| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Anila Xhekaliu: Mistika e një të panjohure... E enjte, 03-01-2008, 02:30pm (GMT) Mistika e një të panjohure - Meditim post-struktural, pas leximit të: „Shpina e asaj që largohet“, të autorit Shpëtim Kelmendi Nga Anila Xhekaliu Shenjat gjuhësore të shkrira në ato letrare prodhojnë tekstin. Uni artistik vdes për të ngjallur komunikimin letrar: tekst-lexues, ku autori unifikohet plotësisht si me njërin dhe tjetrin pa i lënë hapësirë vetes të shfaqet duke prodhuar kështu universalet: kohë, hapësirë, shkak dhe pasojë, të gjendurit mes tyre. Poetikja që ngjallin imazhet metaforike duket sikur e vrasin rrëfimin duke e kthyer në një meditim a kuvendim me mistikën e vetëdijes së unit poetik: mosrrugëdalje?! Filozofikja gjallon në të gjitha frazat që herë janë pohime, herë dialogime, e herë monologje të heshtura. Don të shpëtojë prej tyre, çka demostrohet që tek kompozita e titullit: Shpina e asaj që largohet, trekëndësh virtual e njëkohësisht kënd i shtrirë, tre pikash të barasvlershme me braktisjen të cilën autori për ta dërguar larg përdor ndërthurje të tjera stilistike. Si: „Terr! Zi! Natë! „Përforcime të së njëjtës fjalë: errësirës. Ose kundërvëniet: „ka një vend ku fjala nuk mbërrin... Aty dua të jem“:, vend i rehatshëm (hapësira,) boshllëku dhe dëshira. „Vështrimi i saj të dëlirte nga e kaluemja e ta dëbonte të ardhmen“: koncepti kohë universalizohet tek një çast i vetëm. „Tashti, këtu, të thonin sytë e saj, asht e vetmja gja që ka kuptim: ndërthurja e hapësirës me kohën „...Njerëz. Nuk e di ku shkojnë… Pse, shkohet? Vihet? Rrohet?“ – trekëndëshi i dilemës : me tre folje : shkoj, vij, rroj- rutina e zakontë në trajtë habie e pyetje drejtuar vetes. Monologu formëson personazhin, në këtë rast i dyzuar. Përmjet tij vjen ajo (e përditshmja që në një çast vjen shumë bukur: e trishtë siç është). Zgjedhimi i foljes jetoj, koha e tashme e mënyrës dëftore. „Përsërite pa prâ, deri sa ta mësosh përmendësh, kësisoj edhe nëse s’jeton, mund të flasësh për jetën“. Probaliteti të jep mundësi ndërlikje të pabesueshme. Virtualja gjendet tek ç`mistifikimi i kësaj „ajo“. Rrëfimi hap shtigje të reja në një të përtejme. Kthehet sërish për t`u nisur me fuqi të reja drejt filozofisë së jetës me kohën e tashme të dëftores a të shkuarën, kohë në të cilën vendosen pohimet e asaj që si rastësi u pranëvihen pesë orët e qytetit të tij të mbetura në vend. Kohëngatërruar me pesë tik-take të ngurta. Është njëra prej këtyre orëve. Kështu përpiqet të na shfaqë një botë vizionare në ardhje poeti e rrëfimtari i së padukshmes. Ai komunikon përbrendësisht. Nuk është e vështirë të kuptohet në tekstet e tij. Gjeometria e imazhit fiksohet tek një pikë: zemra. „Kukëzohesh kaq fort mbrenda vetes, sa të bahet se gishtat e kambëve të prekin zemrën“. Uni poetik duket sikur e çliron prozën nga personazhi, e tradhëton për të mbetur ngërçi i nënvetëdijes të cilën, orët, njerëzit e nxjerrin në sipërfaqe si vetëdije. Në zemrën e tij ka terr në formën e një gruaje, një të dashure, një mikeshe por fundja tashmë ka përfunduar në metamorfozën - ajo. Pra është një zë të cilit i drejtohet. Flet me papraninë e saj në një çast kur ajo zhduket për t`u kthyer në një tekst që nis me: shpina e asaj që largohet. Në thelb të tria fjalët kanë diç të largët, por që janë ende të pranishme me vizionin e shpinës. E ç`rëndësi kanë këto çaste muze kur janë një e përmbysur që tejkalon çdo lloj tjetër përmase. Përpiqet ta ndërtojë sërish këtë ndërtesë të shembur me të njëjtët gurë. Vizioni lëvrin në mendjen e tij, s`e lë të qetë, i lind këtë çast të madhërishëm që duhet të jesh tepër arkitekt për të mos i humbur elementin më të vogël, stërhollimin më të pandjeshëm, konceptualizimin e kohës e jetës, ndërthurjen e tyre, domethënien e jodomethënien e çka ecën në mendje si një rrëmujë në rrugë. Ajo, koncept krejt i papërfillshëm si kufiri mes kundërvënies jetë - vdekje: fija lidhëse e të dyjave. Ajo, një shpinë. Largimi në shpirtin e një burri, çka mban në tension nervin e prozës. Finesa e formës gege te gjuhës vallëzon ëmbël nëpër rreshtat e kësaj proze. Gjuha ia nxjerr barkut të mendimeve shpirtin. Rimojnë fjalët me çka ndodh rreth tij. Artisti në kërkim të lirisë. Ka flokë të zezë (kontrasti që prodhon groteskun). Kërkon me ngulm të jetojë në zemrën ku është takuar me të. I vetmi shpëtim gjendet tek identiteti i saj: makina e mendimeve të tij kërcëllitëse. Mes iluzionit e besimit të iluzionit endet koncepti i Zotit të cilin e has tek ndeshja e lypësit: Sheh dorën e shtrime dhe vëren me qetësi se të mungojnë edhe paret edhe mëshira. Nuk je i pamëshirshëm, thjesht nuk ke mëshirë. Parakrijim në kërkim të një çasti të pazakontë të cilin e gjen krejt papritur para një automjeti njerëzish, a dikund tjetër, ç`rëndësi ka. Shpina e saj ngjall largimin, zhdukjen, krijimin e iluzionit. Tashmë gjithçka është kthyer në iluzive, jeta ka mbetur tek katër germa si pesë orët e prishura të qytetit. Thjeshtësimi i gjithçkasë gjallon në trajta të çuditshme rrëfimi. Është diku statujë e lëvizshme - një pikë. Gjithçka përfundon në një pikë për t`iu zhdukur krejt shikimit. Teksti është në nivelin e metaligjërimit. Imazhi vjen pa formë, shkakton kënaqësi estetike, gjë që ta ngjall poezia. Rrëfyesi është një aktor, i drejtohet auditorit, pjesë e të cilit është edhe vetë. Monotonia lind fytyrën e lumturisë që ajo e vizaton në tavolinë. Emocioni lind ndjesinë. Është artisti. Ai reagon kështu, fuqishëm. „Përtej asht vdekje!“ - pohon çlirimin prej kohës e hapësirës. Shkelmimi që u bën të dyjave quhet zgjim, e thënë ndryshe: revoltë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||