Albert Z. Zholi
Hyrje
Komunizmi në milleniumin e ri është shpërndarë në tre pika të globit:Kubë, Kinë dhe Korenë e Veriut. Ndërkohë që përkrahëse e këtij sistemi, veçse pa asnjë lloj ideologjie dhe element të ekonomisë është Venezuela. Por në djepin e komunizmit, në vendin me popullsi superiore në botë, pra në Kinë, socializmi është i shartuar ndjeshëm me elemente të kapitalizmit. Ekonomia kineze mbizotërohet nga bërthama kapitaliste, ndërkohë, që ruan nga sistemi komunist mbisundimin e sistemit monopartiak. Një format i çuditshëm, që çuditërisht ka rezultuar i suksesshëm dhe sot po mbyt ekonominë mbarëbotërore, duke konkuruar tregtinë në të gjitha vendet e zhvilluara me çmimet dhe koston e ulët të prodhimit. Në vendin tjetër që ruan sistemin komunist, Korenë e Veriut, duket sikur fama e madhe e reflektuar në një konflikt të gjatë me Korenë e Jugut, është përzier me erën e krizës. Nuk gabojmë po të themi
se ky vend është duke përjetuar grahmat e fundit të një sistemi, që ka pak (ose aspak) përkrahje sot në botë dhe ky vend mund të përcaktohet si oaz mes shkretëtirës së një sistemi të dështuar. Ndërsa Kuba me parullën e saj revolucionare “O komunizëm o vdekje!” duket se përbën sot një meteor të një sistemi që prej vitesh është shpërbërë në gjysmën e kontinentit plak (Evropës).. Me arritjet e jashtëzakonshme në shëndetësi dhe në arsim, duket se sharmi i socializmit kubanez bëri për vete një pjesë të opinionit botëror, që në njëfarë mënyre, nuk ishte gjë tjetër, veçse, një faktor më shumë për të urryer amerikanët. Ndërkohë që, qëllimi i qeverisë kubaneze, ishte të thithte më shumë ndihma. Por koha tregoi të kundërtën. Embargoja amerikane dhe ajo e Kombeve të Bashkuara nën siglën e “shkeljeve të të drejtave të njeriut”, e bëri vendin ishullor, gjithnjë e më të
vetmuar dhe pa përkrahje, si vetë pozicioni gjeografik, i shkëputur nga kontinenti më i pasur i botës.
Komandanti Fidel Kastro edhe pse e ka përjashtuar veten nga luksi i të qënit lider, nuk mundi ta lartësojë ekonominë kubane në ato nivele që populli të mos vuajë mungesën e ushqimit të përditshëm. Lufta kundër analfabetizmit, mungesa e Sidës, mosegzistenca e krimit të organizuar, ndoshta janë të “vetmet fitore” të sistemit komunist kastrit, në momentin kur fëmijët kubanezë, sapo shohin një të huaj, i shtrijnë duart atyre për një stilolaps, një çamçakëz apo sende të tjera që turistët ua dhurojnë të dyzuar dhe ku vajzat kubaneze ofrojnë seks në këmbim të pak dollarëve. Është normale, që në këtë performancë të lindë pyetja: A do të rezistojë Kastro?!
Në vend të analizës
Sëmundja e Kastros erdhi në një moment shumë kritik për Kubën. Prej vitesh Fidel Kastro vazhdonte të performonte pozicionin e tij prej revolucionari, ndërkohë që nuk i fshinte më popullit të tij por dhe mediave të huaja vështirësitë që po përjetonte qeveria kubaneze për ti mbijetuar embargos amerikane. Ndonëse disa lëvizje të tij ishin në kundërshtim me parimet që ai deklamonte, siç ishte dhënia me konçesion e disa shoqërive kubaneze të huajve, ai përsëriste e përsëriste pa pushim që, kubanezët, do vazhdonin revolucionin deri në vdekje dhe për të do dhuronin dhe jetën. Pikërisht, në një moment të tillë, krejtësisht në mënyrë të papritur, kur Kuba do festonte përvjetorin e liderit, po njëkohësisht dhe një nga përvjetorët më të mëdhenj të revolucionit kubanez, u deklamua se komandanti ishte sëmurë dhe do të operohej (gusht-2006). Shumë analistë botërorë, mes të cilëve dhe unë, jam
i mendimit se sëmundja e tij u improvizua. Për të mbrojtur këtë tezë pa dyshim që kam disa argumente që do i rreshtoj më poshtë....
Kastro njihet si një revolucionar i vendosur, politikan karizmatik, që nuk e pranon humbjen dhe kthesat që deformojnë sadopak boshtin ideologjik që ka përqafuar. Ai, në emër të kësaj ideologjie, ka bërë heroizma të pashoqe në një vend me një klimë kontinentale, aspak të favorshme për mbijetesë, vetëm me rezorset e vendit. Lëvizjet e fundit të vëllait të tij për hapje ndaj kapitalit të huaj, të bëjnë të dyshosh për sëmundjen e tij. Përse e them këtë? Sepse, ndoshta është momenti që Kastro e ka kuptuar që, sistemi që ai ka instaluar dhe propoganduar, nuk dha rezultat. Populli është i varfër dhe kubanezët jetojnë me triska. Vitet e fundit, lideri e ndjen më shumë se kurrë presionin amerikan. Edhe pse subvencionohet nga Venezuela, fundi i bllokut komunist në Evropë, solli një erë të vështirë për mbështetjet dhe ndihmat në Kuba. Por nuk bëhet fjalë vetëm për humbje ekonomike. Fideli ka parë
nga afër se si kanë përfunduar shumë ish udhëheqës komunistë nga urrejtja e popujve të tyre, për shkak të dështimit të sistemit komunist. Prandaj, ai nuk do ta pranojë humbjen, por dhe nuk e dëshiron një fund si ish udhëheqësit e Europës Lindore. Ndaj, (mendimi im) zgjodhi një rrugë tjetër. Atë të tërheqjes në mënyrë të qetë dhe të studiuar nga pushteti, duke drejtuar nga larg dhe jo drejt për drejt pushtetin. Indirekt, mendoj se janë vendimet e tij për hapjen e ekonomisë së vendit ndaj kapitalit të huaj dhe pse me kufizime. Një fotokopje e komunizmit kinez, që ka dhënë rezultat të kënaqshëm dhe që sot po rrezikon konkurencën mbarëbotërore. Me këtë tip komunizmi (që në fakt nuk përputhet me idetë e Kastros dhe as të marksizëm-leninizmit) Kastro shpëton dhe ekonominë e vendit nga katastrofa, njëkohësisht, shpëton dhe lëkurën dhe karakterin e vet, duke i justifikuar si lëvizje që
nuk janë të tijat, pasi mund të ngjallnin dyshim për karakterin e tij tek besnikët e tij dhe tek simpatizuesit e marksizëm-leninizmit. Mbështetja që i bën ai reformave të vëllait, emërtohen si ndryshime që ka të bëjë me stilin e qeverisjes së çdo personi, që performon në interes të zhvillimit të vendit të vet. Dhe këtu, ai ka një armë të fortë: liberalizimin ndaj kapitalit të huaj, duke forcuar dhe zhvilluar industrinë ushtarake. Me lëvizjen e dytë, populli kuban i brymosur me frymë antiamerikane, mendon dhe kupton se mbrojtja nga imperializmi amerikan ka qenë dhe mbetet detyra nr 1 e politikës kastriste kubane edhe pse Kastro po dorëzohet me intelekt. Ai po bën një dorëzim pa turp dhe në paqe, duke mos e lënë vendin aq të mjerë sa ish udhëheqësit e tjerë komunistë të Europës lindore.. I fundit i komunizmit utopik, duket se ka nxjerrë mësime nga historia e liderëve komunistë. Ai është i
vëmendshëm, praktik dhe energjik. Nuk është e lehtë të mbash 50 vjet pushtet dhe të ushqesh një popullsi të konsiderueshme me një embargo të vazhdueshme. Embargo e rreptë, që komunizmi i Kastros nuk i rezistoi dot. Si e konceptonte Kastroja shoqërinë, ishte një teori që nuk mund të realizohej në praktikë. Në fund të fundit edhe komunizmi i Kastros ishte një komunizëm utopik si ai i Leninit, Stalinit, Enverit. Një komunizëm, ku ekonomia si promotori i mirëqënies së një populli nuk mund të zhvillohet pa konkurencën e lirë të tregut dhe sistemin pluralist. Eksperinca e deritanishme tregon se, çdo sistem i bazuar mbi drejtimin monopartiak është i destinuar të dështojë. Ndoshta në vitet e fundit të jetës, Kastro do të eksperimentojë atë që s’mundin ta bëjnë ish liderët e tjerë komunistë:të lulëzojë ekonominë dhe mirëqënien e vendit me një sistem të ri komunist të tipit kinez që nuk arriti ta
eksperimentonte dhe ta shijonte asnjë udhëheqës komunist i vendeve të Europës Lindore sa ishin në pushtet. Kështu, Kastro do të evitojë kryengritjen popullore që ai mendon se do ngrejë krye e do të shpërthejë pas vdekjes së tij. Kjo lëvizje strategjike, është e vetmja mundësi që mund ta shpëtojë atë nga ankthi i së sotmes dhe tmerri e skandali i së nesërmes. Ai, sot më tepër se kurrë e ka kuptuar thënien e popullit “Ne bëjmë sikur punojmë, se dhe shteti bën sikur na paguan”. Shprehja me burim shqiptar, përbën në fakt eksperiencën e një populli që e përjetoi sistemin komunist nën regjimin enverian, që i dha “frytet” në momentin më delikat të historisë shqiptare. Lëvizjet e Raul Kastros janë ato që duhet të bënte Ramiz Alia në vitet 1990 me Shqipërinë, për të shpëtuar vendin nga kaosi i ndërrimit të sistemeve. Ne, që e kemi përjetuar sadopak historinë komuniste shqiptare, e dimë
që, ajo, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera të ish sistemit komunist, janë udhërrëfyesja më e saktë e Kastros për të dalë nga amullia e ndërrimit të pushteteve. Ndoshta Kastro nuk do të përfundojë si Enveri, Çaushesku, Stalini etj...por ai, do të gëlltisë vetëm brenda tij ëndrrën e pashuar për të ndërtuar një sistem komunist të tipit Kastro që ndoshta do të mbetej si shembulli më unikal në botë.
Kastroja arriti të kuptojë dhe të gjejë një çelës, për të ndrequr gabimet e tij dhe për të siguruar vazhdimësinë e tij reale dhe nëpër kalenda. Komunizmi në kohët e sotme është si fitorja imagjinare e Don Kishotit. Pë të mos thënë si ajo e Pirros së Epirit. Në një politikë globaliste, që e lufton diktaturën dhe përkrah demokracinë mbarëbotërore, është e vështirë të mbijetosh. Ai është i sigurt se e nesërmja e kubanezëve do të jetë më e qetë se e sotmja, do të jetë më e bukur, me më shumë mirëqënie. Sëmundja ndoshta e improvizuar apo ndoshta reale, i dha shansin e fundit Liderit Maksimal për një ndryshim në kurs, në interes të dy palëve:Atij dhe popullit. Sa më shumë të liberalizohen këto reforma, dhe sa më shumë të zgjasë jeta e tij mes këtyre reformave, aq më e vogël do të jetë humbja e figurës së tij në sytë e masave popullore dhe në historinë e njerëzimit.
Autori