Nga Lirim Deda
Eseninit, janë treguar “kurnacë”, duke na e dhënë me pikatore, floririn e mendimit eseninian, si një të sëmuri, ilaçin e zemrës. Pak, shumë pak, kanë përcjellë tek lexuesit e etshëm begatinë krijuese të poetit të famshëm dhe rebel, Eseninit. Dhe ja,tani, fatmirësisht, prozatori paustovskian, Vasil Premçi, arrin të na befasojë me depërtimin në shpirtin e lirikut rus, dhe me vjeljen, gati, deri në shterim të vreshtave eseniniane, vreshta nga të cilat, edhe sot e kësaj dite, por edhe për mote e mote të mëpastajme, do të vilen pjergullat dhe do të pihet votka tipike ruse.
Të guxosh t’i afrohesh një poeti si Sergei Esenini, është një guxim i çartur dhe, pa pikë e presje, do të thotë të jesh paksa i shkarë nga trutë e kokës. A nuk ngjason ky lloj guximi me ngjitjen dhe zbritjen mbi një humnerë të thepisur, nga ku, fare pak, po të rrëshqasë këmba ose dora, e ke të sigurt dështimin në përmbushjen e misionit të ëndërruar, si një aventurë dhe ëndërr të guximshme, por të
parealizuar. Të arrish të gjesh shtegun e duhur për tek maja, që rezëllit atje tej dhe të shtrohesh këmbëkryq, në një bisedë të ngrohtë e miqësore, si me një shok të vjetër ushtrie, përpara gotës së rakisë, do të thotë, të jesh diç magjistar dhe t’ia kesh arritur qëllimit ambicioz, do të thotë të kesh diç nga fryma e perëndive, që të prijnë në shtigjet e frymëzuara ajrore. Kurse, të shkosh më tej, pra, që Sergei
Esenini, me një sinqeritet poeti dhe me lot në sy, të të hap, një kanatë, zemrën e tij të lënduar, ku rrihnin dikur aq frymëzime djaloshare, padyshim, kjo përbën një magji të mrekullueshme, dhuratë e papërsëritshme për lexuesin e çdo brezi, që, për më tepër, do të vlejë, jo aq në fushën e shënimeve kritike, se sa si një thesar për të gjithë ata që i janë përkushtuar Artit Poetik.
Vasil Premçit, qysh para se të merrte guximin për të hyrë në hapsirat e pambarimta të shpirtit rus, i është dashur të kapërcejë një prag të vështirë dhe të mposhtë pa hezitim, ndrojtjen, duke iu përgjigjur me guxim e mençuri krijuese pyetjes:“Ja, dhe hyra në atë shpirtë të pamatë, por, pastaj, si do të dal prej andej?” Për autorin, me sa duket, është e qartë, se shpirti i një poeti kombëtar, bart në vetvete edhe një pjesë të qenësishme të vetë shpirtit të kombit, që i përket, ndaj dhe, një studiuesi, sado të përkushtuar pas tij, i është dashur të përballojë dallgëzimet e oqeanit, sepse Sergei Esenini i gjerbi sekondat, ditët dhe motet e pakta që jetoi, si askush tjetër nga
moshatarët dhe krijuesit e mëmëdheut të poezisë, e mëmëdheut të zhvillimeve e përparimit, me kultin e Lirisë dhe të Njeriut përmes kontradiktave tejet të ashpra midis forcave lëvizëse të shoqërisë, por, së pari, midis filozofisë së këmbënguljes për të jetuar dhe për të çarë dallgë, edhe në zymtnajën e shekullit, që në shpërgenjtë e vet përgatiti rrokullima gjëmimtare për vetë hierarkinë e sistemeve. Dhe
Sergei Esenini, në këto vorbulla marramendëse, si askush tjetër, i këndoi lirisë, jetës e dashurisë, duke u shndrruar në morinë e brengnajave dhe të akullnajave shpirtërore, në një diell shpresëdhënës, përmes rebelimit ndaj realitetit të zymtë, përmes
ndriçimit të skutave më të errëta të shpirtit njerëzor, për të sjellë në hapsirë, mirësinë, bukurinë, dritën, dashurinë njerëzore dhe shpresën, si një klithmë shtergu pas shtrëngatës!
Sa e mundimshme ka qenë puna e krijuesit, poetit të prozës sonë, Vasil Premçi, për t’ia nisur kuvendimit me poetin rebel, Sergei Esenin, kjo mund të vërehet edhe nga pasqyra e referimeve ku përmenden autorët e veprat me të cilat është konsultuar autori. Por kjo do t’u vlente më tepër studiuesve, kolegëve të Vasilit. Për lexuesit e këtij
libri të rrallë, në llojin e vet, në letrat shqipe, është e rëndësishme se ai, që në fillim, do të ndjejë deri fundit, arrin të kuvendojë me Eseninin, si i barabartë dhe, çuditërisht, bindemi se vetë Esenini, gjeniu rus i poezisë, e ka pranuar me ëndje këtë kuvendim. Poeti - gjeni, që edhe me nënën e vet nuk ka shkëmbyer më shumë se pesë fjalë, kur ia dëgjoi klithmën e mallit, me Vasil Premçin, pranon të ulet shtruar në bisedë dhe i rrëfen mbarë e prapë, të bërat e të pabërat, ëndrrat dhe marrëzitë, vetëm e vetëm, sepse ai i beson mjeshtrisë letrare të Vasil Premçit, i beson shpirtshpërfaqjes së tij, por edhe gjuhës së studiuesit kritik.
Që të arrish të tërheqësh vemendjen e një poeti si Esenini, më parë, të duhet të mësosh, gjuhën e fletëve, të kuptosh pëshpërimat e valëve në mot të mirë, të ligjërosh me zogjtë e me shpesët si i barabartë dhe ato të të ftojnë pastaj në folezën e tyre; të ndjesh guitjen e një foshnje të sapolindur, përgjërimet e së ëmës mbi kryet e saj, ashtu siç të duhet të jesh i aftë të ndjesh regëtimat e dashurisë dhe përvëlimin e puthjes së një buze vashe, si dhe të përballosh pabesinë e tradhëtisë. Është një ogur i mbarë për letrat shqipe që këto aftësi e virtute krijuesi, të jashtëzakonshme, në hapsirën e mendimit kritik shqiptar na i dëshmon qartësisht, sado me thjeshtësi brilante, miku dhe shoku i hallexhinjve rebelë, Vasil Premçi.
Lum kush e merr në dorë këtë libër dhe dëgjon ligjërimin e cicërimat për një zog të rrallë me emrin, Esenin!
Pastë orën e fatit të mbarë ky libër dhe autori i tij!