja mbajnë vesh, mbetur pa gjuhë. Nuk janë të paktë autorët që besojnë se mjafton t’ua krasitësh foljet disa përshkrimeve, t’u ndrrosh vendin ca fjalëve, të shtosh ca gllënjka sarkazme të epërme dhe ke për të fituar vetiu zërin e Podrimjes, mëninë e tij poetike, fuqinë për të folur ndër dhe nga brenda Dhembjes. Nuk mjafton, ndërsa numuri i epigonëve dëshmon edhe një herë, megjithse nuk është nevoja, se poezia e madhe nuk udhëhiqet nga muzat, por u prin muzave. Prandaj poezia e Podrimes nuk shumëfishon dramatizmin e lexuesit, por e shndërron në mençuri, në përvojë.

Kundërveprimi i rreptë ndaj padrejtësive është cilësuar si një përmasë e rinisë pa pleqëri. Në një banesë të lumtur Vdekja rri në vendin e duhur. Në kullën e Poetit mungesa e fëmijës të grabitur dikur, para përjetësimit të së tashmes, është bërë rini e prindit. Ky e ka mposhtur vdekjen e papërgjegjshme me flijimin e padëshirueshëm të birit, duke fituar kësisoj mbështetjen e Vdekjes së epërme. Ajo ka zënë vend tani pranë Gurit, në qëndër të UniVersit, e qarkuar nga fjalë-imazhe, në një marrëdhënie ende të paqartë me pjesën tjetër të botës. Vdekja e papërgjegjshme ulërin si ujku i uritur dhe i vëritet kullës. Por poezia e madhe nuk duhet t’i paguajë ritmikishjt tribut vdekjes e madje as jetës. Në një vështrim më të gjerë, kulla mishëron qënien e shqiptarit, rrethuar nga përfaqësues të të paftuarve, si dhe të hiçit që përgjon mbrapa mirëkuptimit. Një poezi shkundulluese e shkruar nga Podrimja flet pikërisht për këtë gjendje faktike dhe shpirtërore. Në takofsh në udhë ujkun dhe shqiptarin, thotë dikush, vraj shqiptarin dhe fale ujkun. Përgjigja e shqiptarit është e thjeshtë dhe shajnitëse: Po qe se me vret mua, more, i gjorë, kush do ta vrasë Ujkun?!

Ujku duket të jetë edhe njëri nga mishërimet e hiçit në këtë botë. Sa i përket vdekjes, por edhe hiçit, gjërat janë të qarta, të paktën për shqiptarët. Se Të jesh shqiptar / e vdekja të mos të gjejë / edhe në skaj të botës / e pamundur është.

Cili mund të thotë sa vdekje të shumanshme kanë gëlltitur këta vargje?!

* Kjo ese shoqëron vëllimin antologjik “Cartea ce nu se închide” (Libri që nuk mbyllet) të Ali Podrimjes, me 93 poezi, përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku, që del këto ditë nga shtypi në Bukuresht.

** Ali Podrimja, poet i gjuhës shqipe, lindur më 28 gusht 1942 në qytetin Gjakovë të Kosovës, autor i një vepre poetike befasuese, i cilësuar si njëri nga themelvënësit e poezisë shqiptare moderne.

*** Lum Podrimja, i biri i poetit, vdiq në vitin 1982, pas vuajtjesh të gjata, nga një sëmundje e pashërueshme.

**** Fjalë e A.-Ch. Kyçykut. Këtu ka njëherazi kuptimin: Universi, Vargu Unik, NjëVargu, NjëFjala (rumanisht) dhe Vargu i Unit (shqip).



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.