Nga Fatmir Terziu
"Atdheu: ylber i përjetshëm
ujëvarë malli
qiell dashurie
vetëtimë zjarri…"
Një "Ujëvarë Malli" ka mëse një vit që gumëzhin rafteve të bibliotekave private, të dashamirësve të poezisë, që kanë parë në vargjet e autorit Selman Lokja Atdheun, Shqipërinë, Kosovën, Deçanin, Vokshin legjendar, Kanadanë apo Amerikën dhe kanë mall të dëgjojnë nënën Zyher, 'Brothel Zenel', por që nuk 'duan të komentojnë' për Samitin e Kretës. Janë rreth 90 poezi të frymëzuara nga koloriti popullor i rrëfenjës dhe traditës popullore me nje gërshetim tradicionalen dhe bashkëkohoren në poezi. Është meraku dhe oratoria e Selman Lokjes që ndërthuret në pikanten rimuese të vargut që vetëm ecën e ecën si një vazhdimësi tejçuese.
Aty peshon kënga, fjala, thinjat e pleqërisë, fle dhe zgjohet kafsha shtëpiake, rrushja e lalës, mullarosi dhe e shoqja, madje edhe Darvini e Nastradini.
Sa domethënëse është retorika poetike e Selmanit në vargje kur atë e vizitojnë nipat, brezat e së ardhmes, kur bisedon me nënën, kur dialogon me Visarin apo kur paraqet kurbetin e burrave.
Selmani e sheh Shqipërinë në ëndërr, edhe pse vet ka lindur në Deçan të Kosovës dhe ka kaluar rininë auditoreve të Gjermanisë, Italisë dhe së fundi të Britanisë:
"Po ndodh shpesh këtu në Angli,
me u bashkue pleq e të ri
gra, fëmijë e vasha të reja,
s'na ndan gjuha, s'na ndan feja".
Duke vazhduar më tej ai në të njëjtën poezi shton:
"Shpesh në ëndërr shoh Shqipërinë,
tërë Mbishkodrën e Malsinë
pres një ditë atje të shkoj
nënë e babë të përqafoj".
Dhe ja ku buron kjo ujëvarë malli për vargjeshkruesin shqiptar:
"ylber i përjetshëm/ujëvarë malli/qiell dashurie/vetëtimë zjarri…".
I tillë është Atdheu për të. I tillë është edhe jetëzimi emror që ai u ka bërë fëmijëve të tij, ku spikat emri i qytetit të bukur shqiptar Vlora për vajzën e tij bukuroshe. Në bisedë me të birin ai zbulon:
"Këtu nuk jam vetëm,
por është dhe mami
bashkë me mua janë
Vlora dhe Arjani…"