| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Sarë Gjergji: Trajtesa mbi artin poetik - Epistula ad Pisones e Horacit E hene, 31-12-2007, 12:41am (GMT) Nga Sarë Gjergji TRAJTESA MBI ARTIN POETIK – EPISTULA AD PISONES E HORACIT Hyrje
Ky autor i trajtesës së njohur Arti poetik, i cili e ka përtërirë satirën romake, ka krijuar gjininë letrare të epistolës dhe i ka vënë rregullat e artit klasik. Në poezinë lirike të tij ka arritur të këndojë vargjet më të përsosura latine në odet, epodet, satirat dhe epistolat, në vargun e hekzametrit dhe në vargje të tjera të metrikës së kanonizuar greke, duke ndikuar fuqimisht në zhvillimin e letërsisë europiane dhe duke u shërbyer poetëve të rinj si mësues i pazëvendësueshëm.[2] Horaci me veprën e tij “Epistula ad Pisones” ose “De arte poetica” u bë prototip i asaj poetike racionaliste, e cila p.sh. me disa qëndrime të veta i shërbeu si gjedhe edhe Boalo-Despros për veprën, padyshim shumë të rëndësishme “L’art poetique” (1674), që për një kohë të gjatë ishte kanoni suprem estetik i klasicizmit francez.[3] Siç vëren studiuesi Arshi Pipa, Horaci ka qenë një poet filozof, i cili atë botëkuptim jete, të thithur qysh i ri prej librash dhe të asimiluar mirë me përvojë, e realizoi në praktikën e jetës… Ndonëse perandor Augusti ia besoi kompozimin e “Këngës Shekullore” – prapëseprapë diti me mbajtë dinjitetin e vet, me një farë distance prej perandorit.[4] Do thënë se Horaci, mësimet e para dhe të mesmet i kreu në Romë, për të vazhduar studimet e larta në Athinë, siç vepronin edhe shumë romakë të tjerë, që pretendonin të merreshin me arte, shkencë e politikë. Vepra letrare e Horacit (e shkruar në poezi), për nga përmbajtja, mund të ndahet në tri pjesë: a) poezi lirike, ku hyjnë Epodet[5] (një përmbledhje me 17 poezi), Odet (4 përmbledhje me 103 poezi) dhe Poezia shekullore e, që preokupim kryesor ka fatin individual të njeriut në raport me shoqërinë[6], *** Letra 3 drejtuar Pisonëve Ajo që më shumë tërheq vëmendjen e studiuesve të shumtë të Horacit, është Letra 3 drejtuar Pizonëve.[8] Në këtë letër, siç vëren edhe dr. Z.Rrahmani, e cila qysh në kohën e tij konsiderohet si Ars poetica, nuk do ta ketë më në qendër të interessimit artin e tragjedisë e të epit, po artin e poezisë përgjithësisht.[9] Në fakt, arti poetik këtu nuk është trajtesë komplete e sistematike, e as metodikisht e punuar, siç ishte, bie fjala, para Horacit, Poetika e Aristotelit, apo pas Horacit, Shkenca e re, e Gj.B.Vikos (1668-1744).[10] Mirëpo poetika e Horacit në vend të këtyre elementëve e ka natyrshmërinë poetike të këndimit mbi një materie jopoetike, e ka ndjenjen e gjallë poetike dhe ndieshmërinë me të cilën trajton aspekte të shumta e të ndryshme të poezisë dhe të rregullave të saj.[11] Kokën e njeriut sikur mbi qafë t’ia ngjiste kalit piktori/ dhe gjymtyrëve të mbledhura gjithandej t’ua shartonte/ puplat e larme asisoj që gruaja lart mbi bel, fort e bukur,/ të shndërrohej në një peshk të shëmtuar e të përhimë,/ ju të ftuar për të parë, o miq të mi, a do të përmbaheni së qeshuri? Kjo që ofruam më lart, mbase flet, siç heton studiuesi Z. Rrahmani, për çështjen e lirisë së krijimit, e cila lidhet me diskutimin e vjetër të Platonit e të Aristotelit mbi frymëzimin dhe përgjithësisht me mendimin e Platonit se poeti krijon kur është në gjendje të pavetëdishme, të përhumbur. Ndonëse poeti e ka lirinë e krijimit, sipas Horacit, ajo nuk guxon të keqpërdoret.[12] Më tej, Horaci, në letrën drejtuar Pizonëve, shtron kërkesën për unitet të veprës letrare dhe integritet të saj e, në këtë kontekst, gjithsesi edhe kërkesën për harmoninë e kompozicionit, harmoninë e elementeve të ndryshme në vepër.. Që vepra të jetë sa më e mirë, sa më e suksesshme, një rëndësi të veçantë, sipas Horacit, duhet t’i kushtojmë edhe zgjedhjes së lëndës, por pa harruar në shtjellimin e temës, “ngase në shtjellimin e mirë edhe tema banale shkëlqen”(Letër… 243). Duhet të tregohemi të kujdesshëm në zgjedhjen e subjektit, të një subjekti që është trajtuar edhe më parë ose që nuk është trajtuar fare. Këtu, sipas Z.Rrahmanit, Horaci mbase prek edhe çështjen e raportit midis të resë dhe të vjetrës, pra edhe diskutimin mbi të renë dhe origjinalitetin në poezi.[13] Horaci sugjeron subjektin që është në përkim me mundësitë tona si krijues, për një zgjedhje të vullnetshme të subjektit, por edhe në zgjedhjen e fjalëve, madje në rast se mungon shprehja e duhur ai thërret në krijimin e fjalëve e shprehjeve të reja.[14] *** Mirëpo, mos i vër në skenë veprimet që duhen kryer jashtë (Horaci, Letër…,182-188) Po edhe retorika del mjaft e rëndësishme në poetikën e Horacit, ndërkaq për të krijuar vepra të mëdha, përveç talentit,sipas tij, duhet edhe angazhim e punë sistematike e krijuesit: “poezia, është lavdëruar pse natyra ia dhuroi poetit, ose është fryt I mjeshtërisë së tij, mbi këtë diskutohet. Unë nuk e shoh se puna jep fryt nëse nuk ka pasuri shpirti, po as gjeni pa snjë dije: njëra ndihmohet prej tjetrës dhe lidhen këndshëm së bashku.”[15] Vetëm kombinimi i këtillë sipas tij na jep atë poezinë e mrekullueshme e cila përveç të tjerash, ofron kënaqësi dhe është e dobishme për jetën njerëzore. [16] Kemi të bëjmë këtu me konceptin e Horacit për të këndshmën dhe të dobishmën në art dhe, modele të tilla arti, sipas Horacit janë veprat e Homerit, Iliada e Odisea. Në vend të përmbylljes Me veprimtarinë e tij letrare, Horaci ka treguar individualitetin e tij intelektual duke lënë gjurmë të pashlyera në periudhën e artë të letërsisë romake. Ndonëse nuk shquhet për origjinalitet të veçantë, për sistematicitet e thellësi mendimi, siç është, ta zëmë, Poetika e Aristotelit, megjithatë vepra poetike e Horacit pati një ndikim të madh në krijimtarinë e shumë poetëve të kohës së mesjetës, kurse interesimi për veprën e tij nuk u shua as sot. Mendimet e tij për shumë çështje të artit, formës e përmbajtjes së veprës poetike, unitetit të stilit dhe temës, shprehjes e përzgjedhjes së fjalëve etj. etj. bëjnë që ndikimi i Horacit si poet dhe teoricien, të jetë në shumë periudha, i madh . Veç kësaj, “Arti poetik i Horacit - siç thotë studiuesi Zejnullah Rrahmani, ka aktualizuar dhe përcjellë drejt kohëve të reja poetikën klasike greke…”. [1] Horaci ishte bashkëkohanik i Virgjilit dhe i Ovidit. Lindi në vitin 68 në Venuzi, qytet i vogël i Apulisë, në Italinë Jugore. [2] Sedaj, dr. Engjëll, Horaci - Arti poetik, f.5, “Buzuku”, 2000,Prishtinë; shih edhe: Arti poetik i Horacit, Mustafa Ferizi, Fjala, f.16 [3] Gërliq, Danko, Estetika – historia e problemeve filozofike, f. 145, “Rilindja”, Pr.1984 [4] Pipa, Arshi, Lyrika latine, Maluka, f. 34-35, 2000. Shqipëri, [5]Studiuesit e mëvonshëm i kanë quajtur Epode, ndërkaq vetë Horaci i ka quajtur Jambe. Greq. Epoidos – quhet vargu i shkurtër që pason pas atij të gjatit. [6] Vinca, Agim, Kurs i teorive letrare, f.74, “Libri shkollor”, Prishtinë, 2002 [7]Vinca, Agim, vep.e cit. f.74: “Në satirat e tij ironizohen mendjelehtët, servilët, fajdexhinjtë, kundërshatërt e tij letrarë etj.”. Shih edhe Pipa, vep. e cit. f.34-39 [8] Letrën ia ka dërguar Luk Pizonit, personalitetit të shquar të jetës shoqërore romake, sikur edhe dy të bijve të tij për t’i udhëzuar sa më mirë në punë të artit. [9] Rrahmani, Zejnullah, Teoritë letrare klasike, f. 227, “Faik Konica”, Prishtinë, 2001 [10] Sedaj, Engjëll, vep. e cit. f.22 [11] Rrahmnai, Zejnullah, vep. e cit. f.227 [12] Rrahmani, Zejnullah, vep.e cit. f.229 [13] Shih, po aty, fq. 231 Shkurt: sidoqoftë, çdo vepër le të jetë një tërësi e plotë! …Ju që shkruani zgjidhni lëndën Krijuesi i vjershës duhet të jetë i hollë dhe i kujdesshëm [15] Cit, sipas, Z.Rrahmani, vep. e cit. f. 235 |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||