Letërsia Shqiptare

Sarë Gjergji: Karl Poperi - vepra të zgjedhura
E shtune, 05-01-2008, 12:09pm (GMT)

Nga Sarë GJERGJI

Karl Poperi - vepra të zgjedhura

Vështrim

Vepra e Poperit paraqet një filozofi sistematike në qendër të traditës së madhe të fushës studimore (Brajan Megi). Si e tillë ajo nuk është një vepër thjesht mësimore.. Poperi, siç do të shprehej Levinsoni, ka njohuri të thella dhe të hollsishme lidhur me shumë fusha të të menduarit, prandaj në faqet e veprës poperiane patjetër që do ndeshemi me shumë autorë (duke filluar me parasokratikët e deri tek autorët bashkëkohanikë të tij), me shkolla e rryma mendimi, me teori e metoda nga më të ndryshmet për shumë fusha të dijes e të shkencës. Duke shqyrtuar probleme nga fusha të ndryshme, sin nga teoria e njohjes, filozofia e shkencës, metafizika e filozofia shoqërore, Poperi do shfaq pikëpamjet e tij për racionalizmin e dijen përgjithësisht, për induksionin e demarkacionin, për metodën shkencore e falsifikacionizmin, për qëllimin e shkencës e rritjen e dijes shkencore, për epistemologjinë (të cilën Poeri e quan teori e njohjes shkencore), për gjuhën e botën 3, për metafizikën e realizmin, për historicizmin e shumë çështje të tjera. Prandaj, në faqet e librit të tij do të ndeshen Talesi, Anaksimandri, Ksenofoni, Platoni, Aristoteli, Hume, Ruselli, Pauli, Tarski, Frege, Locke, Berkeley, Hegeli, Kepleri, Koperniku, Bohri, Descartesi, Spinoza, Leibnizi, Kanti, Bergsoni, Friesi, Galilei, Darvini, Njutni, Einsteini, Ëittgensteini e shumë të tjerë.
Nga ky “kompleks” poperian, unë kam bërë përpjekje që të nxjerrë në dukje e t’i shtrojë këtu vetëm disa nga aspektet e shumta që dalin nga ky “kompleks”…

Pjesa më e madhe e veprës së Poperit përbëhet nga shqyrtimi kritik i teorive, i teorive, do thosha, nga fushat më të ndryshme të dijes.

1. Teoria tradicionale dhe teoria e Poperit

1.1. S’do mend se përpjekjet e racës njerëzore (mendojmë në njerëz të filozofisë, të shkencës, të dijes në përgjithësi) për ta kërkuar të vërtetën dhe për ta gjetur atë, nuk kanë munguar. Dhe natyrisht, këto përpjekje nuk jan ëpërfundimtare, po rjanë gjithnjë të hapura dhe në mundësi për t’u korrigjuar e për t’u përmirësuar vazhdimisht.
Poperi, siç e vë në dukje D. Miller, e vë theksin mbi hamendjet si rrugë nëpërmjet të cilave rritet dija dhe mbi kritikën, si mënyra nëpërmjet së cilës ajo kontrollohet. Poperi vetë e përshkroi dijen duke thënë se ajo zhvillohet nëpërmjet një vargu hipotezash dhe hedhjesh poshtë të zgjidhjeve tentative të problemeve, të kontrolluara pa lëshim nëpërmjet testeve të rrepta. Pra, ai është i mendimit se dija jonë, doktrina jonë, është hipotetike (karakterin hipotetik të dijes njerëzore, Poperi e sheh që tek parasokratikët), se ajo përbëhet nga hamendjet, nga hipotezat, më shumë sesa nga të vërtetat e sigurta dhe përfundimtare dhe se kritika dhe shqyrtimi kritik janë të vetmet mejte tonat për t’iu afruar të vërtetës. Kjo, gjithnjë, sipas Poperit, të çon në traditën e hipotezave të guximshme dhe të kritikës së lirë ( Poperi shpreh mendimin se qëndrimi kritik ndaj një doktrine nis që në shkollën joniane, me Talesin e Anaksimandrin), traditë e cila krijoi qëndrimin racional ose shkencor. Poperi vërejti se tradita racionaliste, tradita e shqyrtimit kritik, përfaqson të vetmen mënyrë praktike të zgjerimet të dijes sonë, të dijes së hamendësuar, ose hipotetike, çka lë të kuptohet se një teori, çfarëdoqoftë ajo, nuk mund të konisderohet assesi si një e vërtetë përfundimtare (siç provojnë esencialistët, psh.), sepse gjithnjë ekziston mundësia e zëvendësimit të saj nga një teori më e mirë. (Poperi provon se nuk duhet bërë identifikimin e shkencës me të vëretën. Shembull për këtë ofron teorinë e Njutnit dhe atë të Einstein-it: që të dyja janë teori shkencore, por që s’mund të jenë të dyja të vërteta, përkundrazi ndodh që të jenë false. Sfida që Einstein-i i bëri teorisë së Njutnit sforcoi mendimin e Poperit për natyrën supozuese të dijes shkencore. Por, edhe kjo e fundit nuk paraqet të vërtetën përfundimtare, - zatën të mangët e konsideroi edhe vetë Einstein-i,- çka do të thotë se kjo është vetëm një teori më e preferuar se ndonjë teori tjetër alternative, meqë ofron parashikime më të shumta e më të sakta, por që nesër edhe ajo mund të tejkalohet). Në të vërtetë, çdo zbulim shtron, hap para nesh dilemma e probleme të reja. Dhe më tej, në këtë traditë jo vetëm që janë të lejueshme, por sisitë madje edhe nxitën dhe shihen si sukses.

1.2. Padyshim, që vëzhgimet dhe eksperimentet luajnë një rol të rëndësishëm (rolin e argumenteve kritike, bashkë me argumentet që nuk mbështetën te vëzhgimi) në zhvillimin e shkencës, por rëndësia e tyre varet tërësisht nga çështja nëse ato mund të përdoren apo jo për të kritikuar teoritë. Kështu, sipas teorisë së njohjes, sipas Poerit, ka vetëm dy mënyra kryesore nëpërmjet të cilave disa teori mund të kenë epërsi ndaj të tjerave: ato mund të shpjegojnë më shumë gjëra dhe mund të testohen më mirë, d.m.th. mund të trajtohen në mënyrë më të plotë e më kritike… nën dritën e testeve vëzhguese ose eksperimentale, që kanë qenë sajuar me synimin pë rtë kritikuar teorinë. Me një fjalë, në përpjekjet tona për të njohur botën ka vetëm një element racionaliteti: si është shqyrtimi kritik i teoprive tona, nënvizon Poperi, ndërkohë që vetë këto teori janë hamendje, parashtrim i tyre.

1.3. Sipas racionalizmit kritik (Poperi dallon racionalizmin kritik dhe racionalizmin jokritik ose përgjithësues, S.Gj.), siç heton D. Miller, argumentet janë gjithnjë negative, ato janë gjithnjë argumente kritike që përdoren dhe janë të nevojshme vetëm për të përjashtuar hipotezat e supozuara më parë. Prej këtij këndvështrimi, vazhdon më tej ky studiues, rrjedhin disa teza të tjera që janë në qendër të filozofisë së Poperit, si: hipotezat tona duhet të jenë të kritikueshme…, sepse argumenti kritik është kontrolli i vetëm që ushtrojmë mbi meditimet tona; dija jonë shkencore… zhvillohet nën trysninë e kritikës së pareshtur; … indeterminizmi po aq sa realizmi dhe objektivizmi, është një kusht i nevojshëm për funksionimin e mirëfilltë të metodës kritike, etj.

1.3.1. Do theksuar këtu edhe pikëpamjen e Poperit për racionalizmin dhe irracionalizmin. Sipas Poperit, për dallim ng aracionalizmi, i cili është kritik, irracionalizmi priret drejt dogmatizmit (atje ku nuk ka argument, mbetet veçse pranimi i plotë ose mohimi kategorik)… Kritika gjithnjë kërkon një shkallë të caktuar imagjinate, ndërsa dogmatizmi e ahtyp atë. Kështu, përderisa irracionalisti këmbëngul që emocionet dhe pasionet janë zemrekë të veprimit njerëzor (shih për këtë edhe D.Hume) më shumë se arsyeja… Poperi mëson se në duhet të përpiqemi që arsyeja ta luajë një rol më të madh.

Hume-i ka meritën e pavdekshme se guxoi të sfidonte pikëpamjen praktike për induksionin, megjithëse nuk dyshoi kurrë se ajo duhet të jetë e vërtetë në një shkallë të madhe… Ai besonte se induksioni me anën e përsëritjes, logjikisht ishte i paargumentueshëm, se, se racionalisht ose logjikisht, asnjë sasi e rasteve të vëzhguara, nuk mund të ketë as lidhjen më të vogël me rastet e pavëzhguara. Kjo është zgjidhja negative e Hume-it për problemin e induksionit… (Shih: Poperi, vepra të zgjedhura)

Problemi i induksionit

2.1. Problemi i induksionit, i quajtur “problem i Hume-it” ka tërhequr vëmendjen e filozëve të shumtë, si: Broad, Rusell, Poper e të tjerë.

Zgjidhjen e këtij problemi Poperi e fillon me theksimin e asimetrisë logjike në mes të verifikimit dhe falsifikimit. E shprehur në aspektin e logjikës së pohimeve, ajo merr formën: edhe pse asnjë numër i pohimeve vrojtuese që raportojnë mbi vrojtimin e mjellmave të bardha, nuk na lejon që logjikisht të nxjerrim pohimin universal se “të gjitha mjellmat janë të bardha”, një pohim i vetëm vrojtues, që raporton mbi vrojtimin e një mjellme të zezë të vetme, na lejon që në mënyrë logjike të pohojmë se “të gjitha mjellmat nuk jan ëtë bardha”. Sipas këtij parimi logjik, përgjithësimet empirike s’mund të verifikohen, por mund të falsifikohen. Kjo do të thotë se ligjet shkencore mund të testohen, edhe pse nuk mund të vërtetohen: ato mund të testohen përmes testimeve sistematike për përgënjeshtrimin e tyre.

Që nga fillimet, Poperi nënvizon dallimin në mes të logjikës së situatës së tillë dhe metodologjisë që nënkuptohet. Logjika është plotësisht e thjeshtë: në rast se është vërejtur vetëm një mjellmë e zezë, atëherë nuk është e mundur që të gjitha mjellmat të jenë të bardha. Prandaj, në aspektin logjik – që do të thotë, nëse shikojmë relacionin midis pohimeve – rrjedh se ligji shkencor përfundimisht mund të falsifikohet sa kohë që përfundimisht nuk mund të verifikohet. Mirëpo, në aspektin metodologjik, kemi të bëjmë me një rast tjetër, meqë në praktikë gjithmonë është e mundur të dyshohet për një pohim: është e mundur se gjatë vrojtimit të raportuar ka ndodhur një gabim; ka mundësi që shpendi në fjalë të jetë identifikuar gabimisht; apo, meqë është i zi, ne mund të vendosim që të mos e kategorizojmë si mjellmë, pot a quajmë disi ndryshe. Pra, për ne është gjithmonë e mundur që, duke mos kundërshtuar vetveten, të refuzojmë akceptimin e vleftës së një pohimi. Kështu do të mund t’i hedhim poshtë të gjitha përvojat falsifikuese, çfarëdoqofshin ato. Mirëpo, meqenëse falsifikimi përfundtimtar nuk mund të arrihet në nivelin metodologjik, do të ishte gabim që të insistohet për të. Prandaj, Poperi propozon, sin j ëpjesë të metodës, mosshmangien sistematike nga përgënjeshtrimi. Kjo realizohet përmes futjes së hipotezave ad hoc, përmes përkufizimeve ad hoc, me refuzim të përhershëm të aprovimit të besueshmërisë së rezultateve të papërshtatshme eksperimentale, dhe përmes çfarëdo mjeti tjetër të ngjashëm (Brajan Megi).

2.2. Sido që të jetë, Poperi ashtu si Hume-i është i mendimit se nuk ka asnjë etnitet logjik të tillë si përfundimi induktiv; të gjitha të ashtuquajturat përfundime inductive janë logjikisht të pavlefshme, e madje edhe induktivisht të pavlefshme. Po ashtu, Poperi dhe Hume-i nuk pajtohen me formulimet tradicionale për argumentimin e induksionit. Sipas tyre, induksioni është i pavlefshëm në çdo kuptim e për këtë arsye është i paargumenstueshëm. Poperi do të pajtohet me rezultatin logjik negativ të Hume-it, sipa stë cilit nuk mund të ketë argument pozitiv, logjikisht të vlefshëm, i cili të çojë në një drejtim induktiv dhe shton se, ka edhe një rezultat tjetër negativ (Poperi vetëquhet negativist, S.Gj.): ka argumente negative logjikisht të vlefshme që të çojnë në një drejtim induktiv (një kundërshembull mund të hedh poshtë një ligj. – Shembulli i mësipërm i mjellmave të zeza).

2.3. Pikëpamja tradicionale mbi mënyrën si mendojmë ne, dhe lidhur me metodën shkencore, ka ndikuar në shfaqjen e problemit të induksionit, mirëpo pikëpamja tradicionale ishte rrënjësisht e gabuar dhe mund të zëvendësohet nga një teori më e saktë, brenda së cilës problemi i induksionit nuk shfaqet. Prandaj, induksioni, thotë Poperi, paraqet nj ëkoncept të panevojshëm. Në të vërtetë, nuk ka as induksion psikologjik, as logjik. Prej provave empirike mund të nxirret vetëm falsisteti i teorisë dhe ky përfundim është një përfundim i kulluar deduktiv. (Hume-i, ndërkaq, përkundër Poperit, besonte në forcën psikologjike të induksionit, jo si procedurë të vlefshme, por si procedurë që përdoret me sukses prej kafshëve dhe njerëzve, realisht dhe si domosdoshmëri biologjike. Poperi nuk pajtohet as me opinionin e Hume-it, sipas të cilit induksioni është një fakt dhe gjithnjë i kërkuar, prandaj shton se besimi se ne përdorim induksionin është thjesht një gabim. Është një lloj iluzioni optik. Ajo që përdorim është një metodë e provave dhe nuk i nevojitet shkencës. Induksioni thjesht nuk ekziston, përfundon Poperi.

Problemi i demarkacionit

3.1. Poperi e mohon pikëpamjen tradicionale inductive, sipas së cilës gjëja që kërkojnë shkencëtarët janë pohimet për botën me shkallën maksimale të probabilitetit në bazë të dëshmive të dhëna. Sipas Poperit, çdokush mund të prodhojë një numër të pafundmë të parashikimeve me gjasë gati të barabartë me pohimet e llojit “do të bjerë shi”, të cilat janë praktikisht detyrimisht të vërteta dhe kurrë nuk mund të provohen se janë të pavërteta (edhe pas qindra miliona vjetësh mund të mbetet e vërtetë se një ditë – do të bjerë shi). Në këtë rast gjasa e pohimit “do të bjerë shi” është maksimale, meqë informacioni që ajo përmban është minimal. Po në pohimin “këtë pasdite do të bjerë shi në Stubëll”, gjasa do të ishte minimale ngase sasia e informacionit është më e lartë. Kjo edhe hap mundësi më të shumta për vërtetimin e pasaktësisë së pohimit (të fundit); gjasa që ky pohim të jetë i pavërtetë, është tejet e lartë, por kjo mundëson që edhe testimi të jetë tejet i madh. Mirëpo s’do harruar se në interest ë shkencëtarëve janë pikërisht pohimet e tilla, pra, me përmbajtje të lartë informative e gjasë të vogël, por që megjithatë i afrohen së vërtetës.

3.2. Poperi, shkencëtarët i sheh si njerëz që jetën e tyre i apërkushtojnë kërkimit të së vërtetës, rritjes së dijes njerëzore, të tillë që punojnë me hipoteza të reja e të guximshme, por të cilët janë kritikë për idetë e veta dhe që megjithatë bëjnë përpjekje të rrepta për të hedhur poshtë hipotezat e tyre (mendohet në diskutimet kritike e testet empirike të rrepta), natyrisht duke kërkuar gjithnjë më të mirën. Dhe kriteri i demarkacionit i Poperit ndërmjet shkencës dhe jo-shkencës është thjesht një analizë logjike e kësaj tabloje.

Por kur është një hipotezë e guximshme? Sipas Poperit, atëherë kur ajo merr mbi vete një risk të madh, që të jetë e gabuar, nëse gjërat mund të ishin ndryshe dhe në të njëjtën kohë duket se janë ndryshe. Dhe si shembull të një hipoteze të guximshme, por edhe të gabuar, Poperi, merr hipotezën e Kopernikut ose Aristarkut se dielli qëndron pa lëvizur në qendër të universit, ose edhe hipoteza e teori të tjera, si ato të Keplerit, Njutnit a të Galileit. Sidoqoftë, të gjitha këto teori, hipoteza, pikëpamje të guximshme e të reja për çështje të ndryshme, duk eparashtruar e hapur dilemma e rrugë të reja, japin një ndihmesë të madhe për shkencën. Mbase kjo e shtyn Poperin të pohojë se nuk është vërtetësia e teorisë ajo që përcakton karakterin shkencor të saj. Dhe sikur për të sforcuar këtë mendim të tijin, ai do të sjellë si shembull të mirë Einstein-in.

3.3. Poperi është i vetëdijshëm se me shtimin e diturisë sonë, shtohet edhe injoranca jonë, ose siç shprehet ai “dija jonë për paditurinë tonë”, se e vërteta interesante përbëhet nga teoremat e çuditshme që nuk premtojnë shumë, se hipotezat e tilla kanë më tepër gjasë që të jenë të gabuara sesa të vërteta, prandaj nuk mund të pranohen pa bërë përpjekje që të kuptohen në janë të gabuara a jo hipotezat e tilla (B. Megi). Për këtë arsye në shkencë ka hapësirë për debat, për sulm e pra edhe për mbrojtje… thotë Poperi dhe shton se e vërteta është se duhet të jemi vazhdimisht kritik, vetëkritik lidhur me teoritë tona (siç do të bënte Einstein-i), vetëkritik ndaj kritikës që bëjmë vetë, dhe natyrisht, nuk duhet t’i dredhojmë kurrë një çështjeje. Atëherë, kjo është, në përgjithësi forma metodologjike e kriterit të demarkacionit. Propozoni teori që mund të kritikohen. Mendoni gjithfarë eksperimentesh përgënjeshtruese të mundshme, eksperimente vendimtare. Por mos i braktisni teoritë tuaja më lehtë se ç’duhet, në asnjë mënyrë më përpara se të keni shqyrtuar me sy kritik kritikën tuaj. Pra, siç mund të shihet Poperi sugjeron që teoritë tona t’mos i ikin përgënjeshtrimit (siç bëjnë, sidomos, shumë marksistë e psikoanalistë), por pa asnjë hezitim t’i nënshtrohen atij. (shih për përgenjështrimin edhe T.Kuhn, në Struktura e revolucioneve shkencore, S.Gj). Për më tepër, kriteri i demarkacionit, pohon Poperi, është një rregull metodologjik dhe është më i prerë nga sa duhet për të bërë dallimin ndërmjet shumë teorive fizike nga njëra anë dhe teorive metafizike, si psikanaliza e marksizmit, nga ana tjetër. Dhe kjo është një nga tezat kryesore të Poperit, pa të cilën s’mund të kuptohet teoria e tij. Me fjalë të tjera, vlera kryesore e kriterit të demarkacionit të Poperit, është natyrisht, vënia në dukje e ndryshimeve në mes të teorive fizike e metafizike, si marksizmi e psikanaliza. Për deri sa të parat janë, para së gjithash, shumë të përgënjeshtrueshme dhe krejt të çliruara prej taktikave imunizuese, këto të fundit përdorin një strategji imunizuese.

3.4. Vepra e Poperit tentonte ta avansonte falsibilitetin si kriter të demarkacionit në mes të shkencës dhe jo-shkencës. Kja mbase do të nxitë keqkuptime të shumta për pozitivistëtlogjikë, të cilët do ta kuptojnë gabimisht si kriter në mes të asja që ka kuptim dhe të pakuptimtës, e duke menduar se ajo që nuk është shkencore është edhe e pakuptueshme, insistonin se fjala është për të njëjtën gjë. Mendimi i pozitivistëve se verifikueshmëria ishte ajo që merrej si kriter i demarkacionit në mes të pohimeve kuptimplota dhe të pakuptimta për botën, do të kundërshtohet për shumë arsye nga Poperi. E para, pavarësisht nga mundësia apo pamundësia e verifikimit empiric të pohimeve të veçanta, për shkak të pamundësisë së verifikimit të pohimeve universale, siç janë ligjet shkencore, ky parim i verifikimit pos metafizikës bën edhe eleminimin e gjithë shkencës natyrore. E dyta, ndonëse parimi i verifikimit gjithë metafizikën e shpall sit ë pakuptimtë, historikisht është metafizika – respektivisht janë paragjykimet, koncepcionet mitologjike dhe relegjioze mbi botën – burimi nga i cili ka dalë shkenca (B.Megi). Ajo që ka qenë një ide metafizike dje, mund të bëhet një teori shkencore e testueshme nesër; kjo ndoshta ndodh shpesh (dhe ka shembuj të shumtë: atomizmi është ndoshta më i miri), pohon Poperi, duke shënuar kështu se tranzicioni ndërmjet shkencës e matafizikës nuk është i prerë qartë. Kjo, prandaj, le të kuptohet se teoria metafizike jo vetëm që mund të jetë kuptimplotë, por mund të jetë edhe e vërtetë; mirëpo, nëse nuk ekziston mundësia për testimin e saj, atëherë nuk mund të ketë dëshmi empirike për të, dhe prandaj ajo nuk mund të konsiderohet shkencore. Pika e tretë dhe shkatërrimtare që ai bëri kundër pozitivistëve logjikë, ishte se, nëse vetëm pohimet e testueshme dhe tautologjike janë ato që duhen kosnideruar sit ë kuptimta, atëherë çdo debat lidhur me konceptin e “kuptimit” domosdo do të përmbante pohime të pakuptimta.

Ishte pikërish paaftësia e vazhdueshme e pozitivistëve logjikë që t’u kundërveheshin argumenteve të këtilla, ajo që në njëfarë dore shkaktoi zhdukjen nga skena të pozitivizmit logjik (B.Megi).

Në veprën interdisiplinare të Poperit, hasim edhe shumë mendime interesante që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës, për pëkufizimin e termave që përdorim kundrejt teorisë dhe pikëpamjes se Wittgenstein-it për këtë dhe çështje të tjera. Jo më pak interesante është edhe pikëpamja e Poperit për funksionin argumentues të gjuhës.
Gjithashtu, teoria e evolucionit dhe e përzgjedhjes të Darvinit, tri tezat për epistemologjinë bashkë më tri tezat ndihmëse të saj, pikëpamjet për botën 3, pa harruar këtu paradoksin e lirisë, e tolerancës, e lirisë ekonomike (nga Shoqëria e hapur) dhe historicizmin (nga Armiqtë e shoqërisë së hapur), por edhe shumë çështje të tjera, përbëjnë një brumë të mirë të veprës poperiane dhe me interes për studiuesit e kësaj vepre.

Së fundi, mendimi i Poperit se ideja e së vërtetës, në kuptimin e pasqyrimit të fakteve dhe ideja e përmbajtjes (që mund të matet me të njëjtën masë si testueshmëria) luajnë një rol të rëndësishëm në ndriçimin mbi idenë e përparimit në shkencë, më ndjek si hije; gjithnjë duke pasur parasysh mendimin e Poperit: “Pakënaqësia është ndër frytet e para të qasjes racionale ose kritike.”



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.