| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Mustafë Xhemaili: Prozë e mirëfilltë artistike E marte, 12-02-2008, 07:17pm (GMT) Recension
Prozë e mirëfilltë artistike (Muharrem Blakaj: “Atentat brenda germës L”, roman, botoi Shoqata “Mëmëdheu”, Shën Galen -Zvicër, u shtyp në ADEA, Prishtinë, 2007) Nga Mustafë Xhemaili
Në hullitë e mira te romanit shqiptar “Atentat brenda germës L”, është romani i tretë, i suksesshëm, i romancierit Muharrem Blakaj. Autori në roman na jep anatominë e përgatitjes dhe ekzekutimit që bënë shërbimi sekret serb për vrasjen e tre udhëheqësve politikë në emigracion. Romani na bind se krimin e madh që e ka bërë UDB-ja famëkeqe, ka dalë nga mendja e zezë e saj, me qëllim që ta pengojë e ta bëjë të pamundur lirinë e popullit shqiptar. Ky roman lexohet me kureshti dhe përjetohet fuqishëm, sepse është i shkruar me një kulturë të lartë të gjuhës, dialogë të shkathët dhe detaje mahnitëse të situatave. Vlerat artistike të këtij romani, padyshim, shpalosin para lexuesve dhe kritikës, edhe një herë një krijues që, tashmë, me prozën e tij, ka hyrë bukur në hullitë më të mira të romanit bashkëkohor shqiptar. Krimi që është bërë më 17 janar 1982, në Untergrupenbah afër Shtutgardit në Gjermani, kundër Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, personaliteteve të shquara të kombit tonë është bërë një referencë dhe një burim i prekshëm për krijuesit tanë. Rreth këtij krimi dhe kësaj nyje historike në rrugën e lirisë së popullit tonë, tashmë janë thur letërsi, publicistikë, krijimtari postmoderne, piktura, këngë, poezi, poema. Mbi këtë ngjarje M. Blakaj shkroi dhe botoi romanin e tij “Atentat brenda germës L”, duke ia dhënë lexuesit një prozë të mirëfilltë artistike. Madje ky autor të gjithë ngjarjen e romanit e shtjellon nga një kënd tjetër – nga këndi i përgatitjes së vrasjes, përgatitjes së krimit nga ana e specialistëve të UDB-së. Në roman del një botë tjetër, ajo të cilën vetëm kemi mundur ta imagjinojmë si veprim, si akt që, pastaj, si veprime dhe akte ne i kemi përjetuar dhe i kemi parë të realizuara në praktikë nga kriminelët e UDB-së. Pra, në këtë roman na paraqitet mënyra se si mekanizmat udbeske përgatisin dhe e ekzekutojnë planin e tyre kundër prijësve shqiptarë. Anatomia e vrasjes politike Personazhet e romanit paraqiten me një dritë të fortë dhe lëvrijnë me sukses nëpër labirintet e errëta të Drejtorive të UDB-së në Beograd, Nish... e edhe jashtë ish-Jugosllavisë. Personazhi që ka marrë përsipër ndërtimin e gjithë procesit dhe anatomisë së vrasjes politike mbi shqiptarët. Autori e ka të qartë se thelbi i gjithë këtij procesi që e udhëheqë Gjenerali, një specialist i organizimeve të krimeve kundër liridashësve, nuk mund të arsyetohet vetëm duke e përshkruar njëtrajtshëm, prandaj, ai depërton në botën e këtij personazhi tipik. Me sukses arrihet të pasqyrohet i gjithë kompleksi i një lufte psikologjike dhe i një lufte reale sekrete, luftë e cila kulmon me vrasjen, krimin kundër tre krerëve politikë të shqiptarëve në mërgatë. Në roman na jepet qartë qëllimi dhe objektiva e Gjeneralit, pastaj Kryeqëndrorit, Partizanit, ekzekutuesit të parë, ekzekutuesit të dytë... Ata na dalin të organizuar mirë, të vëmendshëm, të mbuluar mjaft mirë nga një aparaturë dhe mekanizim shtetëror, shtet i cili ndjek e vret ata të cilët mendojnë e veprojnë për lirin e popullit të tyre. Ne roman shihet edhe linja e qartë e personazheve tjerë, që në fakt janë kryesoret: Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi. Madje këta nuk paraqiten pothuajse fare në skenë, përveç në fund kur kryhet akti kriminal mbi ta. Ata janë gjithkund në “Dosjen G” dhe në “Dosjen Z”, dosje që vazhdimisht janë në duart e Gjeneralit dhe Kryeqëndrorit. Këto dosje, përbëjnë planin operacional të koduar “Tigri”, i cili plan përcillet dhe mbështetet nga një infrastrukturë e fuqishme specialistësh dhe një xhirollogari e pakufishme. Strukturë e qëndrueshme artistike Pavarësisht se ky roman ka për bazë një fakt historik e të dhimbshëm të historisë sonë më të re, M. Blakaj me sukses i ka ikur “historicizmit” në të mirë të letërsisë dhe duke e thur materien me shkathtësi dhe gjithmonë nga këndi i përgatitjes së krimit, lexuesi do të ndjekë me kërshëri gjithë shtjellimin e romanit. Ky është edhe suksesi kryesor i këtij romansieri, i cili para lexuesve vjen mjaft stabil në të rrëfyerit e ngjarjeve, intrigës. Një karakteristikë tjetër e këtij autori është edhe përdorimi i detajit, që në këtë roman merr një vlerë të rëndësishme, sepse, pikërisht, nga detaji ai krijon makrostrukturën e qëndrueshme artistike, të cilin lexuesi e ndjek me kërshëri dhe kujdes deri në fund. Në anën tjetër, M. Blakaj ka arritur që të ndërtojë situata dhe gjendje të cilat të japin përshtypjen e një realiteti, i cili nuk mund të jetë më fiktiv. Gërshetimi i gjendjeve psikologjike te Gjeneralit dhe i atmosferës së raporteve që i sjellin spiunët për veprimtaritë e krerëve shqiptarë që ai i ndjekë nëpër Gjermani për t’i ekzekutuar, krijojnë një atmosferë të nderë dhe mjaft dramatike. Me një gjuhë të kultivuar, (herë-herë më të lartë, e ndonjëherë atipike për disa personazhe), M. Blakaj dëshmon se është këmbëngulës në përdorimin korrekt të shqipes dhe mundësive të mira për pasurimin e saj me një varg shprehjesh dhe fjalësh që i ka hulumtuar, gjetur dhe përdorur me mjeshtri. Kjo veti e këtij prozatori, që e ka treguare dhe në romanet tashmë të botuara, e sidomos te “Thesaret e humbura”, na jep të kuptojmë se, tashmë, kemi të bëjmë me një prozator i cili e di shumë mirë se si t’i afrohet lexuesit të tij, që besojmë se nuk do të jetë i paktë. “Atetantat brenda germës L”, i Muharrem Blakajt, na vjen si një roman me vlera të shumëfishta; na vjen në këtë kohë edhe si një dhembje, me një artefakt që brenda ka dhe paraqet një kapërcell shqiptare të cilin e përjetuam dhe e kemi brenda nesh. Mendimet e recensentëve: Muharrem bakaj është një nga autorët e mërgatës shqiptare në Zvicër, krijimtaria e të cilëve meriton vëmendjen dhe interesimin tonë të veçantë. Që në dy romanet e tij të para, “Misioni sekret” dhe “Thesaret e humbura”, ai paraqiti ngjarje në mënyrë shumë tërheqëse dhe njëkohësisht me nivel të lartë letrar. Tema e romanit “Atentat brenda germës L”,, është një komplot antishqiptar i shërbimit sekret jugosllav në vitin 1982. mirëpo, në vend që të shkruajë një histori të thjeshtë spiunazhi, autori na befason kësaj radhe, me një vepër e cila të gjitha cilësitë e një romani psikologjik me kuptimin më të mirë të fjalës. Në qendër të saj gjendet me nofkën “Gjenerali”, mendimet, përsiatjet, druajtjet, gëzimet dhe veprimtaritë e të cilit vëzhgohen dhe përshkruhen në mënyrë tepër të përpiktë. Nga kjo mënyrë nganjëherë gati hiperreliste e të përshkruarit, së bashku me “plot”-in ngacmues rreth atentatit, rezulton një vepër e shquar edhe për cilësitë e saj letrare – edhe njëkohësisht një vepër, e cila tërheq interesin dhe vmendjen e lexuesit për krijimtarinë e autorit Muharrem Blakaj. Prof. Dr. Basil Schader Romani më i ri, që lexuesi tash e ka në dorë, me titull “Atentati brenda germës L”, është një roman i situatave dramatike. Ai ka për bosht një krim që është bërë nga ana e shërbimeve të fshehta serbojugosllave, kndër Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, një krim kundër lirisë së Kosovës. Autori Blakaj, ka arritur që ta ndriçojë me mjeshtri njerëzit e krimit dhe mjetet e krimit kundër shqiptarëve. Romani na jep një tablo të jashtëzakonshme të veprimeve të kriminelëve, që lexuesin e mbajnë pezull deri sa të përfundojë teksti i tij. Rrahim Sadiku
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||