A duhet të mbyllen në muze I. Kadare dhe D. Agolli?!
E SHKRUAR ME VRULLIN E ERËS…
Nga Vasil PREMÇI
Shkrimtar
Ditë më parë, pas përfundimit të librit tim, “Ah, ky Esenini!”, u ndieva si të kisha hequr nga shpatullat një barrë të rëndë…Ftesa e miqve të mi poetë, që më grishte në takimin letrar të Shkupit, ngjasoi me shkendijën e zjarrit, që bie në barutin e thatë dhe më nxiti dëshirën për t’u nisur atje, një orë e më parë…
“Do të kaloj dy-tri ditë të bukura, -thashë me vete,- pas një pune të lodhshme, por edhe sepse, në tërësinë e vet, takimi do të mblidhte shkrimtarë e poetë, që do të promovonin disa vëllime poetike, si dhe do të recitonin poezitë e shkruara në këto mbrëmje.”
…Ky ishte udhëtimi i dytë për në Dibrën e Madhe. Instiktivisht, kujtimet
shkonin dhe vinin në mendjen time, fluturimthi, si zogj shtegëtarë…Pak metra pasi kaluam doganën, na u shfaqën varrezat e qytetit. M’u kujtua vrik se, tani nuk rronte më as miku ynë i mirë, publiçisti dhe studiuesi Lutfi Turkeshi, biseda e parë me atë, përpjekjet e tij duke kaluar doganën çdo të dielë për në qytetin e Peshkopisë, për të blerë dhe lexuar gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ja, shkova nëpër mend, tani ai nuk rron më dhe prehet atje tej, në qetësinë e përjetshme. Nëpër shkurret, që m’u duk sikur na ndiqnin me vrap përgjatë rrugës, nuk frynte asnjë pikë ere. Por nga degët e drurëve të xhveshur, aty-këtu, ngrihej papritur ndonjë zog i trembur vetmitar dimri. Xhamat e makinave lotonin tëposhtë avujt e kondensura të frymës sonë dhe të jepnin ndiesinë se po qanin në heshtje për mikun tonë të mirë Lutfi Turkeshi. Në atë çast trishtimi që më kaploi, nuk e di përse më erdhën në mendje vargjet e Eseninit:
Hënëza bardhoshe, bora sipër ndrin.
Vendi im i dashur veshur me qefin.
Vello-bardhë beriozat qajnë pyjevet,
Cili vdiq këtu? Mos jam unë vet...?
(Shqipëroi: A.Shehu)
Udhëtimet në vende të ndryshme janë për shkrimtarin si oksigjeni për mushkëritë. Me pak peripeci, mbërritëm në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë, për të marrë pjesë në “Takime nën Rrap”, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë.
Kështu, arsyetova i shpenguar se nuk do të kisha asnjë detyrim besdisës dhe do të ndigjoja qetësisht krijimet e pjesëmarrësve. Nuk hamendësova asnjë lloj keqdashje, asnjë lloj ”vigjilience” apo parandjenje për ndonjë debat të paralajmëruar letrar. Dhe, ndërsa poetë e shkrimtarë të ndryshëm po ligjëronin njëri pas tjetrit, përpara të pranishmëve, e mori fjalën një poet e shkrimtar nga Kosova, Gani Xhafolli. Një natë më parë, më kishte bërë përshtypje mënyra e veçantë e recitimit të poezisë së tij përshëndetëse, poshtë një rrapi të moçëm, të kthyer tashmë në një simbol e metaforë e përhershme të krijimeve poetike dhe të prozës së shkrimtarit, Kalosh Çeliku, në lagjen romantike të Çarshisë së Vjetwr, atje në Bit-Pazar, ku mjaft shqiptarë vendas lëvrojnë profesionet e tyre dobiprurëse. Madje, kur ai kishte mjaullitur disa herë, gjatë recitimit të poezisë së përzgjedhur nga krijimtaria e tij, aq herë sa mendonte se po sillte me vërtetësi artistike, përpara kolegëve të tjerë të ardhur nga viset shqiptare mjaullimat e maces, e pa të udhës t’i drejtohet, njërit prej grupeve të shkrimtarëve dhe poetëve të ardhur nga Shqipëria në të cilin bëja pjesë edhe unë:
-Ju, shkrimtarët nga Shqipëria, është mirë t’i mbyllni në muze veprat e shkrimtarëve Ismail Kadare dhe Dritero Agolli. Tashmë, krijimtaria e tyre ka marrë fund dhe është e prapambetur për lexuesin shqiptar. Ai deklaroi se “…Poezia është metafaizike, ajo duhet të ketë si objekt të saj zhurmën dhe muzikën që prodhon lavatriçja, hekuri, betoni, industria dhe rrokaqiejt, duke mposhur shpirtin…”. Ai u rekomandoi të pranishmëve si modelin e letërsisë së sotme moderne veprat e Beketit, Franc Kafkës dhe Xhojsit.
Në sallë u ndienë lëvizje karrigesh. Pa dashje, edhe unë kisha lëvizur sadopak, sikur nuk po më mbante vendi. Mbaj mend se, përpara meje u ngrit poeti Basir Bushkashi, i cili replikoi i shqetësuar për tezat që parashtroi shkrimtari Gani Xhafolli, për misionin e letërsisë së sotme botërore dhe në veçanti asaj shqiptare. Pastaj edhe një poete tjetër, Entela Safeti, të cilën nuk e njihja më parë. Pas asaj, fjalën e mora unë. Sigurisht, siç u shpreha edhe më lart, nuk isha përgatitur për ndonjë diskutim të posaçëm, por nga ana tjetër, isha gati të shkëmbeja mendimet me cilindo që do të dëshironte, rreth problemeve të sotme të letërsisë dhe përvojave tona. (Në mungesë të shënimeve të sakta të diskutimit tim replikues ndaj mendimeve dhe ideve të shkrimtarit Gani Xhafolli, do të përpiqem të sjell ato që mbaj mend).
Diskutimi im përvijoi në dy linja, në atë të “Shpirtit të kombit dhe në atë të shpirtit të poetit” të cilët, ndërthuren ngushtësisht, por duken sikur, herë largohen, dhe herë bashkohen me përgjërim me njëri tjetrin, siç ngjet me të vërtetë në jetë qysh nga krijimi i shoqërisë njerëzore.
Risolla në vemendjen e miqëve poetë e shkrimtarë, çastin pas vetvrasjes së po0etit Esenin, kur, miku i tij Gerorg Ustinov i kërkoi mjekut që kryente autopsinë, nëse mund të zbulonte diçka rreth ndijesive të fundit mendore. Përgjigja e mjekut ishte dëshpëruese: “Shkenca është e pafuqishme këtu. Ne mund të krijojmë vetëm anomalitë fizike, ndërsa ato psikike fluturojnë bashkë me frymën e fundit…”.
Pra, bëhet fjalë për shpirtin njerëzor, që ndahet nga trupi dhe fluturon, për pasurinë e përjetshme individuale të gjithësecilit, për atë që ngrihet mbi bukurinë fizike, mjaft kalimtare, që lulëzon në moshën e rinisë...
Shpreha mendimin se, në një moment kritik, kur shpirti i një pjesë të kombit tonë vuan e lëngon nga kolonializmi dhe shtypja sllave, kur kërcënohet nëpërmjet elaboratëve të udhëheqësve të tyre shtetërorë dhe shpirtërorë, me zhdukje fizike, krijuesit shqiptarë në tërësi, nuk mund të qendrojnë mënjanë apo vetëm të shijojnë letërsinë e Beketit, Kafkës dhe Xhojsit. Shpirti i shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë heq dhe vuan sëbashku me atë të kombit të vet, duke pasqyruar dhe lartësuar vetitë dhe virtytet që e kanë mbrojtur atë nga asgjësimi shpirtëror e fizik. Një komb nuk mund të rrojë dhe ndërtojë të ardhmen e vet pa fituar lirinë individuale dhe atë kombëtare, mbi të cilat ngrihet dhe flatron shpirti i vet dhe dashuria për jetën. Sigurisht, nuk kam asnjë përçmim për rrymat letrare, qoftë edhe të asaj rryme që pretendon se admiron dhe lëvron shkrimtari kosovar Gani Xhafolli. Edhe letërsia që krijon Gani Xhafolli është e dobishme dhe i duhet letërsisë, sepse shkrimtari është i lirë të krijojë në përputhje me shijet dhe konceptet e tij artistike dhe estetike. Në një pyll të bukur me drurë të drejtë, nuk është asgjë e keqe nëse njëri ose disa prej tyre e kanë trungun të shtrembët. Madje, në tërësinë e pyllit, ky lloj trungu, me veçantinë e vet, paraqet një përjashtim zbukurues, ashtu siç është natyra e pafundme në llojshmëri dhe përmbajtje. Por, e keqja nis atëherë kur, dikush prej nesh, këmbëngul që të gjithë drurët e tjerë, të cilët ngrihen madhështorë drejt qiellit të kaltër, porositen t’i ngjasojnë drurit të shtrëmbër...
Më tej, trajtova diçka nga eksperienca e letërsisë botërore dhe në veçanti e asja ruse...
Artistët revolucionarë që do të dilnin nga revolucioni i Tetorit shfrytëzuan me shumë efikasitet traditën dhe arritjet në mjaft fusha të artit. Por, para së gjithash, ata u influencuan nga rrymat letrare që ishin shfaqur në Europë, si bie fjala, rryma e kubistëve në Francë dhe ajo e futuristëve në Itali. Rrymat e simbolistëve, futuristëve, konstruktivistëve, prolektkultit dhe një numër rrymash të tjera, që nisën të konkuronin, paraqitën pretendime mahnitëse, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje.
Sigurisht, u kujtova të pranishmëve se, konceptet e shkrimtarit Gani Xhafolli, nuk ishin të reja, por ishin shprehur gati njëqind vjet më parë nga themeluesi i Futurizmit, poeti italian Filipo Tomaso Marineti, i cili shprehej se rryma që ai përfaqësonte në letërsi dhe fushat e tjera të artit, mbështetej fort në “...pasionin e zjarrtë dhe neverinë për idetë e kaluara dhe traditat politike e artistike. Thelbi i futurizmit nuk është gjë tjetër veçse: Triumf i teknologjisë së njeriut mbi natyrën”. Pra, e keqja e thirrjes së poetit dhe shkrimtarit kosovar Gani Xhafolli qëndron në faktin se ajo, mton të përjashtojë, jo një vepër letrare dosido, të një autori të çakërdisur fillestar, por dy nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë shqiptare, të cilët përfaqësojnë me dinjitet kulturën dhe letërsinë e vendit tonë sot në botë.
Gjatë atyre pak ditëve, pata mundësi të shfletoja edhe disa vëllime me poezi, të cilat u përkisnin këtyre rrymave moderne, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Është për t’u vënë në dukje, se poezitë e këtyre vëllimeve poetikë, “nuk njihnin” më dhe as nuk u bindeshin rregullave ortografikë të drejtëshkrimit. Bie fjala, një poezi me 10-20 vargje, nuk kishte asnjë shenjë pikësimi, asnjë presje, pikëpyetje, pikëçuditëse, pikëpresje, por vetëm një pikë në fund të saj. Me këtë rast, u kujtova poetëve eksperimentues se, shenjat e pikësimit, u ngjasojnë notave muzikore që ndërtojnë vijën melodike të një kënge, ose shenjave sinjalistike të qarkullimit rrugor, të cilat paralajmërojnë për praninë e ”kthesave të forta dhe të rrezikshme”, për kryqëzimet, drejtimet dhe mjaft elementë të tjerë të dobishëm dhe jetikë. Pa ato, zbatimin e atyre rregullave, katraura do të mbisundonte kudo, duke shmangur logjikën dhe kuptimin e pwrvojës njerëzore, ashtu si poezitë e këtyre rrymave, që, siç thotë populli, ”ku do të mbilleshin, nuk do të korreshin”. Por edhe poeti Gani Xhafolli gjeti rastin të replikonte duke u shprehur se “ ...shenjat e pikësimit, tashmë u shërbejnë vetëm nxënësve të shkollës fillore”. Natyrshëm pyesim: Nëse nuk u duhen më shkrimtarëve dhe poetëve, si mjete të domosdoshme pune, pra, atyre që lëvrojnë me “parmendat” e tyre vargjet dhe rreshtat e librave, si bujqërit e mirë tokën, përse duhet t’i mësojnë atëherë nxënësit e shkollës fillore, kur nuk u duhen në jetë?!
(Plot kureshtje shfletova edhe disa libra të autorit me të cilin replikova në takimin letrar të Shkupit. Me kënaqësi, konstatova se, ndonjëri prej tyre, shquhet për një pasuri të veçantë artistike.) Diskutimin e mbylla me citimin e formulës së Pushkinit, si duhet të jetë një vepër e bukur letrare: “E thjeshtë, e shkurtër, e saktë”.