Nga Fatmir Terziu
Pak kohë më parë dikush më dërgonte një mesazh për një libër. Pastaj vet autori më dërgonte librin me një shënim: "Fatmirit, me respekt nga autori, poshtë firma e tij". Natyrshëm pas vizitës pamore të kopertinës, ku binte në sy një statujë e mitologjisë Greke, grafikuar me një përkushtim nga Flori Sllatina, dora e shtrirë drejt dhe para vetvetes nga njeriu-filozof-statujë, të çonte aty ku shkruhet: "Pesha e Fjalës". Pastaj shikimi i filozofit-statujë, edhe pse i vëngër të ngul mornica, teksa qetësisht pastaj mëson emrin e autorit; Dritan Buna. Dhe më tutje pasi ke kapërcyer 'burokracinë' e domosdoshme të dy fletëve të para ajo që të imponon të ndalesh është fjalia peshuese, ose çelësi për të hyrë në bedenat e thjeshta të poet-prozatorit të ri dhe premtues, Buna.
Aty thuhet: "është mirë të jesh i rëndësishëm, por më e rëndësishme është të jesh i mirë"… Aty ku mbaron kjo thënie nis rradha e vargut poetik me një përzgjedhje krijimtarie prej rreth 50-të poezi, te redaktuara nga Petrit Kucana. Nga fundi fjalën e ka proza poetike e autorit Dritan Buna.
Sa mbaron këtë udhëtim shpotitës, mes luftës së syrit, buzëve murmuritës dhe mendjes së hallaktur, diçka të bën që të mos e flakësh tutje këtë libër, jo nga gjithë sa thashë më lart, jo nga "Pesha e Fjalës", por nga vetë fjala që autori përdor në vargun e tij.
Është libri i parë dhe i vetëm i autorit Buna, por ka një kostum personal, ka një veshje të vetën, të pa marrë hua e psonisur gjetkë. Teksa shkruan për nënën, vajzën që dashuron, shoqen e shkollës, aadoleshencën, babain, ditëlindjen e shokut, ndjenjat kalimtare, Buna nuk harron Atdheun, mësuesit, largësinë edhe pse pushimet i kryen në Skoci dhe tenton të shprehet edhe në gjuhën e ishullit ku ai jeton e punon t'i flasë dashurisë: "My Sweetheart". Vitet ikin, thotë Buna, por ne ritemi, rritemi e vetëm rritemi ne, ndërsa kujtimi mbetet prapa si një hije. Në një kontrast të hapur ai vë në një vijë tisi të padukshëm lukuninë dhe dhimbjen, harmoninë dhe telajon poetike, harbutërinë dhe dashurinë, dhimbjen për të afërmit dhe plagët e dhimbjes së shoqërisë. Ai u drejtohet mbesave me vargje zemre dhe ndjenje:
"Të ëmbla, të vogla
si dy pëllumbesha
nga gjumi më zgjonin
dhe lodra kërkonin."
Por nuk lë pa goditur edhe këtë plagë të shoqërisë kur në poezinë "Prostituta" shreh me vargje:
"Pranë një semafori po kaloja një mbrëmje
tek kthehesha ngadalë në shtëpi
një vajzë e bukur aty në këmbë
fjalosej me një njeri.
Iu afrova dhe iu luta të më tregonte
Ç'kishte ngjarë me të dhe pse lotonte
"e besova atë djalë, -tha duke u dridhur
e s'e mendova kurrë se më mashtronte…"
Duke thelluar kërkimet në botën e tij shikon dhe lexon se si autori lexon Eseninin, Bërnsin, Migjenin dhe në poezinë "Pa shpresë" shikon një botë 'zuskë' të pandrequr. Dëgjon dhe lexon xhelozinë e listave, ofshamën e kritikëve pa brazda, lajthitjet e pseudomatëve dhe pseudonimin e tyre e jashtëqit si dikur letrat nën derë dhe ato që u mykën librave me fillin e mallkuar të kuq. Ah anonimët, si anoreksia për ata me numrin zero që tentojnë akoma të jenë në dietë. Aha xhelozët, që mundohen të kopjojnë 'balozët' e zinj. Pështirë, por më mirë me kostumin tënd, me emrin tënd… Ai shprehet:
"Një flet mirë
Një flet keq
Një tjetër akoma edhe më dreq
Por botën zuskë asnjë s'e ndreq!"